Xhemile Hysenaj
Ka 20 vite që jeton në Francë dhe punon si pedagog i muzikës në “Ecole des Arts, Île-Saint-Denis”, në një qytezë-ishull buzë Senës, pranë Parisit. Bëhet fjalë për Enris Qinamin, i cili qysh në moshë të re rrugëtimin jetësor e kishte gërshetuar me artin më të bukur, atë të muzikës. Muzika e Qinamit realizohet përmes instrumentit të sharkisë dhe vjen si rrjedhojë e lidhjes së tij të ngushtë me mistiken dhe universalen. Një muzikë që flet e jeton ndryshe. Qinami, si asnjëherë më parë, ka rrëfyer për KultPlus lidhjen dhe dashurinë e tij të madhe me muzikën, sufizmin dhe mbi të gjitha atdheun e tij.
KultPlus: Muzika juaj vjen si rrjedhojë e lidhjes suaj të ngushtë me sufizmin, na flisni për lidhshmërinë tuaj me mistiken dhe si e transmetoni atë përmes muzikës që ju e bëni?
Të flasësh për mistikën dhe sufizmin është thuajse e pamundur, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një narracion, por mbi të gjitha për diçka që i lind nga një përjetimi i brendshëm.
Përsa i përket muzikës, ajo është një gjuhë universale e cila nuk ka kufij në kohë e në hapësirë. Si e tillë ajo mundëson pikëtakime me shumë elementë dhe dimensione të jetës, elementë të cilët mund të jenë të jashtëm ose të brendëshëm. Në planin e brendshëm të saj, dimensioni i muzikës shkon përtej dimensionit thjesht estetik të artit në përgjithësi.
Po ashtu edhe sufizmi përkufizohet si tërësia e dimensionit të brendshëm e shpirtëror të fesë islame, pjesë e pandashme e urtësisë së Gjithë-Kahershme e Universale. Përtej botës së shpërfaqur, përtej formave, ekziston një realitet i brendshëm (Hakîkati), i cili i jep kuptim gjithshkaje. Ky realitet perceptohet fillimisht nga ana e tij e jashtme (Sheriati), për të kaluar në aspektet dhe praktikat e brendshme (Tarîkati).
Në këtë udhëtim të brendshëm shpirtëror, njeriu shikon se kjo botë nuk është gjë tjetër veç se një iluzion, një perde, ku sapo e largon njërën, atëherë shfaqet një tjetër, aq sa perde pas perde, fillon e kupton se perdja kryesore është iluzioni i të qënurit “unë”. Vetëm kur e çel këtë perde, njeriu fillon e përjeton Realitetin përtej perdeve ! Për këtë gjë, nevojitet “pastrimi i shpirtit”, në mënyrë që krijesa që ne jemi të bëhet transparente ndaj Krijuesit dhe të pajiset me virtyte fisnike. Mirë ama, pastrimi i shpirtit nuk duhet të jetë një mjet në vetvete por mbi të gjitha qëllimi i cili i mundëson njeriut njohjen e Zotit. E në një hadith thuhet: “ Ai që njeh vetëveten, e njeh edhe Zotin”. Në realitet vetëvetja gjendet në qendrën e qenies njerëzore, e simbolizuar nga zemra, ndërkohë që truri është instrumenti i mendjes, në veçanti i mendimit racional. Sipas të gjitha traditave shpirtërore, zemra është vendi i inteligjencës supra-racionale e siç thotë René Guenon, ajo siguron unifikimin e të gjitha gjendjeve të ekzistencës dhe unitetin e vetë Ekzistencës.
E njëjta gjë është e vlefshme edhe për muzikën. Për atë që fillon e njeh vetveten, muzika që ai dëgjon këtu poshtë është jehonë e Fjalës hyjnore dhe muzikës qiellore atje Lart. Në muzikën mistike ekziston një marrëdhënie intime me zanafillën, e cila i shpërfaqet njeriut nëpërmjet Zbritjes së Revelatës Hyjnore. Falë saj, ne fillojmë të përjetojmë ndjesi të panjohura më parë, zbulojmë se e padukshmja dhe e padëgjueshmja janë vetëm vizione dhe frekuenca që nuk i kemi parë dhe nuk i kemi dëgjuar deri më tani. Mund të them se fakti që kam marrë këtë rrugë, më ndihmon ta përjetoj atë së brendshmi. Kjo gjë më konfirmon ndjesinë se gjithçka që kemi kërkuar jashtë, në realitet gjendet brenda vetes. Dhe pikërisht brenda nesh lind vetvetiu edhe dëshira për ta transmetuar këtë traditë.
