Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale renditi një pjesë të punëve të shumta që po kryhen mbi monumente të trashëgimisë kulturore të cilat kanë nevojë për restaurim, konservim e mirëmbajtje.
Ministrja Kumbaro tha se këto janë projekte që ta bëjnë zemrën mal dhe më tutje renditi punimet në gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga Koshtani i Memaliajt ku do të restaurohet Teqeja e Baba Muharremit, në Përmet ku ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën e Premtes e deri te Ura e Zerzebilit, te Kisha e Shën Mërisë Spilesë pranë Antigonesë, te Hamami i Meçites apo në Dropull ku po ndërhyhet në Manastirin e Ungjillizimit në Vanistër.
Kumbaro i cilësoi këto monumente kulture si krenari kombëtare.
“Si gjirokastrite, por edhe si ish-ministre e Kulturës s’mund ta fsheh kënaqësinë dhe vlerësimin për punën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kolegëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për stafin e përkushtuar të DRTK Gjirokastër, me të cilët kam pasur nderin të punoj për projekte që sot janë krenari kombëtare dhe sigurisht mirënjohje për kolegun Blendi Gonxhja e besimplotë për sukseset e tij”, shkroi ministrja Kumbaro./atsh/KultPlus.com
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të prezantojnë nesër, datë 1 nëntor, punën për Qendrën Multifunksionale të Vjosës, fillimisht në Tepelenë dhe më pas në Përmet.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “projekti i kësaj qendre, produkt i një konkursi ndërkombëtar, është më shumë sesa një strehë, është arteria kryesore prej nga do të burojë gjithë informacioni për vlerat e rralla natyrore e kulturore të Parkut Kombëtar të Vjosës, si dhe e të gjithë itinerareve, që mund të përshkohen për t’i njohur nga afër këto vlera unike, siç është unike vetë Vjosa, i fundit lumë i egër në Europë”.
Kumbaro tha se mirëpresin në Tepelenë dhe Përmet të gjithë qytetarët, bizneset, guidat lokale, operatorët turistikë dhe të gjithë ata që jetojnë e punojnë pranë kësaj lugine e ndër shekuj e kanë ruajtur të paprekur.
Projekti për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”, e cila u shpall fituese në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky projekt u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park natyror”./atsh/KultPlus.com
Edhe pse jemi në fund të muajit tetor, turistët vijojnë që të vizitojnë atraksione turistike në bregdetin shqiptar, favorizuar edhe nga temperaturat e larta dhe ditët me diell.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje ku grupe turistësh po eksplorojnë atraksionet detare në Shëngjin.
“Nga Shëngjini grupet e turistëve nisen për të eksploruar atraksionet detare”, shkroi Kumbaro.
Në Lezhë turistët mund të shijojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, natyrën si dhe kulinarinë e pasur në zonë, duke e bërë një destinacion për turizëm gjithëvjetor.
Turistët kanë mundësi zgjedhjeje të larmishme në Lezhë, pasi jan♪7 të shumta aktivitetet ditore.
Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim zogjsh në lagunat e Kune–Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.
Të eksplorosh lagunat e Kune–Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik apo për të shijuar kuzhinën e zonës.
Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka postuar në rrjetet sociale një video të filmuar në “Shtegun e ngjyrave”, në Kukës dhe që kohët e fundit është bërë virale në rrjet, duke promovuar alpet e Shqipërisë.
Videoja me kuajt e Afrim Tahirajt, një udhërrëfyes lokal, është rimarrë nga faqja @beautifuldestinations dhe ka bërë xhiron e botës.
Beautifuldestinations me 25 milionë ndjekës, është vetëm njëra nga shumë prej faqeve që kanë shpërndarë këtë video. Përveç saj janë dhe Nature, Earthbestshots, Heaven, Kingdom of Horses, Natgeomagarab etj.
Video në total ka arritur mbi 35 milionë shikime në dy javët e fundit, duke arritur madje 1 milion pëlqime te faqja “Heaven”.
Xhirimi i bukur me kuajt e lirë, me një peizazh befasues, shfaq bukurinë natyrore dhe qetësinë që ofron Kukësi e Shqipëria, duke ftuar miliona ndjekësit e këtyre faqeve, në një udhëtim nëpër veriun e vendit./ atsh / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se, angazhimi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit gjatë sezonit veror, në aksioni për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare në katër bashkitë e vendit, do të vijojë edhe vitin që vjen gjatë periudhës qershor -shtator 2023, duke u shtrirë në 8 bashki.
Kumbaro vlerësoi aksionin për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare, si faktor të rëndësishëm në mbarëvajtjen e sezonit turistik 2022, ndaj tha ajo, “këtë aksion do të përsërisim edhe në vitin 2023, për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, në kushtet kur 10-fishohet edhe numri i qytetarëve, që frekuentojnë bregdetin shqiptar”.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Kumbaro deklaroi se, projektbuxheti i vitit 2023 do të mbështesë katër programe kryesore; Planifikim administrimin dhe menaxhimit e turizmit, mbrojtjen e mjedisit; pyjeve dhe menaxhimin administrativ të MTM.
