Organizatat e Rajonit me kërkesë ndaj shtetit të Serbisë: “Mirëdita, Dobar Dan” duhet të mbahet

Organizatat joqeveritare të rajonit ofrojnë mbështetje të fuqishme për kolegët nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativat Qytetare nga Serbia, si dhe Integra nga Kosova, si organizatorë të “Mirëdita, Dobar dan”. Ky festival i cili promovon miqësinë dhe bashkëpunimin mes serbeve dhe shqiptarët, është ndaluar në Serbi.

Ne dënojmë vendimin e autoriteteve në Serbi për ndalimin e festivalit vetëm për shkak se ai u sulmua nga strukturat kriminale, anëtarët e grupeve të djathta që në mënyrë brutale kanë kërcënuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e tij. Serbia, si shtet anëtar i OKB-së dhe Këshillit të Evropës dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pritet të respektojë detyrimet e saj ndaj lirisë së shprehjes, organizimit dhe tubimit paqësor të organizatorëve të festivalit dhe t’i mbrojë ata nga banditët që përdorin gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet më të egra të dhunës ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të festivalit.

Shprehim shqetësim serioz për qëndrimin negativ të zyrtarëve më të lartë të Republikës së Serbisë ndaj këtij festivali, i cili ekskluzivisht promovon paqen. Festivali ishte parashikuar të hapet me një shfaqje për vuajtjet universale të familjeve, të dashurit e të cilëve janë rrëmbyer dhe zhdukur.

U bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të rishqyrtojnë vendimin për ndalimin, të mbrojnë kolegët tanë dhe të sanksionojnë të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë e tyre.

Nënshkrimet (sipas rendit alfabetik):

1.     Aida Qoroviq, aktiviste qytetare, Beograd, Serbi

2.     Akademia Rajonale për Zhvillimin e Demokracisë (ADD), Novi Sad, Serbi

3.     Aksioni për të drejtat e njeriut (HRA), Podgoricë, Mali i Zi

4.     Aleksandar Sasha Zekoviq, këshilltar i pavarur në Kuvendin e Kryeqytetit të Podgoricës, Mali i Zi.

5.     Asociacioni për Iniciativë Demokratike (ADI), Gostivar, Maqedonia e Veriut

6.     Beograd Pride, Beograd, Serbi

7.     Bona Fide, Pljevlja, Mali i Zi

8.     CESI – Qendra për Arsim, Konsulencë dhe Kërkime, Zagreb, Kroaci

9.     CROSOL – Platforma për solidaritet civil ndërkombëtar

10.  Dina Bajramspahiq, aktiviste civile, Mali i Zi

11.  Documenta – Qendra për përballjen me të kaluarën, Zagreb, Kroaci

12.  Ec me ne – Phiren Amenca, Podgoricë, Mali i Zi

13.  ERA – Aleanca për të drejta të barabarta të personave LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Beograd, Serbi

14.  Expeditio – Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm Hapësinor, Kotor, Mali i Zi

15.  Europa Nostra, Serbi

16.  Familjet Rainbow, Zagreb, Kroaci

17.  Fondacioni BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, Beograd, Serbi

18.  Goran Gjuroviq, aktivist civil, Mali i Zi

19.  Gratë në të zeza, Beograd, Serbi

20.  hoqata e Avokatëve të Malit të Zi, Podgoricë, Mali i Zi

21.  Iniciativa Igman

22.  Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, Kroaci, Zagreb

23.  Instituti i Mediave të Malit të Zi, Podgoricë, Mali i Zi

24.  Instituti i Paqes, Lubjanë, Slloveni

25.  Jovana Maroviq, Grupi Këshillues “Ballkani në Evropë” (BiEPAG), Mali i Zi

26.  Juventas, Podgoricë, Mali i Zi

27.  KC Grad, Beograd, Serbi

28.  Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut – YUCOM, Beograd, Serbi

29.  Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Beograd, Serbi

30.  Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Bijeljina, BeH

31.  Komiteti malazez i avokatëve për të drejtat e njeriut (CKP), Podgoricë, Mali i Zi

32.  Komiteti Malazez i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (CHO), Podgoricë, Mali i Zi

33.  Krokodil – Mbledhja rajonale letrare që eliminon mërzinë dhe letargjinë, Beograd, Serbi

34.  Lëvizja Evropiane në Serbi, Beograd, Serbi

35.  Lidhja Antifashiste e Republikës së Kroacisë, Zagreb

36.  Lobi i Grave malazeze (CŽL), Podgoricë, Mali i Zi

37.  Mbrojtësit e të Drejtave Civile – Civil Rights Defenders

38.  Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë / Inicijativa Mladih za Ljudska Prava Kosovo / Youth Initiative for Human Rights – Kosovo

39.  Nisma qytetare “21 Maji”, Podgoricë, Mali i Zi

40.  Organizata “Glas žene”, Bihaċ, Bosnje dhe Hercegovinë

41.  Parlamenti Qytetar i Helsinkit i Banja Lukës, Bosnjë dhe Hercegovinë

42.  Prima, Podgoricë, Mali i Zi

43.  Qendra e Hapur e Sarajevës, Sarajevë, BiH

44.  Qendra e PEN-it të Malit të Zi, Cetinje, Mali i Zi

45.  Qendra për Demokraci dhe Drejtësi Tranzicionale (CDTP), Banja Luka, BeH

46.  Qendra për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (CEDEM), Podgoricë, Mali i Zi

47.  Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Podgoricë, Mali i Zi

48.  Qendra për Edukimin e Grave dhe Paqes ANIMA, Kotorr, Mali i Zi

49.  Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi (CIN-CG), Podgoricë, Mali i Zi

50.  Qendra për Liritë Civile – CEGAS, Podgoricë, Mali i Zi

51.  Qendra për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Shoqërisë Civile “DELFIN”, Pakrac, Kroaci

52.  Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), Podgoricë, Mali i Zi

53.  Qendra për Paqe, Jo-Dhunë dhe të Drejtat e Njeriut, Osijek, Kroaci

54.  Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Sarajevë, BeH

55.  Qendra për Rajonalizëm, Novi Sad, Serbi

56.  Qendra për Studime të Paqes, Zagreb, Kroaci

57.  Qendra për të Drejtat e Grave (CŽP), Podgoricë, Mali i Zi

58.  Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT), Podgoricë, Mali i Zi

59.  Qendra për Veprim jo të Dhunshëm Sarajevë | Beogradi

60.  Qendra për Zhvillimin e Organizatave Joqeveritare (CRNVO), Podgoricë, Mali i Zi

61.  Qendra për Studime të Avancuara Ekonomike në Beograd (CEVES), Beograd, Serbi

62.  Rrjeti i grave në të zeza, Serbi

63.  Rrjeti i Shoqatës për Ndërtimin e Paqes, Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë

64.  Rrjeti rinor i Malit të Zi, Podgoricë, Mali i Zi

65.  SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale, Pula, Kroaci

66.  Shoqata “Prindërit”, Podgoricë, Mali i Zi

67.  Shoqata “Strpci – Kundër Harresës”, Bijelo Polje, Mali i Zi

68.  Shoqata Alternative, Kakanj, BeH

69.  Shoqata e Asociacioneve për Iniciativa Demokratike (ADI), Sarajevë, BeH

70.  Shoqata e Distrofisë Cazin, Bosnjë dhe Hercegovinë

71.  Shoqata e Distrofisë, Bužim, Bosnje dhe Hercegovinë

72.  Shoqata e gazetarëve të BH, Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë

73.  Shoqata e Gëzimit të Miqësisë Bihaq, Bosnje dhe Hercegovinë

74.  Shoqata e grave LBTQ Stan, Podgoricë, Mali i Zi

75.  Shoqata e Grave për Zhvillim të Qëndrueshëm Vakat Jezerski-Bosanska Krupa, BeH

76.  Shoqata e pensionistëve dhe punëtorëve me aftësi të kufizuara Bužim, Bosnje dhe Hercegovinë

77.  Shoqata e Profesorëve të Historisë të Malit të Zi (HIPMONT), Podgoricë, Mali i Zi

78.  Shoqata Kantonale e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Lufta Kundër Varësisë “Dora Dorës” Bihaq, Bosnje dhe Hercegovinë

79.  Shoqata LGBTIQ malazeze Kvir Mali i Zi, Podgoricë, Mali i Zi

80.  Shoqata për fëmijë dhe të rinj “Kuća”, Podgoricë, Mali i Zi

81.  Shoqata Spektra, Podgoricë, Mali i Zi

82.  Shoqata Komunale e Sklerozës Multiple, Bijelo Polje, Mali i Zi

83.  Shoqata IKS, Petrinja, Kroaci

84.  Shoqata për mbështetjen e viktimave dhe dëshmitarëve, Vukovar, Kroaci

85.  Shoqëria e Botuesve Malazezë, Podgoricë, Mali i Zi

86.  Shoqëria Filologjike Malazeze, Cetinje, Mali i Zi

87.  Shtëpia e të Drejtave të Njeriut, Banja Luka, BeH

88.  Shtëpia e të Drejtave të Njeriut, Zagreb, Kroaci

89.  Studio drame Prazan prostor, Podgoricë, Mali i Zi

90.  Unioni i Shoqatave të Paraplegjikëve dhe Pacientëve me Polio të Kantonit Una-Sana, Velika Kladusha, Bosnje dhe Hercegovinë

91.  Xhenana Dediq, aktiviste civile, Bosnje dhe Hercegovinë

92.  Zona Aktive, Cetinje, Mali i Zi

93.  Zyra përfaqësuese e ForumZFD, Beograd, Serbi

94.  Zyra përfaqësuese e ForumZFD, Prishtina, Kosovo

95.  Zyra përfaqësuese e ForumZFD, Skopje, Maqedoni/ KultPlus.com

Integra: Shteti i Serbisë e ndalon bashkëpunimin ndërmjet artistëve nga Serbia dhe Kosova

Sot pas orës 14:00, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka pranuar njoftim verbal nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për ndalimin e të gjitha ngjarjeve në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”. Ndalesa u komunikua zyrtarisht si urdhër për të ndërprerë tubimin, fillimisht në formë verbale e pastaj edhe në formë të shkruar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërlidhura me festivalin, si ngjarjet publike edhe ato të planifikuara vetëm për mysafirët.

Me këtë urdhër, përmes aplikimit të masave disproporcionale, Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, si dhe një numër ligjesh, duke përfshirë të paktën dy nene të Ligjit për Tubime Publike. Vendosja e barrës mbi organizatorët në vend se të merren me huliganët dhe dështimi për të siguruar tubimin është kundër rendit ligjor dhe kushtetues të Republikës së Serbisë si dhe kundër standardeve e praktikave në fuqi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një fushatë linçuese e lansuar kundër festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” në Serbi u udhëhoq pikërisht nga ata që kanë përgjegjësi të mbrojnë njerëzit dhe të promovojnë paqe e normalizim, Përfaqësues të institucioneve shtetërore, përkatësisht Ministri i Kulturës (Nikola Selakoviq), Ministrja i Mirëqenies Familjare dhe Demografisë (Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski), Zëvendëskryeministri i Serbisë (Aleksandar Vulin), Kryetari i Beogradit (Aleksandar Sapiq) dhe Ministri i Punëve të Brendshme (Ivica Daqiq), të cilët kanë përgjegjësi të mbajnë rend, ishin ndër të parët që nxitën urrejtje, jotolerancë dhe i dhanë zë linçimit, që përfundimisht çoi në ndalesën zyrtare të festivalit.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” nuk është armiku i shtetit, por huliganët me të cilët shteti është rreshtuar dhe për hir të së cilëve ka dështuar të përmbushë obligimet e veta. Detyra fundamentale e shtetit është të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë në mënyrë të duhur ata që shkelin këto apo organizohen kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Përgjatë pranisë sonë në ndërtesën ku ishte i supozuar të mbahet festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në daljen e jashtme, duke krijuar një situatë ku njerëzit po mbahen peng brenda ndërtesës para syve të anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët pretendojnë se nuk mund të ndërhyjnë.

Përmes ndalimit të festivalit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Serbisë edhe një herë e kanë demonstruar se liria për tubim aplikohet vetëm për grupet huligane, jo për pjesëmarrësit dhe mysafirët e festivalit. Gjatë njoftimit për ndalim, organizatorët u urdhëruan, nën kërcënimin e pasojave, që të sigurohen që të gjithë pjesëmarrësit të largohen nga Serbia, edhe pse vet ndalimi nënkupton se ata më nuk janë pjesëmarrës të festivalit por individë të lirë. Autobusi që po transportonte pjesëmarrësit u ndalua në Bubanj Potok, dhe ju ndalua hyrja në Beograd. Organizatorët u udhëzuan të kthejnë autobusin në Kosovë nën përcjellje të policisë, urdhër ky që u ekzekutua rreth orës 14:30.

Kjo ndalesë përbën shkelje të lirisë për tubim, lirisë së lëvizjes dhe lirisë së shprehjes. Kjo poashtu shuan çdo iluzion se kjo qeveri ka për prioritet një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës apo integrimin evropian të Serbisë.

Dje dhe sot, grupe të ndryshme huligane dhe neo-naziste si Delije Sever, Patrolla e Njerëzve, Grupi 451 dhe Zetropa Serbia u lejuan që lirshëm të zaptojnë hapësirën Dorcol Platz, hapësira kulturore ku ishte menduar të niste festivali. Dje, muret e jashtme të Dorcol Platz-it u ngjyrosën me mesazhe kërcënuese shoveniste të drejtuara për mysafirët e festivalit. Incidenti menjëherë u raportua në polici dhe më pas mesazhet u fshinë nga organizatorët.

Disa prej pjesëmarrësve të festivalit arritën në Beograd para disa ditësh, kështu që ata u ndikuan drejtpërdrejt nga kjo ndalesë. Shteti zgjodhi të rreshtohej me ata që shkruan mesazhe si “Jashtë! dhe “Nuk jeni të mirëseardhur!” në hapësirat e “Dorcol Platz-it” në mbrëmbjen ndërmjet 25 dhe 26 qershorit.

Sot një grup prej rreth 150 huliganëve që dukeshin uniform, ndaloi trafikun në rrugën Dobraqina dhe bllokoi hyrjen e Dorcol Platz-it, ashtu që asnjë nga mysafirët e festivalit si dhe organizatorët e punëtorët e hapësirës të mos mund të hynin apo të dilnin nga oborri prej orës 12:00 pasdite. Një numër i pamjaftueshëm i anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodheshin në hapësirë dhe MPB nuk dërgoi përforcime, duke dhënë përshtypjen se as që kishte vullnet për hapje të festivalit.

Ky veprim i jashtëligjshëm dhe i dhunshëm nga një grup huliganësh po ndodh në të njëjtën kohë kur zyra e Nismës pranoi kërcënime për bombë sot, dhe imazhet e huliganëve të gatshëm për të përdorur armë të ftohta për të na heshtur ne kanë qarkulluar në rrjete sociale. Qytetarët që ishin afër Dorcol Platz morën shpjegim nga anëtarët e policisë se kishte të bënte me një protestë paqësore kundër festivalit, që në fakt nuk korrespondon aspak me situatën në realitet, duke qenë se në fakt kishim të bënim me grupe të koordinuara e të organizuara të huliganëve.

Në atë situatë, në vend se të garantonte sigurinë e qytetarëve gjatë përpjekjeve që bartin mesazhe bashkëpunimi e paqeje, edhe një herë MPB u rreshtua me huliganët, siç ishte rasti kur policia e mbronte muralin e Ratko Mlladiqit në vitin 2021. Përkundër kësaj, ne do të ankohemi kundër këtij vendimi për ndalim dhe do të demonstrojmë mungesën e plotë të bazës mbi të cilën ai është ngritur. Ky ndalim është rezultat i një kampanje të autoriteteve serbe kundër lirisë së shprehjes dhe promovimit të kreativitetit artistik, në të cilën janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësues e udhëheqës të strukturave të larta shtetërore.

