Miti i Sfinksit është më shumë se një histori magjepsëse. Ai tregon sesi nganjëherë rrethanat përfundojnë duke e mashtruar qenien njerëzore për fatin e tij, pavarësisht faktit se ky i fundit pandeh se e ka mundur, duke deshifruar enigmën që i paraqitet në rrugë e sipër.
Miti i Sfinksit është një nga më të bukurit dhe më kuptimplotë të kulturës greke. Kjo krijesë e veçantë simbolizon misterin dhe enigmën. Ishte pikërisht ajo që mundësoi planin fatkeq hartuar nga Edipi: të vriste babanë, për t’u martuar me nënën. Kjo është edhe arsyeja pse ky mit zë një vend të spikatur në kulturën psikoanalitike. Miti i Sfinksit flet për një krijesë misterioze dhe djallëzore, mbartës i vdekjes dhe shkatërrimit, në të njëjtën kohë ai ndante të njëjtën natyrë me muzat, nisur nga aftësia që kishte me fjalët. Ajo “këndoi” gjëegjëzat e saj, ndaj edhe Sofokliu e quajti atë “këngëtare mizore”.
Më interesantja është se miti i Sfinksit, nuk është i pranishëm vetëm në kulturën greke. Përfaqësime të kësaj krijese ekzistojnë edhe në Indi dhe në pjesë të ndryshme të Azisë, pa harruar ndoshta më të famshmen, atë rrëzë piramidës së madhe të Gizës në Egjipt. Megjithëse miti ndryshon nga kultura në kulturë, përfaqësimi është thuajse identik.
Miti i Sfinksit nuk na jep detaje mbi origjinën e krijesës, por duket se është vajza e dy krijesave demonike ose e një demoni dhe një nimfe.
Në çdo rast, ajo kishte një pamje hibride: pjesa e sipërme ishte ajo e një gruaje: fytyrëzbehtë, sypërflakur dhe gojëhelm. Pjesa tjetër e trupit ishte si ajo e një qeni, me putra luani, krahë shqiponje dhe bisht dragoi. Nga ana tjetër, sfinkset egjiptiane kanë fytyrë mashkullore dhe janë pa krahë. Miti klasik i Sfinksit rrëfen se ai erdhi nga tokat e largëta të Etiopisë dhe u vendos në qytetin grek të Tebës, i thirrur nga perëndeshë Hera për të ndëshkuar qytetarët tebanë. Hera, perëndeshë me natyrë hakmarrëse, donte të hakmerrej ndaj banorëve për shkak të sjelljes së mbretit të tyre, Laius. Ai, i martuar me Giocastan dhe babai i djalit të tyre, Edipit, rrëmbeu dhe joshi të riun Crisippo.
Në të vërtetë, ky është aludimi i parë për homoseksualitetin e pranishëm në tragjeditë greke. Sfinksi, gjysmëdemon dhe gjysmëmuzë, mbolli terror me njëfarë stili: ai nuk vriste drejtpërdrejtë. Gjente ndonjë skutë të fshehur në vende të largëta përgjatë rrugëve të shkretuara dhe, kur kalonte ndonjë qytetar i Tebës, i dilte para me pamjen e frikshme dhe i propozonte një gjëegjëzë. Ata që s’jepnin përgjigjen e saktë, e paguanin me jetë. Krijesa i vriste viktimat duke i mbytur. Fjala “sfinks” rrjedh nga rrënja greke σφίγγω (të mbytësh). Kështu, ai përhapi terrorin dhe vdekjen në qytetin e Tebës. Për të gjetur shpëtim nga situata, u lëshua një dekret, sipas të cilit, kushdo që do arrinte ta gjente gjëegjëzën e Sfinksit, do shpëtonte jo vetëm veten, por do të bëhej mbret i Tebës dhe do të martohej me bukuroshen Giocasta.
Edipi e takoi Sfinksin përgjatë rrugës, në një kthesë, kur edhe i tha sakaq gjëegjëzën e saj të famshme: “Cila është ajo kafshë, që në agim noton e përdridhet si peshk, në mëngjes ecën me katër këmbë, pasdite me dy dhe në mbrëmje me tre?”. Edipi dha përgjigjen e saktë: njeriu. Në lindje, ai ecën këmbadoras, i rritur ecën me dy dhe në pleqëri ka nevojë për një bastun.
Vdekja e sfinksit dhe interpretimi
Nuk është e qartë se çfarë ndodhi pasi Edipi dha përgjigjen e duhur. Sipas disa versioneve, Sfinksi u vidhis në humnerë. Versione të tjera tregojnë, se ishte vetë Edipi që e vrau ose krijesa u largua drejt Egjipt, ku u ngurtësua. E sigurt është se Edipi u bë mbret i Tebës dhe, siç iu premtua, u martua me bukuroshen Giocasta. Kësisoj u përmbush edhe profecia, se ai do të martohej me nënën. Ndërsa i ati, Laio, tashmë ishte vrarë në rrugë, pas disa trazirave. Disa psikoanalistë e interpretojnë sfinksin si një përfaqësim i misterit të universit femëror, i cili gjithmonë dëshiron të deshifrohet; të tjerët thonë se ajo simbolizon fatin tragjik të qenies njerëzore. Edipi e mposht Sfinksin, por kjo fitore i shkaktoi tragjedinë: u martua me të ëmën pa e ditur se kush ishte dhe, për këtë, e ndëshkoi veten duke nxjerrë sytë. Poetët dhe skulptorët i lejuan vetes t’i bëjnë ndryshime elementeve kryesore dhe dytësore, nga të cilët përbëhej ky grumbull i çuditshëm.
Si rrjedhojë, Sfinksi shpesh ka fytyrën e një virgjëreshe, gjoksin dhe kthetrat e një luani, bishtin e një gjarpri dhe krahë; ose kokën e një luani, trupin e një njeriu, kthetrat e një shkabe dhe krahët e një shqiponje. Madje, e gjejmë të figuruar edhe në trupin e një qeni. Basoreleivet prej bronzi ku shfaqet si zbukurim, në disa medalje, ndër të tjera ato të Kios, ofrojnë shumë përfaqësime të Sfinksit. / Konica.al / KultPlus.com