“Ah moj demokraci” nën interpretimin plot ndjenja të Mirush Kabashit (VIDEO)

Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Mirush Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si pasojë e interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijoi një komunikim tejet të afërt me publikun.

Sot KultPlus ju sjellë interpretimin e aktorit Kabashi derisa reciton poezinë“Ah moj demokraci”. Kjo poezi është shkruar nga autori Pano Taçi.
https://www.youtube.com/watch?v=ux0EZVg493Y

E ç`t`iu them për demokracinë?
E gjeta apo më gjeti,
me gurin e Sizifit mbi shpinë?
Tek bëj të çaj dallgët e jetës me vështirësi,
se që kohë na u ngritën këmbët dhe na u bënë kokë,
mi krodhën e bukës na ranë dhëmbët,
m`be më sot, m`be me xhepat trokë,
shpresat duke i bërë abort.

Se larg e më larg e merr arratinë,
me rrasën e qivurit qepur mbi shpinë një pjesë e trurit,
e pjesa tjetër që mbeti,ëhë,bën gjumin letargjik,
ofin pas e vjetër,
prandaj edhe unë nuk e di,
nëse t`kam pritur apo më ke pritur moj demokraci?!

E në derë të shoshoqit kush i ka trokitur i pari nga ne të dy?
Po më duket si unë dhe si ti,
jemi t`papërgatitur që të bëjmë dashuri.

Dhe sa jam përpjekur, o ZOT sa kam ëndërruar,
se më vjen pa ofiqe dhe pa lëngata.

Jam shkapitur me mund gjatë,
tempullin tënd për ta arritur,
me një pëllumb në duar,
a thua unë jam shumë i shpejtuar,
apo mos ti vallë je e vonuar?

Se shpresova që qielli do m`hapej i kaltër,
e shohë plotë me re gri,
shpresova se s`do përulem më i përlotur m`i vatër,
jam po përsëri me krye në hi,
e kur shikoj që për varr mu bë deti,
e ëndrrat mu rrudhën,
ah, moj demokraci…

M`duket se përtej njëri-tjetrit të dy kemi humbur udhën,
se ndërruan kohët,
por nuk ndrruan politikanët,
që të zbardhën në gropën e gëlqeres kollutumba ranë,
sorrat, minjtë e ujqërit e na u bënë pëllumba,
e votën për ta me gaz e jep mileti,
ndërsa ne t`përndjekurit, të torturuarit me proka,
tani u lëpijm vrerin të zgjedhurve tanë,
që tjerrin nëpër seanca kuvendi profka,
e ne pranojmë t`iu rritet rroga,
pa çka se ata besimin na e pshurrën.

Hallall ia bëjmë veturën,
hallall dhe cereberin,
nga pas si rojë,
hallall dhe milionerin,
hallall dhe kredinë për banesën luksoze,
dhe për sekretaren lozonjare që po nuk e puthe bëhet nervoze.

Hallall dhe pashaportën diplomatike,
për vete dhe për gruan Azike,
dhe muajin e marmalatës,
pushimeve jashtë shtetit,
n`kampet ekzotike t`Afrikës, Amerikës, Europës e përtej urës Gallatës.

Hallall edhe seancat e grushtit,
kur shanë e rrihet politikani me fjalë rrugësh,
e ku për një plesht digjet jorgani.

Hallall deputeti,
dy herë hallall mileti,
që i pëlqen ta shalojnë mbi kurriz si gomarë, hallall që ha bar,
po se me një durim pa emër,
dhe shpresën që vdes e fundit në zemër,
deri kur,
deri kur o tru i bekuar?

O ti mendjenur,
ti e unë në gjumë deri kur?

Po për dhimbjet tona mban kush zi,
apo gjaku është bërë ujë e ngrirë?

Të flas ty moj demokraci,
se në t`pëlqen të të përdhunojnë,
atëherë qenke veç një lavire,
dita që pritkemi qenka larg,
me plagë dje, me plagë sot e nesër po përsëri me plagë?

O vendi im,
o Shqipëria ime.

Po ç`mu bëre kështu sa zemra në gji po më plas?

E kërkoj njeriun edhe njerëzit me shpirt t`iu flas,
e flas me një dru,
flas me dru,
flas me dru…

Mirush Kabashi për Teatrin Kombëtar: Pas projektit të Ramës, qëndron mafia e ndërtimit

Mirush Kabashi është një nga artistët e shumtë, kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri.

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, e sheh prishjen e Teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

Ai thotë për “Panorama”, se pas projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, qëndron mafia e ndërtimit.

“Nuk e pashë projektin për teatrin e ri sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve”, thotë ai.

“Më shqetëson funksionaliteti dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit”, vijon më tej aktori i njohur./ KultPlus.com

Mirush Kabashi: Nënë Tereza s’është rastësisht shqiptare

Aktori i njohur Mirush Kabashi, i ftuar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24, vlerësoi iniciativat e ndërmarra për t’i ofruar ndihmë njerëzve në nevojë.

Kabashi u shpreh se shqiptarët e kanë treguar humanizmin e tyre, dhe se Nënë Tereza s’është rastësisht shqiptare.

Në studion e emisionit aktori rrëfeu një histori prekëse që i kishte ndodhur me një adoleshent që lëvizte me karrocë, pasi nuk i kishte këmbët.

“Kam pasur një problem timin dhe isha në Dajt. Duke ecur, dëgjoj një adoleshent që ishte me karrocë, pasi nuk ecte dhe thërriste: ” O xhaxhi, xhaxhi…”. I thashë nuk kam para të vogla, dhe vazhdova rrugën, por ai vazhdonte të thërriste. Më pas unë u ndala dhe ai më dhuroi një mollë. Më tha se më kishte parë në një film. Më besoni që mu duk vetja milingonë në atë moment. Pra kur të vijë çështja për ndihmë, ne duhet të japim për të tjerët.”