Në prezantimin e projektbuxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministrja tha se “buxheti për vitin 2023 adresuar MTM, është 2 miliardë e 362 mijë lekë, ose mbi 19.1 milionë euro të ndara në 7 zëra, ku ndër më kryesoret janë paga sigurime, shpenzime të brendshme; fondi i veçantë, investime, financime të huaj”.
Kumbaro tha se në draftbuxhetin e vitit 2023 ne kërkojmë që të ketë një lëvizje në fondin e pagave nga 729 milionë 300 mijë lekë në 727 milionë 790 mijë lekë, kjo për shkak të rishikimit të organigramës, për të bërë më efikas raportin punonjës-objektiva për të arritur në kushtet e zhvillimeve aktuale, pas 5 vitesh që funksionin kjo ministri me dy portofole turizëm/mjedis.
Sipas saj, ulja me 6% e buxhetit ka të bëjë me mbylljen e disa projekteve, por është e rëndësishme tha ajo, që “rritja me 8% e fondit të shpenzimet korente, ka të bëjë me përsëritjen e programit për pastrimin e vijës bregdetare gjatë sezonit turistik”. / atsh / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në konferencën ministrore për mjedisin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ku drejtoi panelin e “Turizmit të Qëndrueshëm dhe Ekonomisë Qarkulluese”.
Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga kjo konferencë, që u zhvillua në Qipro, Greqi nga 5-7 tetor, ndërsa theksoi se “më së miri Shqipëria përfaqëson bashkimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit me ritmin më të shpejtë të rikuperimit pas pandemisë në Evropë, siç konfirmoi edhe raporti i fundit nga UNWTO”.
“Të gjitha vendet duhet ta rishpikin qasjen e tyre të zhvillimit turistik nën ekonominë qarkulluese, e cila kërkon një filozofi të re, ndryshim mentaliteti, punë të jashtëzakonshme edukuese e arsimore dhe kemi nisur ta bëjmë”, tha Kumbaro.
Vitet e fundit turizmi shqiptar po njeh trende pozitive në drejtim të zgjatjes së sezonit, zgjerimit të hartës turistike dhe zhvillimit të agroturizmeve si një model zhvillimi i qëndrueshëm./ atsh / KultPlus.com
Një incident tragjik që ka ngjallur protesta në Tiranë, ka nxjerrë në rend dite sigurinë e jetës në plazhe dhe destinacione të tjera turistike.
Në fillim të këtij muaji Jonada Avdia, një vajzë shtatëvjeꞔare, që jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, që ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me të atin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.
“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha për DW, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe pëgjegjshmëri nga instituciomet shtetëtërore.
Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.}
“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë për DW, ministrja Kumbaro.
Mospërmbushja e detyrimeve ligjore
“Policia e Shtetit nuk mund të përmbushë detyrimet e palëve të tjera shtetërore dhe jo shtetërore që kanë detyrim licensimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore si edhe kontrollin e përmbushjes së tyre nga subjektet që i kanë licensuar,” thotë për DW, Genti Mullaj, Drejtor i Komunikimit, në Policinë e Shtetit.
Burime zyrtare thanë për DW se autori i incidentit fatal, ish-oficeri i policisë, Arian Tase, kishte licencë për të drejtuar skafin, por incidenti tragjik vë në pikëpyetje mënyrën sesi e ka marrë licencën si dhe dijet e tij.
Sipas tyre ai duhet të kishte filluar të ulte shpejtësinë 200 metra para se t’i afrohej bregut dhe ta fikte motorin e skafit, kur shpejtësia të ishte minimale dhe jo në atë të lundrimit në det. Por ka ndodhur e kundërta. Të njëjtat burime thanë për DW që kur ish-oficeri i policisë Tase ndaloi skafin pa ulur shpejtësinë, ngarkoi në breg pjesëtarët e familjes së tij dhe ndezi motorin dhe mori kthesën në vend për të lundruar në det, skafi mori në mënyrë automatike shpejtësinë e lartë, në të cilën ai e kishte fikur. Skafi doli jashtë kontrollit dhe shkaktoi me helikën e motorit vdekjen e vajzës shtatëvjeꞔare.
“Menjëherë pas ngjarjes tragjike Policia e Shtetit bëri kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit të 200 mjeteve lundruese dhe argëtuese detare. Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik hetoi nëse ka raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, Interpoli dhe sektori i trafiqeve të paligjshme ka hetuar nëse këto mjete rezultojnë të vjedhura ose jo, jashtë Shqipërisë,” thotë për DW Genti Mullaj.
Ai thekson se “që nga fillimi i sezonit turistik Policia Kufitare ka kontrolluar 900 mjete lundruese detare nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masa administrative dhe 25 të tjera janë bllokuar ngaqë nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt”
“Policia e Shtetit nuk synon të bllokojë mjetet lundruese detare që kanë dokumentacion të rregullt dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit në det por synon rritjen e sigurisë së jetës për pushuesit në vijën bregdetare,” thotë për DW, Genti Mullaj.
