“Virgjiniteti është shpikje e burrave”, grafitet e aktivisteve në muret e Mitrovicës

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist sonte ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit e Mitrovicës, me mbishkrime që denoncojnë dhunën sistemike ndaj grave në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka shkruar se përmes grafiteve që kundërshtojnë kontrollin e burrave mbi trupin e grave, dhunimin e tyre në shtëpi, hapësirat publike u ngjyrosën me revoltë dhe refuzim të çfarëdo shtypje ndaj secilës grua dhe vajzë.

“Përmes grafiteve që kundërshtojnë kontrollin e burrave mbi trupin e grave, dhunimin e tyre në shtëpi, rrugë e institucione, ngacmimin seksual në shkolla, e robërimi e tyre nga burrat, hapësirat publike u ngjyrosën me revoltë dhe refuzim të çfarëdo shtypje ndaj secilës grua dhe vajzë”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre./ KultPlus.com

Sonte në Mitrovicë, aktiviste e aktivistë përshkuan qytetin me mbishkrime që denoncojnë dhunën sistemike ndaj…

Posted by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist on Sunday, April 25, 2021

Shqiptarë dhe serbë mbjellin pemë së bashku në Ditën e Tokës

Në shënimin e Ditës së Tokës, nesër në qytetin e Mitrovicës do të mbillen pemë nga shqiptarë dhe serbë, përcjellë KultPlus.

Fillimisht, nga ora 09:00 do të mbillen pemë në Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore për të vazhduar më pas me një ceremoni që do të organizohet nga ora 10:00 nga OJQ Community Building Mitrovica (CBM), Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) dhe OJQ New Social Initiative (NSI), në kuadër të projektit “Pajtimi dhe Transformimi i Konfliktit”, i mbështetur nga USAID në Kosovë. Kjo ceremoni do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”. 

Qëllimi kryesor i kësaj ceremonie është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj mbrojtjes së mjedisit, dhe promovimit të një ambienti më të pastër për shtatë (7) komunat e regjionit të Mitrovicës.

Në mesin e të ftuarve në këtë ceremoni e cila do të mbahet nga ora 09:00 deri në 14:00, do të jenë njohës të fushës së ambientit, zyrtarë lokal të komunave, si zv. Ministri nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Hysen Durmishi. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës

Në Mitrovicë këtë të shtune përkujtohet masakra që ndodhi në tregun e këtij qyteti 22 vite më parë e ku pati viktima dhe qindra të plagosur.

Atë kohë, forcat serbe sulmuan me minahedhës derisa tregu ishte përplot me njerëz, ndërsa si pasojë mbetën të vdekur gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën edhe 128 të tjerë.

Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve të tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë, çdo vit mblidhen në vendin e ngjarjes në nderim të viktimave të masakrës së tregut në Mitrovicë.

Pasojat shëndetësore e psikologjike të këtij sulmi të ushtrisë dhe policisë serbe i vuajnë edhe sot shumë prej atyre që ishin atë ditë në treg./ KultPlus.com

Kisha e saksonëve në Mitrovicë, para shkatërrimit



Ndodhja e një kishe katolike mesjetare sase (saksone) në Kosovë, për shumë qytetarë të Kosovës është pak e njohur. T’i thuash dikujt se në shekullin XIII, para më shumë se shtatëqind vjetëve, në Kosovë kishte gjermanë (saksonë) që ishin minatorë të zotë dhe kishin ardhur të punonin dhe të jetonin këtu, veçmas në pjesët përskaj minierave, është si t’u lexosh ndonjë tregim fantastik.

Por, kisha saksone është aty, për historinë e së cilës historianët kanë të dhëna të mjaftueshme dhe të argumentueshme, transmeton rtk. Duke dëgjuar historianët dhe lexuar studimet e tyre, gjejmë të dhëna se ata (sasët/saksonët) ishin njohës të mirëfilltë të xeheve dhe dinin si t’i nxirrnin ato si pak popuj gjatë mesjetës së vonë. Ata ishin të vendosur në fshatra, qytete dhe kështjella fare pranë minierave. Gjurmët e tyre në Kosovë i gjejmë në masë më të madhe në lokalitetet e Mitrovicës dhe të Novobërdës, në të cilat qenë zbuluar minierat që nga periudha mesjetare. / KultPlus.com

Silvira Tomazini, emrin e së cilës e mbante dikur Gjimnazi i Mitrovicës

Silvira Tomazini, komunistja që luftoi Xhafer Devën në Mitrovicë, qytet në të cilin edhe do të vritej (II).

Silvira Tomazini lindi më 2 dhjetor 1913 në Triestë të Italisë, nga prindërit italiano-slloven. Shkollimin fillor, përfshi atë të mesëm e kreu në Slloveni, për të vazhduar studimet në Fakultetin e Filiologjisë në Lublanë për gjuhë gjermane.

