Arbëreshja që i rrëmbeu kurorën e “Miss Italia” Sofia Loren

Në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore konkurset e bukurisë femërore ishin si një terapi shëruese për shoqëri italiane, dalë e shkatërruar nga lufta. Ishin tejet popullore, por këto konkurse bukurie gjithashtu patën një rol kryesor në evidentimin e vajzave të reja të cilat më vonë do të bëheshin yjet e kinemasë italiane.

“Miss Italia” e vitit 1950 ishte Arbëreshja Annamaria Bugliari nga katundi Arbëresh i Shën Sofia i Epirit. Në foto me Sofia Loren, e cila zuri vendin e dytë.

Titullin e fitoi në Salsomaggiore, në edicionin e parë që realizohej  në këtë qytet, dhe që në fakt ishte edicioni i shtatë në historinë e “Miss Italia”.

Ajo u bë e famshme për shkak se i “rrëmbeu titullin” nga Maria Scicolone, e cila më vonë do të njihej në gjithë botën me emrin e saj të artit Sofia Loren.

“Më kanë akuzuar se i kam vjedhur kurorën Sofia Loren” – kujton ajo edhe sot – “por unë isha padyshim më e bukur”.

Annamaria Bugliari lindi më 1934 në Romë ku babai i saj, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Partizanëve, ishte edhe avokat. Pas një eksperience të shkurtër në botën e kinemasë (ajo bëri dy filma, në njërin prej të cilëve ishte antagonistja e Lucia Bosè, Vajzat e Piazza di Spagna), u martua me avokatin Marcello Giordani me të cilin kishte dy fëmijë. Sot ajo jeton në Romë, është e ve dhe gjyshe.

Foto kortezi e Adela Kolea/diasporashqiptare/KultPlus.com

Konkurron në “Miss Italia 2018” me këmbën protezë

Fiton vendin e tretë në konkursin e bukurisë “Miss Italia 2018” me këmbën protezë. Chiara Bordi 18-vjeçare, 6 vite më parë pësoi një aksident me motor dhe që prej gjashtë vjetësh ajo mban një protezë në këmbë.

Chiara bëhet kështu konkurrentja e parë në historikun e “Miss Italia”, që garoi me një këmbë protezë për kurorën e këtij titulli. Në rrjetet sociale ajo pati edhe shumë kritika nga komentuesit, të cilët shkruanin se asaj iu dha çmimi për mëshirë dhe jo se e meritonte atë.

“Po, mua më mungon një këmbë, por ty të mungon zemra dhe truri. Unë nuk jam e interesuar të fitoj, por t’i tregoj botës se jeta është ende e bukur kur rilind pas një ngjarje tragjike”, ia kthen një komentuesi në Facebook Chiara.

Ndërsa kurorën e më të bukurës në Itali e fitoi 26-vjeçarja, Carlotta Maggiorana. E dyta në klasifikim është Fiorenza D’Antonio, 21-vjeçarja nga Napoli me sy jeshil dhe flokë biond./ KultPlus.com