Erdit Gega, President i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” një organizatë joqeveritare, anëtare e organizatës botërore “International Life Saving” (ILS) thotë për DW se “vrojtuesit e plazheve janë trainuar dhe çertifikuar nga kjo federatë me një kurikul të standardit më të lartë, të miratuar nga ILS.
„Skafet, motoskafet dhe të gjitha mjetet lundruese motorike janë shumë të rrezikshme dhe përdorimi i tyre në zonat e notimit duhet të jetë rreptësisht i ndaluar. Por persona të papërgjegjshëm rrezikojnë jetën e plazhistëve, si pasojë edhe e mosndëshkimit prej autoriteteve perkatëse” thotë për DW, Endrit Gega.
Sipas tij ”sa më i madh numri i vrojtuesve, aq me e madhe edhe siguria për jetën në plazhe”
“Rëndësia e pranisë së vëzhguesve në stacionet e plazhit nuk po kuptohet aq sa duhet nga strukturat përgjegjese. Bregdeti ynë ka ende një mungesë të organizimi mes strukturave në zbatim të normave ligjore ne fuqi. Monitorimi i këtyre stacioneve bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, (AKB) e cila duhet të evidentojë mungesën e vrojtuesve dhe të zbatimit të kritereve ligjore lidhur me sigurinë e jetës. Roli i AKB është shumë i vakët dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me federatën tonë pothuajse nuk ekziston,” thotë për DW, Endrit Gega.
Baza ligjore për funksionimin e stacioneve të plazhit hyri në fuqi në Shqiperi 10 vite më parë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE. Përafrimi i saj me legjislacionin përkatës të vendeve të Mesdheut dhe BE mbështetet nga qeveria gjermane përmes programit të GIZ.
“Nëse autoritetet vendore dhe qendrore do të kishin bërë detyrën e tyre sikurse e përcakton ligji për stacionet e plazhit, ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së Jonadës nuk do të kishte ndodhur. Ka një mungesë të theksuar vëmendjeje ndaj vlerës së jetës dhe masave parandaluese për ta mbrojtur atë,” thotë për DW, Endrit Gega. Megjithë numrin e kufizuar të vrojtuesve të federatës, numri i viktimave në det është ulur.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar vrojtuesit kanë shpëtuar 100 vetë nga mbytja. Nga 46 të mbytur në 2016, vitin e kaluar ka pasur vetëm 12. Sivjet kemi patur viktima edhe si pasoje e mungesës së sinjalistikës ujore, respektimit të rregullave të qarkullimit në ujë dhe mungeses së kontrollit nga ana e autoriteteve”, thekson për DW, Erdit Gega.”
Ndërkohë Shipëria është bërë një destinacion turistik që ofron shumë më tepër sesa peizazhe mahnitëse të Rivierës, diell dhe ujra smerald të detit Jon. Alpet në veri dhe male në Jug, lumenj, liqene, trashëgimi kulturore dhe vende arkeologjike të lashtësisë tërheqin jo vetëm në verë turistë nga Evropa dhe përtej Atlantikut.
Sipas shifrave zyrare në periudhën janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19. “Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror,” thotë për DW, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ajo vë në dukje që “potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit. “Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri, ” thotë ministrja Kumbaro.
Por që kjo të ndodhë Shqipëria duhet të përballojë disa sfida përveç asaj të garantimit të sigurisë së jetës.
Lufta në Ukrainë, reduktimi i turistëve ukrainas, rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve kërcënojnë zhvillimin e një turizmi për 12 muajt e vitit. Jo më pak kërcënuese është edhe mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri. Sipas INSTAT mbi 42 mijë persona emigruan vitin e kaluar dhe mijëra të tjerë kanë kërkuar azil. Hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera turistike janë në vështirësi për fuqi punëtore. Cilësia e shërbimeve ka nevojë për përmirësime substanciale. Lakmia për të fituar sa më shumë rezulton të jetë mbi logjikën e biznesit dhe në fund të fundit po e dëmton turizmin. Çmimet e larta të transportit, akomodimit dhe ushqimit kanë mbajtur larg këtë verë pushuesit vendas që kanë anuluar planet për pushime.
Pozicioni gjeografik, natyra dhe historia janë shumë bujare me Shqipërinë për të ngritur një industri të lulëzuar turizmi dhe zhvilluar ekonominë. Kjo mund të ndodhë vit pas viti, nëse zbatohen ligjet me dorë të hekurt, ndëshkohen kundravajtësit dhe fitohen sfidat./DW / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot në Kuvend se “vetëm 3% e projektit të investimit në Butrint prekte kufirin e ish-zonës së mbrojtur, ndërsa 97% e projektit shtrihet jashtë zonës, asnjëherë me status dhe në përputhje të plotë me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Sarandë, ku parashikohet zonë zhvillimi, miratuar në vitin 2017 dhe që askush nuk e ka kontestuar”.