Gjithashtu shprehim keqardhje të thellë për këtë rast dhe ndajmë shqetësim të vërtetë për gjendjen e një shoqërie të karakterizuar nga dhuna, urrejtja dhe jotoleranca – një model i sjelljes të cilin zyrtarët dhe institucionet dështojnë ta njohin e ta pranojnë si kundërshtues dhe të rrezikshëm. Ndërkohë, qytetarët që avokojnë për paqe e pajtim ballafaqohen me ndalesa. Jemi të zemëruar nga keqpërdorimi i vazhdueshëm i ligjeve për tubime publike dhe dështimit të shtetit për të përmbushur përgjegjësitë e veta ligjore. Gjithashtu besojmë se mbështetja e komuniteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe në Serbi për këtë festival ka qenë e paktë këto ditë. Është shqetësuese se si misione që promovojnë pajtimin, demokracinë dhe lirinë e shprehjes kanë qëndruar në heshtje në një kohë kur këto vlera fundamentale janë shkelur publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Për disa javë, e kemi dënuar keqinformimin në sferën publike, duke tentuar të flasim me sa më shumë njerëz dhe të qartësojmë përmbajtjen e programit të festivalit. Për shkak të një fushate të koordinuar dhe dëmit të shkaktuar nga individë të caktuar, zyrtarë dhe media përmes shpërndarjes së informacionit të pasaktë dhe nxitjes së urrejtjes, kemi nisur edhe procedura gjyqësore. Përmes ndalimit të festivalit që promovin liri artistike, institucionet e kanë shkelur politikën e tyre të deklaruar për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pas një dekade të organizimit të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” mesazhi i pajtimit dhe nevoja urgjente për krijimin e hapësirës për komunikim ndërmjet dy shoqërive për ndërtim të paqes tani janë më të rëndësishme se kurrë më parë.

Së bashku me organizatat partnere dhe qytetarët që na kanë dërguar mesazhe solidariteti e mbështetjeje në këto 15 ditë, ne nuk do të ndalojmë përpjekjet tona për të vazhduar zgjerimin e hapësirave për bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Integra
Civic Initiatives
Youth Initiative for Human Rights

Me shfaqjen “Babai dhe Babai” do të nisë Festivali “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

Prej 27 e deri më 29 qershor do të mbahet Fetsivali “Mirëdira, dobar dan” në Beograd, festival që do të nisë me shfaqjen e njohur “Babai dhe Babai” me tekst të Jeton Neziraj e regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Edhe në këtë edicion do të ketë prurje të ndryshme artistike, kanë bërë të ditur organizatorët.

KultPlus jus jell të plotë njoftimin e organizatorëve.

“Mirëdita, dobar dan” është një platformë unike për shkëmbim kulturor, si dhe dialog mbi çështjet kritike që shmangen dhe neglizhohen. Shkëmbimi kulturor është një mjet i fuqishëm për të promovuar pajtimin dhe paqen e qëndrueshme, si dhe për të kapërcyer hendekun midis dy kulturave, dhe ne i ftojmë të gjithë të na bashkohen në këtë përpjekje,” tha Tijana Đuknić në emër të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Festivali nisë hapjen zyrtare me shfaqjen e “Babai dhe babai”, një shfaqje teatrale nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit, e cila është planifikuar për të enjtën, më 27 maj, në orën 19:30 në “Dorćol Platz”.

Programi i debateve të festivalit do të trajtojë çështje që rrethojnë shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë, duke i adresuar në mënyrë specifike ndalimet dhe pengesat brenda bashkëpunimit kulturor, akademik dhe artistik, si dhe trajtimin e efekteve të mbetura gjatë luftës. Debati hyrës, i titulluar “Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor” është planifikuar për të premten, më 28 qershor, në orën 17:00 në vendin “Miljenko Dereta” (Dobračina 55). Ky diskutim do të përqendrohet në ndalimet e ndryshme me të cilat përballen artistët, intelektualët dhe praktikuesit e kulturës. Kufizimet ekonomike, akademike dhe kulturore paraqesin pengesa për mirëkuptimin ndërkulturor, duke moslejuar normalizimin e marrëdhënieve midis dy shoqërive.


Debati i dytë, gjithashtu do të paraqesë edhe prezantimin e librit “Shënimet e krimbit Smolinski” nga shkrimtari i ri kosovar Azem Deliu, që shtjellon temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës dhe ndikimet e saj bashkëkohore në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Programi i festivalit të këtij viti përfshin edhe filmin “Vera ëndërron detin” nga regjisorja Kaltrina Krasniqi. Ky film debutoi në Festivalin e Filmit në Venecia dhe më vonë fitoi çmime në Festivalin e Filmit në Tokio dhe Goteborg, si dhe në “Festivalin e Filmit Zona e Lirë” të Beogradit. Shfaqja e filmit do të jetë në “Koska bar” (Dobračina 59) të shtunën, më 29 qershor, në orën 19:30.

Përveç kësaj, bendi i njohur kosovar “La Fazani,” i udhëhequr nga karizmatiku Arbër Salihu, do të performojë në “Elektropionir” (Cetinjska 15) të premten, më 28 qershor, në orën 21:00. Bendi arriti fitoren në konkurrimin e vitit të kaluar për zgjedhjen e përfaqësuesit të Kosovës në Eurovizion, pavarësisht se Kosova ende nuk është pranuar si pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Njëkohësisht, hapja e ekspozitës së artistes vizuale Ermira Murati, e njohur artistikisht si The Orange Girl, do të fillojë në orën 19:00 në “Endžio Hab” (Dobračina 4) po atë ditë. Veprat e Ermirës përcjellin mesazhe të veçanta politike, duke eksploruar temën e puthjes si një shprehje që është thelbësisht joneutrale.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit është falas.

Edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan” është i organizuar me mbështetjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Rockefeller Brothers.

Ju lutemi gjeni bashkangjitur datat e edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!.”

Edicioni i këtij viti i festivalit “Mirëdita, dobar dan” i organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbia), Integra (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (CI, Serbia) do të prezantojë një përzierje unike të artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi./ KultPlus.com

Një jetë përkrah yllit botëror Bekim Fehmiu, Petriq për “Zgjoi”: Yllka Gashi dhe Blerta Basholli punuan aq bukur

Era Berisha

Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.

Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.

Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.

“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.

“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.

Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.

Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.

“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.

Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.

Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.

Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.

Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.

Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.

Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.

Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.

Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.

Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.

Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.

“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.

Aktorja Branka Petriq

Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.

“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”

Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” sjell 11 rrëfime drithëruese të shqiptarëve për burgun e Goli Otokut

Era Berisha

Rrëfimet e Hasan Kastratit, Jeton Radoniqit, Pajazit Jasharit, Sabri Novosellës, Teki Dervishit, Fadil Bajraktarit, Basri Ibrahimit, Masar Shportës, Rrahim Ramës, Ali Aliut dhe Ibrahim Kryeziut, për burgun e Goli Otokut në Kroaci, janë jetësuar përbrenda librit “Hije të shtrembëruara” që u promovua dje në ditën e dytë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, në hapësirën “Miljenko Dereta” të Beogradit. Nëpërmjet këtij promovimi si dhe debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, vëmendjen e morën gjithsej njëmbëdhjetë rrëfime të veçanta që në thelb janë sa drithëruese aq edhe të dhimbshme, shkruan KultPlus.

“Hije të Shtrembëruara” sjell rrëfimin e shqiptarëve të Kosovës që ishin burgosur për bindjet e tyre politike, por këto besime nuk kishin të bënin fare me Bashkimin Sovjetik apo me një armik të jashtëm. Rezistenca e tyre politike ishte kundër trajtimit të padrejtë që iu nënshtruan shqiptarëve brenda federatës jugosllave.

Rrëfimet që rrëfejnë ish të burgosurit politikë në këtë libër i përkasin një periudhe të shumë ngjarjeve të rëndësishme që mbeten të dokumentuara dobët, sepse rrëfimi u shkatërrua nga lufta e vitit 1999.

Misioni i këtij libri është që të shndërrohet në një burim përmes të cilit këtyre njerëzve u tregohet se përvojat dhe historitë e tyre përbëjnë momente të rëndësishme në historinë.

“Hijet e shtrembëruara” është një libër kujtimi i historive të ish të burgosurve politikë në Goli Otok. Dy nga historitë janë rrëfyer nga miqtë dhe të afërmit. Rrëfimet u mblodhën duke përdorur metodën e historisë gojore për t’u siguruar një qasje më intime përvojave të të intervistuarve që ishin të burgosur në Goli Otok dhe për të hedhur dritë mbi përvojat dalluese të të burgosurve politikë shqiptarë.

Goli Otok është një ishull i pabanuar në Kroaci. Ndërmjet viteve 1949 dhe 1988, ai funksionoi si qendër paraburgimi dhe kamp pune. Në fillim, ishte një burg i sigurisë së lartë për disidentët politikë nga ish-Jugosllavia, të cilët akuzoheshin për ide dhe besime pro-sovjetike. Më vonë, pas vitit 1956, ai u bë një institucion korrektues të të rinjve. Gjatë ekzistencës së tij si burg politik (1949-1956), të dhënat tregojnë se në Goli Otok kanë kaluar mbi 16.000 të burgosur. Mbi 400 prej këtyre të burgosurve vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit për shkak të torturave, punës së rëndë dhe kushteve brutale në burg në përgjithësi, dhe për shkak të vetëvrasjes.

Tregimet që janë në këtë libër janë histori të vështirësive dhe torturave, por edhe rrëfime të rezistencës dhe solidaritetit të veprimtarëve politikë nga Kosova, të cilët kaluan ditë e netë në izolim, në punë të rënda duke shtypur gurë ose duke bërë tjegulla, dhe gjithashtu, duke punuar si marangoz, rrobaqepës, ekonomistë dhe mësues.

Në panel për të promovuar dhe diskutuar rreth këtij libri të pranishëm ishin: historiania Olga Manojlović, redaktorja e librit Aurela Kadriu, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF si dhe gazetarja Antonela Riha e cila ishte edhe në rolin e moderatores.

Fillimisht, redaktorja e librit, Aurela Kadriu nisi diskutimin rreth rrëfimeve që përbëjnë këtë libër.

“Kur e lexoni librin keni për të parë se rrëfimet e tregojnë kompleksitetin e zërave të shqiptarëve të Kosovës. Goli Otoku është një rrëfim i madh, një narrativë e gjatë dhe përvoja e shqiptarëve në Goli Otok është e veçantë. Brenda këtij grupi të shqiptarëve që kanë qenë të burgosur në ‘Goli Otok’, ka storje të ndryshme të mënyrave se si ata janë futur atje dhe unë mendoj se ky libër përpos që shërben si dije mbi përvojën e shqiptarëve në Goli Otok, shërben si dije edhe mbi përvojën e shqiptarëve të burgosur prej vjetësh në përgjithësi, për shkak se rrëfimet që janë këtu, nuk janë të izoluara”, thotë Kadriu.

Sipas saj, shqiptarët në këtë burg janë arrestuar për bindjet e tyre.

“Kur në Serbi ka qenë prezent Goli Otoku në diskurset publike, për shkak të narratives që ka interes shtetëror për t’u zotëruar, në Kosovë ka shkuar diku u margjinalizuar për shkak se ka pasur shumë përvoja të ndryshme në burgje të ndryshme në një periudhë pas luftës së dytë botërore deri në 99-tën. Nëse i lexoni këto rrëfime e shihni që shumica prej tyre nuk kanë qenë vetëm në Goli Otok, kanë migruar nga burgu në burg. Goli Otoku nuk ka marrë pozitë qendrore për shkak se të gjithë individët që kanë qenë të burgosur politik, kanë pasur rrëfim më të ngjyrosur”, thotë ajo.

Për Kadriun, dëshira e kosovarëve për bashkim me Shqipërinë ka qenë pjesë e rëndësishme si katalizator i lëvizjes për çlirim ose për përmirësim të situatës së shqiptarëve përbrenda Jugosllavisë.

“Nuk mendoj që rreziku për dokumentim është aq i menjëhershëm por sot e shoh si punë që bëhet prej vullnetit sepse është e rëndësishme të shihet se çfarë ka ndodhur në Kosovë në këto dekada të pas-luftës. Pra, janë rrënuar gjurmët e kujtesës”, thotë ajo.

“E kemi shumë të vështirë që të kapemi pas institucioneve, edhe ne edhe shoqëria serbe. Si hulumtues të rinj, duhemi të çlirohemi nga ideja se duhet që patjetër të punohet me institucione, sado që do të ishte e rëndësishme apo ideale.”

Ndërsa, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF, ka folur rreth asaj se çfarë e bënë këtë burg kaq interesant.

“Ky libër është njëfarë lloj testamenti apo dokumenti historik i cili i shërben kulturës kolektive në Kosovë por jo vetëm. Duke pasur parasysh që ‘Goli Otok’ si burg nuk ka mbajtur vetëm shqiptarë por edhe të burgosur apo disidentë politik nga rajone të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Çka e bënë burgun interesant është se si burgu në të cilën janë mbajtur disidentët, është një lloj paranoje që ka ekzistuar në Jugosllavi në atë kohë, duke pasur parasysh tensionet e ngritura mes Titos dhe Stalinit. Andaj, burgu i Goli Otok-ut vjen si përgjigje nga kjo, sepse mendohet që në atë kohë, fryma e komunizmit stalinist akoma po dominonte në hapësirat e jugo-sferës, dhe së shpejti këto grupacione do të paraqitnin kërcënim serioz ndaj institucioneve në shtetet e asaj kohe”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ai e sheh këtë burg si një sinonim të një lloj paranoje ku shteti vendos në funksion mekanizma të dhunshëm, të mbylljes, të punës së dhunshme, për ti mbajtur nën ‘kontroll’ këto grupacione që janë parë si kërcënim për këtë vend.

“Hulumtimi serioz nuk duhet të jetë selektiv në kuptimin e asaj se mund të zgjedhim se çfarë hulumtojmë dhe mund të zgjedhim çfarë duam të tregojmë. Mendoj se të gjitha këto copëzat e vogla narrative e përbëjnë atë peizazhin e përgjithshëm të historisë dhe i kontribuon në njëfarë mënyre, kultivimit të shkrimit të historisë në një mënyrë që nuk është e drejtuar nga politikat e ndryshme të cilat ekzistojnë në vendet në rajon. Këtë libër po ashtu e shoh si një lloj monumenti sepse rrëfimet për përvojat e të burgosurve politik përgjithësisht, janë të vendosura në margjina por po ashtu nuk janë të shpërfaqura në atë mënyrë që shoqëria mund t’i mësonte ato. Andaj, si i tillë ky libër na rikujton neve një pjesë të historisë të shqiptarëve por edhe të grupeve të tjera të Jugosllavisë që janë parë si kërcënim ideologjik. Libri fokusohet në rrëfimet e shqiptarëve por edhe ndërton një pikturë të natyrës së jetës që është bërë në burgje”, thotë ai.

Ai tutje theksoi se Kosova ka përjetuar një tranzicion të modernizmit, qoftë atë shtetëror apo kulturor, por në anën tjetër ka ekzistuar ana e errët e medaljes që sipas tij ka ardhur me një përpjekje të vazhdueshme për zhveshjen e ideve përbrenda Jugosllavisë, me ç’rast janë krijuar pakënaqësitë e ndryshme.

“Në momentin që “Kosova është Republikë” është përdorur si slogan, personat e tillë janë mbajtur si disidentë, si persona të cilët kanë bindje ideologjike, separatiste. Duke ekzistuar muri hermetik ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë, ka ekzistuar po ashtu një lloj hamendje në dy anët e shqiptarëve për njëri-tjetrin”, shpalos ai.

Krasniqi po ashtu ka përmendur edhe punën hulumtuese që sipas tij krijon më shumë dokumentim.

“Mungesa e narrativëve pikërisht e mirëmban këtë uzurpimin e narrativit të luftës duke u bazuar në ngjarje të caktuara. Të dhëna ka shumë por nuk janë sistemuara fare. Akademia në kontekstin e punës dokumentuese, nuk ka bërë mjaftueshëm. Rreth 80% të të burgosurve në ish-Jugosllavi, kanë qenë shqiptarë. Kjo është ajo se çfarë mund të konfirmoj për sa i përket numrave. Në shoqatën e të burgosurve politik në Prishtinë, ekziston një arkiv e cila është duke u ndërtuar dhe në të cilën paraqiten të dhënat e ndryshme të të burgosurve. Kjo data-bazë është në ndërtim e sipër dhe tregon një pasqyrë se sa shqiptarë kanë qenë të burgosur nga viti 1951 e deri më 1999”, thotë Krasniqi.

“Këto pikë-takime qytetare, civile si kjo në “Mirëdita, dobar dan!”, të cilat sjellin rrëfime janë tejet të rëndësishme dhe janë për t’u shtyrë përpara. Unë i shoh këto si dokumente historike me të cilat grupe të ndryshme munden për t’u angazhuar me to, në mënyrë që e kaluara jonë të qartësohet dhe të bëhet si pasqyrë për neve.”

Po ashtu, historiania Olga Manojlović ka thënë se Goli Otoku është një çështje mjaft intriguese në kuadër të diskursit politik.

