Qyteti i Korçës është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit.
Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve, të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej hoteleve më të reja të hapur në këtë qytet.
“Të ndërtuarit e folezave të ngrohta me standardet më të mira të mikpritjes, duke rijetëzuar banesat e vjetra dhe duke përcjellë në formën më mbreslënëse trashëgiminë e pasur kulturore e shpirtërore pa cenuar asnjë “gur” nga mozaiku i lagjeve historike është virtyt estetik i korçarëve mes shumë të tjerave, që tek “Vintage Boutique Hotel” është bërë me një sqimë e mjeshtëri të jashtëzakonshme”, theksoi Kumbaro.
Pronari i këtij hoteli tha se “kjo ndërtesë më parë ka qenë shtëpi e ndërtuar në 1920 me projekt italian”.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.
Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese./atsh/ KultPlus.com