Në fjalën e saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ministrja Kumbaro tha se “vetëm në hapësirën e Ksamilit deri në vitin 2009 janë dhënë 27 vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne kemi një rekomandim të përhershëm nga UNESCO për aktualizimin e gjendjes së zonave të mbrojtura”.
Duke treguar hartën ku ndodhet edhe parku kombëtar i Butrintit, Kumbaro tha se “në të gjithë këtë sipërfaqe brenda kësaj harte është qyteti antik, është ajo për të cilën UNESCO e shpalli trashëgimi botërore, e gjithë sipërfaqja është 8 622 ha, këtu brenda kemi edhe qytetin antik edhe liqenin e Butrintit. Këtu janë edhe sipërfaqet ujore, lagunat, deti, ligatinat ku vetëm liqeni zë një sipërfaqe prej 1600 ha. Në këtë pjesë kemi habitate , shkëmbinj të zhveshur, ishuj sipërfaqe të banuara, toka bujqësore në të gjitha zonat, në të gjitha që përmendja kemi edhe pasuri nënujore, të pasura me një faunë që vlen të mbrohet”.
“Në të gjitha këto zona ka edhe nën zona, që ndihmojnë në planifikimin e zonave të mbrojtura.Kur parku u ravijëzua në fillim të viteve ’90 ishte i plotë edhe Ksamili brenda. Ksamili ku kishte agrume, pak shtëpi tradicionale dhe në fillim te viteve ’90 konsiderohej një zonë e mbrojtur”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “Ksamili i sotëm është i urbanizuar kuturu, në 30 e ca kusur vite babëzie, ky është Ksamili sot, pa kriter pa planifikim”. /atsh / KultPlus.com
Mëngjesin e kësaj të shtune është hapur zyrtarisht aksi i ri rrugor Kardhiq-Delvinë. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Turizmit Mirela, e cila ka publikuar pamjet e rrugës përmes një video në rrjetet sociale.
Kumbaro shkruan se nga sot rruga do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër.
“U tha, u bë! Mirëmëngjes me udhëtimin nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër” shkruan Kumbaro.
Me aksin e ri Kardhiq-Delvinë, pritet që rruga Tiranë-Sarandë të shkurtohet me rreth 45 minuta.
Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore është kthyer vitet e fundit në një nga atraksionet më të preferuara të turistëve të huaj.
Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën të ditur se në stinën e dimrit dhe pranverës të këtij viti numri i turistëve ka qenë mbresëlënës.
“Kur pritshmëritë përputhen me shifrat sepse vetëm në stinën e dimrit e të pranverës rritja e numrit të turistëve ka qenë mbresëlënëse. Në maj, numri i vizitorëve të huaj është 604 430 dhe krahasuar me muajin maj të një viti më parë, ky numër është rritur me 83,9 %”, theksoi Kumbaro në rrjetet sociale ku ka publikuar edhe një tabelë me statistika.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “për 5 muajt e parë të këtij viti kemi +594 mijë turistë më shumë se viti 2021, teksa tani vazhdon stina më e nxehtë e sezonit turistik”.
Kumbaro thekson se “i kemi marrë masat që territori i vendit të jetë i pastër e i qetë dhe çdo ditë jemi në terren për ta garantuar këtë”.
Konkretisht në maj të 2022 Shqipëria është vizituar 1 667 691 turistë të huaj, ndërsa në maj 2021 1 083 601 turistë të huaj.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. Një tjetër atraksion për turistët e huaj janë edhe Alpet shqiptare, ku mahniten me bukuritë që ato ofrojnë. /atsh / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro po zhvillon një vizitë pune në Kosovë.
Kumbaro e shoqëruar nga disa nga krerët e bashkive në vend u takua me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ku në fokus të bisedimeve ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe krijimi i paketave të përbashkëta.
“Këtë herë në Prishtinë bashkë me kryetarë të bashkive dhe turoperatorë privatë, sepse janë ata që çojnë turizmin përpara në terren gjatë gjithë vitit. Ishte hera e parë e një tryeze në 3 nivele, përmes vullnetit të dy ministrive me bashkëpunimin e bashkive në Shqipëri e Kosovë, me këshillat dhe nën kërkesat e turoperatorëve privatë që bëjnë një super punë për promovimin turistik këtej e andej kufirit”, u shpreh ministrja Kumbaro në rrjetet sociale.
Sipas Kumbaros, është e domosdoshme krijimi i një harte të përbashkët turistike, pasi veç të bashkuar ofrojmë për turistët vlerat më të larta e atraksionet më të bukura./ KultPlus.com
Mirela Kumbaro, ministrja e Ministrisë së Turizmit në Shqipëri ka pritë në takim homologen e saj nga Serbia, Tatjana Matic, të cilat në fokus patën bashkëpunimin konkret për promovimin turistik të Shqipërisë e Serbisë, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Kumbaro.