“Dualizmi i Goli Otokut ka qenë vendi për kampet kriminele e të gjitha burgjeve, e të burgosurve për çështjet politike dhe nga mesi i viteve të 60-ta. Kjo çështje ka hyrë edhe në projekte te ndryshme në kinematografi dhe po ashtu ka ekzistuar një vrull që si i tillë ka konsistuar në mosbesim. Periudha tjetër njihet si më e gjerë dhe e mjaftueshme për shkaqet që kanë qenë, në veçanti, në vitet e 80-ta dhe lëvizjen e të rinjve. Statuset e jugosllavëve dhe politikanëve, janë marigjalizuar në Beograd dhe në Kosovë kjo çështje është intriguese dhe ‘Goli Otoku’ është në diskursin politik dhe dimensionin publik”, thotë Manojlović.

Manojlović para të pranishmëve shtroi edhe pyetjen “Pse janë arrestuar, përse janë mbyllur dhe cilat kanë qenë idetë e tyre politike?”.

Në ndërkohë, gazetarja Antonela Riha përgjatë gjithë debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, ka shtruar në tryezë mjaft pyetje interesante si: “Pse janë të rëndësishme për ju temat e të burgosurve dhe pse mësohet në shkollë rreth kësaj çështje në Kosovë?”, “Çfarë domethënie kanë pasur në ish-Jugosllavi, trishtimet e mëdha të të burgosurve, që janë përjetuar deri në vitet e 89-ta?”, “Çfarë identiteti ndërkombëtar ka pasur Goli Otoku?”, “Çfarë dimë për Goli Otokun në krahasim me burgjet e tjera?”, “Goli Otoku dhe rrëfimet e kosovarëve janë të rëndësishme për krijimin e identitetit kombëtar. A paraqet kjo ndonjë rrezik?”, “Në Kosovë tani merreni me burgjet, por si e shihni ju të kaluarën?”, si dhe shumë tjera të cilat krijuan një diskutim mjaft interesant në panel.

Ajo po ashtu nuk la pa përmendur edhe parullën “Serbinë mund ta ndash nga jeta, por jo nga armët.”

Kështu, krejt në fund, dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” u përmbyll me koncertin “Shpat Deda Trio”, që u mbajt pikërisht në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’.

Shpat Deda, Visar Kuçi dhe Tomorr Kuçi krijuan mbrëmë një atmosferë që nuk do të mund të krahasohej me asnjë tjetër. Në skenë ishin vendosur instrumente nga më të ndryshmet dhe ato po pritnin që të gjallëroheshin nën ritmin e treshes.

Nga kënga në këngë, zëri i ëmbël i Shpat Dedës në ndërlidhje me një harmoni unike që vinte nga tingujt e instrumenteve, bëri që ky koncert të dilte përtej të zakonshmes. Me melodi aq të pasura në thelb dhe një zë që jehonte në secilin cep, koncerti ngjalli një nostalgji tejet të bukur.

Pas këtij koncerti, për të treguar më shumë rreth ndjenjës së performimit në një formacion ndryshe, për KultPlus foli këngëtari Shpat Deda.

“Unë kam kaluar tepër mirë dhe programi që kam bërë sonte ka qenë diçka që kam dashur ta arrij që një kohë të gjatë. Visarin dhe Tomorrin, i njeh i gjithë publiku shqiptar dhe ata janë njerëz e muzikantë të jashtëzakonshëm. Pa ata të dy, ky koncert nuk do të mund të realizohej. Sonte e kemi bërë një provë për këtë program dhe është hera e parë që e kemi luajtur. Salla ishte fantastike njëlloj sikurse energjia e publikut. Mezi po pres që të kthehem e ta bëj përsëri këtë program në Prishtinë, Tiranë e vende të tjera”, thotë Deda.

Sipas tij, “Ninulla” do të ishte ajo kënga që erdhi si më e veçanta mbrëmë për shkak të melosit të jugut të Shqipërisë, që atij i ka pëlqyer shumë.

“Secilës këngë, jemi munduar që t’ia gjejmë shpirtin.”

Ndërkaq, sot do të vazhdojë dita e tretë e festivalit me aktivitete të radhës si: Debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endzio Hab’ duke filluar nga ora 17:00, Filmi “Zgjoi” duke filluar nga ora 20:00 si dhe krejt në fund, festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të përmbyllet me DJ Genc Elezaj në një festë që fillon nga ora 22:30.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com

“Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut

Me protestë, lajmin për bombë dhe shfaqjen “Stiffler”, filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd

Era Berisha

Në Beograd, të enjten filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!“ i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës. Si çdo vit, festivali tregon për mundësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe këtë herë në edicionin e tij të nëntë ka shpalosur një program tejet të larmishëm dhe më se i nevojshëm që të shihet, dëgjohet e kuptohet nga kultura serbe, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ishte rruga drejt Beogradit ajo që nisi hapin e parë drejt këtij festivali. Pjesëmarrësit dhe mediat në këtë festival të cilët u nisën dje herët në mëngjes, kësaj radhe nuk patën asnjë problem me kontrollet e detajuara në pikën kufitare në Serbi. Edhe pse të shoqëruar nga policia serbe gjatë çdo sekonde, por dukej se festivali dalëngadalë po ia arrinte qëllimit për të thyer barrierat Kosovë-Serbi.

Fiona Jelići – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi)

Ndërkaq, dje në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, hapjen zyrtare të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, e nisën Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’, të cilët kujtuan jetëgjatësinë e festivalit dhe sfidat nëpër të cilat kaloi vetë festivali gjatë ekzistencës së tij të gjatë. Ata dërguan mesazhe paqeje nga skena dhe shprehën dëshirën për pajtim mes dy popujve.

“Jemi në të njëjtin vend si vitet e kaluara, por bota ka ndryshuar që nga viti i kaluar kur u pamë këtu. Pushtimi rus në Ukrainë dhe fakti që lufta po ndodh përsëri në Evropë shkatërron të gjitha iluzionet që një gjë e tillë është e pamundur”, thotë Jelići.

Ajo theksoi se festivali vjen si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për viktimat e luftës në Ukrainë. Duke përmendur obligimin që të punohet edhe më shumë për viktimat e luftës, për pajtimin dhe ndërtimin e paqes në Ballkan, ajo tha se gjersa politikanët merren me armatime duke forcuar ushtrinë, shoqëritë duhet që të shikojnë njëri-tjetrin dhe të flasin mes vete.

“Dje nisëm festivalin me atë që duhet të jetë pika zero e negociatave dhe pajtimit tonë, me ekspozitën “Të gjithë lotët tanë”, ekspozitë kjo që sjell dhimbjen dhe lotët e atyre që nuk e zgjodhën luftën, por e fituan atë. Punimet e fotografëve nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shihni deri me datën 1 qershor në “Endžio HAB””, tha ajo.

Sipas saj, ekspozita unike fokusohet në historitë e viktimave të luftërave nga rajoni. Qëllimi i vendosjes është prezantimi i publikut të gjerë me këto histori dhe apelimi për mbështetje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura në rajon në ndjekjen e tyre të drejtësisë dhe gjetjen e së vërtetës.

Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” përbëhet nga 34 fotografi të realizuara nga katër fotografë në vende të ndryshme në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Fotografët nuk e njihnin njëri-tjetrin, dhe arritën të krijonin me fotografitë e tyre një histori universale që bashkonte kujtimet e dhimbshme të njerëzve të zakonshëm dhe vuajtjet e tyre.

“Edhe pse institucionet publike kulturore ende në masë të madhe e injorojnë festivalin tonë, ai po rritet vazhdimisht, falë artistëve dhe audiencës. Në masë të madhe kanë ndodhur më shumë takime të njerëzve, artistëve dhe aktivistëve sesa që ka pasur takime politikanësh nëpër negociata. E di që jemi këtu në shoqërinë e njerëzve që e bëjnë këtë çdo ditë dhe dua që të vazhdojmë të punojmë së bashku”, përfundon Jelići.

Kushtim Koliqi – Integra

Ndërsa, Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’ përkujtoi nisjen e festivalit në vitin 2014 me qëllim që të krijohen lidhjet e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gati një dekadë ‘Mirëdita, dobar dan’. Qysh në vitin 2014 kishim nisur këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media e shoqëri civile duke diskutuar për tema që nuk diskutoheshin e duke promovuar kulturën si një mënyrë bashkëpunimi dhe të mësuarit për njëri-tjetrin. Sot, në edicionin e nëntë të festivalit, me qëllimin e njëjtë vazhdojmë të punojmë në të njëjtin drejtim, në një situatë politike jo shumë ndryshe nga ajo në të cilën kishim filluar dhe duke u përballur me sfida të shkaktuara nga po kjo politikë”, thotë Koliqi.

Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për këto 9 vite në botë, por pak ka ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, kështu duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta. Për këto arsye, ai konsideroi që organizimi i përvjetshëm i këtij festivali është gjithnjë e më i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit në të vërtetë duan, njohje e pranim të së kaluarës e vuajtjeve të viktimave për të siguruar paqe e bashkëjetesë ndëretnike në rajon.

“Këtë edicion, ngjashëm me vitet e kaluara fokusi i programit të debateve si dhe programit kulturor është trajtimi i të kaluarës, ofrimi i perspektivave të viktimave dhe vendosja e tyre në qendër. Ajo çka vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për festivalin tonë është sfidimi i narrativave paragjykuese e të njëanshme duke iu ofruar qytetarëve të të dy vendeve mundësi që të shohin e diskutojnë për të kaluarën nga perspektiva të ndryshme, në mënyrë që të kuptojnë njëri-tjetrin, kështu duke krijuar hapësira për mënyra të reja të ballafaqimit me të kaluarën”, tha ai.

“Duke kujtuar Bekim Fehmiun, si frymëzim që vazhdojmë ta kemi qysh në edicionin e parë të festivalit e deri më sot, ju ftojmë të na bashkoheni përgjatë këtyre ditëve në eventet e festivalit.”

Maja Stojanoviq – Organizata ‘Iniciativa Qytetare’ (Serbi)

Në fund, Maja Stojanoviq, drejtoreshë e Iniciativës Qytetare, iu drejtua të ftuarve, e cila theksoi se fakti që ka shoqata të familjeve të viktimave nga të dyja palët është dëshmi se festivali e arsyeton ekzistencën e tij dhe kontribuon në pajtimin në rajon. Me këtë rast ajo ka kujtuar edhe Borka Paviçeviqin, e cila dha një kontribut të madh në festival dhe në vitet e vështira ishte një shtëpi e sigurt për të gjithë ata që kultivojnë vlerat e pajtimit dhe paqes.

Përgjatë këtyre fjalimeve, papritmas erdhi lajmi nga policia serbe se një bombë është vendosur diku afër Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, aty ku po mbahej kjo ceremoni. Pa panik, të pranishmit dolën jashtë për t’i lënë hapësirë policisë që të kontrollojnë vendin përreth. Në ndërkohë, teksa të gjithë pritnin jashtë aty pari të vendosur ishin dhe pesë protestues të cilët kundërshtonin mbajtjen e festivalit si dhe përkrahnin luftën në Rusi duke përmendur se Serbia dhe Rusia janë vëllezër.

Pesë protestuesit këndonin këngën “Oj kosovo kosovo, zemljo moja voljena”, teksa dhe brohoritjet e tyre anti-shqiptare ishin ato që dëgjoheshin në një masë të madhe.

Nuk deshi shumë kohë që policia të përfundonte kontrollin si dhe të lajmëronte se lajmi ishte i rremë, andaj dhe pjesëmarrësit u rikthyen përsëri në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor.

Sofija Todorović – Qendra e Dekontaminimit Kulturor

Tutje vazhdoi edhe ceremonia e hapjes me drejtoreshën e Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, Sofija Todorović e cila ka ndarë çmimin “Mirëdita, dobar dan” për Marinko  Djurić dhe Lush Krasniqin.

“Ajo që do të them është krejt ajo për të cilën është “Mirëdita, dobar dan”. Çdo vit kemi këtë ceremoni të dhënies së çmimit “Mirëdita, dobar dan” për njerëzit që janë simbole të ndërtimit të paqes dhe të pajtimit mes njerëzve në terren. Fituesit e këtij çmimi janë përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të viktimave, Marinko Djurić dhe Lush Krasniqi”, thotë Todorović.

Todorović  theksoi se ata ishin atje të pranishëm për të treguar se sa është i rëndësishëm ndërtimi i paqes mes dy shteteve. Fakti që pranë saj janë Marinko dhe Lushi, sipas saj, tregon se nuk mund të arsyetohet që të mos flitet për paqe dhe pajtim.

“Në kuadër të festivalit, kam nderin të ju falënderojmë që në këtë kohë të pasigurisë po qëndroni me ne për t’i dhuruar çmimet.”

Ajo këto dy çmime të festivalit “YIHR Srbija” i ka ndarë për kontributin e dhënë në paqe dhe pajtim koalicion mes Kosovës dhe Serbisë.

Lush Krasniqi, në fjalën e tij ka thënë se së bashku me Marinkon, kanë çjerrë zërin e tyre tash e 20 vite për t’i zgjidhur problemet që sipas tij vijnë nga vetë pushtetarët.

“Faleminderit që jam përzgjedhur për të marrë këtë mirënjohje sepse të nderuarit dinë të nderojnë, të vlerësuarit dinë të vlerësojnë, por kjo që më ofrohet sot e meriton çdo viktimë e luftës dhe unë mendoj që e kam marrë këtë në emër të të gjithëve. Sa i takon të folurit e gjuhëve të ndryshme, unë jam profesionist i gjuhës amtare, por them se në krejt botën, gjuha kryesore është gjuha e kuptimit. Ne si familjarë që kemi humbur më të dashurit tanë, ndjejmë njësoj si këtu si në Serbi, si në Bosnje dhe si në çdo vend ku ka ndodhur lufta. Asgjë më e vërtetë nuk del sesa nga shpirti i një të viktimizuari. Ne së bashku dhe shumë të tjerë dhe me Marinkon, kemi çjerrë zërin tash e 20 vite dhe pushtetarët vinë për t’i zgjidhur problemet por në fakt ata janë autorë të këtyre problemeve”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ata që kërcënojnë artin dhe kulturën për viktimat, me bomba, duhet ta dinë se bombave që nga viti 1905 nuk ia ka pa askush të mirën.

“Të mendojmë se çfarë po u lëmë gjeneratave dhe fëmijëve tanë në ardhmërinë e tyre dhe ju falënderoj të gjithëve për nderimin që më është bërë”, përfundon ai.

Ndërkaq, Marinko Djurić theksoi se kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut dhe djalit të tij, Uliskit.

“Është kënaqësi që këtë aksion e udhëheqin të rinjtë pas të cilëve do të mbetet bota. Detyra jonë është që t’i japim atyre mbështetje dhe t’i hapim perspektivat. Unë kam lind në Istog dhe kam jetuar atje teksa edhe fqinjët e mi kanë qenë shqiptarë. Kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut, djalit të tij Uliskit, sepse pa veprat e tyre të mëdha që i kanë lënë pas vete, ne do të ishim shumë më të varfër”, thotë Djurić.

Ai po ashtu përmendi edhe Angelinën, nënën e shenjtë të Serbisë e cila ka prejardhje shqiptare.

“Angelina e shenjtë e Serbisë vjen nga një familje fisnike shqiptare dhe ishte kunata e Skënderbeut. Për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse serbe. Fatkeqësisht, nënën Angelinë, historia serbe nuk e shënon dhe nuk e njeh. Manastiri Krušedol, aty ku dhe gjenden eshtrat e saj, është i rëndësishëm për historinë serbe dhe për këtë i lus të rinjtë dhe mediat që t’ia kushtojnë pak më shumë vëmendje kësaj pjese të historisë. Ajo tani i ka lind dy djem të cilët janë shumë të rëndësishëm për historinë serbe dhe unë i falënderoj të gjithë shqiptarët për kontributin e tyre”, përfundon ai.

Aktorët: Adrian Morina, Rebeka Qena, Armend Smajli – Shfaqja “Stiffler” (Beograd)

Kështu, dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen “Stiffler” që vjen nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe lojën madhështore të aktorëve si: Adrian Morina, Rebeka Qena dhe Armend Smajli. Ky projekt teatror i cili paraqet jetën dhe sfidat e një punëtoreje seksi, trajton një çështje tejet të ndjeshme dhe të dhimbshme që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e njeriut dhe trajtimin e grupit të margjinalizuar në Kosovë.