Gjatë studimeve, të cilat i përfundoi më 1938, u angazhua me lëvizjet komuniste, duke u bërë fillimisht anëtare e Lidhjes së Rinisë Komuniste Jugosllave dhe më pas, Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Nga kjo e fundit, Tomazini do të angazhohej si mësuese e gjuhës gjermane në njërën nga shkollat e mesme në Mitrovicë më 1940. Përveç veprimtarisë arsimore, ajo u angazhua edhe në punët e partisë si dhe në çështje humanitre, duke e ndërtuar kështu një kuzhinë popullore për nxënësit e varfër në Mitrovicë.

Pas pushtimit të Jugollsavisë nga Gjermania fashiste më 1941, Tomazini do të angazhohej kundër tyre, fillimisht si pjesë Lëvizjes për Çlirimin e rajonit të Mitrovicës dhe më pas si pjesë e trupës organizative për shpërndarjen e materialeve propaganduese kundër okupatorit nazist. Vendbanimi i saj u bë seli e fshehtë e njërës prej pikave të Partisë Komuniste Jugosllave, ku Tomazini ushtronte funksionin e anëtares së bordit të Frontit të Grave Antifashiste në Mitrovicë. Celula të tjera tashmë ishin formuar në Stantërg, Zveçan si dhe afër Stacionit të Hekurudhës.

Në verën e vitit 1942, forcat e Xhafër Devës, një bashkëpunëtor i hapur i gjermanëve dhe administrator lokal i pushtetit në Mitrovicë, do të ndërmerrnnin akcione për dëbimin e kolonistëve serbë, burgosjen e atyre që ishin pjesë aktive në luftën anti-fashiste, ku më i njohuri ishte ai fillimit të gushtit, nga i cili u arrestuan 17 persona, në mesin e të cilëve ishte edhe Silvira Tomazini. Pas një tentimi të pasukseshëm për arratisje më 13 gusht, ajo do të kapej dhe do të pushkatohej nga xhandarmëria shqiptare në bashkëpunim me forcat gjermane, në Stacionin Hekurudhor në Mitrovicë, i cili në atë kohë shërbente si burg.

Pas largimit të gjermanisë naziste, Silvira Tomazini do të kujtohej si një atdhetare e madhe në Mitrovicë nga komunistët. Më 27 nëntor, 1953, nga dekreti i presidentit të Jugosllavisë Josip Tito, ajo u shpallë “Heroinë e popullit”. Monumente, pllaka përkujtimore si dhe shfaqje të shumta teatrale për veprimtarinë e saj. Deri në vitet e 90’ta, Gjimnazi i qytetit të Mitrovicës do ta barte emrin e saj, i njohur tash si “Frang Bardhi”.
Përgatiti: Besart Peci. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndan certifikata për 150 të rinj të trajnuar në ndërmarrësi në Vushtrri e Mitrovicë


Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë bërë certifikimin e të rinjve të trajnuar për ndërmarrësi nga komuna e Vushtrrisë.

Ky trajnim është organizuar në kuadër të projektit “Aftësimi profesional për të rinj” financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti ka për synim që të nxisë të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisë ata për tregun e punës. Projekti ka zgjatur katër muaj, ku janë trajnuar rreth 150 të rinj jo vetëm në Vushtrri por edhe në Mitrovicë dhe Skenderaj. Në komunën e Vushtrrisë janë trajnuar 60 të rinj për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të rrjeteve.

Ministrja Vlora Dumoshi në fjalën e saj tha: “Për mua është kënaqësi kur jam në komuna, në veçanti në ato komuna ku shihet përparimi dhe përkushtimi i punëve. Unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit jashtëzakonisht jam e kënaqur me bashkëpunimin të cilin e kemi pasur me kryetarin Xhafer Tahiri. Investimet që bëhen në komunën e Vushtrrisë janë investime për rininë, të cilat prekin fushën e rinisë, të tilla si Pallati i Kulturës, i cili është në përfundim, Stadiumi i Qytetit dhe Salla e Sporteve në Samadrexhë si dhe shumë projekte të tjera të cilat janë në dobi të të rinjve.”

“Puna e Ministrisë ka një angazhim të madh dhe objektivin kryesor e ka te rinia. Programi qeverisës ka paraparë këtë program të ndërmarrësisë për t’ju dhënë juve mundësinë t’i kryeni këto trajnime sepse zhvillimi ekonomik i vendit varet nga ngritja e kapaciteteve tuaja si ndërmarrës të rinj”, tha ministrja Dumoshi para të rinjve.