Në kornizën e konferencës së Regional Cooperation Council – RCC prita me kënaqësi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit homologen Tatjana Matić, Ministre e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë për t’u dakordësuar mbi bashkëpunime konkrete dhe promovimin e potencialeve turistike në të dy vendet
60,000 turistë serbë vizituan Shqipërinë në vitin 2019 dhe
mbi 100,000 në vitin 2021,
të cilët kanë përcjellë përvojën e mikpritjes turistike shqiptare duke garantuar kështu vazhdimësinë e flukseve turistike prej Serbisë.
Do t’i shtojmë përpjekjet në evente të përbashkëta për të nxjerrë në pah vlerat tona më të mira, për të mundur paragjykimet.
Por edhe për të krijuar keshtu një tjetër urë komunikimi ne rajonin tonë të ndarë në vende të vogla që kanë nevojë të zgjerojnë tregjet turistike!
Turizmi është padiskutim historia më e bukur e suksesit që kemi, e cila siguron rritje ekonomike dhe zhvillim. Prandaj u angazhuam për bashkëpunim e punë konkrete./ KultPlus.com
Mirela Kumbaro në një deklaratë për mediat nga Pogradeci ka hedhur poshtë pretendimet se Parku i Butrintit do të jepet me koncesion për një periudhë 10-vjeçare një fondacioni të huaj. Ajo theksoi se parku është pronë publike që menaxhohet dhe administrohet nga ministria e Kulturës.
Sipas saj ministria e Kulturës në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore të vitit 2018 po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi në Shqipëri për të rritur investimet kulturore me statusin jofitimprurës, ndërkohë që cilëson si të pavërtetë dhe keqinformim për opinionin publik faktin e një kontrate koncesionare apo mospublikimin e dokumenteve.
Debate mbi projektligjin për miratimin e marrëveshjes së menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit ka qenë prezent edhe sot në Komisionin e Politikës së Jashtme nga përfaqësues të opozitës të cilët janë shprehur se janë akoma të paqartë për planin e menaxhimit mes ministrisë së kulturës dhe fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. /gazetamapo.al/ KultPlus.com
Mirela Kumbaro ka reaguar përmes rrjetit të saj social Facebook, me rastin e vdekjes së Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së Enver Hoxhës.
Më poshtë postimi i plotë i saj:
Kronikat e lajmeve lajmëruan me bujë vdekjen e një gruaje 99 vjeçare. Nuk më intereson fundi biologjik i gruas 99 vjeçare.
Por vazhdon më trondit fakti që jeta dhe vepra e saj
publike ishin një copë thelbësore e historisë më të zezë që ka jetuar shoqëria
shqiptare. Copë të cilën e mbartim në një mënyrë a në një tjetër. Copë me të
cilën ende s’i kemi bërë përfundimisht hesapet, të cilës ende s’ia kemi shkruar
historinë. Copë që për t’u kthjelluar do të kërkojë shumë vite të gjata
komunikimi, rrëfimi, dokumentimi. Ky i fundit sapo ka filluar, – kam parasysh
këtu dokumentimin sistemik, të organizuar, të institucionalizuar, dhe jo atë që
del me mballoma të sajuara në kopertina gazetash me foto gazmore të diktatorit
pa pikë përgjegjësie editoriale për mesazhet që përcjell te të rinjtë apo për
lëndimin që u bën viktimave të komunizmit.
Gruaja 99 vjeçare i jetoi vitet e veta dhe e pa se si në
shoqërinë që po ndërtojmë, nuk të vrasin për idetë e ndryshme politike. Dhe
paturpësisht e plot cinizëm nuk reagoi asnjëherë për mijëra të burgosurit e të
vrarët për idetë e tyre edhe thjesht estetikisht të ndryshme.
Në të njëjtën ditë si sot, 26 shkurt të vitit 1951, një grua tjetër, një libohovite e mençur dhe e bukur, një nga shkencëtaret e para shqiptare, Sabiha Kasimati u pushkatua në moshën 39 vjeçare nga regjimi që ngriti e kontribuoi deri në zemër të tij gruaja 99 vjecare. Disa shifra këto, për të treguar se sa Historia është e padrejtë, por edhe se jeta të lë ca shenja rastësore për të na kujtuar mësimin e Historisë që ende nuk është shkruar! Kjo gruaja vdiq. Por e shkuara nuk ka vdekur, madje ajo ende as nuk ka kaluar. Në foto: Sabiha Kasimati, marrë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991. /KultPlus.com
Ka hedhur firmën e fundit sot, përkthyesja e shkëlqyer nga frëngjishtja që dëgjoi emrin 5 vjet më parë nga Edi Rama për të lënë kompjuterin dhe për të drejtuar kulturën.
Disa e deshën, disa jo, fundja siç ndodh në politikë. Ajo që veçohet sot për Kumbaro është ‘maniera’ sjellja e hijshme pa kunja, pa sforco, por sikur kjo të ishte gjëja më normale në botë. Në fakt njerëzit njihen më mirë kur ikin se kur vijnë.
