Java Ndërkombëtare e Muzeve, sivjet në Muzeun e Mitrovicës me një numër të madh aktivitetesh kulturore. Me datat 18-19 maj mbahen koncerte e shfaqje në kuadër të festivalit FemArt.
Me 18 Maj Koncert me kitaristin Petrit Çeku
Kitaristi Petrit Çeku rikthehet në Kosovës për dy koncerte të rralla në Mitrovicë dhe Prizren. Ai do të interpretoj të gjitha Suitat e shkruara për violonçel nga kompozitori Johann Sebastian Bach e të transkriptuara për kitarë nga Valter Deshpali – instrumentisti virtuoz e pedagogu eminente i cili u nda nga jeta muajin e kaluar. Së voni Çeku u shpall fitues i çmimit “Porin” në kategorinë “Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin e ‘Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17’ nga Goran Listeš”, botuar nga “Croatia Records”.
(E enjte) ora | 19:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë
19 Maj FemArt në Mitrovicë me Shfaqja Teatrore “Olympe et moi/ Francë” dhe diskutim.
“Olympe et Moi”, për gruan që guxoi “Olympe et Moi” është një rrugëtim intim në nderim të Olympe de Gouges, e cila u vendos në gijotinë më 1793 pasi kërkoi të drejtën për t’u dëgjuar dhe guxoi të shkruante një “Deklaratë për të Drejtat e Grave dhe Qytetarëve”.
Nga një ide origjinale e Veronique Ataly dhe e shkruar nga Patrick Mons, personazhi Florence do të na çojë në një udhëtim personal që do t’iu bëjë të humbni kokën. Fjala e lirë e Olympe do të vijë dhe do ta shpëtojë atë në kohën e duhur, duke dëshmuar rëndësinë e saj për kohën moderne.
“Olympe et Moi” është një shfaqje teatrore feministe, humaniste dhe e dashur për një nga figurat më të mëdha të Revolucionit Francez me regji të Patrick Mons.
(E premtë) ora | 19:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë
19 Maj Koncert përmbyllës i FemArt në Mitrovicë
Me tinguj të muzikës rok dhe këngëve tradicionale e ndërkombëtare FemArt do të përmbyllë aktivitetet e edicionit të 11-të në Mitrovicë.
Talentët e rok grupit Átaraxia (Mitrovica Rock School) do të hapin mbrëmjen muzikore, për t’i lënë hapësirë muzikantëve të mirënjohur Anisa & Erhan, të cilët sjellin një performancë të gjallë dhe shpirtërore të këngëve tradicionale dhe ndërkombëtare të luajtura me kitarë dhe zë.
Ky bashkim i kulturave dhe zhanreve të ndryshme muzikore do të krijojë një tapiceri të pasur tingujsh dhe emocionesh që festojnë diversitetin e muzikës.
(E premtë) ora | 21:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë./express/KultPlus.com
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka marr vendim që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.
“Është vendim i kuvendit komunal. Ne kemi vendosur të veprojmë sipas standardeve evropiane për lëvizje të lirë. Po e shohim nga ana pozitive këtë”.
Ndaj vendimit për hapjen e qarkullimit të urës e cila ka rreth 20 vjet që qëndron e mbyllur, serbët kanë reflektuar negativisht, thotë kryesuesi i kuvendit komunal të Mirovicës së Veriut. / KultPlus.com
Trazirat e Marsit në vitin 2004, është rasti më i keq i dhunës etnike në Kosovë që nga fundi i konfliktit 1999 shpërtheu në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke lënë qindra të plagosur dhe të paktën 14 njerëz të vdekur.
Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.
Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. / KultPlus.com
Më shumë se 40 vite kanë shkuar, por fryma JAZZ që i papërsëritshmi, Big Band i Mitrovicës solli për herë të parë në vendin tonë, jeton në kujtimet e pashlyeshme të ngulitura thellë në zemrat e dashamirëve të muzikës në mbarë Kosovën.
Si tribut për magjinë e netëve të paharruara kur Mitrovica ishte jo vetëm zëri por edhe tingulli i Kosovës së re që po lindte, tashmë do të mbahet koncerti premierë i kuruar dhe ideuar nga Rona Nishliu si homazh për traditën e vendlindjes, nën shoqërimin e orkestrit të saj të ri, New Big Band.