Tutje, ministrja Dumoshi shtoi se “në program ka qenë e planifikuar që të trajnohen vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe ndaj është rritur numrin, rrjedhimisht do t’i trajnouen 1255 të rinj. Me rritjen e këtij numri unë do ta paraqes të kryeministri Hoti kërkesën që fondi për ndërmarrësi të rritet me buxhetin për vitin e ardhshëm. Ju uroj shumë suksese sepse ju jeni krenaria jonë tash për tash prandaj kërkoj që të përkushtoheni dhe t’i rritni sukseset tuaja në Kosovë.”

Ndërkaq kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se objekti i Kalasë së Vushtrrisë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se sa sot me prezencën e miqve nga MKRS dhe të rinjve pjesëmarrës.

“Dua të falënderoj ministren Dumoshi për angazhimin dhe trajnimin e të rinjve vushtrrias për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të ueb-faqeve.

Është tepër i rëndësishëm një projekt i tillë dhe besoj që të rinjtë me përvojën që kanë marrë do të arrijnë të gjejnë një vend pune dhe do të arrijnë të zhvillohen e të jenë profesionalistë.” – tha kryetari Tahiri.

Të rinjtë përfitues u shprehën falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe MKRS-së sepse këto trajnime janë mundësia më e mirë për të arritur sukses.

90 të rinj në Mitrovicë u certifikuan në ndërmarrësi

Ndërkaq, në ceremoninë e organizuar në Mitrovicë për çertifikimin e të rinjve, morën pjesë përveç ministres Dumoshi edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtri, dhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” Fahrush Musaj.

Ministrja Dumoshi tha se programi për ndërmarrësi është shumë i rëndësishëm dhe është objektiva kryesore të cilën e ka programi i Qeverisë së Kosovës. 

“Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve tona, zhvillimi ekonomik në asnjë mënyrë nuk bëhet nëse nuk i kemi kapacitetet e përgatitura andaj ky ka qene një rast shume i mirë që edhe në kohë pandemie ka pasur interesim shumë të madh. Programi jonë ka qenë i planifikuar që të trajnojë vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe andaj e kemi rritur numrin. Rrjedhimisht do t’i trajnojmë 1255 të rinj dhe kjo është një zile për ne që duhet të fokusohemi për më shumë programe sepse të rijnë janë të gatshëm të jene pjesë e ndërrmasrrësisë dhe të kontribuojnë në zhvillimin tonë ekonomik”, tha ministrja Dumoshi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtri, tha se është bërë një punë e shkëlqyeshme që të rinjtë të aftësohen për ndërmarrësi dhe uroi për suksese dhe punë të mbarë në të ardhmen.

Ndërkaq rektori, Fahrush Musaj tha se janë të nderuar me praninë e Ministres Dumoshi dhe të rinjve në Universitetin e Mitrovicës. Kemi bërë punë të përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në trajnimin e organizuar nga Agjensia Rajonale për Zhvillim në Veri të Mitrovicës.” – tha rektori.

Gjithashtu falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e këtij projekti i cili ka dhënë rezultate shumë të mira.

Heroina Sevdije Shyti Azemi, organizatorja e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë

Çfarë shteti ashtu kjo Jugosllavia që e shkatërron nji grue e pashkollë e katundare?

“Kështu do të shprehej për mediat kosovare, Sevdije Azemi. Ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989.

Në aktakuzë thuhej se ajo kishte tentuar ta shkatërronte “vëllazërim-bashkimin”.Kur mori vesh për demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe për grevën e minatorëve, ajo, një amvise, brenda natës u shndërrua në revolucionare.

“Thashë, vetmevete, po unë ç’baj këtu, pse s’dal edhe unë,” e kujtonte më pas ajo, duke rrëfyer se si enkas për protesta i kish veshur dimitë e rrobet më të reja dhe shaminë që e kish kujtim nga nëna e saj.Në hetuesi, Sevdija përjetoi shumë tortura. “Nuk më kanë dhimtë grushtat që m’i dhanë e më përgjakën, sa më dhimti zemra për shaminë e nanës që ma morën e s’ma kthyen kurrë,” rrëfente ajo për “Kosovaren” pas lirimit.

Hetuesit e shanin dhe ofendonin. Njërit hetues Sevdija do t’i thoshte: “më shan se i kam duart e lidhura se vallahi s’kishe ditë as me fol.”Ajo vuajti 11 muaj e 1 javë në burg. Kishte lënë të vetme në shtëpi shtatë fëmijë, të gjithë të mitur. Teuta, më e vogla, ishte vetëm pesë vjeçe. “Mos të ishin fëmijët nuk e kisha fort gajle burgun. Shpesh e shihsha Teutën e vogël në andërr tu thirrë – nanë, ku je,” kujtonte ajo më vonë.