Ja çfarë shkruan Kumbaro sot: Krenare👐🏻 qe sot hedh firmen e fundit si Minister i Kultures ne kurorezimin e nje pune 2vjeçare: Krijohet Qendra Kombetare per Librin e Leximin 🇦🇱Shqiperia, njesoj si Franca, Italia dhe jo vetem, do te kete nje institucion te dedikuar per politikat e programet e Librit, Leximit, Krijimtarise, Edukimit permes Emancipimit te Mendjes! Faleminderit Skuadres se Kultures qe e krijoi dhe Qeverise dhe Kryeministrit Rama, qe e miratoi sot Faleminderit te gjithe miqve qe mbeshtesin Levizjen Kombetare per Lexim Ta gëzojmë.”, ka shkruar Kumbaro në Instagram. /KultPlus.com
LKL shpall programin “Shttt jam duke lexuar” 15 minuta leximi në 10 shkolla të Tiranës.
Lëvizja Kombëtare për Lexim(LKL), nismë e Ministrisë së Kulturës, pas Kukësit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u ndal në Tiranë, me shfaqjen teatrale “Sekreti i Gishtos së Rritur”, dedikuar fëmijëve si frymëzim për të zgjedhur Librat – miq për gjithë jetën.
“T’u lexojmë fëmijëve një libër, çdo natë dhe këta ta fillojmë qysh herët në barkun e nënës. Prej disa kohësh kemi nisur lëvizjen kombëtar për lexim dhe duam që në të gjitha ditët e vitit të fillojnë të mësohen me idenë se libri do të jetë shoku i tyre më i mirë. E them si prind, si mësuese, si ministër, sepse dua shumë që në këtë nismë të na mbështesni të gjithë, pasi vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri të emancipuar”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.
Lëvizja Kombëtare për Lexim ka në fokus fëmijët nga 0-14 vjeç dhe edukimin e leximit që në fëmijëri. Ministria e Kulturës pas dy fushatave sensibilizuese Takohemi për një Libër, këtë vit do të pasurojë me libra për fëmijë, 12 biblioteka publike dhe 12 biblioteka shkollash në secilin qark të vendit.
“Nuk jam e vetme në këtë nismë, por së bashku me bashkëluftëtaren time, Lindita Nikolla, sepse, asnjë nuk ia del i vetëm nëse nuk bashkohemi të gjithë së bashku, prindër, mësues, shoqëri civile, media. Ju lutem media të nderuara, gjeni pak hapësirë në dritaren e ekranit, apo në portalet tuaja, shtoni diçka çdo ditë për librin dhe kulturën e leximit. Falenderoj njerëzit e skenës, janë të shumtë sonte këtu, ju lutem mendjet tuaja inteligjente, gojëtarinë vendoseni në shërbim të kësaj kulture të dashur, që nuk na tradhton kurrë, librin!”.
Lindita Nikolla tha se Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga ana e saj do të pasurojë bibliotekat e shkollave qendër komunitare, në mbarë vendin, ndërsa në kuadër të Lëvizjes për Lexim, dy Ministret shpallën shkollën e parë Pilot, – shkolla Kosova në Tiranë, që do të nisë programin “Shttt jam duke lexuar” e ndjekur nga 10 shkolla të tjera të kryeqytetit, ku do të zbatohet 15 minuta lexim i detyruar, 1 ditë të javës. “Është një aksion mbarëkombëtar që shënon për sistemin tonë arsimor një komponent të rëndësishëm siç është marrëdhënia me librin dhe dijen që përcjell çdo fletë e lexuar libri”- u shprej Ministrja Nikolla.
Ardit Gjebrea, i pranishëm në këtë aktivitet, një nga mbështetësit e nismës së Ministrisë së Kulturës, “Takohemi për një libër” kërkoi ndjesë publike duke u shprehur se nuk lexon sa duhet, sidomos me Anën, vajzën e tij : “Është një inisiativë fantastike, sepse ne sot jemi të kontaminuar, jemi të rrethuar nga fenomene, pa dashur të vendos epitete, por janë të një shkalle rrezikshmërie nga të cilat duhet të mbrojmë veten dhe pastaj fëmijët tanë, libri është nga gjërat e shëndetshme që ne duhet ta bëjmë, prandaj duke filluar nga vetja, duhet ta pranoj, se nuk më pëlqen të gënjiej, them se nuk lexoj, me Anën sidomos, por duhet të lexojmë dhe t’u japim këtë kulturë fëmijëve tanë”.
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrja Kumbaro ka kërkuar të shpallet emergjenca e leximit, si një alarm që duhet të na shqetësojë dhe përbashkojë në kontribute të gjithëve. “Sekreti i Gishtos së rritur” erdhi në skenën e Teatrit të Kukullave, nën interpretimin e drejtorit të QKF-së, Erion Isai dhe 9 aktorëve të vegjël nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Tiranë, ku secili prej tyre vjen si personazh i dalë nga një libër dhe grish fëmijët që ta lexojnë./KultPlus.com
Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay. Takimi u zhvillua në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita ‘Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë’.
“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë minstrja Kumbaro.
Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë. Me rastin e 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.
