Bota e mitologjisë greke nuk ishte një vend terrori për shpirtin e njeriut. Eshtë e vërtetë që perënditë ishin të paparashikueshme. Nuk mund ta dije se ku do të godiste rrufeja e Zeusit. Megjithëkëtë, të gjitha hyjnitë kishin një bukuri njerëzore, dhe asgjë që ka bukuri njerëzore nuk mund të jetë e frikshme. Shkrimtarët e hershëm të mitologjisë greke, transformuan një botë të mbushur me frikë, në një botë të mbushur me bukuri
Grekët, ndryshe nga egjiptianët, i krijuan perënditë e tyre sipas imazhit të vet.
Përse ndodhi, apo kur, për këtë nuk kemi asnjë ide. Ne dimë vetëm që tek poetët më të hershëm të Greqisë, lindi një pikëpamje e re, e cila as nuk ishte ëndërruar kurrë në botën para tyre, por as nuk e la kurrë botën pas tyre. Me ardhjen e Greqisë, njerëzimi u bë qendra e Universit, gjëja më e rëndësishme e tij. Ky ishte një revolucion i mendimit. Deri atëherë, qeniet njerëzore pak rëndësi kishin patur. Me Greqinë, njeriu kuptoi fillimisht se çfarë ishte njerëzimi.
Grekët i bënë perënditë, sipas imazhit të tyre. Kjo nuk ishte futur kurrë më parë në mendjen e njeriut. Deri atëherë, perënditë nuk kishin patur fare të ngjashëm në realitet.
Ato ishin ndryshe nga gjithë qeniet e gjalla. Në Egjipt, një kolos i lartë, i palëvizshëm, përtej fuqisë së imagjinatës, i fiksuar në gur njësoj si kolonat gjigande të tempujve, ishte një përfaqësim i formës njerëzore, e cila qëllimisht ishte bërë jonjerëzore. Ose një figurë e ngurtë, një grua me kokë maceje, që linte të kuptohej për mizorinë çnjerëzore. Apo një sfinks monstruoz dhe misterioz, i ftohtë ndaj gjithçkaje të gjallë.
Në Mesopotami, gjejmë basorelievë me forma kafshërore ndryshe nga çdo bishë që është njohur ndonjëherë, njerëz me koka zogjsh dhe luanë me koka demash, të dy me krahë shqiponjash, krijesa të artistëve të cilët që kishin për qëllim të prodhonin diçka që nuk ishte parë kurrë, përveçse në mendjen e tyre, një konsumim i jorealitetit.
Këta dhe të ngjashmët e tyre, ishin ata që adhuronte bota para-Greke. Por, mjafton të mendosh për një statujë të një perëndie greke, kaq normale dhe e natyrshme në bukurinë e vet, për të perceptuar se çfarë ideje e re i kishte ardhur botës. Me ardhjen e saj, universi u bë racional.
Shën Pali thoshte se e padukshmja duhet të kuptohet prej të dukshmes. Kjo nuk ishte një ide hebreje, ishte greke. Në botën e lashtë, vetëm në Greqi njerëzit merreshin me të dukshmen: ata e gjenin kënaqësinë e dëshirave të tyre, në atë që shihnin në botën që i rrethonte. Skulptori shihte atletët që garonin në lojëra dhe ndjente se, asgjë që ai mund të imagjinonte, nuk do të ishte aq e bukur sa ata trupa të fuqishëm. Dhe kështu krijoi statujën e Apollonit. Rrëfimtari gjeti Hermesin mes njerëzve që ndeshte në rrugë. Ai e shihte perëndinë si “një djalë të ri në moshën kur rinia është më e bukur”, siç thotë Homeri. Artistët dhe poetët grekë kuptuan se sa i mrekullueshëm mund të ishte njeriu, i drejtë, i shpejtë dhe i fuqishëm. Ai ishte përmbushja e kërkimit të tyre për bukurinë. Ata nuk kishin dëshirë të krijonin ndonjë fantazi, me formën e mendjeve të tyre. I gjithë arti dhe mendimi i Greqisë vërtitej përreth qenieve njerëzore.
Perënditë humane e bënin qiellin një vend të njohur dhe të pëlqyeshëm. Grekët ndiheshin si në shtëpi aty. Ata dinin se ç’bënin atje banorët hyjnorë, çfarë hanin dhe pinin, ku i shtronin banketet dhe si dëfreheshin. Sigurisht që duhej t’ua kishe frikën; ata ishin shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm kur ishin të zemëruar. Gjithësesi, me kujdesin e duhur, njeriu mund të ndihej mirë me ta. Ai ishte madje i lirë të qeshte me ta. Zeusi, që përpiqej të fshihte aventurat e dashurisë nga e shoqja, ishte një figurë qendrore argëtimi. Grekëve u pëlqente edhe më shumë për këtë. Hera ishte një personazh komedie, gruaja tipike xheloze, dhe marifetet e saj për të futur në siklet të shoqin dhe ndëshkuar rivalet, në vend që t’i mërzisnin grekët, i argëtonin edhe më shumë. Histori të tilla jepnin një ndjesi miqësore. E qeshura në praninë e një sfinksi egjiptian apo një bishe asiriane ishte e pamendueshme, por në Olimp ishte krejt e natyrshme dhe kjo i bënte perënditë shoqëri të mirë.