Vajza më e madhe ia kishte dërguar një letër në burg: “Nanë, të presim për Bajram!” Shtatë fëmijët e pritën atë Bajram të vitit 1989 me lotë te pragu i derës dhe pa nënën e tyre.Megjithëkëtë, pas lirimit nga burgu, në një intervistë, ajo kish thënë: “Vallahi qe ku janë – të shtatit i jap për Kosovën!”Nuk e di nëse Sevdije Azemi sot jeton apo jo. Por, e di që historia e saj është një pikë loti në vajin e këtij populli, guximi i saj një pikë djerse në mundin e këtij populli dhe plagët e burgut një pikë gjaku në sakrificën e këtij populli në luftën e tij për liri.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com

Më në fund Komuna e Mitrovicës vendos emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore

Pas shumë reagimesh, në pllakën përkujtimore është vendosur emri i Elizabeta Hasanit, 5-vjeçares rome që u vra bashkë me disa shqiptarë në masakrën e tregut të Mitrovicës, në vitin 1999.  

Lajmin e bëri të ditur vetë Komuna e Mitrovicës.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, sot kanë bërë zbulimin e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani nga komuniteti rom, emri i të cilës është vendosur në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës.

Pas vendosjes së luleve të freskëta nga kryetari Bahtiri, në shenjë nderimi për viktimat e rëna në atë masakër, ai tha se mos përfshirja e vogëlushes së ndjerë Elizabeta ka ndodh pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve.

Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj deputetit Kinolli për hulumtimin e duhur të këtij rasti, dhe pas marrjes së informacioneve të sakta, komuna ka vendosur emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së tregut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht nga kriminelët serbë.

Ndërkaq deputeti Albert Kinolli, tha se ndihet i kënaqur që bashkë me kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka, kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit, duke falënderuar për kontributin dhe angazhimin e dhënë nga ana e drejtuesve të Komunës së Mitrovicës.

“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasin herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ndër të tjerash deputeti Kinolli. / KultPlus.com

Festivali “Green Fest” gati për edicionin jubilar, këtë vit do të trajtojë çështjen e pabarazisë

Green Festival ka filluar aktivitetet për edicionin e 10-të. Ky festival multidisiplinar që përmban programe edukative, si dhe programin kulturor, ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për çështjet mjedisore.

Në këtë vit jubilar, përpos ndryshimit në koncept, festivali ka ndryshuar paraqitjen vizuale dhe formën e organizimit dhe transmetimit të programit. Për herë të parë, si rezultat i gjendjes pandemike, gjithçka do të zhvillohet online dhe në formë dixhitale.

Nën slloganin “The past. The present. The Change”, Green Fest sivjet trajton pabarazinë në nivele të ndryshme. Me rrënjët në të kaluarën, ndikimin në të tashmen dhe rrezikun që mund t`ia shkaktojë së ardhmes, pabarazinë e hasim çdokund, në shkollë, në shoqëri, në qytet e përditshmëri.

Festivali, këtë vit do të trajtojë çështjen e pabarazisë me anë të punëtorive, diskutimeve, aktiviteteve të ndryshme rekreative të cilat në bazë kanë përpjekjen për zvogëlimin e pabarazisë.

Aktivitetet kryesore të festivalit, zënë vend në javën e dytë të shtatorit, nga data 7 deri 13 shtator, me ç ’rast i gjithë materiali do të jetë në dispozicion në rrjetet sociale dhe nën mbulueshmëri të mediave kryesore vendore.

7 Arte, organizator i festivalit Green, me ndihmën e donatorëve, sponzorëve dhe vullnetarëve, ka arritur që edhe në një situatë të jashtëzakonshme, të ruaj traditën dhe frymën e festivalit dhe të gjithë programin e planifikuar ta përshtat me gjendjen aktuale.

Nuk do të mungoj as muzika!

Green Fest 10 është mbështetur financiarisht nga: Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë- SDC, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe sponzori kryesor : Raiffeisen Bank Kosovo. / KultPlus.com

Elizabeta, romja pesë vjeçare që nuk përfshihet në pllakën përkujtimore në Mitrovicë

Sot shënohen 75 vjet nga ngjarja e tmerrshme e Holokaustit ndaj Romëve në Luftën e Dytë Botërore, ku më shumë se 500.000 sinti e rom u vranë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, shkruan KultPlus.

Sot, në këtë ditë që shënon një ngjarje makabër, Shkëlzen Gashi ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku tregon historinë e Elizabeta Hasani, romes pesë vjeçare e cila u vra në masakrën e Tregut të Gjelbërt në Mitrovicë më 13 mars të vitit 1999.

Gashi tregoi se emri i Elizabetës nuk figuron në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, aty figurojnë vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve të vrarë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Gashit.

