Anulimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën “grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.

“Fatkeqësisht, Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”, shkroi Kurti në X pak pas mesnatës të enjten.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 27 qershor, pak para hapjes së planifikuar të tij në Beograd.

“Pasi refuzoi përsëri ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, e cila u ndërmjetësua nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja, Serbia e ndaloi të enjten edhe një iniciativë të sponsorizuar nga BE-ja, ‘Mirëdita, dobar dan’”, tha Kurti, i cili i paraqiti të mërkurën në Bruksel tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë sheshin Dorqol, ku mbahet festivali, grupi i protestuesve u dëgjua duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

“Një festival kulturor me një histori njëdekadeshe të festimit të shumëllojshmërisë që bashkon artistët nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, [Aleksandar] Vulin dhe ministri i Brendshëm [Ivica] Daçiq, të cilët e shtrembëruan atë duke e shndërruar në paradë groteske të mesazheve diskriminuese dhe urrejtëse”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të enjten se urdhri për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” u lëshua shkaqe sigurie.

“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.

Prej themelimit të tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.

Disa përfaqësues të autoriteteve serbe kanë bërë thirrje për anulimin e mbajtjes së festivalit gjatë këtij vitit, që është paraparë të mbahet nga 27 deri më 29 qershor.

Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova./rel/KultPlus.com

“The Guardian” shkruan për anulimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”: Organizatorët fajësojnë Ministrinë e Brendshme në Serbi që nuk i mbrojti

Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar rreth festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili këtë vit ishte planifikuar të mbahej në Beograd, mirëpo është anuluar nga shteti serb, të cilët nuk kanë lejuar mbajtjen e këtij eventi.

“The Guardian” shkruan se grupet e të rinjëve nga Kosova dhe Serbia, të cilët organizojnë ngjarjen kulturore “Mirëdita, Dobar Dan” akuzojnë Ministrinë e Brendshme të Serbisë, që nuk i kanë mbrojtur nga kërcënimet.

“Organizatorët e një festivali të krijuar për të promovuar shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë thonë se autoritetete Beogradit janë dorëzuar ndaj presionit nga grupet e huliganëve, duke ndaluar ngjarjen e këtij viti”, shkruhet në artikull.

Në një deklaratë të lëshuar pasditën e së enjtës, ditën që ishte planifikuar të fillonte festivali, policia e Beogradit përmendi shqetësimet e sigurisë si arsye për anulimin e festivalit.

“Gjatë pranisë sonë në zonën ku duhej të mbahej festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në hyrjen e pasme, duke krijuar në mënyrë efektive një situatë ku njerëzit mbahen peng para Ministrisë së Brendshme”, thanë organizatorët në një deklaratë.

Disa ditë para fillimit të festivalit, serbët kishin shkruar “Dil jashtë” dhe “Ju nuk jeni të mirëpritur”, në hapësirat e jashtme në vendin ku do mbahej festivali.

Këtë vit, festivali “Mirëdita, Dobar Dan” do të festonte 10-vjetorin e saj, e iniciuar në vitin 2014 për të kapërcyer ndarjet etnike të intensifikuara nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Muajin e kaluar, tensionet u rritën nga një rezolutë për të shënuar 11 korrikun si një ditë ndërkombëtare për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Fatkeqësisht ndalimi i festivalit ishte shumë i parashikueshëm”, tha dramaturgu Jeton Neziraj, drama e të cilit Babai dhe Babai do të hapte manifestimin të enjten.

“Për gjashtë vitet e fundit politika serbe ka bërë shumë përpjekje për ta paraqitur çdo bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Serbisë si kalë troje, duke e stigmatizuar atë për qëllime të brendshme populiste”, tha Neziraj për Guardian.

Kryetari i bashkisë së Beogradit, Aleksandar Shapiq, tha në fillim të këtij muaji se ai ishte “shprehimisht” kundër mbajtjes së festivalit në qytetin e tij, duke pretenduar se organizatorët e tij po falsifikonin historinë duke mohuar se Kosova ishte serbe./KultPlus.com

Ministria e Brendshme e Serbisë ndalon tubimet në zonën e “Mirëdita, dobar dan!”

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se ka dhënë urdhër që të ndalohen tubimet e njerëzve në zonën ku është paraparë të mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan!”.

Ai ka thënë se për këtë janë njoftuar edhe organizatorët e festivalit.

“Ministria e Brendshme ka lëshuar urdhër për ndalimin e tubimeve në ‘Mirëdita, dobar dan!’, për shkak të rrezikut të sigurisë së njerëzve dhe rrezikut të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha. Gjithashtu, nuk do të lejohen tubime të tjera në atë zonë. Për këtë urdhër janë njoftuar organizatorët e takimit”, ka thënë Daçiq, raporton “Telegraf.rs”./KultPlus.com

Më 25 maj fillon festivali “Mirëdita, dobar dan”

Festivali “Mirëdita, dobar dan” është event që organizohet prej vitit 2014. Ka në thumb kulturën, artin dhe diskutimet publike, gjë që e bën festivalin tejet të veçantë. Duke bashkuar artistë, njerëz të të drejtave të njeriut dhe aktivistë të paqes nga Kosova dhe Serbia, festivali ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe stabilitetin në rajon.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e këtij festivali. Vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor. Festivali do të mbahet në Beograd.

Programi i Festivalit:

25 maj- Ekspozitë “All our Tears” Endzio Hab

26 maj- Ceremoni hapëse dhe koktej, shfaqja “Stiffler”

27 maj- Konkurs arti, debat “Past before the past: Goli Otok”, Koncert “Shpat Deda Trio”, Promovim libri “Distorted Shadows- Memory book: Stories of former political prisoners in Goli Otok

28 maj- Debat “Problematic parallels: Ukraine and Kosovo”, Filmi “Hive”, Ceremonia përmbyllëse “Party with Dj Genc Elezaj” / KultPlus.com