Qyteti antik i Butrintit ishte pasuria e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992. Më pas vijoi puna me pranimin e Gjirokastrës, Beratit apo Isopolifonisë. Aktualisht Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera. Është duke u shqyrtuar dosja për praninë në po këtë listë të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase.
Miratimi pritet të ndodhë në sesionin e korrikut 2019. Më pas do të aplikohet për qytetin antik të Apollonisë, Amfiteatrin e Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës. Në bashkëpunim me UNESCO-n ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit që do të përfundojë në pranverën e ardhshme, si dhe po punohet për miratimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Mirale Kumbaro, ka falënderuar kantautorin Shpat Deda që zgjodhi ambientet e kulturore si skenë të muzikës së tij.
Gurët e Gjirokastrës u kthye nga ritmet e muzikës në skenën e gjallë të kulturës bashkëkohore duke rrëzuar të gjitha kufijtë, ato të mendjes dhe ato administrative.
Ministrja Kumbaro shkruan: ”Falëminderit Shpat Deda që zgjodhe Trashëgiminë Kulturore si skenë të muzikës tënde! Nga Shkodra në Gjirokastër albumi #AmbëlEThartë i dha jetë Kalasë së Argjiros në qytetin që turizmin e ka bashkudhëtarin e të gjithë muajve”, – shkruan ministrja./ KultPlus.com
Sot ka ndërruar jetë poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi. Mirela Kumbaro nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë përmes një postimi ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e poetit duke thënë se ai është ndarë nga jeta vetëm fizikisht duke lenë pas vetes kryeveprën e botës letrare, poezinë.
Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të Kumbaros e cila duke i dhënë lamtumirën ka ndarë edhe disa vargje të poetit.
Fatos Arapi, sinonim i pashmangshëm shqiptar i Poetit, ndahet vetem fizikisht nga jeta duke lënë pas kryeveprën e botes letrare, Poezine!
Sepse siç thotë ai vetë:
“Jeta eshte stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi perhere udhetare
dhe nder duar,bagazh te pandare,
nje valixhe te vogel
perpjekjesh,sulmesh,kujtimesh”
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit.
Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “ Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.
“Trashëgimia Kulturore nuk është luks, por potencial për zhvillim ekonomik. Qeveria shqiptare prej pesë vitesh ka kthyer fort vëmendjen ndaj trashëgimisë kulturore. Programet si “100 Fshatrat”, apo “Rrugët e Besimit”, nuk janë vetëm sensibilizim ndaj pasurive kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Shqipërisë, por një itinerar i pasur i këtyre thesareve që presin të zbulohen për të komunikuar kulturalisht por edhe për të gjeneruar ekonomi lokale”, u shpreh Kumbaro gjatë takimit.
Misioni vlerësoi maksimalisht punën e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve në mirëmbajtjen, restaurimin dhe vëmendjen e treguar ndaj këtyre monumenteve dhe u shpreh i gatshëm të “krijojmë urat e nevojshme të komunikimit dhe bashkëpunimit në nivel institucional”.
Misioni i Europa Nostras u njoh me strategjinë e programit të Trashëgimisë Kulturore, ligjin e ri për “Trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, projektet e monumenteve që janë në proces restaurimi, ose pritet të fillojnë përmes partneriteve me donatorë privatë, apo komunitetet fetare.
Në takim u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit në të ardhmen duke ngritur grupe të përbashkëta ekspertësh në vlerësim, ekspertizë apo zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në ndihmesë të restauratorëve, ikonografëve, teknikave të restaurimit, etj./ ma.me/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën, duke parë nga afër potencialet e zonës dhe duke diskutuar konkretisht për projektet që ata kanë hartuar.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në kuadër të Programit “100 Fshatrat” krijoi Akademinë 100+ Fshatrat. Akademia mblodhi së bashku studentë te nivelit master të arkitekturës e planifikimit, projektimit të peizazhit e mjedisit, të sapo diplomuar të këtyre fushave, si edhe pedagogë të tyre, të cilët ndajnë vlerësime dhe pasione të ngjashme për fshatin dhe besojnë tek potenciali i tij për t’u zhvilluar si pikë graviteti e fuqishme.
Akademia 100+ Fshatrat po ndërtohet sipas shembullit të Akademisë Verore të Atelier Albania (AASA), por me një shtrirje shumë më të gjerë.
Akademia 100+ Fshatrat bazohet në 20 Atelier projektimi të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën dhe nën udhëheqjen e AKPT-së.
Fokusimi në këto fshatra për të krijuar 100 zona zhvillimi ekonomik rural, të bazuar tek investimet në agroturizëm dhe ekoturizëm, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën në tërësi, kapacitetet lokale, por edhe investimet e sipërmarrjes. Programi i “100 Fshatrave” është një model për të dhënë shembuj dhe për ta kthyer në një laborator, prej ku të tjerët të mund të marrin nxitjet e duhura, që nga bashkitë deri tek individët.
Ditën e premte, 14 shtator 2018, do të prezantohen 20 lote nga grupet e punës./ KultPlus.com
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës së artistes Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, tre ministrat e Kulturës të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë zhvilluan një takim informal, që sipas ministres Kumbaro, ishte i një rëndësie të veçantë. Kështu, në ceremoninë e hapjes Kumbaro u takua me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, si dhe ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.