Me tekstin “Stiffler” nga Dori Basha, shfaqja tregoi përvojën e Havës, punëtores së seksit e cila qysh në fillim shfaqet e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj. Përgjatë 24 orëve, ajo kërkon ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme shtetërore por ajo gjykohet nga secila derë në të cilën troket. “Kriminele”, “Kurvë”, “Prostitutë”, “Vjedhëse”, ishin vetëm disa nga emërtimet me të cilat ajo ballafaqohej në secilin moment.

Emri i shfaqjes jo rastësisht titullohet “Stiffler”. Ky titull portretizon thikën me të cilën theret Hava dhe të cilën e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si një simbol për të gjitha ballafaqimet e saj. Në secilën derë, ajo vetëm sa vjen e zhgënjehet dhe plaga e saj qëndron e hapur.

“Stiffler” konsiderohet të jetë rrëfim për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës; për një sistem që e ka bindjen se trupi i një gruaje të “pamoralshme” më parë duhet të gjykohet vetë si vepër penale se sa të shikohet si dëshmi e një krimi të dhunshëm. Dhe, përfundimisht, është rrëfim për lehtësinë e amnistimit të dhunës, keqbërësit, e krimit të kryer në emër të virtyteve të shoqërisë.

Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe kostumografja Njomëza Luci, kompozitori Genc Elezaj, skenografi Mentor Berisha, asistent regjisore Kreshnike Osmani, video realizuesi Leart Rama, dizajneri i dritave Yann Perregaux si dhe dizajneri Gëzim Ramizi, pa të cilët kjo shfaqje nuk do të ishte kaq e mrekullueshme.

Premiera e shfaqjes “Stiffler” është shfaqur më 04 dhjetor në Teatrin “Oda” në Prishtinë. Ndërkaq, sonte erdhi premierë në Beograd.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe gjithë asaj se çfarë ndodhi në hapje të festivalit, për KultPlus foli regjisori Kushtrim Koliqi.

“Asnjëherë nuk ma ka marrë mendja që dikush është ballafaquar me kërcënim për bombë teksa është gati të japë shfaqjen, por gjithçka ndodh. Megjithatë më vjen mirë që ky kërcënim vjen i rrejshëm dhe shfaqja vazhdoi mirë me një audiencë plot. Po më duket që reagimet janë të jashtëzakonshme”, thotë Koliqi.

Sipas tij, fokusi i parë janë çështjet që lidhen me krimet e luftës dhe viktimat. Ndërsa tani ai ka dashur që të sjell shfaqje edhe me temë tjetër që është adaptuese edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

“Çështja e punëtorëve të seksit nuk është problematike veç në Kosovë por edhe në të gjitha vendet për shkak se shërbimet e tyre janë të ndaluara me ligj në Ballkan. Këta punëtorë të seksit cenohen prej ligjit, moralit dhe shoqërisë. Megjithatë ky grup i njerëzve ka të drejta, ekziston tek ne dhe ne duhet të merremi me problematikat me të cilat ata ballafaqohen”, thotë ai.

Gjithashtu, aktori Armend Smajli për KultPlus ka thënë se lajmi për bombë i ka shqetësuar aktorët qysh në fillim të shfaqjes por që megjithatë kanë vendosur për të vazhduar tutje.

“Lajmi për bombë ishte tejet shqetësuese në disa rrafshe. Disa herë e diskutuam edhe me kolegët se çfarë të bëjmë në lidhje me shfaqjen dhe madje e mendova dy herë se a ia vlen të luaj në shfaqje sepse jemi shqetësuar tepër shumë. Megjithatë, në fund është dashur të mobilizohemi vetëm për këtë audiencë dhe t’i respektonim ata”, thotë Smajli.

Sipas tij, tema e shfaqjes është problematike edhe përtej Ballkanit.

“Shfaqja si temë komunikon me çdo shoqëri që e ka këtë problematikë. Ne si aktorë sonte e kemi ndjerë një lidhshmëri dhe një emocion me publikun qysh nga fillimi e deri në fund”, përfundon ai.

Sonte do të vazhdojë nata e dytë e festivalit me aktivitete të radhës si: Konkursi artistik: Memorializimi i viktimave në Hapësirën ‘Miljenko Dereta’ duke filluar nga ora 17:00, Promovimi i librit “Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut duke filluar nga ora 18:30, Debati “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku” duke filluar nga ora 19:00 si dhe do të përmbyllet me koncertin “Shpat Deda Trio” në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’ që nis në orën 21:00.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com

Qendra e Dekontaminimit Kulturor (Beograd)

Një grup të rinjsh në Beograd kundërshtojnë mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’

Një grup të rinjsh nga Partia Demokratike e Setrbisë kanë protestuar sot në Beograd duke kundërshtuar mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’, që fillon sonte në këtë qytet, transmeton KultPlus.

Ata vendosën disa posterë të titulluar “Kultura e Kosovës” të cilët përfshijnë fotografi të marsit 2004.

Të rinjtë e Partisë Demokratike me performancën “Mirëdita, laku noć” (Mirëdita, natën e mirë)” janë shprehur kundër festivalit “Mirdita, ditë e mirë”.

Përpara hyrjes së hapësirës “Engio Hub” në rrugën Dobraçina, ku do të hapet festivali sonte, një grup të rinjsh të DS-së vendosën një duzinë postera më të vegjël me mesazhet “Mirëserdhe – Rrugica e kultivimit të kulturës serbe në Kosovë dhe Metohija” dhe “Festivali Mirëdita, laku noć ” si dhe rreth njëzet trëndafila./ KultPlus.com

Më 25 maj fillon festivali “Mirëdita, dobar dan”

Festivali “Mirëdita, dobar dan” është event që organizohet prej vitit 2014. Ka në thumb kulturën, artin dhe diskutimet publike, gjë që e bën festivalin tejet të veçantë. Duke bashkuar artistë, njerëz të të drejtave të njeriut dhe aktivistë të paqes nga Kosova dhe Serbia, festivali ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe stabilitetin në rajon.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e këtij festivali. Vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor. Festivali do të mbahet në Beograd.

Programi i Festivalit:

25 maj- Ekspozitë “All our Tears” Endzio Hab

26 maj- Ceremoni hapëse dhe koktej, shfaqja “Stiffler”

27 maj- Konkurs arti, debat “Past before the past: Goli Otok”, Koncert “Shpat Deda Trio”, Promovim libri “Distorted Shadows- Memory book: Stories of former political prisoners in Goli Otok

28 maj- Debat “Problematic parallels: Ukraine and Kosovo”, Filmi “Hive”, Ceremonia përmbyllëse “Party with Dj Genc Elezaj” / KultPlus.com

‘Mirëdita, dobar dan’ sjell debatin ‘Kultura si mjet politik’, diskutohet për instrumentalizimin e kulturës si armë politike

Flonja Haxhaj

Në ditën e fundit të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’, që u mbajt në Prishtinë, u hap debati ‘Kultura si mjet politik’, në kontekstin e kulturës që ka shërbyer si instrument për të thelluar problemin e Kosovës me Serbinë e duke e ndërlidhur me librin ‘Vrasja e Kulturës’, që u promovua po këtë ditë dhe që shfaq objektet kulturore që u përdorën si vende për të vrarë e dhunuar nga regjimi jugosllav. Debati bëri bashkë antoprologen, Nita Luci, avokatin për të drejtat e njeriut, Milan Antonijevic, një nër themelueset e ‘Mirëdita, dobar dan’, Maya Stojanovic dhe dramaturgun kosovar, Jeton Neziraj, shkruan KultPlus.

Qysh në fillim, të ftuarit folën për mendimet e tyre rreth asaj se a mund të vritet kultura.

“Unë si antropologe mund të them se nuk mundet me u shkatërru kultura, njeri është qenie kulturore, mirëpo kur e paraqesim si shkatërrim të kulturës, ose shpeshherë dëgjojmë për faktin se si po degradohet kultura, atëherë kjo e sjell me vete një lloj kuptimi të asaj se çka është vlerë, dhe unë mendoj se në të gjitha këto hapësira tona gjeografike, kulturore-politike ka pasë një diskutim të vazhdueshëm të vlerës dhe antivlerës dhe unë asnjëherë nuk kam hyrë në atë diskutim sepse mendoj që nga fillimi paraqitet gabimisht, për shkak se shpeshherë ideja e antivlerës e kundërshton një pozicion i cili normalisht nuk ka me qenë politik edhe ideologjik edhe sjell me vete pyetjen se a ka pozicion jashtë ideologjisë, e që unë mendoj që nuk ka në momentin kur ne e paraqesim pyetjen a mund të skatërrohet kultura,  menjëherë tregon që kemi të bëjmë me një pozitë e cila mendon se diçka vlen të trajtohet si kulturë  e diçka tjetër të trajtohet si jo kulturë.” – thotë antropogja, Nita Luci.

Ajo duke e ndërlidhur me librin ‘Vrasja e Kulturës’, thotë se ka një politikë për shkatërrimin e një kulture të caktuar.

“Jo në kuptimin popullor të fjalës kulturë, ku kulturë zakonisht e lidhim me kulturën  e një grupi kombëtar ose etnik, por kulturën si një lloj dyndje të mendimeve dhe vlerave që munden edhe njerëz të caktuar me i pasë, që munden me qenë shtresime socio-ekonomike, gjinore etj.  Mirëpo politika të shkatërrimit të  rendeve të caktuara simbolike të rendeve të caktuara vlerore, ka vazhdimisht dhe ato janë në kontekste të luftës, sepse janë më të dukshme, për shkak  se janë edhe strategji të luftës janë edhe armë e luftës.” – shton tutje ajo që në përditshëmri ato ndodhin vazhdimisht, mirëpo jo domosdoshmërisht janë po aq  të dhunshme.

Ndërkaq, në lidhje me atë se a mund të vrahet kultura, avokati Milan Antonijevic, tregon se ka pasur tentativa të vrasjes së kulturës e në veçanti në fund të viteve të 70-ta dhe në fillim të viteve të 80-a, ku shumë insitucine kulturore janë transformuar dhe asnjëherë më nuk kanë shërbyer për atë që janë krijuar.

“Ka pasur tentative të vrasjes së kulturës në fund të viteve 70-ta dhe në fillim të viteve 80-ta, ku shumë institucione janë shkatërruar në mënyrë sistematike prej shembujve më drastikë në libra,  ku një institucion kulturor transformohet dhe kurrë më ai nuk mund të shërbejë në këtë efekt, ky është një mesazh i fortë nëse e shihni se si është dukur Beogradi në vitet 80-ta, ku ka pasur një vendosje në krye të institucioneve të njerëzve që kanë dashur që kulturën ta trajtojnë në një drejtim tjetër, ta instrumentalizojnë,  ta nënshtrojnë për gjërat që janë përgatitur, dhe duhet të dokumentohet momenti kur janë mbyllur galeritë dhe teatrot. “ – thotë Antonijevic.

Mirëpo, ai konsideron se artistët mund të ndalojnë vrasjen e kulturës dhe ta bëjnë të pamundur atë.

“Artistët mund të japin përgjigje për këtë, dhe kjo tregon forcën e kulturës pamundësinë që ajo mund të vritet, kështu që dua ta shtoj edhe këtë pjesën optimistike, edhe pse kur shikoni fotografitë, gjithçka ju bie ndërmend përveç optizimizmit. Por, duhet të shikojmë kulturën si diçka që na kthen në normalitet, në bashkëpunim, në disa marrëdhënie ku gjejmë edhe vlerat e përbashkëta.” – shton ai.

Më tutje, Milan Antonijevic vë në pah se shumë segmente në Kosovë e Serbi nuk e kanë ndërprerë asnjëherë bashkëpunimin.

“Shpesh mendoj rreth asaj se cilat segmente kulturore të Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë ndërprerë  kurrë bashkëpubimin dhe kjo është me rëndësi, edhe pse unë gjithmonë nisem nga një shembull se krimi i organizuar kurrë nuk e ka ndalur bashkëpunimin, gjithmonë ka ekzistuar ai interesi i përbashkët, tregtia, ku çdo gjë ka funksionuar si është më së miri. Veçori tjetër është kulura, sepse kultura është kthyer shpejt në atë gjendje të kohës së mëparshme dhe tash duhet të shikojmë se si të organizohemi më mirë se këta kriminelët, dhe t’i japim një shembull të mirë shoqërive tona se çka është ajo që e shkatërron shoqërinë dhe çka është ajo që e ndërton atë.” – vazhdon Antonijevic, duke thënë se shoqëria dhe institucionet duhet të vazhdojnë të punojnë për të thelluar këto bashkëpunime, përcjell KultPlus.

Në lidhje me atë se a mund të vritet kultura, Maya Stojanovic thotë se pavarësisht tendencave të shkatërrimit, kultura vazhdon të punojë, edhe pse nën margjina shoqërore.

“Kultura e vërtetë  është ajo që do të shikojë realitetin në mënyrë kritike. Ato që kanë ndodhur në festivalin ‘Ditët e Sarajevës’, këtu në ‘Mirëdita, Dobar dan’, dhe në CZKD më herët, mendoj që këto festivale kanë mbledhur artistë që e bëjnë kulturën ndryshe dhe që e faktorizojnë  për shoqërinë dhe e bëjnë të duhur për ndryshimin. Nëse flasim për këtë lloj kulture, kjo vazhdon të jetojë por për fat të keq me dekada ka mbetur nën margjina shoqërore dhe ajo çka duhet të flasim është se si këtë lloj kulture që është kritike dhe që i rivlerëson realitetin  si duhet ta bëjmë mainstream këtë lloj kulture dhe kjo është pyetje kryesore për neve sot.  Ndoshta sjam shumë optimiste nëse do të kemi sukses por duhet të punojmë shumë që të bëhet kjo realitet dhe në anën tjetër ajo që është me rëndësi rreth vrasjes së kulturës është mohimi i kulturës dhe rrethit dhe trashëgimisë kulturore.” – thotë Stojanovic.

Një këndvështrim tjetër rreth vrasjes së kulturës dha edhe dramaturgu, Jeton Neziraj, i cili e nis fjalimin e tij me  një citat të shkurtër të Boris Budeni cili i duke folur për Borka Pavicevicin, tkishte thënë që ‘Jeta dhe aktiviteti i saj kanë pasur kuptim  politik’.

“Para vrasjes së kulturës do të doja të flisja për dy aspekte të tjera të cilat janë të lidhura me konceptin e vrasjes, e para është instrumentalizimi i kulturës dhe përdorimi i kulturës për qëllime ideologjike, propagandistike që kanë qenë terme simptomatike në këto 20-30 viteve të fundit dhe aspekti i dytë është reduktimi i rolit të kulturës, pra duke e gjuajtur në margjina dhe duke e zvogëluar mundësinë.  Këto 20 vitet e fundit ka pasë një seri të shkëmbimeve kulturore të cila fatkeqësist kanë ardhur duke u reduktuar këto vitet e fundit, dhe unë mendoj se këto janë reduktu për shkak se në Serbi këto vitet e fundit ka pasë një tkurrje të shoqërisë civile dhe një tkurrje të komunitetit artistik të cilët janë të gatsëm për të zhvilluar një bashkëpunim kulturor me artistë të Kosovës.”- shton më tutje Neziraj.

Në lidhje me atë a janë përdoru këto objekte për shkak të infrastrukturës, apo për shkak të tendencës për ta vrarë kulturën, Milan Antonijevic thotë se së pari duhet të hulumtohet se si është marrë vendimi që këto objekte të shërbejnë për veprimtari të tilla.

“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të hulumtojmë se si është marrë vendimi që  qendrat kulturore të keqpërdoren në këtë mënyrë, në anën tjetër kur shikojmë objektet kulturore që nuk janë përdorur për aktivitete të tilla, sidomos në Serbi shohim se janë lënë pas dore nuk ka pasur investim në to. Diçka tjetër që është shumë e rëndësi është se shumë gjëra janë plaçkitur gjatë luftrave dhe se shumë njerëz në këtë tollovi kanë parë shancin që përmes kulturës të arrijnë deri tek paratë, gjatë marrjes së artefakteve në Kroaci, Kosovë, Bosnje dhe këto janë gjithë ato gjëra që duhet të dokumentohen dhe të shohim se si është valuarizuar kultura përmes parasë.” -thotë Antonijevic, duke e përmendur se njerëzit në vitet e 90-ta kanë marrë e shkatërruar vetëm për të arritur deri tek paraja.

Në pyetjen se janë përpjekur që përmes insturmentalizimit të kulturë Kosova dhe Serbia të përqojnë herë pozitën e viktimës e herë të triumfatorit.