Në fakt, fjala transmetim dhe fjala traditë kanë të njëjtën rrënje, të njëjtën etimologji. Ajo që karakterizon transmetimin është fakti se përfshin gjithshka dhe gjithëkënd brenda një tradite të caktuar, aq sa nuk ka asnjë Traditë pa një përçim të vetëdijshëm falë transmetimit. Me fjalën Traditë (T e madhe), kuptojmë totalitetin e trashëgimive të cilat kanë parim dhe burim themelor Shpalljen, e cila është Zbritja nga niveli më i lartë i Realitetit në një qytetërim të caktuar, duke bërë të mundur transformimin e objektit të dijes, në subjekt të njohjes.
Me përpjekjet e mija si muzikantit dhe si etnomuzikolog, jam munduar ta artikuloj muzikën sakrale me atë tradicionale dhe anasjelltas, duke vënë në dukje aspekte të caktuara të shoqërisë tradicionale shqiptare, për të kuptuar sesi përshtatet një organizim specifik shoqëror, sipas një sensi të veçantë estetik të gdhendur në një histori të caktuar. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur të kuptoj edhe mënyrat e ndryshme falë të cilave muzika shpreh Traditën për të përçuar tek gjithëkush dhe në çdo kohë, mesazhin e Njëshmërisë Hyjnore.
KultPlus: Ju jetoni dhe veproni në Francë, sa ka qenë e vështirë të krijoni grupin tuaj dhe të merrni hapat e parë si muzikant?
Jetoj prej gati 20 vitesh në Francë ku punoj si pedagog i muzikës në “Ecole des Arts, Île-Saint-Denis”, në një qytezë-ishull buzë Senës, pranë Parisit.
Fillimet në Francë ishin të lidhura ngushtë me studimet, të cilat i ndoqa mbas mbarimit të studimeve në Tiranë pranë Liceut Artistik dhe Universitetit të Arteve ku dhe u diplomova në vitin 2001 me rrezultatet më të larta në degën e kompompozicionit muzikor. Po atë vit u nisa drejt Parisit për të vazhduar studimet muzikore duke u diplomuar për kitarë dhe pedagogji muzikore.
Hapat e parë kanë qënë të vështira sigurisht, por në atë vështirësi fshehej vetë lehtësia, e cila ndihmon për të kalitur durim. Durimi është në vetvete mësimi që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës.
Në këtë rrugëtim, hapat e parë kanë qenë shpesh herë pyetje të cilat më shtynë të kërkoj cilat janë lidhjet që ekzistojnë midis një populli dhe muzikës së tij, cilat janë metodat e transmetimit, dhe mënyrat për ta përçuar atë duke qëndruar sa më afër “frymës tradicionale”. Në Shqipëri për shëmbull, muzika tradicionale e dikurshme ishte e lidhur ngushtë me familjen, me organizimin shoqëror duke qënë koherente ndaj të gjithë elementëve të saj. Në qendër të këtij organizimi shoqëror, muzika përjetohej si aspekti më i privilegjuar i Traditës, duke mos reshtur së artikuluari në mënyra nga më të ndryshmet mesazhet e saj, dhe duke qëndruar e gjallë dhe besnike falë shpirtit të saj origjinal.
Duke jetuar larg vendlindjes, e kisha të pamundur të bëja muzikën ashtu siç ajo lëvrohet në vendin e origjinës ndaj mu desh ta adaptoja në realitetin tim duke adoptuar elementë vendas dhe duke bashëpunuar me muzikantë me prejardhje dhe horizonte të ndryshme.
Kjo gjë kishte vështirësitë e veta, por në të njëjtën kohë afronte mundësi për diçka te re dhe të ndryshme. Ndaj edhe lindi nevoja për të krijuar një grup muzikor tek i cili do të isha njëkohësisht themelues dhe udhëheqës artistik, duke i dhënë atij frymën tradicionale e shpirtërore sufiste shqiptare, dhe atë ballkanike në përgjithësi.
KultPlus: Ju luani në instrumetin e sharkisë. Talentin tuaj e keni trashëguar nga familja apo ka qenë pasioni juaj i kahmotshëm?
Mund të them se nuk jam unë ai që kam zgjedhur sharkinë, por në një farë mënyre ajo më ka zgjedhur mua. Kjo sepse kitarën e kisha zgjedhur në periudhën e adoleshencës i shtyrë nga pasionet e moshës, ndërsa sharkinë në moshën e pjekurisë dhe me vetëdidje të plotë, edhe pse nuk e kisha të trashëguar nga familja. Më tepër se zgjedhje e një instrumenti, ajo ishte një drejtim i ri që mori jeta ime artistike, por mbi të gjitha shpirtërore.