Rona Nishliu & New Big Band, me programin e aranzhuar nga profesionistët më të shquar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do t’i ngrohin zemrat tona me koncertin e fundit të këtij viti, duke kujtuar me mallëngjim traditën e pasur muzikore të qytetit tonë e duke festuar në frymën e shumë dekadave më parë.
Koncerti do të mbahet më 29 dhjetor 2022, me fillim në orën 20:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.
7Arte me këtë koncert, përmbyll edhe programin vjetor të “Green Fest-12”, i cili është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe DKRS-Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com
Koncerti “Ethnically Plugged – 18 vjet” do të mbahet sot në Muzeun e Qytetit, Mitrovicë, përcjell KultPlus.
Ilir Tolaj e Luan Macula në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri do ta marrin vëmendjen e publikut mitrovicas sonte, duke filluar nga ora 20:00.
“Dasma e fshehtë”, “Po vijnë krushqit”, “Pse jo shqip”, “Kur e percolla ylberin”, “Hapi sytë”, janë disa nga instrumentalet që do të performojë grupi “Ethnically Plugged”.
“Ethnically Plugged” filloi si projekt 18 vite më parë në vitin 2004 si dëshirë për t’i ripërtërirë meloditë e bukura tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme në anim kah Jazz/Fusion.
Ky koncert është mbështetur nga DKRS – Mitrovicë. / KultPlus.com
Me iniciativë të prindërve të Betina Ymerit e cila për shkak të kërcënimeve nga fejuari i saj përfundoi në vetëvrasje, të premtën organizohet protestë nga ora 12:00 para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Përmes protestës iu bëhet thirrje institucioneve gjegjëse që ta trajtojnë drejt dhe me prioritet rastin e Betinës dhe t’i jap ndëshkim meritor personit që e shtyri drejt vdekjes atë. Dhuna sistematike të cilën e ka përjetuar Betina është një nga realitetet me të frikshme të cilën e jetojnë shumë vajza e gra në Kosovë, dhunë kjo e cila ushqehet nga të gjitha institucionet publike e private që vazhdojnë ta normalizojnë dhe amnistojnë dhunën me bazë gjinore.
Përveç kërkesave drejt institucioneve publike, prindërit e të ndjerës duan ta kthejnë vëmendjen tek nevoja për mbrojtje dhe vëmendje ndaj vajzave të tyre. Përderisa jetojmë në një sistem të dhunshëm si ky i yni, është vendimtare që të angazhohemi më shumë për sigurinë e vajzave, në mënyrë që ato të mos ndihen të vetmuara dhe pa ndihmë kur ato janë viktima të dhunës.
Ky sistem e kjo mendësi duhet të ndryshojë. Andaj, ne ngrihemi në këmbë të premtën për të kërkuar drejtësi për Betinën dhe siguri për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë.
Mos të ndodhë më edhe një vetëvrasje, mos të tolerojmë më as edhe një kërcënim ndaj vajzave, mos të humbet as edhe një jetë më shumë. / KultPlus.com
Të premten vjen koncerti nga Agona Shporta dhe Tringa Sadiku, koncert ky që sipas tyre, i dedikohet të gjithë atyre që ia dinë vlerën shoqërisë, përcjell KultPlus.
Performanca e tyre përfshinë këngë të përpunuara nga folku kosovar dhe ai i Shqipërisë. Disa pika të tjera përfshijnë “Gracias a la Vida” nga Mercedes Sosa (Argjentinë) dhe disa pjesë greke të muzikës Rebetiko dhe ishullit Leros.
Koncerti fillon nga ora 20:00 në 7Arte në Mitrovicë. / KultPlus.com
Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.
Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..
Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.
“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.
Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com
Java e Filmit Kosovar nisi mbrëmë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisoren Luana Bajrami në kinemanë e hapur të 7Arte, në Mitrovicë, përcjellë KultPlus.
Në ceremoninë e hapjes organizatori Lulzim Hoti, theksoi se kjo nismë ka ardhur si rezultat i nevojës së të rinjve për tu ndeshur me magjinë e kinemasë, si dhe për të promovuar vlerat e kinematografisë kosovare.