Maya Stojanovic thotë se “Instrumentalizimi mund  të ndodhë në çdo shoqëri, mund të flasim për sociopatinë e shoqërisë, por  shumica e njerëzve nuk duan që të instrumentalizohen, dhe unë mendoj që ne duhet të punojmë në këtë që faktet të jenë të qasshme për publikun për njohjen e historisë, fakteve dhe gjërave që kanë ndodhur.”

Kurse, në lidhje me këtë pyetje, Jeton Neziraj thotë se ka qenë orientim i Serbisë që përmes kulturës të mundohet ta fshehë kulturën e saj jo fort të lavdishme.

“Politika zyrtare e qeverisë së Serbisë në këto 20 vitet e fundit ka qenë e orientuar në atë lloj drejtimi që ka bërë përpjekje për të gjetur partner për të negocuar fakte, faktet e të kaluarës së saj jo fort të lavdishme, dhe për me i negicu këto fakte  janë përfshi agjentë të ndryshëm, përfshirë edhe institucionet kulturore kanë qenë një prej agjentëve kryesorë që kanë bërë përpjekje për të  promovuar këtë qasje që ka qenë promovues e në politikën zyrtare serbe dhe ke pasë përgjatë këtyre viteve vazhdimisht vepra artistike, shfaqeje teatri, më e fundit kjo lift në Graçanicë ‘Slobodan Shoë’, që e redukton rolin e Millosheviçit, qeverisë serbe gjatë luftrave të 90-ta dhe nuk flet për viktimat jo serbe dhe kjo shaqeje  si e tillë është bish i një ideologjie të Millosheviqit por që ka vazhdu edhe vazhdon të promovohet nga qeveria aktuale serbe” – thotë Neziraj./KultPlus.com

Premiera e jashtëzakonshme e dokumentarit “Më shëro” të Danijela Štajnfeld, hap ‘Mirëdita, dobar dan!’

Era Berisha

Edicionin e tij të 8-të, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, e nisi të enjten mbrëma me premierën e dokumentarit të Danijela Štajnfeld, të titulluar “Më shëro” (Zaceli me), me ç’rast një audiencë e tërë pati rastin të shoh, të dëgjoj e të ndjejë thellë brenda tyre, historitë e dhimbshme e tejet personale të disa personave që kanë përjetuar dhunën seksuale e së bashku me të edhe të gjitha emocionet që të përndjekin pas atij çasti, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy orëve, objekti i Kino Armatës mblodhi rreth vetes dashamirë të panumërt të artit dhe kulturës serbe, duke u shndërruar kështu në një fole ku përveç krijimtarisë muzikore e filmike, nuk kishte vend për asgjë tjetër.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, para publikut kosovar solli një atmosferë krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Ishin meloditë e muzikës serbe ato që po shoqëronin të pranishmit para hapjes zyrtare të festivalit, e nën tingujt diversiv nisi edhe performanca e Drag Queens, Loakiin dhe Sunnoka, të cilët në lëshimin e parë të muzikës së përgatitur, e kapluan jo vetëm skenën ku po performonin por edhe sytë e zemrat e të gjithë atyre që brohoritnin në çdo sekondë. Kurse, DJ Jovijah ishte ai që solli ritmin e i cili njëkohësisht shijonte shfaqjen e cila po krijohej para tij.

Pas këtij interpretimi të veçantë i cili padyshim që zgjoi shpirtrat në publik, hapjen e festivalit e nisi Kushtrim Koliqi, nga organizata jo-qeveritare ‘Integra’.

“Është hera e parë që po organizojmë festivalin në Prishtinë në formatin klasik të tij. Përveç vështirësive të zakonshme, tashmë festivali po organizohet në rrethana të jashtëzakonshme, me pandeminë covid-19 në njërën anë dhe me një ambient politik e toksik në anën tjetër. Festivali është një nga iniciativat e pakta bashkëpunuese mes dy shoqërive, të Kosovës dhe të Serbisë, që i ka qëndruar kohës dhe çdo vit po vazhdon të ofrojë mundësi për njohje e bashkëpunim mes dy shoqërive nëpërmjet prezantimit të formave kulturore dhe artistike”, thotë Koliqi.

Sipas tij, edicioni i tetë i festivalit ka për qëllim të promovojë skenën kulturore dhe artistike të Serbisë në Prishtinë, përmes aktivitete të ndryshme artistike dhe debateve që do të organizohen në ditët në vazhdim.

“Si çdo vit, festivali vazhdon të promovojë vlerat e përbashkëta, përkundër diskursit nacionalist, paragjykues e ndonjëherë negativ që vazhdon të mbizotërojë në dy vendet. Ajo se çka është e rëndësishme për festivalin tonë është ti ofroj qytetarëve të dy vendeve, është mundësia që ata të shohin një realitet ndryshe ku e kaluara kujtohet e kuptohet drejtë. Si çdo vit, edhe këtë herë nuk mund të mos e përmend frymëzimin e këtij festivali, pra aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiun, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike”, përfundon Koliqi.

Ndërsa, Ivan Duriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht ky festival, hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si e bëjnë politikanët.

“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme, në momentin ku shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të mund të komunikonin me njëri tjetrin dhe do të gjenin një zgjidhje. Por, jo të bisedojmë sikur po bisedojnë sot Vuçiqi me Kurtin duke e nënçmuar njëri tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë e të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, thotë Duriq.

Sipas tij, qëllimi i tyre është që të luftojnë për paqe dhe të çrrënjosin nacionalizmin i cili na ndan neve dhe kjo duhet të bëhet këtu menjëherë.

Radha që dokumentari “Më shëro”, të shfaqet tashmë kishte ardhur e së bashku me të pasoi edhe heshtja absolute për të parë e dëgjuar rrëfimet e ndryshme të personave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe ndikimin që lë, qoftë ajo fizike apo mentale.

Filmi dokumentar “Më shëro” nga Danijela Stajnfeld, fokusin e vë mbi mbijetesën e personave të dhunës seksuale po aq sa edhe tek autorët e sulmeve seksuale. E gjitha kjo nis nga rrugëtimi i gjithsecilit person për të provuar e shfaqur përjetimin tronditës të tyre qoftë edhe tek një familjar. Por sikur mos të kishin mjaftuar pasojat e rënduara mbi viktimat, disa familjar e edhe persona të afërt me ata persona, manipulojnë me ndodhinë e tyre, duke paragjykuar kështu secilin person që ka përjetuar dhunën seksuale e njëkohësisht duke shtyrë që ata persona të mbyllen në vetvete.

Lufta për tejkalim dhe mbijetesë, është një luftë kjo e cila dëshmon se dhuna seksuale ndodh ndaj çdo kujt pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka.

Ndërsa, vetë regjisorja e këtij dokumentari Danijela Štajnfeld, dikur si një aktore e re ishte viktimë e sot një e mbijetuar e dhunës seksuale. “Më shëro”, është dhe mbetet një çlirim shpirtëror, nëpërmjet së cilës ajo vrapon pas mundësisë së shërimit, si një forcë që nëse kapet, nuk do të mund të ketë mundësi të thyhet më.

“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion ka prezantuar skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë. Këtë edicion janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj. Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.

Gjatë ditëve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

“Sërbia tjetër” – Lufta kundër luftës dhe harresës

“Nuk besoj që ai (Millosheviqi) mund ta përfundoj jetën vet e të mos përfundoj në bankën e të akuzuarve, ai ka për përgjigjigjur para shumë popujve, do t’u përgjigjet juve shqiptarëve…”, ka qenë një prej deklaratave të arkitektit e intelektualit serb, Bogdan Bogdanović, zëri i të cilit kundërshtoj shkeljet e luftën që Serbia po bënte ndaj shqiptarëve.

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!”, solli fjalët, kundërshtimet e parashikimet që Bogdanoviq kishte bërë gjatë jetës së tij. Veprimtaria e Bogdanoviqit u prezentua përballë publikut kosovar nëpërmjet promovimit të librit “Sërbia tjetër: Bogdan Bogdanović”, nga Shkëlzen Gashi.

Botimi i këtij libri për Shkëlzen Gashin është i jashtëzakonshëm, madje edhe aftësitë parashikuese te Bogdanovićit janë të jashtëzakonshme. Gashi ka theksuar se Bogdanović ka parashikuar se Kosova do të jetë e pavarur, madje ka parashikuar bombardimet që ndodhën gjatë viteve të 90-ta, dhe mbi të gjitha intelektuali serb ka parashikuar se Serbia do ta humb luftën me Kosovën,

“Kam shumë frikë që ka për të filluar lufta në Kosovë, por nëse fillon lufa në Kosovë, atëherë populli serb, udhëheqësit serb duhet ta dijnë që do ta humbin atë luftë”, citohet të ketë thënë Bogdanović.

Gashi tutje ka theksuar se Kosova e pasluftës nuk ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë me emrin e arkitektit e humanistit, Goran Bogdanović, ndonëse ai ishte nga personat më të zëshëm që kundështoj ashpër mbylljen e shkollave shqipe në vitet e 90-ta. Madje këtë të fundit Kosova nuk e kishte ftuar as në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” që filloj me promovimin e librit “Sërbia tjetjër…”, vazhdoj me debatin “ Cila është Sërbia tjetër” që kishte synim të shplasote një Serbi tjetër, ndryshe nga ajo që mësohet e njihet sot.

Veprimtaria serbe, Sofija Todorović, tha se Serbia tjetër, do të thotë që mundemi ndryshe. Sipas saj kjo Serbi nëkupton një të vëertetë pa shqetësime, keqkuptime e konflikte.

“Kur them unë Serbia tjetër, ajo nënkupton që ne mundemi më mirë, sepse unë në përgjithësi mendoj që ne si njerëz, pavarësisht moshës, meritojmë më mirë se nga ajo që na ofrohet dhe unë nuk besoj që njerëzit nuk janë të pa sprovuar ose të marrë, por besoj se me të vërtetë, nëse u tregojmë njerëzve diçka të ndryshme, më mirë, që nuk sjell ndonjë shqetësim, keqkuptim, konflikte dhe pasiguri apo brengë në jetën e përditshme, besoj se këtë njerëzit do të përkrahin”, tha ajo duke theksuar se mediat në Serbi dhe në Kosovë nuk pasqyrojnë në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërsa, Veran Matić, që ka udhëhequr për një kohë të gjatë Radiotelevizionin B92 në Beograd, thotë se ky festival është shembull për mënyrën e çuarjes përpara të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.

“Nuk guxojmë të presim që disa nga elitat të marrin nisma për normalizim dhe pajtim dhe diçka që do të përcaktohej si miqësi. Mendoj se është koha që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që ekzistojnë dhe paralelisht të vendosen në nivel institucional. Mendoj se festivali “Mirëdita dhe Dobar dan” është një shembull i rrallë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe”, tha ai.

Maitć e ka konsideruar të rëndësishme që kërkim falja ndërmjet dy vendeve është më shumë sesa e rëndësishme, madje sipas tij kjo kërkim falje duhet të bëhet aty ku është kryer krimi.

“Para se të përballemi me të kaluarën tonë, të përcaktojmë dhe të bëjmë të dukshme, të kërkojmë falje ndaj njëri -tjetri dhe të kërkohet falje atje ku është kryer krim dhe të përpiqemi të gjejmë të zhdukurit dhe ta zgjidhim çështjet e hapura”, shtoi ai.

Maitć ka trguar se “Sërbia tjetër” në vitet e 90-ta kishte një mbështetje serioze nga e gjithë bota, kishte një instrument që mbështeste të gjithë ata që mbështesnin Serbinë tjetër dhe i kundërviheshin siç e quan ai “një marrëzie”, por sipas tij një instrument, një mbështetje e tillë nuk ekziston sot.

Kurse, teksa ka folur për ‘luftën’ që Serbia tjetër mbanë në vete përgjatë vietve, ai thotë se kjo nuk ka ndryshuar shumë, sepse sipas tij kjo luftë ka një theks të vetëm Kosovën dhe Serbinë.

“Në vitet e 90 ka qenë kufta kundër luftës, kurse tash është lufta kundër harresës”, ka shtuar ai.

Por, ky debat nuk shplosi vetëm një Serbi tjetër, ndryshe nga ajo që mësohet në shkolla apo prezentohet në media. Pjesë e këtij debati ishte edhe një nga protagonistët e asaj që njihet si “Kosova tjetër”, Shkëlzen Maliqi.

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” nuk përfundoi me këtë debat, kjo sepse mbrëmjen e së premtes në Sallën e Kuqe në Prishtinë, dy piano të vendosura në mes të sallës, përcollën ngrotësi përmes performancës së dy pianisteve Branka Parlić dhe Nataša Penezić.

Në një lojë të jashtëzakonshme mes gishtave dhe tasteve të pianos, Parlić dhe Penezić, magjepsën publikun kosovar, me muzikën që sollën për pothuajse 120 minuta, përcollën dhe ndjesinë e melankolisë, që në ditë vjeshte si këto, është e pakrahasueshme.

Kjo lojë e melankoli ngriti publikun në këmbë, ku për disa minuta, duartrokitjet e shumta pushtuan sallën e koncerteve.

Por, mrekullinë nuk e përjetoj vetëm publiku kosovar. “Mirëdita, dobar dan!” solli për herë të parë pianisiten Penezić në Prishtinë, e cila secilën minutë të kaluar në kryeqytet e quan “të mrekullueshëm”.

“Është e mrekullueshme, organizimi është i jashtëzakonshëm, unë, ne po e shijojmë qëndrimin tonë këtu”, tha Penezić./KultPlus.com

Sot nis edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!”

Edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!” hapet sot në ora 18:30 në Kino Armata në Prishtinës, me shfaqjen e filmit dokumentar, “Hold me right” (Më shëro) të Danijela Stajnfeld.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë ky festival, në kryeqytetin kosovar do të prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Programi i “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve mbyllet me 16 tetor 2021, me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.

“Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, ndërsa këtë edicion, “Mirëdita, dobar dan!” prezanton  skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.

“Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e “Integra”-s, organizatoret e “Mirëdita, dobar dan!”.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”. / KultPlus.com

Edicioni i tetë i programit “Mirëdita, dobar dan!” fillon së shpejti në Prishtinë

“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion do të prezantojë skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë nga 14 deri më 16 tetor 2021.

Këtë edicion do të jenë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj.

Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.

Gjatë ditëve të programit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Këtë vit, “Mirëdita, dobar dan!” do të hapet në Kino Armata me shfaqjen e filmit dokumentar “Hold me right/Më shëro” nga Danijela Stajnfeld.

Filmi “Më shëro” fokusohet tek të mbijetuarat, ashtu edhe autorët e sulmeve seksuale, përmes udhëtimit tronditës të të folurit për atë që iu ka ndodhur, shërimit dhe tejkalimit. Shfaqja e filmit do të paraprihet nga një perfomancë mikpritëse me Drag Queens nga Beogradi – Loakiin dhe Rubella Feminine, të shoqëruar nga DJ Jovijah.

Në ditën e dytë, publiku do të ketë mundësi të përcjellë promovimin e librit “Serbia tjetër”, me autor Shkëlzen Gashin, e menjëherë më pas të marr pjesë në debatin “Cila është Serbia tjetër?”, që do të mbahen në Pallatin e Rinisë, në Sallën e Ateliesë.

Në mbrëmjen e ditës së dytë të programit “Mirëdita, dobar dan!”, do të mbahet koncerti “Pavana and more” – Solo/Piano duet, me pianistet Branka Parliq dhe Natasha Peneziq, i cili do të jepet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Dita e fundit do të fillojë me promovimin e librit “Vrasja e Kulturës”, me autorët Viktor Ivançiq, Hrvoje Polan dhe Nemanja Stjepanoviq, për të vazhduar më pas me debatin “Kultura si mjet politik”, që do të mbahen në Pallatin e Rinisë, në Sallën e Ateliesë. Pas debatit, publiku kosovar do të ketë mundësi të shoh ekspozitën fotografike “Vrasja e Kulturës” të fotografit Hrvoje Polan, në të njëjtin vend.

Ngjarja përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë shfaqja e filmit “Ngarkesa” nga Ognjen Glavonić, i cili do të jepet në orën 19:30 në Kino Armata.

Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është të prezantoj skenën kulturore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, dhe përmes takimit të përfaqësuesve të komunitetit artistik dhe të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë të nxisë shkëmbimin e ideve dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav, botërorë, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e programit, si edhe në edicionet e kaluara, do të jetë falas.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund.