”PSE JO EDHE ROMJA PESËVJEÇARE ELIZABETA HASANI?

Më 13 mars 1999 në masakrën në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë janë vrarë SHTATË qytetarë dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Sipas të dhënave të FDH-së janë vrarë: Rrahim Peci (1934), Ahmet Strana (1941), Abaz Mecinaj (1944), Ragip Bajrami (1946), Sevdije Selani (1949), Valdete Strana (1977) dhe ELIZABETA HASANI (1994). Edhe fotografia e fotografit Tylor Hicks e dëshmon se në Tregun e Gjelbërt është vrarë edhe një fëmijë pesë vjeçar.

Ky fëmijë është ELIZABETA HASANI. Çikë. Pesë vjeçe. Rome. E bija e Isës dhe e Nadës. Por, në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, figurojnë vetëm emrat e GJASHTË shqiptarëve të vrarë. Nuk figuron romja pesëvjeçare ELIZABETA HASANI. Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur prezentohet kjo masakër, figurojnë vetëm GJASHTË shqiptarët e vrarë.

Respekt për të gjitha viktimat e luftës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, racore, gjuhësore, gjinore, fetare, regjionale, politike…” / KultPlus.com

Reagon rrjeti i organizatave kulturore në Mitrovicë pas rrënimit të shtëpisë së Arsim Leniqit

Rrjeti i organizatave të Kulturës në Mitrovicë, ka reaguar pas rrënimit të shtëpisë së Arsim Leniqit e cila ishte e mbrojtur me ligj. Tutje, në reagimin e tyre thuhet se edhe shtëpia e Xhafer Devës është lënë në harresë, shkruan KultPlus.

Reagimi i plotë:

Në emër të organizatave të skenës së pavarur kulturore në Mitrovicë, shprehim indinjatën e thellë që institucionet relevante si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, nuk po arrijnë të mbrojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të cilat vet i kanë shpallur në interes publik. Për vite me radhë, në këtë qytet janë rrënuar e degraduar shtëpi e objekte me potencial për të ruajtur e promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. An-daj, rrënimi i shtëpisë së Asim Leniqit (mbrojtur me ligj, deri në vitin 2014) si dhe shtëpive tjera përreth veçse ka shtuar pakënaqësinë në mesin e qytetarëve e organizatave të shoqërisë civile të Mitrovicës, dhe jo vetëm.

Jo larg kësaj hapësire gjendet edhe shtëpia e lënë në harresë, ajo e Xhafer Devës (e mbrojtur me ligj) e cila do të ndikohet nga plani i ri për ndërtimin e objekteve të reja e të larta. Vlen të kujtojmë se sipas ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit” e që në këtë rast këto rrënime dhe ndërtimet e ndërtesave të reja do të ndikonin drejtpërdrejtë në dy shtëpi monumentale në atë zonë, shtëpinë e Xhafer Devës, si dhe shtëpinë e Agim Hajrizit. Madje për këtë të fundit, RROK Mitrovicë i propozon Komunës së Mitrovicës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, si dhe Qendres për Mbrotjen e Trashëgimisë Kulturore – dega Mitrovicë që objektin, shtëpi banimi e atdhetarit Agim Hajrizi ta fusin në listën e objekteve nën mbrojtje shtetërore, si dhe të investojnë sa më parë për shndërrimin e saj në shtëpi-muze. Nuk mund të flasim për standarde evropiane nëse shkatrrojmë të kaluarën e trashëgiminë tonë. /KultPlus.com

“Vajzat e Mitrovicës” protestojnë kundër rritjes së rasteve të dhunës seksuale

“Vajzat e Mitrovicës” kanë organizuar një protestë paqësore pas rritjes së numrit të rasteve të dhunimeve seksuale në këtë qytet.

Kësaj proteste i është bashkuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri.

Rastet e tilla janë shpeshtuar javëve të fundit, duke ngjallur frikë në rrugë.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona lidhur me këto ngjarje, por duke mbetur akoma shqetësim i madh për qytetin e Mitrovicës.

“Je më e bukura në këtë botë, për ty sonte e çoj këtë gotë” (VIDEO)

Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.

“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.

Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin baterist, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.

Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…

KultPlus, jua sjell këngën “200 ditë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com

“Moj e mira te pojata, hije të paskan flokët e gjata” (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.
Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjellë këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Moj e mira te pojata

Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka
Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë… /KultPlus.com

Murale e filma për nënën natyrë në kuadër të Green Festivalit

Në Mitrovicë janë duke vazhduar aktivitetet kulturore e sociale në kuadër të festivalit Green.

Nën udhëheqjen e artistes Rienke Enghardt nga organizata Hope Box – Amsterdam, në hapësirat e 7Arte u organizua dialogu artistik për problemet mjedisore që kërcënojnë vendin si dhe gjithë globin.