Përherë e kam pasur ndjesinë se muzika është si një “ilaç”, jo i trupit por i shpirtit dhe se mjeshtri i muzikës duhet ta “zhysi” auditorin e tij në një oqean melodish e ritmesh të cilat duhet të vazhdojnë të kumbojnë edhe mbasi muzika ka mbaruar së ekzekutuari…
Muzika tradicionale, në këtë aspekt zë një vend të veçantë nga pikëpamja e shprehjes. Ajo ndërtohet brenda një performance komplekse që përfshin shpesh shumë protagonistë të disa zhanreve. Shprehia e saj është vullnetarisht momenti në të cilën ajo ekzekutohet dhe nuk ka qëllim tjetër veç se atë që performuesit i japin asaj në praninë e atyre që janë prezent në atë momente të caktuara.
Kjo gjë ndryshon shumë me zhanret e tjera muzikore të cilat ndërtohen duke u bazuar thjesht tek estetika dhe nevoja për t’ju përshtatur një shije dhe një tregu të caktuar, në kohë dhe në hapësirë. Në ndryshin nga ato, në muzikën tradicionale, estetika është gjithnjë në varësi të etikës. Rrjedhimisht, çdo qëndrim muzikor korrespondon me një etikë, një gjendje shpirtërore fillestare. Kjo gjëndje shpirtërore është edhe pikënisja drejt një udhëtimi i cili lind në brendësinë e njeriut dhe përbën thelbin e asaj ç’ka ne quajmë traditë, në realitet një proçes të gjatë transmetimi kulturor dhe shpirtëror.
Muzika tradicionale e lartëson shpirtin në frekuenca që kapërcejnë gjëndjen tonë të zakonshme. Sa më shumë muzika priret drejt anës shpirtërore, aq më shumë ajo e qetëson egon dhe e fton dëgjuesin e saj për më shumë përulësi. Në latinisht fjala përulësi, “humilitas” vjen nga fjala humus, tokë. Pak a shumë i njëjti rrugëtim është ndjekur edhe në shqip për fjalëformimin përvujtni, nga fjala vutë, truall i sheshtë.
KultPlus: Këngët që ju këndoni i flasin kryesisht dashurisë, asaj universale. Sa është e vështirë t’i këndohet një dashurie të tillë me aq pasion?
Për ti kënduar dashurisë universale është vështirë, por edhe më vështirë është për ta kuptuar se çfarë është ajo!
Një ndër karakteristikat e sufizmit është ekuilibri midis dashurisë dhe urtësisë, dhe kjo në të gjitha nivelet e qënijes, në mënyrë që të arrihet ajo ç’ka njihet si dashuria e vërtetë, e cila është njohja e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme e gjithshkaje që ekziston bazuar në parimin dhe perspektivën islame të Unicitetit Hyjnor. Falë këtij kriteri, njeriu vendoset në kërkim të përndritjes, duke pasur si qëllim final bashkimin me objektin e përndritjes, Prezencën Hyjnore.
Thelbi i dashurisë është i pamundur që të përcaktohet plotësisht sepse ai nuk i atribuohet njeriut si krijesë, por vetëm Zotit si Krijues. Qëllimi final i dashurisë është pra bashkimi i krijesës me Krijuesin, duke pasur parasysh se ajo ç’ka ka qenë e bashkuar në para-zanafillë (ezel), herët a vonë do të ribashkohet përsëri.
Sa më shumë duam, aq më shumë ndihemi të gjallë. Sa më shumë japim, aq më shumë marrim, dhe falë kësaj mar-dhënije krijohen “frutat” e dashurisë. Dashuria është një farë, fruti i së cilës është urtësia….
KultPlus: Muzika juaj zë vend kryesisht në Teqe e në vende të tjera ku predikohet feja islame. Si e shihni ju një përgjegjësi të tillë?