Ju lutemi gjeni bashkangjitur posterin dhe programin e edicionit të tetë të “Mirëdita, dobar dan!” në Prishtinë në të tria gjuhët./KultPlus.com

Përmbledhja e tregimeve ‘Richard Gere ka qenë këtu’ përmbyllë edicionin e shtatë të ‘Mirëdita, Dobar Dan’

Suada Qorraj

‘Richard Gere ka qenë këtu’, përmbledhja e tregimeve të shkurta nga Tristan Halilaj, që lidhshmërinë e vetme mes tyre kanë aktorin amerikan, Richard Gere. Ndonëse i shkruan në anglisht dhe i përkthyer vetëm në gjuhën serbe, fragmente të këtij libri u lexuan mbrëmë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, shkruan KultPlus.

Autori i librit Tristan Halilaj ka thënë se tregimet që ndonëse të bëra bashkë mund të lexohen edhe si të ndara nga tërësia e këtij libri.

“Ky libër është një përmbledhje e tregimeve të shkutra që i kam shkruajtur, nuk kanë një lidhje të domosdoshme të tëra bashkë, thjesht mund të lexohen edhe jo të lidhura me njëra tjetrën”

Ndërkaq për përkthyesin e këtij libri në gjuhën shqipe, Dejan Ilić, në momentin e parë që kishte parë Tristanin duke lexuar karakteret e tij nga fletorja e vogël, ka menduar se është e nevojshme të përkthehet.

“Në momentin kur e kam parë Tristanin duke lexuar prej fletores së vogël të tij ka qenë diçka e mrekullueshme, i kemi parë se si i ka lexuar karakteret e tij dhe përmes aktrimit të tij dhe në këtë moment kemi menduar që është diçka që duhet të lexohet dhe përkthehet”, tha Ilić.

Tristan Halilaj ka lindur në Shkodër, Shqipëri, në vitin 1992.

Ai ka studiuar aktrim në Maqedoninë e Veriut; sot ai jeton në Kosovë. Ai ka luajtur në disa filma dhe shfaqje. Ai ishte pjesëmarrës në kampuset e talenteve për filmbërësit e rinj të Festivaleve të Filmit në Berlin dhe Sarajevë.‘Richard Gere’ e Tristan Halilaj mbylli natën e fundit të edicionit të shtatë të ‘Mirëdita, dobar dan’.

Ndër të tjera është bërë e ditur se edicioni i vitit të ardhshëm të ‘Mirëdita, Dobar Dan’ do të mbahet në Prishtinë./ KultPlus.com

‘Mirëdita, Dobar Dan” ndan çmim për regjisorin Ognjen Glavonjić

“Mirëdita, Dobar Dan” që po mbahet tash e sa mbrëmje në Beograd, po shkon drejt fundit të këtij edicioni, dhe pikërisht në mbrëmjen e së shtunës, organizatorët e këtij festivali kanë ndarë edhe çmimin për një regjisor, i cili me filmat e tij ka trajtuar temën e luftës, shkruan KultPlus.

Fiona Jelic, një nga organizatoret e festivalit, përgjatë dorëzimit të këtij çmimi për regjisorin Glavonjić, tha se ky çmim shënon obligimin e tyre, për ti shtyrë që të vazhdojnë punën më tej.

Ajo përmendi edhe riaktivizimin e çështjes së varrezës masive ne Batajnicë,  ku tha se për këtë varrezë, duhet të reagojnë edhe përfaqësuesit e shtetit edhe shoqëria.

Përgjatë ceremonisë, ajo kujtoi edhe faktin që para një kohe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic ka mbajtur një minutë heshtje për viktimat e Batajnicës. Por, sipas saj shteti nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt.

“Para pak kohësh kryeministri i Serbisë Vucic ka mbajtur një minutë heshtje në një sallë të mbyllur. Por që nga ajo kohë shteti nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt”, ka thënë ajo, duke ngritë zërin edhe në këtë festival për varrezën masive të Batajnicës, varrezë që janë gjetë trupa të qindra shqiptarëve të varrosur në grup.   

Sopas Fiona Jelic, reagimet nuk duhet të ndalen për këtë çështje, edhe pse, sipas saj, shoqëria është memece, e shurdhër dhe e verbër kundrejt kësaj çështjeje./ KultPlus.com

Besart Lumi në Beograd: Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë

Suada Qorraj

Njëzet vite që pas përfundimit të luftës, Kosova ende përballet me të kaluarën e saj të dhunshme, që nga përfundimi i konfliktit janë ndërmarrë shumë nisma të drejtësisë tranzicionale, por këto nisma ishin të fragmentuara dhe të njëanshme. Dhe si të tilla ato kanë qenë të padobishme për të sjellë shoqërinë kosovare në një të ardhme paqësore.

Në ditën e fundit të festivalit ‘Mirëdita,dobar dan’, solli përballë publikut serb prezantimin e raportiit “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale”, me autorët Besart Lumi dhe Gëzim Visoka.

Ky hulumtim tregon se një qasje nga lart-poshtë dhe e drejtuar nga jashtë e drejtësisë tranzicionale nuk ka qenë e dobishme dhe sugjeron që Kosovës i duhet një infrastrukturë e integruar dhe diskutuese për të siguruar legjitimitetin dhe efikasitetin e përpjekjeve për t’u marrë me të kaluarën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Autori i këtij hulumtimi, aktivisti dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale, Besart Lumi gjatë prezantimit që ju bëri të gjeturave theksoi se Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë. Madje ai theksoi se Serbia deri më sot nuk i ka kthyer as dëmshpërblimet e kontributeve pensionale.

“Serbia nuk ka paguar asnjë dëmshpërblim për dëmet dhe humbjet e jetëve nga fushata e saj ushtarake dhe policore në Kosovë dhe nuk ka kthyer kontributet pensionale. Në mungesë të dëmshpërblimit zyrtar nga Serbia, Qeveria e Kosovës ofron dëmshpërblime në formën e pensioneve dhe privilegjeve të tjera për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës së UÇK ’së; viktimat civile dhe të mbijetuarit e viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit; si dhe të burgosurit politikë dhe civilët e dëmtuar fizikisht”, u shpreh Lumi para të pranishmëve serb e shqiptarë.

Ndërkaq panelistja tjetër, Nora Ahmetaj aktiviste dhe eksperte për drejtësi tranzicionale gjatë këtij diskutimi tha se është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme që të gjendet e vërteta për viktimat që përjetuan dhunë dhe humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e New Social Initiative, Jovana Radosavjevic tha se Kosova njëzet e një vite pas përfundimi të luftës nuk ka arritur që të krijoj një strategji për ballafaqimin me të kaluarën. Sipas saj iniciativat e deritanishme që janë bërë për drejtësinë tranzicionale nuk kanë adresuar nevojat adekuate të komunitetit.

“21 vite më vonë Kosova ende nuk ka bërë një strategji për ballafaqimin me të kaluarën dhe këtu ka një mungesë të vullnetit politik. Ka pasur iniciativa të ndryshme që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën dhe me drejtësinë tranzicionale që nuk arritën që në mënyrë adekuate të adresojnë nevojat e komuniteiti”, ka theksuar Radosavjevic.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ do të vazhdoj natën e tij të fundit me prezantimin e përmbledhjes së tregimeve të Tristan Halilaj, ‘Richard Gere ka qenë këtu’ si dhe filmin e ‘Shpia e Agës’./ KultPlus.com

‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, kultura që bashkon qytetarët e ndanë politikanët

Suada Qorraj

Gazetares Antonela Rihe i ishin mbushur sytë me lot teksa dëgjonte panelistin e debatit ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, Durim Abdullahu, kur shpjegonte se një ndër vendet ku do të përfundonte rrugëtimi i tij, bërë një të huaji, është pikërisht Meja e Gjakovës, hapësirës që mbanë historinë e frymës së fundit të mbi treqind personave shkruan KultPlus.

“Ndoshta vendi i fundit ku do ti dërgoja është në Mejë të Gjakovës, vendi ku është bërë masakra më e madhe e luftës së Kosovës, mbi 300 shqiptarë janë vrarë ndër tjera pas një përpjekje për me i konfliktu mes njëri tjetrit, pasi po flasim për një zonë të banuar me shqiptar katolik dhe mysliman”, ka theksuar profesori universitar Abdullahu.

Vendet mbi të cilat ndërtohet kujtesa janë më shumë sesa vetëm vendndodhje gjeografike ngase ato shërbejnë si bazë për ndërtimin e identiteteve kolektive. Ajo që ne zgjedhim të kujtojmë, ose më saktë, të harrojmë, neglizhojmë dhe heshtim, flet shumë për të tashmen në të cilën jetojmë dhe për vizionin e së ardhmes që dëshirojmë të ndërtojmë.

Për Korab Krasniqin projektuesin e projekteve në organizatën Forum ZFD në Kosovë ideja për diskutimin e kujtesës është e rëndësishme sepse hapësirat tona publike janë të mbushura me monumente që komunikojnë nëpërmjet ideologjive të ndryshme.

“Ideja pse diskutimi për kujtesën është e rëndësishme për arsye se hapësirat tona publike janë të mbushura me monumente edhe hapësira që komunikojnë me ne ideologji të ndryshme, histori të ndryshme edhe provojnë që të na tregojnë një rrëfim për të kaluarën edhe shpesh këto hapësira për shkak të politikave dominante edhe interesave të ndryshme të grupeve të caktuara mund të paraqiten në atë mënyrë të cilat mund të jenë ekskluzive, të jenë përjashtuese dhe të njëanshme”, ka theksuar Krasniqi.

Tutje menaxheri i  Menaxher Publikimit ‘Kosova – Trashëgimia e kujtesës’ ka thënë se ky publikim është më shumë dokumentim fotografik i cili përmban përshkrime të shkurtra dhe nuk futet në detajet e historive të këtyre objekteve. Sipas tij ku libër ka rreth 100 monumente që fokusohen në narrativat që vijnë nga sundimi osman, monumente të periudhës mesjetare, të luftës së dytë botërore, periudhës socialiste si dhe periudha e viteve të 90-ta.

Ai ka shtuar se tek të gjitha nacionalitetet në Kosovë ekziston vetëdija për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pavarësisht se politika përpiqet ta ndajë atë sipas nacionaliteteve. Sipas tij nuk duhet të konsiderohet problematike nëse thuhet se disa objekte janë vetëm serbe ose vetëm shqiptare.

“Ekziston një vetëdije kolektive e të gjithë popujve në Kosovë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve, dhe politika po përpiqet ta ndajë atë trashëgimi sipas kombësisë, në atë serbe dhe shqiptare. Njerëzit duhet të hulumtojnë në atë temë, dhe jo vetëm të flasin për politikë dhe ndarje “, ka thënë Korab Krasniqi.

Durim Abdullah profesor Fakulteti Filozofik në Prishtinë ka potencuar se Kosova është një vend ku kanë jetuar dhe jetojnë edhe sot popuj të ndryshëm, të cilët shikojnë në mënyrë të barabartë trashëgiminë kulturore, monumentet, kishat dhe xhamitë.

“Politikanët nuk kanë emocione rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë. Objektet e kultit janë zona ku jetonin serbët dhe shqiptarët, dhe të njëjtët njerëz ende shkojnë dhe i vizitojnë ato ambiente. Kjo është arsyeja pse duhet të jetë një trashëgimi e përbashkët dhe të gjithë duhet të kenë qasje në to”, tha Abdullahu.

Kur u pyetën nga moderatorja e debatit, gazetarja Antonela Rihe, nëse momentet e unitetit në Kosovë janë të mundshme sot përkundër tensioneve në rritje, pjesëmarrësit arritën në përfundimin se politika është e përqendruar në politikën e identitetit dhe ndarjes, por që këto nuk janë procese në lidhje me kulturën dhe hapësirat e njerëzve që jetojnë atje.

I pyetur nëse ata janë të vetëdijshëm që kishat dhe manastiret në Kosovë shihen si trashëgimi e Kishës Ortodokse Serbe dhe se ajo nuk i përket Kosovës, Korab Krasniqi tha se interpretimet janë të ndryshme dhe se ato hapin rrugën për bisedime në lidhje me trashëgiminë kulturore.

“Për sa kohë që ekzistojnë dy narrative të kundërta, është e vështirë të gjesh tokën e mesme. Hapi i parë duhet të jetë që shoqëritë tona të fillojnë një dialog, të përqendrohen në kërkime dhe jo në ndarjet politike”, pohoi ai.

Duke folur rreth asaj nëse kishat dhe monumentet serbe në Kosovë ruhen në të njëjtën mënyrë, si dhe ndërtesat e tjera dhe cilat janë përparësitë, profesori universitar Durim Abdullahi tha se nuk ka tendenca të njerëzve nga Kosova për të shkatërruar diçka dhe se trashëgimia bëhet subjekt i politikës.

Dita e dytë e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ filloi me diskutimin ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, dhe ekspozitës me fotografi më po të njëjtin emër që synon të kontribuoj në temën e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ekspozita ishte e bazuar në fotografitë e Korab Krasniqit, menaxher i projekteve në organizatën forum ZFD, që u publikuan fillimisht si pjesë e botimit të vitit 2017 “Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë”. 

Në ambientet e qendrës Endžio ishin të varura 26 fotografi, të shkëputura nga publikimi ‘Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë’, që shpërfaqnin 26 vende të kujtesës, tyrbe, teqe, xhami, kisha, manastire, sahat kulla e komplekse memoriale.

Në fjalimin hyrës të kësaj ekspozite Natasa Govedarica përfaqësuese e forumit ZFD në Serbi tha se ajo se kjo ekspozitë tregon një pjesë të trashëgimisë të përbashkët kulturore e njerëzore të kësaj bote.

“Kjo çka shohim këtu të ekspozuar janë pjesë e trashëgimisë kulturore njerëzore, pjesë e trashëgimisë të përbashkët të tërë species njerëzore të kësaj bote. Gjërat që mund ti shihni në këto imazhe përfshijnë momente të mesjetës e deri tek ato që e shënojnë luftën nacional çlirimtare, pra një trashëgimi prej së cilës asesi nuk guxojmë të ndihemi keq dhe turpërohemi por përkundrazi duhet të jemi krenar për rezistencën luftën e bërë nga kombet dhe kombësitë e hapësirës tonë”, deklaroi Govedarica.

Ndërkaq për autorin e projektit ‘Kosova – Trashëgimi e Kujtesës’ dhe të ekspozitës së natës së dytë të ‘Mirëdita, dobar dan’, projekti që ndodhej përballë syrit të publikut ka pasur për qëllim hulumtin dhe centralizimin e peizazheve të vendeve të kujtesës  në Kosovë.

“Projekti me të cilin kemi ardhë si reagim ka qenë trashëgëmi që ka pas për qëllim hulumtimin dhe centralizimin e peizazheve të përgjithshme të vendeve të kujtesës në Kosovë duke ofruar informacione të cilat në disa raste mungojnë”, ka thënë Krasniqi.

Për Korab Krasniqin puna e bërë për këtë projekt ka shënuar edhe njoftimin më intim të mundshëm me historinë e vendit të tij por edhe vendeve të tjera.

Ndërkaq Budimir Ivanisevic i cili ishte i pranishëm në ekspozitën ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës”, e konsideron të rëndësishëm faktin që qytetarët e Beogradit kanë mundësi që të shohin këtë ekspozitë dhe të njoftohen me të kaluarën.

“Jam shumë i kënaqur me atë se ka kam parë këtu, unë kam një prapavijë jetësore që ka një lidhje me temën që paraqitet këtu sepse unë punoja për një OJQ në Beograd që trajtonte të njëjtat probleme.  Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që qytetarët e Beogradit kanë mundësinë që të shohin këtë ekspozitë sepse mendoj që kjo është një përpjekje që na ndihmon që ta kapërcejmë të kaluarën. unë shpresoj që kjo ekspozitë do të na ndihmoj që ta kapërcejmë të kallurën që ka qenë mjaft tragjike për të dyja palët”, ka thënë Ivanisevic. / KultPlus.com

‘Mirëdita, dobar dan’, festivali që ndër vite trazirat nuk ja zbehin kuptimin

Suada Qorraj

Kohë më parën, në vitet e hershme të jetës së tij, kishte jetuar në një nga fshatrat e thella të komunës së Obiliqit. ‘Në luftën e fundit në Kosovë na dëbuan nga aty, mua më vranë vëllain përpara se të vija këtu’, ishin këto vetëm disa nga arsyet e njërit nga protestuesit e vetëm që qëndronte përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor në Serbi, hapësirës ku tashmë pjesëmarrësit e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ kishin filluar që të vinin, shkruan KultPlus.