Drejtoresha e DKRS’së Valdete Idrizi, përgëzoi organizatorët për aktivitetin në fjalë, si dhe konfirmoi se janë duke u bërë përpjekje për aktivizimin e kinemasë në kuadër të Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.
Nata e parë u hap me shfaqjen e filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regjinë e Luana Bajramit, film ky i cili u prit me mjaftë interesim nga audienca mitrovicase. Filmat e paraparë gjatë ditëve në vijim janë: Zana, Babai, Cirku Fluturues, Zgjoi, Në Mes, si dhe Rooftop Story.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com
Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur Kosovar, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.
Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, nga ora 21:00, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, më konkretisht në terasën e 7Arte që gjindet në qendër të qytetit.
Programi i filmave të paraparë për këtë javë: “Luaneshat e Kodrës” (83’), “Zana”(97’), “Babai” (94’), “Cirku Fluturues”(115’), “Zgjoi” (84’), “Pa Vend (15’); Në Mes (18’), si dhe “Rooftop Story”(74’).
“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.
Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovar, si mbështetje e cila përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte. Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.
7Arte përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com
Në Mitrovicë, KFOR-i ka zhvilluar për herë të parë garën ndërkombëtare “Rifleman Ridge”. Kjo ngjarje e re u organizua nga Shtabi i Kontigjentit Ushtarak Polak në Kosovë.
Siç ka njoftuar KFOR-i, ky kompeticion përmbante 1 mijle vrapim përpjetë, të shtëna të zakta në rreze dhe një vrapin për në vijën e finishit.
“Garueset e sfidës ishin në skuadrat nga 4 dhe në secilën skuadër ishte obligative prezenca e një ushtareje femër. Çdo ushtar garoi me pajisjet e veta luftarake”, thuhet në njoftim, ku shtohet se konkurrentët qëlluan më pas edhe me pushkën e famshme polake, BERYL 5.56 mm.
“Sfida provoi forcën, qëndrueshmërinë dhe aftësitë e të shtënave të secilit anëtar të ekipit por ishte gjithashtu një rast për t’u argëtuar në ambiente shumëkombëshe”, thotë KFOR-i.
Origjina e kësaj gare është në traditat e njësive polake Mountain dhe Airborne. / KultPlus.com
Duke alarmuar se objekti i “Shtëpisë së Armatës” mund të rrëzohet nga komuna, aktivisti nga Mitrovica, Besart Peci, thotë se kjo ndërtesë duhet të ruhet e të shërbejë si rrëfim për torturat dhe ndjekjet që shqiptarët i kanë përjetuar në kohën kur objekti u ndërtua nga shteti jugosllav.
Pas rrënimit të objektit të shkollës së parë shqipe në Mitrovicë, aktivisti i shoqërisë civile thotë se një tjetër objekt i vjetër mund të rrënohet. Bëhet fjalë për objektin “Shtëpia e Armatës”, i cili, sipas Pecit, duhet të ruhet e të shërbejë si memorie kolektive e periudhës së viteve ’50-’60.
“Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije” dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.”
Duke përmendur rrëzimin e para disa ditëve të objektit të dikurshëm të shkollës “Tefta Tashko”, aktivisti thotë se edhe objekti i “Shtëpisë së Armatës” rrezikohet nga ‘bageri’ i komunës.
“Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i aktivistit:
SHTËPIA E ARMATËS: A DO TË RRËNOHET EDHE NJË OBJEKT TJETËR HISTORIK NË MITROVICË NGA KOMUNA E SAJ?
Strukturat monumentale që janë lënë si trashëgimi nga pushteti jugosllav gjithandej Kosovës, doemos shihen si lidhje e ngushtë politike nga gjenerata që ka përjetuar epokën e atëhershme dhe si një mungesë e njohurive mbi historinë nga gjenerata e re.
E tillë është edhe “Shtëpia e Armatës Jugosllave” në qendër të qytetit të Mitrovicës, e ndërtuar në vitet e 60’-ta. E kam përmendur edhe më parë, se objektet që kanë shërbyer në të kaluarën për ushtrinë jugosllave duhet ruajtuar (mbrojtje), për të kujtuar (muze), sepse qyteti, në vetëvete është kujtesë kolektive.
Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije” dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.
Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten.