Të rinjtë shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me çështjet mjedisore, me ç’rast u ngritën çështje të ndryshme si dhe u dhanë ide të ndryshme kreative se si t’i përçojnë këto çështje në forma më kreative që do përdoren si,fluturake ereje dhe si dekore për skenën.

Mimoza Istrefi, fasilitatore e takimit para të pranishmëve shtroi çështjet mjedisore që e kërcënojnë Kosovën dhe qytetin e Mitrovicës, duke filluar nga prania e lartë e dioksidi i karbonit nga shfrytëzimi i thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike. Në anën tjetër në qytetin e Mitrovicës, ka probleme si deponia e mbeturinave në Gërmovë të Koshtovës dhe niveli i lartë i plumbit në ajër si rezultat i mbetjeve industriale.

Artistja Fio Silva punoi një mural, enkas për nënën natyrë, duke e shenjëzuar Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”. Nata e sotme po ashtu u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija” realizuar nga Gazmend Bajri. / KultPlus.com

Banorë të Sylanit të Mitrovicës protestojnë kundër ndërtimit të xhamisë, duan shkollë dhe ambulancë

Banorët e lagjes Sylani të Mitrovicës sot kanë protestuar para komunës kundër ndërtimit të një xhamie në lagjen e tyre.

Këta protestues kanë thënë se po kërkojnë revokim të menjëhershëm të lejes së ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, deri në arritjen e një marrëveshjes në mes palëve.

Disa nga organizatorët e kësaj proteste u takuan me nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka dhe me pas të gjitha kërkesat e tyre i ndan me media përmes një shkrese, përcjell ksp.

Në këtë letër thuhet se banorët, nga komuna e Mitrovicës po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje për ndërtim të një ambulance dhe shkolle për nivelin e ulët arsimor.

Kjo protestë ka ardhur pasi që të premten banorët kanë parë që investitorët kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.

Sipas banorëve kanë ardhur disa individë dhe i kanë kërcënuar duke u thënë se askush nuk guxon tua ndërpres punimet.

Po këta banorë ndërtimin e xhamisë në lagjen Sylani e kanë kundërshtuar me peticion para dy viteve, dhe po në qershor të vitit 2017 kishin marr shkresën zyrtare nga Drejtoria e Urbanizimit në Mitrovicë se asnjë punë nuk do zhvillohet në atë zonë pa ujdi mes palëve.

Sipas banorëve aprovimin për ndërtim të kësaj xhamie e ka dhënë hoxha Gazmend Mehmeti, për të cilin kanë kërkuar që ti revokohet aprovimi nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Filloi zbatimi i projektit “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”

Projekti synon të zhvillojë një analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për draftimin e Planit Komunal për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.


Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” do të mundësoj përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në Mitrovicë të jenë pjesë e proceseve politikë-bërëse, dhe në të njëjtën kohë do të promovojë transparencën e institucioneve lokale me fokus në kulturë.

Të dhënat e dala nga projekti do të publikohen dhe do të dërgohen tek Komuna e Mitrovicës (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Integrimeve Evropiane) dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.


Projekti në fjalë do të kontribuojë në arritjen e objektives së katër (4) të Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm 2018 – 2022 në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht me njërin nga hapat e veprimit “4.2. Promovimi i diversitetit kulturor, respektimi dhe mbrojtja e shprehjes kulturore dhe trashëgimisë kulturore”. Gjithashtu ky projekt i kontribuon arritjes së Objektives 11 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme; Targeti: Forcimi i përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore.

Organizata 7Arte i mirëpret të gjitha informatat dhe rekomandimet e juaja. Andaj në rast të dëshirës për të qenë pjesë e këtij procesi, mos hezitoni të na kontaktoni.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens dhe FES./ KultPlus.com

Thyhet zyra informative e Qendrës Kulturore të BE-së në veri

Persona të panjohur kanë thyer derën e zyrës informative të Qendrës Kulturore të BE-së.

Rasti është lajmëruar nga ankuesja dje rreth orës 02:45 në rr. “Kral Petri” në Mitrovicën Veriore.

Sipas ankueses, nga zyra nuk është vjedhur asgjë.

Rasti po trajtohet si asgjësim apo dëmtim i pronës./ KultPlus.com

Pamje nga shfaqja ‘Hamalli’ me regji të Adem Mikullovcit, e shfaqur në vitin 1964 në Mitrovicë

“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.

KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.

Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Hapet ekspozita artistike “Imagjinatë pafund”

Sot në Mitrovicë, Galerinë e artit “Kosovo Art Exchange” u hap ekspozita artistike “Imagjinatë pafund”.