Edhe në tokë, hyjnitë ishin shumë tërheqëse nga pikëpamja njerëzore. Në formën e vashave të bukura ato popullonin pyjet, lumenjtë, detin, në harmoni me tokën dhe ujërat e kristaltë.
Kjo është mrekullia e mitologjisë greke – një botë njerëzish, të çliruar prej frikës paralizuese të një të Panjohure të gjithëpushtetshme. Pakuptueshmëritë e tmerrshme që adhuroheshin tjetërkund, dhe shpirtërat e frikshëm me të cilat ishte mbushur toka, ajri dhe deti, ishin të ndaluara në Greqi.
Mund të duket e çuditshme të thuash se njerëzit që krijuan mitet, nuk pëlqenin irracionalen dhe kishin një dashuri për faktet; por kjo është e vërtetë, sado që fantastike të jenë disa prej historive. Cilido që i lexon më vëmendje, zbulon se gjërat edhe më të paarsyeshme ndodhin në një botë që është në thelb racionale dhe e bazuar në fakte. Herkuli, jeta e të cilit ishte një luftë e gjatë kundër përbindëshave, është thënë gjithmonë se e ka patur shtëpinë në Tebë. Vendi i saktë ku Afërdita lindi nga shkuma, mund të vizitohej nga çdo turist në lashtësi: ndodhej shumë pranë kishullit të Kiterës.
Pegasusi, kali me krahë, pasi fluturonte gjithë ditën, kthehej përnatë në stallën e tij në Korinth. Një vendbanim i njohur lokal i bënte rela gjithë qeniet mitike. Nëse kjo përzierje duket fëmijërore, mendoni pak se sa i arsyeshëm është sfondi, krahasuar me Xhindin që del nga hiçi në llambën e Aladinit, dhe i cili rikthehet tek asgjëja pasi realizon detyrën.
Irracionalja e tmerrshme nuk ka vend në mitologjinë klasike. Magjia, kaq e fuqishme në botën para dhe pas Greqisë, është pothuaj joekzistente.
Nuk ka burra dhe janë vetëm dy gra me fuqi të mbinatyrshme të frikshme. Magjistarët dhe shtrigat e liga që vërtiteshin nëpër Evropë dhe Amerikë, madje deri në kohët e fundit, nuk kishin aspak vend në historitë e grekëve. Circe dhe Medea janë të vetmet shtriga dhe ato janë të reja dhe të bukura, jo të frikshme. Astrologjia, që ka lulëzuar qysh prej ditëve të Babilonisë së lashtë e deri sot, mungon tërësisht në Greqinë klasike.
Ka shumë histori për yjet, por asnjë gjurmë të idesë që ata ndikojnë në jetët e njerëzve. Astronomia është ajo që mendja greke krijoi prej yjeve. As edhe një histori e vetme nuk ka një prift magjik, i cili është i tmerrshëm sepse ka disa marifete me të cilat të vërë përfund deri edhe perënditë.
Prifti rrallë shihet dhe nuk është kurrë i rëndësishëm. Tek Odisea, kur një prift dhe një poet bien në gjunjë para Odiseut, duke iu lutur që t’ua kursejë jetën, heroi vret priftin pa u menduar, por shpëton poetin. Homeri thotë se kishte frikë të vriste një njeri, të cilit perënditë i kishin mësuar artin hyjnor. Jo prifti, por poeti, kishte favorin e hyjnive dhe askush nuk ndihej ndonjëherë i frikësuar prej një poeti. Edhe fantazmat, të cilat kanë luajtur një rol kaq të madh dhe të frikshëm në të tjera vende, nuk shfaqen kurrë në ndonjë histori greke. Grekët nuk kishin frikë prej të vdekurve – “të vdekurit e gjorë”, siç i quante Odiseu.
Bota e mitologjisë greke nuk ishte një vend terrori për shpirtin e njeriut. Eshtë e vërtetë që perënditë ishin të paparashikueshme. Nuk mund ta dije se ku do të godiste rrufeja e Zeusit. Megjithëkëtë, të gjitha hyjnitë kishin një bukuri njerëzore, dhe asgjë që ka bukuri njerëzore nuk mund të jetë e frikshme. Shkrimtarët e hershëm të mitologjisë greke, transformuan një botë të mbushur me frikë, në një botë të mbushur me bukuri.
Nga Libri “Mythology – Timeless tales of Gods and Heroes”
/Në shqip nga Bota.al/ KultPlus.com