Ka ekzistuar një përpjekje e pushtetit para disa viteve që objektin ta shndërrojë në parking publik, por ka qenë zbrapsur nga presioni i qytetarëve nëpërmjet reagimeve publike, që rezultoi me futjen e tij në listën për trashëgëmi kulturore për mbrojte të përkohshme.
Në Planin Zhvillimor Komunal potencohet qartazi tek infrastruktura publike “Ndërtimi i muzeut të qytetit përballë shtëpisë së armatës”, duke lënë hapësirë për dyshime se çfarë do të ndodhë me “Shtëpinë e Armatës”, sidomos kur lexohet fusha e “prioriteve strategjike për krijimin e hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, “Muzeu i qytetit planifikohet të ndërtohet përballë shtëpisë së Armatës” që nënkupton, përtej rrugës Shemsi Ahmeti, e cila ndanë pronat tërësisht dhe largazi.
Komuna e Mitrovicës asnjëherë nuk e ka bërë të qartë qëndrimin zyrtar lidhur me objektin në fjalë, as nëpërmjet shkresave zyrtare, prononcimeve apo postës elektronike. Ajo së fundmi ka rrënuar një objekt të një historie të veçantë, ish-objektin e shkollës së parë në Mitrovicës, “Tefta Tashko” që nuk u parapa në planifikimet e saja për Hartën Zonale Komunale. Mungesa e transparencës, në mospublikimin e procesverbaleve në takimet me qytetarë shton dyshimet se “Muzeu i Qytetit” po përdoret si pretekst për të rrënuar “Shtëpinë e Armatës”.
Andaj, Komuna e Mitrovicës duhet të publikojë qëndrimin e saj zyrtar dhe të nis hapat për futjen e objektit në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojte.
Qytetarët/et e Mitrovicës do të rezistojnë fuqishëm po qe se Komuna mëton avazin e rrënimeve të objekteve të rëndësishme kulturo-historike sikur pushtetet e kaluara. Disa viktima të rrënimeve ishin: Kinemaja Tesla, Teatri i Qytetit, Shtëpia e Arsim Leniqit dhe e fundit ish-objekti i shkollës së muzikës “Tefta Tashko”.
Jeta kulturore, kujtesa kolektive, vriten e shuhen në një qytet ku pushteti i shërben oligarkëve e jo banorëve. / KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me Gani Xhaka dhe Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës.
Duke falënderuar kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite.
Xhaka kujtoi natën e 3 shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund.
Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur.
Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.
Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.
Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar.
Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët.
Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve. / KultPlus.com
Ka nisur restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një monument i rëndësisë së veçantë. Pas përfundimit të punëve restauruese, monumenti do të jetësohet me funksione institucionale dhe komunitare.
Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të rajonit të Mitrovicës do të bëhen edhe disa ndërhyrje restauruese. Gjatë vitit 2022 do të ndërhyhet në Hamamin e Qytetit, xhaminë e djegur “Mulla Ilaz Broja” në Brojë të Skënderajt, xhaminë e Mazhiqit, përfshi projektet për revitializim të qytetit të vjetër të Trepçës dhe ekspozitën e përhershme në Kompleksin e kullave të Isë Boletinit.
Në kuadër të masave emergjente gjatë këtij muaji do të nisin ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg dhe Shtëpinë e Islam Shipollit, ndërsa grupi i dytë i ndërhyrjeve emergjente do të definohet javëve në vijim.
Muzeu i Qytetit dhe Muzeu i Kristaleve janë institucione të rëndësisë së veçantë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Mitrovicës. Nga diskutimet me zyrtarët e muzeve u njoftua për sfidat aktuale dhe potencialin e madh zhvillimor të këtyre institucioneve. Ministria gjatë vitit 2022 do të zbatojë programin e investimeve në një numër të konsiderueshëm të muzeve në gjithë vendin.