‘Kosova, UÇK janë ISIS’ dhe ‘Shqiptarët janë terrorista’, ishin vetëm disa nga thirrjet që protestuesi i orëve të para të festivalit bënte përgjatë katër anëve të rrugëve, ku forca të shumta policore kishin krijuar kordone të gjata me qëllim mbrojtjeje. Krahas brohorimave të tij, ai përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor kishte vendosur pllakata, si shenjë revolte, ku akuzonte NATON për vrasjen e fëmijëve serb, e udhëheqësit e Kosovës kriminel lufte.

Ndonëse protestën e filloi i vetëm, nuk u desh edhe shumë kohë që protestues të shumtë të zinin rrugët kryesore të Beogradit. Teksa këndonin këngë nacionaliste serbe, ata i quanin shqiptarët terrorist e bënin thirrje për vrasje të shqiptarëve.

‘Mbyte shqiptarin – mbyte shqiptarin’, Kosova është pjesë e Serbisë’, ishin vetëm disa nga thirrjet e këngët e protestuesve të shumtë, që kundërshtonin mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’. Kurse për organizatoren e kësaj proteste, Milica Đurđević Stamenkovsk, festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politik. Madje ajo ka theksuar se në Kosovë nuk ekzistojnë mbi njëzet mijë femra të dhunuara. Sipas saj janë shqiptarët ata që kanë kryer krime ndaj serbëve.

“Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politike, s’ka të bëjë fare me artin dhe kulturën sepse në Kosovë vetëm ekziston populli serb dhe bashkësia e shqiptarëve. Kosova është e Serisë, ajo nuk është e njohur ndërkombëtarisht, nuk është e nevojshme të shkelet kushtetuta e Serbisë. Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë. Kosovarët janë duke gënjyer që janë mbi njëzet mijë femra të dhunuara, ata madje kanë mbytur serbët e Kosovës”, ka thënë Stamenkovsk.

Sipas saj shqiptarët dhe serbët duhet të komunikojnë mes tyre dhe jo të mbahet një festival si ‘Mirëdita, dobar dan’, që paraqet vetë anën e shqiptarëve për luftën e fundit në Kosovë.

Por, protesta nuk ishte vetëm njëri nga incidentet e para të këtij manifestimi. Nën tingujt e brohorimave dhe thirrjeve kundër ‘Mirëdita, dobar dan’ dhe shqiptarëve, kishte filluar hapja e këtij festivali. Teksa organizatorët po mbanin fjalimet e tyre një nga të pranishmit doli në skenën e improvizuar dhe bënte thirrje që të kthehej në shtëpi, pra në Kosovë. Ai thoshte se me shpërnguljen e detyruar në Serbi atij i ishte vjedhur fëmijëria. Jo shumë gjatë pas këtij incidenti, pjesëmarrësit filluan që të hynin brenda Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, vendit ku do të jepej shfaqja ‘Unë jam vet grua’.

Shfaqja ‘Unë jam vetë grua’ me regji të Kushtrim Koliqit, dhe nën lojën e mahnitshme të aktorit të vetëm i cili luan më shumë se 30 personazhe, Adrian Morina, sjellë historinë tejet të vështirë të spiunes transgjinore gjermane, Charlotte von Mahlsdorf, e cila i kishte mbijetuar regjimit Nazist dhe atij Stasi.

‘Unë jam vet grua’ bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Ëright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuarëve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar po ashtu “Unë jam vetë grua”.  

Historia e jetës së Charlottes tregohet nëpërmjet një shfaqje të gjatë një orë, e ku aktori i vetëm i kësaj shfaqje luan mbi 30 role. Morina në monologun e dhënë para publikut të mbrëmshëm ka luajtur rolin e babait të Charlotte, rolin e tezes e të dashnorit, miqve të Charlotte, ushtarëve nazistë dhe oficerëve të Stasit. Personazhet shfaqeshin të ngjitur shpinë për shpinë, e ndonjëherë edhe tre personazhe në të njëjtën kohë.

Për regjisorin Koliqi, gjetja e një aktori me komponentët që i duhen shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme për të. Ai ka thënë se ishte pikërisht Adrian Morina ai që posedonte inteligjencën dhe sensibilitetin ndaj temës që trajton shfaqja.

‘Faktikisht komuniteti i artistëve në Kosovë nuk është shumë i madh dhe ne i njohim shumë mirë kastën e aktorëve që i kemi. Kjo është një nga kastet që është shumë vështirë me e gjet një aktorë që ka 4-5 komponentë që kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua. Duhet të ketë talentin, mënyrën për ndryshim, duhet të ketë sensibilitetin ndaj temës dhe inteligjencën. Unë mund të përmend edhe dy apo tre emra tjerë, por Adrian Morina është kallëpi i aktorit që i mbulon të gjitha këto kritere që unë kam dashtë me i gjete te aktori”, ka thënë ndër të tjera regjisori.

Koliqi ka shtuar se njerëzit që po kundërshtojnë festivalin janë pikërisht ata që kundërshtojnë edhe çështjen e personave LGBTIQ. Sipas tij kjo është pikërisht arsyeja që ka vendosur që të japin këtë shfaqje pikërisht në këtë festival.

Ndërkaq aktori i vetëm i kësaj shfaqje Ardian Morina ka thënë se nuk është hera e parë që ka luajtur në Beograd. Sipas tij ata tashmë janë mësuar me atmosferën që krijohet  në këtë festival, madje ai thotë se beson që numri i protestuesve do të rritet në çdo edicion më shumë.

“Me thënë të drejtën nuk është hera e parë, sigurisht përmbi dhjetë herë kemi luajtur në Beograd në shfaqje të ndryshme. Gjithmonë në ‘Mirëdita, dobar dan’ është kjo atmosferë, dhe turmat e njerëzve po vijnë gjithmonë duke u rritë edhe besoj se krahas rritjes së turmave do të rritet edhe programi. Të luash në Qendrën për Dekontaminim Kulturor është çdo herë kënaqësi sepse ky vend mbanë emrin e një dramaturge, një kritike të artit, një luftëtare të të drejtave të njeriut, dhe njeriu të jashtëzakonshëm” ka pohuar Morina.

Sipas aktorit nuk është e lehtë për publikun që të ketë përballë vetës një shfaqje në gjuhën shqipe e cila përkthehet, e sidomos një shfaqje që ka shumë personazhe brenda. Por, sipas tij në momentin që shikuesit fillojnë që të kapin sensin e shfaqjes atëherë do ta kenë më të lehtë sepse historia e Charlotte është e jashtëzakonshme.

Adrian Morina ka shtuar se pasi ka lexuar tekstin e shfaqjes ‘Unë jam vet grua’ është impresionuar për shkak se teksti ka shumë personazhe. Sipas tij ai nuk ka besuar që do të luaj ndonjëherë një monodramë ngase nuk e pëlqente si zhanër.

“Kur e kam lexuar tekstin fillimisht jam impresionuar për shkak së teksti ka shumë personazhe, ti nuk e lexon si dramë me shumë personazhe dhe nuk duket vetëm dramë e një aktori, andaj kjo më ka nxitur të them menjëherë po. Më pëlqen kjo shfaqje edhe pse në jetën time asnjëherë nuk kam besuar që do të punoj me monodramë sepse nuk më ka pëlqyer si zhanër. Por realisht kjo nuk është monodramë, kjo është një monospektakël”, ka deklaruar aktori.

Krejt në fund Morina ka thënë se nuk beson që pas kësaj shfaqje do të luaj ndonjëherë monodrama tjera, sepse shfaqja ‘Unë jam vet grua’ është e një niveli shumë të lartë. Ai ka deklaruar se është dashuruar me personazhin e guximshëm e të jashtëzakonshëm të Charlottes.

‘Unë jam vet grua’ mbrëmë ngriti sallën në këmbë teksa duartrokitnin për lojën e  jashtëzakonshme që bëri aktori Morina për një orë në skenën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ që ka filluar ditën e djeshme do të vazhdoj deri këtë të shtunë e ku do të zhvillohet debati, si dhe hapja  e ekspozitës ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’. Gjithashtu përgjatë këtyre ditëve do të shfaqet edhe filmi ‘Shpija e Agës’ e regjisores Lindita Zeqiraj. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu frymëzon festivalin e Beogradit

Dhjetë vjet pas vdekjes së aktorit të njohur të epokës jugosllave Bekim Fehmiu, trashëgimia e shqiptarit të Kosovës vazhdon të frymëzojë një festival arti në Beograd që kërkon të promovojë tolerancë dhe bashkëpunim ndërkufitar.

Nga Milica Stojanovic

Kur festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” të hapë dyert e tij të enjten në mbrëmje në Beograd, tashmë do të jetë bërë më shumë se një dekadë që kur frymëzimi i tij, aktori Bekim Fehmiu, ndërroi jetë në Beograd.

Në festival emri i të cilit do të thotë “mirëdita” në shqip dhe serbisht, shfaqen filma, pjesë teatrale dhe art i Kosovës për një audiencë në Beograd, por gjithashtu në të zhvillohen debate për çështje të rëndësishme bashkëkohore.

Fehmiu mbetet një figurë kryesore për festivalin – “një simbol i marrëdhënieve të ndërlikuara midis serbëve dhe shqiptarëve në dekadat e fundit, por gjithashtu një hallkë që lidh dy hapësira kulturore në një tërësi të vetme”, tha Fiona Jelici nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut Serbi, që është një nga organizatorët.

“Deri në orën e fundit, Bekimi ishte dhe mbeti një aktor jugosllav në kuptimin më të mirë të fjalës. Pas vdekjes së tij, djali i tij Uliks Fehmiu tha se Bekimi kaloi vite duke shkuar në Kosovë duke mbrojtur serbët dhe duke mbrojtur shqiptarët në Serbi, gjë që në një farë mënyre ne e bëjmë sot duke organizuar festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ në Beograd dhe Prishtinë”, tha Jelici për BIRN.

Gjatë shtatë viteve të fundit që nga fillimi i festivalit të përvitshëm, ai ka treguar se “bashkëpunimi dhe dialogu është i mundur midis të rinjve të cilët, edhe kur nuk mendojnë njëlloj, gjejnë një mënyrë për të dëgjuar dhe për t’u njohur me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Fehmiu vrau veten në vitin 2010 dhe kujtimi e tij mbetet i gjallë në Serbi, si dhe roli i tij i rëndësishëm në lidhje me marrëdhëniet serbo-shqiptare.

Gruaja e tij serbe, aktorja Branka Petriç, tha në një intervistë për BIRN në vitin 2012 se ai “i dha fund jetës së tij ashtu si e jetoi atë”, me vendosmëri.

Fehmiu luajti në më shumë se 40 filma, seri televizive dhe vepra teatrale në Jugosllavi dhe jashtë saj. Filmi i tij më i njohur ishte “I Even Met Happy Gypsies” (fillimisht i titulluar “Skupljaci Perja”) i vitit 1967, i cili u nominua për një Palmë të Artë në Festivalin e Filmit në Kanë dhe gjithashtu për Çmim Oskar si filmi më i mirë në gjithë të huaj.

Por ai gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në shoqërinë jugosllave, veçanërisht gjatë ngritjes së nacionalizmit në vitet 1980, kur përballja midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës u shtua. Në vitin 1987, ai u largua nga skena gjatë shfaqjes së një vepre në Beograd, në shenjë proteste për shtimin e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Në atë kohë, në vitet 1980, në Serbi nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit po fillonte propaganda antishqiptare. Ai braktisi teatrin dhe, në vitet 1990, edhe karrierën e tij ndërkombëtare në kinematografi”, tha Branka Petriç për BIRN.

Bashkëshortja tha se ajo ishte një periudhë tepër e vështirë për bashkëshortin e saj: “Ai kishte shumë besim te njerëzimi dhe në atë moment, ai besim filloi të shkërmoqej.”

Jelici tha se ishte “një veprim jashtëzakonisht i guximshëm të merrje dhe mbroje një pozicion të tillë në mes të Beogradit nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit”.

“Ne jemi të vendosur të sjellim atë që e tronditi thellë Fehmiun në atë kohë, dhe që është ende një temë aktuale në të dy shoqëritë, në nivelin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit frymëzues”, deklaroi ajo.

Që kur Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut lajmëroi datat kur do të mbahet festivali, disa organizata politike të krahut të djathtë kanë bërë thirrje që ai të ndalohet.

“Mund të gjejmë lumturi te bashkëjetesa”

Në vitin 2016, për të shënuar 80-vjetorin e lindjes së aktorit, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama, bënë një deklaratë të përbashkët në të cilën ata vlerësuan trashëgiminë e Fehmiut.

“Bekim Fehmiu la një gjurmë të jashtëzakonshme si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Jeta dhe arti i tij dëshmojnë se ne mund të komunikojmë, kuptojmë dhe mësojmë nga njëri-tjetri. Jeta dhe arti i tij tregojnë se ne mund të gjejmë lumturi në bashkëjetesë dhe mund të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat që do të vijnë”, thanë Vuçiç dhe Rama në deklaratë.

Megjithatë, publiku i Kosovës nuk dinte aq shumë për karrierën e tij ose rolin e tij në shoqërinë serbe, kështu që në vitin 2016 në shtatë qytete atje u organiza shfaqja e filmave të tij.

“Reagimet ishin shumë të mira, por organizatorët donin t’i drejtoheshin një publiku më të gjerë, me fjalë të tjera që filmat të shiheshin nga më shumë se 200 njerëz, sa mund të mbanin kinematë, dhe për këtë arsye një përzgjedhje e filmave të tij u shfaq në televizionin kombëtar KTV në vjeshtën e vitit 2019”, tha Jelici.

KTV transmetoi tetë filma të kohës së Jugosllavisë si pjesë e një programi të titulluar “Një javë me Bekim Fehmiun” – të gjithë në gjuhën serbe.

“Reagimet ishin të ndara, sepse kjo përmbledhje ngjalli entuziazëm në mesin e një pjese të publikut për shkak të aktrimit të saj mjeshtëror dhe cilësisë së filmave që u shfaqën, ndërsa gjuha serbe në filmat e realizuar gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, që u shfaqën në televizionin në Kosovë, shkaktuan komente negative”, shpjegoi Jelici.

Autobiografia e Fehmiut u botua në vitin 2001 dhe atë vit ai foli për emisionin radiofonik “Pescanik”. “Askush nuk mund të ma marrë lirinë”, tha Fehmiu.

“Mund të ma marrë vetëm pasi të më heqë kokën, por unë jam një njeri i lirë.” / KultPlus.com

Më 22-24 tetor në Beograd mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan”

Mediat serbe njoftojnë se festivali “Mirëdita, dobar dan”, një ngjarje kulturore që publikut beogradas ia prezanton kulturën dhe skenën shoqërore të Kosovës do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor, ka njoftuar sot Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, raportojnë mediat e Beogradit.

“Me rinisjen e procesit të negociatave në Bruksel dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit është bërë një hap njëmijë miljesh, por marrëveshjet politike dhe ekonomike janë kornizë, ndërsa thelbi është afrimi i shoqërive të Serbisë dhe të Kosovë. Që të njihen, të dëgjojnë njëri për të tjerët, të jenë njëri me të tjerët. T’i thonë njëri tjetrit “Mirëdita, dobar dan”, ka deklaruar Ivan Gjuriq, drejtor programor i Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut, që është njëri nga organizatorët e festivalit.

Gjatë tre ditëve sa do të zgjasë festivali do të debatohet rreth procesit negociator në mes të Beogradit e Prishtinës, rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe për bashkëpunimin në mes të shoqërive të reja serbe e shqiptare.

Qwllimi i festivalit është që përmes takimeve të bashkësive shoqërore e kulturore serbe e kosovare të iniciohen ndryshime dhe të krijohet tradita e bashkëpunimit, në ç’mënyrë kontribuohet për normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, thuhet në komunikatë.

Në festival publikut të Beogradit do t’u prezantohen artisë e performues që përfaqësojnë skenën moderne kulturore të Kosovës.

Festivali sivjet për shkak të koronavirusit do të jetë në format shumë më të vogël se zakonisht dhe me respektim të të gjitha masave epidemiologjike, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net. / KultPlus.com

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” i kushtohet të pagjeturve, shoqërohet edhe me protesta

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili po mbahet në Beograd, i është kushtuar të pagjeturve. Fillimisht vëmendjen e të pranishëmve e morën 10 rrëfimet e familjeve të të pagjeturve të cilat janë shtypur në librin me 164 faqe të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Pas librit vëmendjen e pjesëmarrësve të festivalit e mori historia e Ferdonijes, gruas e cila humbi katër fëmijë dhe burrin gjatë luftës në Kosovës.