Në realitet kam pasur fatin të luaj muzikë në vende të ndryshme, qofshin ato fetare apo laike, nëpër kisha, teqe, tempuj budistë, salla koncertesh e festivale…
Mund të përmend për shëmbull kishën “Oratoire du Louvre”, pjesë e Muzeut të famshëm të Luvrit, kishën “Saint-Pierre de Montmartre, atë Saint-Merry, të gjitha këto ndër kishat më të famshme në Paris. Në çdo koncert kam kënduar këngë në shqip, dhe kam performuar me grupin tim ilahi të traditës islame ku në disa raste janë recituar pjesë të Kur’anit dhe është thirrur biles edhe ezani brënda në kishë. Publiku francez na ka pritur gjithnjë në mënyrë të shkëlqyer, duke e rrespektuar maksimalisht traditën tonë. Gjithashtu kam pasur fatin të jap koncerte në vende prestigjoze këtu në Francë si përshëmbull « Château de Chambord », « Chapelle Royale de Senlis », « Petite Halle de la Villette», etj… Gjithashtu kam qënë i ftuar në disa festivale si përshëmbull « Festival de l’Art Sacré de Senlis», « Sufi Soul Festival » në Gjermani por edhe në Shqipëri ku mund të përmend « Festivali Multikulturor në Berat», ku kam luajtur muzikë në Teqen Halveti, « Festivali Takimi mes dy botëve » në sallën e koncerteve të Katedrales Orthodokse në Tiranë etj… Të gjitha këto aktivitete kanë lënë kujtime të paharruara dhe ka qënë një përgjegjësi e veçantë të isha pjesmarrës duke përfaqësuar traditën muzikore shqipëtare dhe atë mistike sufiste.
KultPlus: Ju keni një lidhje shumë të fort me vendlindjen, si e paraqitni atë në këngët që i këndoni?
Gjithmonë më ka përmbushur vendlindja, qyteti i Tiranës.
Ndjej në të zërat e jehonat e të parëve, e këngëve që buçonin në shtëpitë tradicionale me avllitë në oborr mbushur me tinguj që hynin përmes shkallëve të gurta, dhe pastaj shëtisnin tërë shtëpinë për tu rikthyer sërish në oborr nëpërmjet penxhereve të shumta, të “parfumosur” nga aroma e luleve shëmëngjyrëshe e erëmirë.
Kjo muzikë ka qënë dhe është gëzim, hare, emocion, pasion, mall, e shprehur aq bukur në larminë e melodive, valleve e nëpërmjet fjalëve më të bukura të dashurisë së sinqertë për njerëzit, zogjtë, lulet, dhe gjithçka që ka krijuar Perëndija.
Ajo që më lidh më shumë me Tiranën janë këto kujtime, të cilat janë pasuria më e madhe që mora me vete nga qyteti i lindjes. Prej disa vitesh udhëtoj nëpër Ballkan, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe përherë mahnitem me bukuritë, traditat dhe njerëzit në rajonin tonë. Kam shumë miq të mirë në këto treva bujare dhe i përshëndes me mall.
Por atdheu ynë është edhe çdo grimcë e universit sepse vetë ne jemi pjesë e tij dhe origjina si dhe destinacioni ynë final është universi, bota Qiellore.
KultPlus: Si e konsideroni rolin e muzikës në jetën e secilit, sidomos një muzikë që përmbajtjen kyçe e ka atë shpirtërore?
Muzika është një mjet për ta afruar shpirtin më pranë Krijuesit dhe për këtë arsye ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në jetë. Muzika gjithashtu shpreh fuqishëm lidhjet që krijojnë njerëzit dhe shoqëritë njerëzore me atë ç’ka është universale. Muzika përmbush zemrat e njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre shoqërore, fetare ose kulturore. Ajo gjithashtu përmban kodet specifike të individëve dhe shoqërive që i gjenerojnë ato. Muzika shpreh si aspiratën e shpirtit njerëzor për bukuri dhe harmoni, por dhe në të njëjtën kohë veçoritë e popujve dhe individevë që e krijojnë atë.
Muzika nuk lind në zemër e dikujt për aq kohë sa nuk ekziston aty ashku, dashuria për të.
Një histori e bukur e ilustron këtë gjë. Në traditën orientale, besohet se shpiriti ekzistonte para se të krijohej trupi i njeriut të parë. Si i tillë shpirti ishte i lirë të shkonte aty ku dëshironte ai, pa patur asnjë pengesë. Por një ditë, Krijuesi i Gjithësisë e ftoi shpirtin të hynte në trupin e njeriut të parë, Ademit. Kjo gjë ndeshi me kundërdvtimin e shpirtit i cili nuk donte të ishte i mbyllur në një trup të caktuar, qoftë ky edhe i njeriut. Andaj shpirti u largua në skajin më të largët të universit. Krijuesi i Gjithësisë u trishtua nga kjo gjë, por gjithsesi ai nuk donte ta detyronte atë të hynte me forcë në trupin e njeriut. Ndaj dhe vendosi të krijonte ëngjëjt muzikorë të cilët filluan të luanin muzikën e sferave qiellore. Ajo muzikë e mrekullueshme kumboi tej e përtej universit, aq sa shpiriti arriti t’ja dëgjojë ekon e largët dhe mbeti i magjepsur. Pak nga pak, shpiriti u dashurua me këto tinguj e këto ritme të padëgjuara më parë, aq sa filloi të udhëtonte larg e më larg për të kërkuar burimin e tyre. Kur iu afrua, ai filloi të vallëzonte e të rrotullohej rreth tyre. Në çastin kur shpirti mbërriti në ekstazë, Krijuesi e mori atë dhe e futi brenda trupit të Ademit. Menjëherë, zemra e tij filloi të rrihte…. Kjo është arsyeja pse ne kemi të gjithë në thellësi të kraharorit këtë ritëm primordial dhe saherë dëgjojmë muzikë, shpiriti ynë preket e ngacmohet duke kujtuar kohën kur ishte i lirë nga trupi.