Teatri i qytetit të Mitrovicës vazhdon të funksionojë në kushte të vështira. Ministria e Kulturës ka mbështetur dy shfaqjet e këtij teatri në fund të vitit të kaluar, si pjesë e Programit të Ringjalljes. Megjithatë, sfidat edhe më tej janë të mëdha, veçanërisht ato infrastrukturore. Gjatë këtij viti janë planifikuar disa ndërhyrje renovuese në ndërtesat e institucioneve të kulturës, ndërsa teatrot e qyteteve do të trajtohen me prioritet.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, MKRS-ja vizitoi edhe Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Bibliotekën Komunale dhe Arkivin Ndër-komunal. Gjithashtu, si vazhdimësi e diskutimeve me komunitetin artistik për procesin e reformës kulturore, u mbajt takim me organizatat e skenës së pavarur kulturore të Mitrovicës. Së shpejti do të organizohet një diskutim të gjerë me komunitetin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, për të vazhduar me komunat e tjera të Kosovës, në përpjekje për të dëgjuar secilin dhe hartuar bashkërisht dokumentet e reformës në kulturë, nga koncept dokumenti deri te ligji unik dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës.
Vizita në Mitrovicë u përmbyll me vizitën në Kullën e familjes Kadriu, e cila gjendet në lagjen Kroi i Vitakut. Brenda kullës qëndron e hapur për vizitorë galeria me ekspozitën e përhershme të pikturave të artistit të ndjerë Kadri Kadriu, të vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1999. Në hapësirën tjetër të galerisë, vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita e Hajriz Kadriut, e financuar nga Ministria e Kulturës, me motive nga arkeologjia dhe etnografia shqiptare. Hajrizi është nipi i piktorit të ndjerë Kadri Kadriu, djali i Ali Kadriut, i cili ka pritur dhe shoqëroi MKRS-në gjatë kësaj vizite, duke i paralajmëruar për ekspozitën e tij të skulpturës. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 200 ku në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë, përcjell KultPlus.
“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani.
KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.
Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë.
25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës.
Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm! / KultPlus.com
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua risjell këngën “Le të qeshin sytë e tu” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. / KultPlus.com
Çdokush që ndjen nostalgji për krijimtarinë e grupit “Marigona”, s’mund të mos e kujtojë një nga këngët epike të tij e që është e titulluar “Sonte”.
Kjo këngë e realizuar në vitin 2002, i ka rezistuar kohës për shkak të vijës melodike, tekstit e vdieoklipit që zbërthen kuptimin e këngës. Duke qenë se grupi “Marigona”, nuk i ka munguar as festivaleve, pikërisht me këngën “Sonte” arriti të shpërblehet në në festivalin “Showfest”, në vitin 2002, shkruan KultPlus.
Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.
KultPlus ju përcjellë videoklipin dhe tekstin e këngës:
Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet Puthja jote nesër kënd e pret e kënd me vonë e vret
Ref: Nëse emrin tënd çdo nate e thërras e për ty flas S’do t’thotë se ty të du Nëse netët pa ty vijnë e shkojnë, do t’mundem unë pa ty Kur ti mundesh pa mu.
Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du t’i harroj Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veç ëndërroj Se fshehtësi ishe për mu, këtë unë tash e di Do t’provoj pa ty me jetu, do t ‘lutëm në vetmi / KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar, i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
KultPlus jua sjellë këngën “Shokut”, që është njëra nga më të famshmet e Qenës, këngë e cila u rikëndua edhe nga artistët e rinj, dhe mbetet gjithmonë këngë e dashur për publikun. /KultPlus.com
Sonte në qytetin e Mitrovicës, pas mbarimit të programit edukativ, nën motin “Ndrite qytetin” festohet me tingujt e muzikës.
Në kuadër të masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK nga data 20 gusht – 1 shtator 2021, hyrja në ambientet e hapura (në këtë rast, hapësira e hapur- qendra sportive Fatime Xhaka) ku mbahet Green Fest 11, për të gjithë ata që duan të marrin pjesë, do të vijoj duke preznatuar në hyrje një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit (së paku një dozë);
Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
Programi:
Dren Abazi & Zig zag Orchestra
E shtunë (21.09.2021)
Jericho
Uran B
E diele (22.09.2021)
Shega – bend arbëreshë nga Italia
Eugent Bushpepa
Dj Wise
Green Fest është ngjarja më e madhe kulturore në qytetin e Mitrovicës, që organizohet për njëmbëdhjetë vite me radhë nga organizata kulturore 7Arte. / KultPlus.com
Sot, filmi ‘Martesa’ me regji të Blerta Zeqirit, do të shfaqet në Mitrovicë për nder të Muajit të Krenarisë në kuadër të natës të filmit dhe dhurimit të librave në Mitrovicë, shkruan KultPlus.