Kjo ekspozitë është organizuar nga organizata 7Arte dhe KAE në kuadër të Green Fest 8 dhe ka pasur për qëllim promovimin e artistëve të rinj duke u dhënë mundësinë që të përdorim mbeturina e mjete të papërdorshme për të dhënë mesazhe ndërgjegjësuese mbi gjendjen mjedisore në nivel vendi.

Në mesin e artistëve spikati artisti i ri Rilind Sadiku i cili tërhoqi paralele në mes të mbeturinave që hidhen vend e pa vend dhe farës që mbillet për të vjelë frute, e në këtë rast ajo “farë” nxitë mundësinë që në një ardhme të afërt të mbledhë e krijoj një ”pemë” me mbeturina.

Në anën tjetër, duke parë se qytetarët mendojnë se ia vlen të hidhet mbeturina, ngase shpresojnë se ndokush do ta mbledhë atë, e në fund të fundit shihet se ajo do të ndodhte nëse vet mbeturina e mbledhë vetveten, përndryshe ajo mbetet aty. Në ekspozitë poashtu kanë marrë pjesë edhe artistë të rinj që me punën e tyre kreative kanë ndarë mesazhe të ndryshme mbi kauzat mjedisore.

Ekspozita “Imagjinatë pafund” do të jetë e hapur deri në fund të muajit Gusht dhe se është organizuar në baza vullnetare nga organizatorët. /KultPlus.com

Kontenjerët që shëmtojnë objektin e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë

Shkruan: Gazmend Badivuku

Janë shumë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve në qytetet kosovare, duke fillu nga lokacioni, infrastruktura, parkingu, energjia, deri te ambienti dhe pastërtia.

Të gjitha këto kushte paraqesin riskun dhe brengat e bizneseve që janë aktive në veprimtari si dhe projekteve të reja që do nisin në të ardhmën. Fatkeqësisht edhe bizneset në qytetin e minatorëve, Mitrovicë, ballafaqohen me probleme të ngjajshme si qytetet tjera kosovare.

Ka kohë që në qendër të Mitrovicës pranë Hamamit të qytetit, i cili daton nga viti i largët 1860 dhe gëzon statusin ‘Objekt i Trashëgimisë së Kulturës’ dhe është nën mbrojtjen e institucionieve përkatëse janë të vendosur ca kontejnerët për mbeturina. Këto kontejnerë e shëmtojnë këtë ambient ku gjendet ndërtesa e hamamit që është i vetmi i këti lloji në qytet.

Kjo godinë aktualisht bën pjesë në top atrakcionin turistik për qytetarët mitrovicas si dhe vizitorëve të ndryshëm dhe mërgimtarëve që këto ditë vere i kalojnë në qytetin e tyre. Me fillimin e pushimeve verore ky vend është një nga më të frekuentuarit por për fat të keq kundërmimi nga kontejnerët, mbeturinat dhe qent’ endacak janë bërë kërcënim serioz për shetitorët dhe bizneset që veprojnë afër. I mbetet kompetentëve që objektet që kosiderohen ‘Trashëgimi’ të mirëmbahen dhe dëshmojmë qytetari dhe kulturë, këtë e meritojnë qytetarët dhe Mitrovica.

Grafite me portretin e Oliver Ivanoviqit në Prishtinë e Mitrovicë

Me rastin e tremujorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit sot në dy qytete të Kosovës dhe në tri qytete të Serbisë kanë gdhirë grafite me portretin e tij dhe me mbishkrimin Oliver.

Grafitet në Kosovë janë vërejtur në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa në Serbi në Nish, Krushevc dhe Kralevë, përcjell n1. Garfite janë vendosur në mure, trotuare dhe institucion,transmeton Koha.net

Iniciativa Qytetare SDP ka përkujtuar se anë kaluar tre muaj nga vrasja e tij liderit ë saj dhe se hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Kjo iniciativë nesër do të fillojë aksionin që zona për këmbësorë në rrugën Sutjeska, ku është vrarë ai, në të cilën është vrarë Ivanoviq, të marrë emrin e tij./ KultPlus.com

Shënohet dita e të pagjeturve në Mitrovicë

Sot shënohet Dita e të pagjeturve në Mitrovicë.

Aktivitetet janë organizuar nga Komuna e Mitrovicës në koordinim me Shoqatën “Zëri i Prindërve”.

Ceremonia fillon në ora 12:00 tek Shtëpia Muze në Lagjen e Boshnjakëve, me vendosjen e luleve.

Kurse në ora 13:00, bëhen homazhe dhe vendosen kurora lulesh në varrezat e martirëve në Shipol./ KultPlus.com

Qeveria duhet ta hartojë një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore

Grupe të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civile, gjatë muajve të fundit, në disa qytete të Kosovës kanë dhënë dëshmi konkrete të aktivizmit në mbrojtjen e qyteteve përkatësisht trashëgimisë kulturore të tyre, të cilat reagime kanë nxitur autoritetet shtetërore që të ndërmarrin veprime korrigjuese lidhur me këto raste.