KultPlus: Na flisni më shumë se si e shihni ju lidhjen në mes artit dhe fesë?
Arti dhe feja në të vërtetë kanë pika takimi tek marrëdhënia që ato kanë me të patregueshmen, të padukshmen e të pashpejgueshmen. Tek të dyja mbizotëron një fuqi nxitëse, një nevojë për simbole dhe për kuptimin e tyre. Të dyja hapin mundësinë e një perceptimi global dhe shpesh të menjëhershëm të realiteteve shpirtërore, përtej mendjes njerëzore. Muzika fetare në veçanti, bashkon dy qasje në dukje të ndryshme, muzikën dhe fenë.
Nga ky bashkim, lind një realitet i ri i cili e fton njeriun që të hapet kundrejt aspekteve të ndryshme të përvojave së brendshme. Në këtë rast, muzika me gjuhën e saj, ndihmon në përhapjen e kuptimeve që dalin nga terminologjia fetare. Parë në këtë prizëm, ajo bëhet “bija” e Kuranit, për ata që dinë ta kuptojnë Librin. Ashtu si “dhikri”, përkujtimi i Zotit që kulmon në frymëmarrjen e kënduar, ritmi i muzikës lejon që shpirti njerëzor të rijetojë gjendjet e para-krijimit të tij.
Por për ta kuptuar më së miri këtë gjë, më lejoni t’ju shpejgoj cila është ndjesia ime për atë çka quajmë ne fe.
Nëse njerëzit janë të tërë të krijuar nga një burim i vetëm, atëherë qëllimi i vetëm i tyre duhet të jetë njohja dhe dëshmimi i këtij burimi, pra me pak fjalë njohja e Krijuesit e cila rjell nga njohja e gjithshkaje që është pjesë e krijimit të tij, dhe mbi të gjitha njohja e vetëvetes. Udhëtimi për tek vetvetja është i gjatë dhe i mbushur më “kodra të mëdha udhëtimi”. Ky udhëtim na liron nga skllavërimi i natyrës egotike e cila e largon njeriun nga aksi i tij hyjnor, dhe e çon drejt anës shtazore, duke e ditur se të dyja dimensionet gjenden tek ai.
Poeti i madh Naim Frashëri na kujton se besimi i vërtetë nuk është i shkruar në asnjë libër, përveç se në zemrën e njeriut. Pra feja është besimi i vërtetë dhe unik ku ne drejtohemi tek përmbushja e qënijes që mund të vijë vetëm nga njohja se kush jemi, duke e dëshmuar në çdo frymëmarje të vërtetën e esencës tonë hyjnore, e cila arrihet nëpërmjet rrugës mistike të çdo lloj feje apo besimi fetar. Kur një dijetar arab ishte pyetur, “Cili është fundi i mistikut” ai u përigjigj, “Kur ai është ashtu si ka qënë, ku ka qënë para se të ishte”.
Në muzikën tradicionale mistike të kahershme, si në Shqipëri a gjetkë, kjo gjëndje përçohet nëpërmjet përkujtimit të krijuesit sepse pa përkujtim kjo rrugë është si një udhë pa udhë. Falë përkujtimit, arrihet një nivel përqendrimi i cili e ndihmon qënijen të arrijë tek shikimi, dëgjimi dhe prekja e esencës së brendshme të tij, falë së cilës Krijuesi dhe krijesa shkrihen dhe bëhen një e vetme. Të gjithë ata që e hapin zemrën e tyre dhe lejojnë të hyjnë në të rrezet e dashurisë, e presin mirë këtë muzikë dhe duan të përjetojnë më shpesh momente të tilla. Vetë dijetari dhe mistiku i madh Mevlana Xhelaludin Rumi ka thënë ” : Në kadencat e muzikës, është i fshehur një sekret; nëse e reveloj atë, ai do të trondiste mbarë botën. “
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë?
Përpiquni të zbardhni shpirtin. Studioni përmes librave, por mbi të gjitha brenda vetes tuaj. / KultPlus.com