Filmi “Martesa” e ndjek jetën e Bekimit, Anitës dhe Nolit të cilët janë viktima të mendësisë patriarkale dhe heteronormative dhe trekëndëshin e dashurisë i cili krijohet si pasojë e kësaj mendësie shtypëse. Po ashtu, filmi ka arritur që të fitoj çmime në festivale të ndryshme si çmimi i kritikës në Tallin Black Nighs Film Festival dhe filmi më i mirë në “CineBalkan”.
Filmi do të shfaqet në 7 arte, duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, pas shfaqjes së filmit, do të dhurohen disa libra dhe do të mbahet një diskutim që lidhet me tematikën e filmit të shfaqur.
Nata e filmit dhe dhurimit të librave është mundësuar nga Ambasada Holandës në Kosovë. / KultPlus.com
Për herë të tretë OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” po organizon Festivalin Multikulturor, me synim të ngritjes së vetëdijes rreth fuqizimit, sfidave dhe paragjykimeve që ekzistojnë ndaj grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Pjesë e një aktiviteti në këtë festival kësaj radhe u bë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Daulina Osmani. Ajo u takua me vajzat e Klubit Futbollistik të Femrave në Mitrovicë të cilat këtë vit janë bërë kampione.
Osmani ndau me vajzat e KFF Mitrovica eksperiencën e saj në sport, planet institucionale për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara në sport dhe potencoj rëndësinë që kjo fushë në zhvillimin e vajzave të reja. Gjithashtu ajo siguroj që sporti nuk njeh kufi të diferencimeve etnike gjinore dhe statusit socio ekonomik, prandaj këtë fushë duhet ta shohim si mekanizëm përmes së cilit të bashkojmë shoqërinë tonë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe z.Isak Skenderi, Drejtor në OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, znj.Vesa Batalli menaxhere e programit dhe Klubi i Futbollit Mitrovica 3. / KultPlus.com
Sot u protestua në sheshet e qytetit të Mitrovicës kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.
Me brohoritje dhe parulla në duar, shumë qytetarë marshuan në rrugë nën thirrjet për siguri për vajzat dhe gratë dhe barazi gjinore, si parakushte të drejtësisë shoqërore.
Grupi organizativ “Unë jam zani yt” në komunikatën për media thanë se kjo protestë është kritikë ndaj institucioneve të vendit të cilat nuk po punojnë për të krijuar siguri për vajzat dhe gratë.
“Vajzave dhe grave, iu tha edhe një herë publikisht se ato nuk janë vetë dhe që lufta jonë e përbashkët nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi dhe barazi për të gjitha/ë”, thuhet në njoftim.
Të paktën tre raste dhunimi e ngacmimi seksual janë raportuar të kenë ndodhur në dy muajt e fundit në Mitrovicë./ KultPlus.com
Ngacmimet seksuale dhe përdhunimet po raportohen çdo ditë e më shumë.
Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.
Ky rast veç̧ sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka edhe do të kundërshtohet përmes një proteste në Mitrovicë.
Organizatorët e protestës janë shprehur se kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.
“Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.
Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.
Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë do të protestohet për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes e abuzimit të grave.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik. / KultPlus.com
Policia e Kosovës ka intervistuar katër aktivistë, si të dyshuar për shkrimin e grafiteve feministe nëpër qytetin e Mitrovicës, raporton Express.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti ka thënë se ndaj tyre është iniciuar rast për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Me datën 25.04.2021, në Mitrovicë, është iniciuar një rast Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike “PRQP’.Në cilësi të të dyshuarave janë intervistuar katër persona, pasi të njëjtit në orët e pasdites së datës 25 prill 2021, në disa lokacione/objekte në qytet kanë shkruar grafitë”, ka thënë Zahiti.
Sipas “Jepi zë”, nga personat e arrestuar, një është burrë ndërsa tri të tjera janë gra. Ata janë mbajtur 6 orë në Stacionin Policor. / KultPlus.com
Sonte në Mitrovicë, aktiviste e aktivistë përshkuan qytetin me mbishkrime që denoncojnë dhunën sistemike ndaj…