Mesazhi i Ministres Dumoshi për Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit

Të nderuar shkrimtarë, botues, publicistë, kritikë letrarë e krijues të fushës së letërsisë,

Shumë të dashur njerëz të letrave,

Sot, festojmë Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, datë kjo e caktuar nga UNESCO për të nxitur leximin e për të bërë librin pronë të të gjithëve.

Në këtë ditë, kur botës i ikën personalitete markante, si Shekspiri e Servantesi, shënojmë ditën për librin; si shpikja më e bukur për ndarjen e ideve përtej kufijve të hapësirës dhe kohës. Atij që mbetet shtysa dhe forca më e fuqishme e çrrënjosjes së varfërisë dhe ndërtimit të paqes.

Kosova mburret me trashëgiminë letrare që personalitet të shumta i lanë ndër vite. Ndaj me respektin më të përulur dua të kujtoj të gjitha personalitetet e shquara të letërsisë sonë të cilët përmes librave të tyre na ushqyen idealet e shpirtin. Të gjithë njerëzit e letrave, që me angazhimin e tyre e bëjnë dijen të qasshme për secilin prej nesh.

Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dua t’i siguroj të gjithë krijuesit, autorët e botuesit në Kosovë, që do të bëj përpjekjen e vazhdueshme përmes formave dhe kanaleve institucionale, për ruajtjen dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare.

Duke njohur mirë sfidat e komunitetit krijues e botues në Kosovë, kujtoj që një segment tjetër i rëndësishëm po aq i ndërlidhur me krijimtarinë letrare e publicistike është edhe e Drejta e Autorit. Konsideroj se me gjithë hapat që janë ndërmarrë nga MKRS kundër piraterisë e falsifikimit, akoma na presin hapa të tjerë përmes të cilëve sigurojmë që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet.

Shpreh konsideratën time më të thellë për angazhimin e secilit krijues, botues, kritik e publicist dhe ju siguroj për mbështetjen time të pa rezervë që bashkërisht librit në Kosovë, t’i falim ditë të tjera, edhe më të mira. / KultPlus.com

Bashkëpunimi për të rinjtë e Kosovës, prioritet për MKRS-në, UNFPA-në e UNKT-në

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim John Kennedy Mosoti, Drejtor i UNFPA-së për Kosovë, Serbi dhe Maqedoni Veriore si dhe Përfaqësues i UNFPA-së për Bosnje e Hercegovine. Në takim ishte e pranishme edhe Shefja e UNKT-së në Kosovë Ulrika Richardson.

Ministrja Dumoshi theksoi që është shumë e kënaqur me punën e mirë të agjencive të UN-it në Kosovë e veçanërisht UNFPA-së, punën e të cilës e çmon lartë.

Ndërkaq, Mosoti uroi Ministren Dumoshi për marrjen e detyrës dhe e njoftoi me misionin dhe vizionin e UNFPA-së si dhe me projektet konkrete në Kosovë dhe me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës për të shtyrë përpara çështje si edukata seksuale, aborti, struktura e popullsisë etj.

Në takim u diskutua për format e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me angazhimin e të rinjve në projekte të ndryshme, meqenëse komponentë e rëndësishme  MKRS-së është edhe Rinia.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më vitale e Kosovës dhe aset i çmuar për të cilin duhet bërë akoma si në nivel institucional ashtu edhe në nivele tjera. Ajo u shpreh e gatshme të ofrojë të gjitha kapacitetet dhe ndihmën e Ministrisë që bashkërisht me të gjitha organizatat që veprojnë në Kosovë të fuqizojnë rininë përmes projekteve e aktiviteteve të ndryshme. / KultPlus.com

Ministrja Vlora Dumoshi mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, vizitoi ekspozitën e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit “Anibar” në Galerinë e Arteve në Pejë, me ç’rast ajo u prit nga drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja dhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Po ashtu, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi vizitoi edhe Kinemanë “Jusuf Gërvalla” dhe nga organizatorët e Festivalit u njoftua në lidhje me punën e tyre rreth Festivalit.

Ministrja Dumoshi u shpreh e kënaqur me entuziazmin e të rinjve kreativ, dhe u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë jetën kulturore të Kosovës duke krijuar kushte më të mira dhe duke e subvencionuar atë.

Ndërsa drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen. / KultPlus.com