“Në takim u diskutua për një bashkëpunim më të frytshëm kulturor midis tri vendeve, për krijimin e një trekëndëshi komunikimi kulturor që do të jetë bazë për forcimin e marrëdhënieve edhe në fushat e tjera”, thotë ministrja Kumbaro.
Në këtë ngjarje artistike të rëndësishme në fushën e arteve pamore në Tiranë morën pjesë artistë, artdashës, profesionistë të kulturës nga Shqipëria dhe Kosova si dhe vizitorë të ardhur nga jashtë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që jetojnë në Shqipëri.
Flaka Haliti shprehu emocionet e saj për hapjen e kësaj ekspozitë, dhe falenderoi edhe një herë Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës që bënë të mundur realizimin e “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artistja e sheh këtë bashkëpunim midis dy qeverive si një mundësi shumë të mirë për artistët nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë përvojat e tyre në fushën e arteve pamore dhe për tu prezantuar tek publiku i të dy vendeve.
Flaka falenderoi gjithashtu të gjithë stafin e Galerisë për punën e tyre dhe dedikimin maksimal në këtë ekspozitë./ ata
Prej muajsh tashmë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, ndjekin kantieret e restaurimit të 19 objekteve të kultit të besimeve të ndryshme fetare, nga Jugu në Veri të Shqipërisë.
“E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati”, shprehet ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Kështu, në themelet e Teqesë Helvetive dhe të Xhamisë Mbret në Berat, kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani. Këto zbulime bënë të zgjerohet gërmimi arkeologjik në të gjithë sipërfaqen, përtej vijës së themelit të Xhamisë Mbret.
“As unë e askush nuk e fshehim emocionin që ngjall bukuria e mozaikut që shfaqet nën dhe, të cilit nuk do të ngutesha t’i vija asnjë epitet, por pa dyshim po përgatitemi për një destinacion të ri kulturor në hartën e Beratit. Kjo është pak por e sigurt”, përfundon ajo. /Telegrafi/
Shqipëria zbulon sitin më të madh arkeologjik, ku ruhen tri epoka të ndryshme nga 8000 vite para Krishtit deri tek 1000 vite pas Krishtit.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Michele Elia, Menaxher i TAP në Shqipëri vizituan një nga sitet e gërmimeve arkeologjike në gjurmën e gazsjellësit TAP në Shqipëri, ku janë zbuluar vendbanime të periudhës prehistorike e deri në mesjetën e vonë, si dhe shumë objekte arkeologjike.
Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP është zhvilluar paralelisht me proceset arkeologjike.
“Dua të theksoj se gazsjellësi TAP është një ndër bashkëpunimet më të mira që ne kemi me zhvillimet industriale dhe që tregon në të njëjtën kohë që nuk janë të papajtueshme trashëgimia kulturore dhe zhvillimi industrial i vendit, mjafton të kemi bashkëpunim dhe të ruajmë standardet”- u shpreh Kumbaro.
Ndër rajonet ku janë zbuluar më tepër site arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari. Përmes këtij projekti është krijuar mundësia të zbulohen site arkeologjike dhe vendbanime të rëndësishme për njohjen, hulumtimin dhe ekspozimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.
Michele Elia theksoi se “TAP është shumë i vëmendshëm në këtë projekt, nuk sheh vetëm ndërtimin e tubave, që në fakt është tërësisht infrastrukturë, por edhe gjithçka me të cilën përballet në rrugëtimin e saj kthehet në oportunitet për territorin, qoftë nga pikëpamja sociale ambientale, apo kultore. Ne jemi të impenjuar të ruajmë nivelin më të lartë të standardeve, jo vetëm rajonale por edhe ndërkombëtare”.
Nga gërmimi arkeologjik i shpëtimit deri tani janë zbuluar rreth 600 varre, rreth 11 site arkeologjike, të cilët datojnë nga periudha Helenistike, periudha prehistorike (bronzi i vonë), e deri në periudhën Otomane. Këto materiale janë në proces studimi. Me shumë interes arkeologjik në këtë gërmim është zbulimi i një vendbanimi të periudhës neolitike.
“Në të gjitha sitet e hapura që realizohen në bashkëpunim me arkeologët, jo vetëm gërmimet kanë qenë interesante, por ka qenë një treg pune shumë i rëndësishëm për punonjësit e trashëgimisë kulturore. Kemi mbi rreth 100 arkeologë dhe ndihmës arkeologë të punësuar, që tregon se potenciali I zhvillimit industrial sjell dhe potencial te zhvillimit të tregut të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Kumbaro.
Realizimi i gërmimeve arkeologjike, zbulimi i siteve të reja arkeologjike po mundësohet vetëm falë projektit TAP, përgjatë zbatimit të të cilit janë zbatuar kriteret dhe standardet më të larta të zbatimit të ligjit në fushën e trashëgimisë kulturore. /KultPlus.com