Gjatë shfaqjes së filmit “Ferdonija”, një grup protestuesish u mblodhën para Dorcol Platz, vendit ku po mbahej festivali dhe tentuan që të kalonin kordonin e vendosur nga policia. Për shkaqe sigurie pjesëmarrësve ju është kërkuar që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të filmit,  derisa protestuesit u shpërndanë. “Ambiciet e mia nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike”, theksoi regjisorja e filmit Shkurte Dauti para shfaqjes së filmit.

Dauti së bashku me regjisorin Gazmend Bajri sjellin 24 orë nga jeta e Ferdonije Qerkezit e cila tregon sesi më 27 mars 1999, forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Nje nga momentet prekëse të këtij filmi  është biseda e Ferdonijës me varret e anëtarëve të familjes së saj. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta. Dauti, theksoi se filmi dëshiron që të potencojë fuqinë që ka Ferdonija për ti bërë ballë një dhimbje kaq të madhe.

“Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djem dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen” u shpreh ajo.

Përgjatë 30 minutave Ferdonija tregon si ishte jeta e saj para luftës, momentet e vështira gjatë luftës dhe ato pas luftës në mesin e të cilave është edhe lufta e saj me vëllezërit e bashkëshortit të saj të cilët dëshirojnë që t’ia marrin tokën dhe shtëpinë. Rrëfimi i Ferdonijës është i ngjashëm me rrëfimet në librin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, i cili u promovua në Beograd. Edhe personazheve të intervistuar në libër ju mungon dikush nga familja e tyre, 20 vite pas luftës disa nga familjaret e tyre akoma figurojnë të zhdukur.

Fetije Mirenës, një nga të intervistuarat tregon sesi mbrëmja e 21 prillit të viti 1999, në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitar të ardhur nga Serbia të veshur zi. Të armatosur dhe të maskuar, ata ju hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilët tubojnë 16 burra, vëllezër, djem axhallarësh dhe bijtë e të tyre.  E mbetur me katër fëmijë, rrëfimi i Fetije Mirenës, shoqes së Nezirit të rrëmbyer atë ditë, erdhi përmes aktores Kaltrinë  Zeneli. Sipas dokumenteve që i ka marrë Fetija, burri i saj ka qenë i vrarë me shtatë plumba. Trupi i Nezirit është gjet në vitin 2006, ndërsa në dhjetor të vitit 2017 familjarëve ju është dorëzu edhe një pjesë e krahut mirëpo trupit të tij akoma i mungojnë disa pjesë.

“Momentet e fundit bashkë, s’më heken prej mendsh, e kom pasë nji pite me spinaq – e hiç s’kom merak mo me qitë kurrë – e pata qitë për drekë, hongrëm, po apet tha: “O Zot, fort jom untu”. Thashë vec p’e mjeli lopën, e po hina po hamë darkë. Qet’ muhabet të fundit e kena bo n’oborr me ta. Kur jena hi mrena, mo aty nuk m’kujtohen fjalët e ti. E nuk mujti me hangar bukë ma qatë natë. Kurrë nuk muj prej asaj dite, vec i qes për hatër t’fëmijëve pitet me spinaq se m’ka metë zhig që nuk e ka hangar atë bukë t’fundit n’shpi t’vet”, është një pjesë nga rrëfimi i Fetijës të cilën e lexoi për të pranishmit aktorja Kaltrinë Zeneli.

Para botimit të këtij libri me 7 rrëfime nga familjet shqiptare dhe 3 nga familje serbe, në Kosovë në hollin e Kuvendit, në shkurt, u hap ekspozita ku 1mijë e 653 çelësa kanë qëndruar të varur si portretizim i asaj se çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rrinë pezull. Ndërsa në muret e të dy anëve të hollit ishin ngjitur në mur fotografitë e të intervistuarve të realizuara nga Atdhe Mulla dhe disa nga fjalët e tyre të cilat shprehin edhe dhembjen që ata kanë.

Këto fotografi dhe këto copëza të rrëfimeve të kthyera në një video-instalacion u përdorën edhe gjatë një koncerti të Filharmonisë së Kosovës, në muajin mars. Ato shfaqeshin në ekranin e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, prapa instrumentistëve të cilët atë koncert ua kushtuan pikërisht të pagjeturve dhe familjarëve të tyre.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD theksoi se procesi i punës së tyre deri të ky libër ka filluar në vitin 2018 me idenë që çështjen e personave të pagjetur me e fut në diskursin publik duke  shfrytëzuar metodën hulumtuese ‘Oral History’

“Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta . Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, theksoi ai. Ndërsa tregoi tutje se të intervistuarit, pavarësisht se janë të dy etnive të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pas problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

E pranishme në promovimin ishte edhe Marijana Toma, historiane nga Serbia. Ajo vlerësoi punën e bërë për botimin e këtij libri.

“Ne viktimat i kujtojmë me statistika dhe ato bëhen pjesë të numrave, mirëpo pas çdo viktime është një tregim një dëshmi për fatin e atij personi dhe historia gojore e cila si metodë historike është e re na jep mundësi e madhe që ta ruajmë kujtesën e viktimave veçanërisht kur të bëhet fjalë për të pagjeturit. Ajo na jep më shumë mundësi që të përmbledhim deklarata që përdorën në procesin e ballafaqimit me të kaluarën duke filluar nga dëshmia në gjykatë ku dëshmitarët dhe viktima duhet të fokusohen mbi momentin e zhdukjes apo vrasjes. Ne këtu kemi mundësi që të mësojmë për viktimën si ishte ai/ajo, si ka jetuar dhe si e kujtojnë familjarët prandaj historia gojore nuk është vetëm metoda me të cilët ruajmë kujtimet ajo është një lloj memoriali memorial, i cili i përkushtohet viktimës”, tha ajo.

Historiania Toma po ashtu kritikoi edhe qeverinë serbe e cila sipas saj nuk është duke bërë mjaftueshëm.

“Lidhur me konfliktet e armatosura në Kosovë mbi 1 mijë e 600 persona janë regjistruar si të pa gjetur, në mes të tyre janë edhe serbët edhe romët edhe shqiptarë. Ajo që është problem, një nga gjërat ku shihet sa nuk kujdeset Serbia në lidhje më këtë çështje të të pagjeturve, të zhdukurve është korniza ligjore me të cilët rregullohen të drejtat e familje të të pagjeturve dhe Serbia nuk e ka atë lidh. Po ashtu nëse i krahasojmë atë me vendet e tjera në rajon situata në Serbi është me problematike”, tha ajo duke theksuar se i vetmi ligj i cili trajton të drejtat e familje  është ai i cili rregullohet me ligjin për invalidët, civilët e luftës i miratuar gjatë regjimit të Sllbodan Millosheviqi.

Sot në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan”do të mbahet debati dhe promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater” dhe shfaqja “Kreolët e Ballkanit”./ KultPlus.com

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ në Javën Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile në Beograd

Rinë Abrashi
Kulmita Kajtazi

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i mbajtur në Beograd çdo qershor, prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor i aspiratave të përgjithshme të krijimit të përhershëm të paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ideja kryesore e këtij festivali është krijimi i platformave të sigurta të takimeve dhe shkëmbimeve kulturore e sociale midis Kosovës dhe Serbisë, kështu që këto takime të bëhen një traditë dhe vazhdimisht të kontribuojnë në bashkëpunimin e dy shoqërive për të përmirësuar lidhjet shoqërore, politike dhe kulturore.

Këtë vit festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ filloj ndryshe dhe më herët nëpërmes pjesëmarrjes së tij në Javën Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile në Beograd (International Civil Society Week – ICSW ), si një nga aktivitetet e shumta në kuadër të këtij mbledhimi global të shoqërisë civile, ku luftohet dhe avokohet për të drejtat e njeriut në mënyra të ndryshme dhe diskutohet për fuqinë dhe ndikimin që shoqëritë civile mund të kenë.

Ekipi i Festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ me 10 Prill 2019, ka organizuar një ndejë në kuadër të këtij eventi me rëndësi të madhe, duke sjellë një ndër DJ-ët e njohur për muzikën komerciale Pop-RnB të Prishtinës, Kosovës, DJ Caboo. Ky aktivitet u prit mjaft mirë nga publiku i cili ishte i përbërë nga pjesëtarë të shoqërisë civile që vinin nga e gjithë bota. Edhe lokacioni i këtij eventi ishte mbresëlënës marrë parasysh se u mbajt në një anije lundruese mbi Danub.

Mirëpo senzacioni dhe fokusi i asaj nate në festën e organizuar nga ekipi i festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ ishte performanca surprizë e grupit të famshëm Punk Rock ‘Pussy Riot’ nga Rusia, të cilët janë të njohur për aktivizmin politik, luftën dhe avokimin për të drejtat e njeriut. Performanca e tyre sa atraktive aq edhe drithëruese u fokusua në përvojën e protestuesve të burgosur në Rusi. Meqenëse objektivi dhe tema e ICSW -së ishte ‘Fuqia e Bashkimit’, ftesa që i’u është bërë grupit Pussy Riot për të performuar ishte mëse e qëlluar.

Java Ndërkombëtare e Shoqërisë Civile (ICSW ) është një tubim global për shoqërinë civile për t’u lidhur, debatuar dhe për të krijuar zgjidhje të përbashkëta. Kjo ngjarje mbahet në vende me rëndësi politike dhe shoqërore, në hapësira publike duke dalluar kështu nga vendet tradicionale të konferencave. Nëpërmjet qasjes së “partnerizuar”, organizatat i bashkojnë burimet e tyre për të mbledhur një grup të larmishëm ndërkombëtar të udhëheqësve të shoqërisë civile për të shkëmbyer ide, për të nxitur ndryshime pozitive sociale, për të shkëmbyer mjete që nxisin veprimtarinë e qytetarëve dhe për të festuar pushtetin e njerëzve.

Më shumë se 200 liderë të shoqërive civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile (ICSË ) e cila u organizua në qytetin e Beogradit prej 8 deri me 12 Prill 2019, e ndër ta ishte edhe ekipi i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’. Kjo iniciativë kishte për synim të krijojë biseda të thella midis liderëve të shoqërisë civile, aktivistëve të drejtësisë sociale, anëtarëve të komunitetit filantropik, diplomatëve dhe të tjerëve rreth sfidave globale në zhvillim dhe si duhet të jetë shoqëria civile duke iu përgjigjur këtyre sfidave që të shqyrtojnë alternativa dhe mbështetje për të rinjtë drejt një pune efikase dhe efektive, duke i krijuar hapësirë bisedave sfiduese, inovative dhe aktiviteteve drejtë një qëllimi të përgjithshëm që mundohet të forcojë veprimin e shoqërive civile dhe qytetarëve për të ndërtuar një mision më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Tema e këtij viti ishte “Fuqia e Bashkimit” duke u fokusuar kështu në identifikimin e mundësive që organizatat dhe njerëzit në mbarë botën kanë që të punojnë së bashku për të mbrojtur hapësirat për veprim qytetar, në një botë ku transformimet globale po rindërtojnë se si funksionon shoqëria civile. Eksperiencat e krijuara gjatë kësaj jave janë ndarë me aktivistë nga e gjithë bota në delegim të aktiviteteve nga liderët e organizatave të vendeve si Indonezia, Zimbabve, Ukraina, Serbia, etj. duke siguruar që të mësojnë teknikat e punës dhe përvoja tjera, duke marrur perspektiva të ndryshme dhe shembuj konkret se çka mund të funksionoj dhe çka mund të dështoj.

Pjesëmarrës në një nga debatet e shumta të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile në Beograd ishte edhe Besa Luci si paneliste, kryeredaktore e revistës Kosovo 2.0 nga Prishtina, ku diskutuan për mënyrat efektive të të komunikuarit dhe ndikimin që mediat kanë në formim të opinionit dhe nxitje të aktivizmit. Gjithashtu u diskutuan edhe pikat e forta të lëvizjeve bashkëkohore qytetare anembanë botës. Nga Kosova në këtë ngjarje masive për shoqërinë civile, në ditën e dytë të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile, ishte Dren Puka nga KCSF i cili foli për reagimin e shoqërisë civile dhe angazhimin e përbashkët me shumë partnerë vendorë e të huaj për rikthim të dispozitave të drejta, duke u fokusuar në Ligjin problematik për OJQ i miratuar nga Kuvendi më 7 nëntor, i cili po merret si shembull i keq në nivel global i shkeljes nga shteti të parimeve bazë të sektorit joqeveritar.

Kjo festë (ndejë) e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’ në Beograd si pjesë e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile ishte si një paralajmërim i edicionit të gjashtë të këtij festivali i cili do të mbahet po në Beograd nga 29 maj deri më 01 qershor 2019, ku do të prezantoj edhe një herë një program të cilësisë së lartë të fushave të ndryshme nga teatri, filmi, muzika, instalacione artistike, promovime librash e debate të shumta për çështje të rëndësishme që prekin edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Ky event është mbështetur nga ICSW  dhe BCSDN.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” 2019 fuqizohet nga Integra, KFOS, YIHR, (Serbi), GI (Serbi), RBF. / KultPlus.com

Veseli: Serbët kanë frikë nga e vërteta dhe arti

Pjesëmarrësit e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, janë nisur nga Kosova për në Beograd atje ku sonte hapet edicioni i pestë i këtij festivali, shkruan KultPlus.

Por në kufirin me Serbinë, pjesëmarrësit u ndaluan duke u kontrolluar në detaje ndërsa tri fotografi të artistes Eliza Hoxha nuk janë lejuar që të kalojnë në territorin serb. Reagime të shumta kanë ardhë nga politikanët kosovarë e ndër ta është edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Në Merdare ndalohen artistët kosovarë, duke shkuar në Beograd për të dhënë mesazhe të dialogut e komunikimit. Ajo që i ndodhi sot Eliza Hoxhës, e cila vetëm pak ditë më parë prezantoi Kosovën në Bienalen e Venecias, është veprim i ulët i shtetit serb. Në Beograd sulmohet brutalisht edhe intelektuali me famë botërore, Bernard Henri Levi, sepse mbrojti kauzën për liri të popullit të Kosovë më 1999. Atje ende kanë frikë nga e vërteta dhe arti. Por, fuqia e artit është më e madhe sesa ndalesat kufitare”, ka shkruajtur ai./ KultPlus.com

Eliza Hoxha për fotografitë që iu ndaluan në kufirin serb: Nuk janë të sajuara, janë realitet

Gili Hoxhaj

Sot në Beogradi nisë edicioni i pestë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Pjesëmarrësit nga Kosova janë ndalur në kufi në një kontroll të detajuar për rreth gati 2 orë ndërsa tri fotografi të Eliza Hoxhës me pamje nga protestat e viteve te 90’ janë ndalur në kufi.

Fotografitë që paraqesin flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, janë ndalur në kufi dhe ato fotografi nuk do të mund të jenë pjesë e ekspozitës që Eliza Hoxha do ta hapë në kuadër të këtij festivali.

“Në momentin kur e kanë marrë çantën me katalog i kanë parë fotografitë aty filloi tronditja dhe ideja se çfarë ka në punime. Unë i tregova që janë të njëjtat dhe Insistuan që t’i kontrollojnë fotografitë, ata halë në sy e patën fotografinë ku shihet një afishe me mbishkrimin UCK dhe tjetra që shihet me një pankartë me vargun e Ali Podrimës. Dhe e treta punimi që e kam punuar për dhjetëvjetorin e pavarësisë që është loja midis dy flamurëve e që përcillet me këngën Himni im”, ka thënë për KultPlus, Eliza Hoxha, pas ndaljes së fotografive në kufirin serb.

“Nuk është që kam ndonjë pritshmëri, unë fillimisht e kamë pyetur Kushtrimin a e dinë se çfarë ka kjo ekspozitë që do ta dërgosh në Beograd. Un them se këto fotografi nuk janë të sajuara, por është realiteti me të cilin duhet të ballafaqohemi pas 20 vitesh”, ka theksuar Hoxha.

KultPlus, është atje për të ndjekur këtë festival i cili po mbahet për herë të pestë këtë vit. Ndërkaq, janë paralajmëruar protesta për ndalimin e këtij festivali nga partia SRS dhe disa parti të tjera që u janë bashkangjitur atyre me arsyetimin se ky festival po e paraqet Kosovën shtet të pavarur.

Rikujtojmë se vitin e kaluar ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nuk është lejuar të marrë pjesë në këtë festival pavarësisht lejes së hyrjes në Serbi që e kishte. Ndërsa pjesëmarrësit janë përballur përgjatë 4 ditëve me protesta të njëpasnjëshme nga ana e serbëve.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com