Mes solidarizimit me tragjedinë në Serbi dhe shfaqjen e filmit ‘Si mësova të fluturoj’, hapet ‘Mirëdita, Dobar Dan’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë hapësira në Kino ABC qe ndryshe. Festivali tashmë i njohur për shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, “Mirédita, dobar dan!”, zuri vend për të shënuar hapjen e edicionit të dhjetë me radhë. Mes dhimbjes për tragjedinë e fundit në Serbi dhe frymës komike të filmit ‘Si mësova të fluturoj’, u zhvillua gjithçka, shkruan KultPlus.

Festivali i njohur më së miri për bashkëpunimin në mes dy shteteve, edhe kësaj here ka dëshmuar për një program të përsosur që do shpaloset në ditët vijuese. Programi si çdo herë synon të jetë qendra e vëmendjes së dy kulturave që dallojnë nga njëra-tjetra. Natyrisht që qëllimi kryesor i “Mirëdita, dobar dan!” mbetet prezantimi i artistëve dhe performuesve që përfaqësojnë skenën kulturore dhe bashkëkohore, por pikë tjetër kryesore është edhe bashkimi i komuniteteve shoqërore të dy shteteve. Kësisoj arrihet të krijohet tradita e bashkëpunimit për të përfunduar në një pikë të normalizimit dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve në këto dy vende.

Nëpërmjet frymëzimit të figurës ikonike siç është Bekim Fehmiu, në 2014-tën festivali hodhi hapin e parë drejt një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Gati një dekadë më vonë, pikërisht ky festival vazhdon të jetë një ndër platformat e pakta që krijon hapësirë të gjerë për shkëmbimin e skenës kulturore mes dy vendeve. Çështjet politike natyrisht që kanë zënë vend ndër vite, por këto rrënjë të thella duhet të largohen njëherë e përgjithmonë. E kjo veçse ka nisë të ndodhë, duke pas bazë ndezjen e qirinjve mbrëmë pas shfaqjes së filmit, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit të ndodhur në një nga shkollat e Beogradit. Kjo është dëshmi që populli i Kosovës e di fort mirë se çka është dhimbja dhe tash e sa vite, akoma e përjeton atë ndjenjë, e jo vetëm.

Kushtrim Koliqi, drejtori ekzekutiv i ‘Integras’, mori fjalën i pari, i cili fillimisht, nisur nga tragjedia e ndodhur në Serbi, tha se ky edicion i festivalit po nis në një situatë të jashtëzakonshme, megjithatë, programi do të vazhdojë.

“Miq të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’, mirë se keni ardhur në hapjen e edicionit të 10-të të këtij festivali i cili për shumë vite tashmë po vazhdon të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe krijimtari mes Kosovës dhe Serbisë në fusha e aspekte të ndryshme”, u shpreh Koliqi. Më tutje, ai tha se pavarësisht se sfidat politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njëjta, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ vazhdon të punojë fort në qëllimin që ka pasur që në vitin 2014, krijimin e rrugëve të reja mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile.

“Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ mbetet një prej platformave të pakta që ofron hapësirë për promovimin dhe shkëmbimin kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen, ose edhe kur diskutohen ato keqpërdoren”, tha mes tjerash Koliqi.

Më pas, fjalën e mori Sofija Todorovic, drejtoresha ekzekutive e Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila po ashtu nisi fjalimin e saj duke u solidarizuar me tragjedinë në Beograd duke kërkuar që në këto momente të vështira të qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin.

“Detyra jonë ka qenë gjithmonë që të lidhim njerëz në kohë të vështira dhe të krijojmë hapësirë për solidaritet. Përmes dhimbjes ne shpeshherë mund të shohim më qartë sepse vuajtja ka fuqi edhe të afrojë njerëzit. Tragjedia e djeshme na ka shtyrë të gjithëve të shikojmë thellë brenda vetvetes dhe t’i vlerësojmë edhe më shumë ato që i kemi”, tha Todorovic duke shtuar më tutje se sot më shumë se kurrë, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Shfrytëzojeni këtë festival që të shikoni brenda vetes, të pyesni dhe të zbuloni se çfarë është ajo që secili prej jush mund të bëni për të inkurajuar më shumë humanizmin, butësinë dhe empatinë edhe atëherë kur rrethanat na çojnë në një drejtim tjetër”, përfundoi ajo.

Pas këtyre fjalimeve, nisi shfaqja e filmit ‘Si mësova të fluturoj’ nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili solli një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Filmi solli të qeshura të shumta në mesin e audiencës. E pas shfaqjes së filmit, publiku u bë bashkë për të ndezur qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit me tragjedinë në Serbi.

Ju kujtojmë që “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Ceremoninë e hapjes së “Mirëdita, dobar dan!” nesër në Kino ABC

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. 

Ceremonia e hapjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet në Kino ABC në Prishtinë, më 04 maj 2023 (e enjte), nga ora 18:00h.

Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin. /KultPlus.com 

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” zbulon datat e edicionit jubilar

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.

Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.

Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.

“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Zbulohen datat e mbajtjes së edicionit të dhjetë jubilar të festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, po vjen me edicionin e radhës, përcjell KultPlus.

Organizatorët e festivalit, tashmë kanë bërë të ditur edhe data se kur do të mbahet festivali.

““Mirëdita, dobar dan” do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com