Në Vushtrri, pas reagimit të aktivistëve lokalë, Ministria e Kulturës ka anuluar një kontratë të dyshimtë, të nënshkruar në mënyrë jotransparente me një kompani private për menaxhimin e Kalasë së Qytetit.

Në një rast të ngjashëm, pak ditë para këtij rasti, organizatat e kulturës në Pejë kanë qenë shumë të zëshme duke ndikuar në kthimin e kalldrëmit në një pjesë të sheshit të qytetit, përkundër faktit se autoritetet qendrore dhe lokale ishin treguar neglizhente ndaj gjetjes së gurëve gjatë kryerjes së punimeve.

Në Prizren, aktivistët e trashëgimisë kulturore përfundimisht kanë ndikuar në arritjen e marrëveshjes mes autoriteteve lokale e qendrore, shoqërisë civile dhe donatorëve ndërkombëtarë për revitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit, ku vitin e kaluar si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër kishte humbur jetën një tre vjeçare.

Ndërsa në Mitrovicë, aktivistët e shoqërisë civile dhe grupe të qytetarëve ka kohë që janë mobilizuar në mbrojtje të shtëpisë së Xhafer Devës dhe shtëpisë së ish-Armatës, ndërsa në të dyja rastet autoritetet e shtetit kanë treguar gatishmëri dhe priten veprime të shpejta në drejtim të mbrojtjes së këtyre objekteve.

Janë edhe disa raste, përfshi riaktivizimin e komponentit të ndërhyrjeve emergjente në monumentet në rrezik, miratimi i Strategjisë Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore (dhe aktivizimi i skemës së granteve të vogla), Muzeu i Historisë së Natyrës, ndër të tjerash, që kanë krijuar një klimë pozitive të qasjes së autoriteteve të shtetit ndaj trashëgimisë kulturore.

Një nga sfidat e rëndësishme mbetet prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e Kosovës, që paraqet një masë të pashmangshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Kësisoj me regjistrimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore do të sigurohej edhe baza për vlerësimin e tyre nëse gëzojnë mbrojtje ligjore. Për më shumë do të ishte ndihmesë për evitimin e rasteve të rrënimit të shtëpive të vjetra dhe objekteve tjera publike, sikur shembulli në Pejë, kur me autorizim të autoriteteve lokale është rrënuar objekti i vjetër i shkollës së parë të mesme të arteve aplikative në Kosovë.

Në rastet e lartpërmendura, aktivizmi qytetar, që në disa qytete është veprim konsistent i viteve të fundit, ka arritur të aktivizojë edhe mekanizmat e shtetit që e kanë në mandat mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

Organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe, konsideron se këto janë shkëndijat e para të shpresës për qasje serioze të shtetit në raport me trashëgiminë kulturore. Megjithatë, për shkak të degradimit sistematik, trajtimi i pasojave është ndërmarrje që kërkon angazhim shumë të madh dhe afatgjatë nga autoritetet e shtetit, thuhet në komunikatë.

Duke u thirrur në disa raste pozitive të reagimit të autoriteteve gjatë këtij viti, EC beson në mundësinë për të vendosur trashëgiminë lart në prioritetet e shtetit. Për këtë arsye, i bën thirrje autoriteteve të shtetit, në radhë të parë Qeverisë së Kosovës, që të hartojë urgjentisht një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore, e cila do të nxiste mobilizim të të gjitha kapaciteteve shtetërore dhe shoqërore.

Pjesë e kësaj agjende shtetërore për trashëgiminë kulturore duhet të jenë së paku këto veprime ose prioritete:

-Hartimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të shtetit;
-Funksionalizimi i plotë i mbrojtjes së përhershme ligjore të aseteve të trashëgimisë kulturore, ashtu që t’i jepet fund praktikës së mbrojtjes së përkohshme;
– Qeveria përkatësisht MKRS-ja duhet të jetë shumë më e koordinuar me autoritetet e nivelit lokal (komunat) rreth mbrojtjes, menaxhimit dhe promovimit të aseteve të trashëgimisë kulturore;
– MKRS të krijojë mekanizma konsultativ me shoqërinë civile në fushën e trashëgimisë kulturore;
– MKRS të fillojë një dialog të hapur dhe konstruktiv me pronarët privat të aseteve të trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të përkohshme në mënyrë që të mbrohet trashëgimia kulturore dhe të përkrahen pronarët në fjalë;
-Prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore;
-Zbatimi i plotë i ligjit për rastet e veprës penale ‘dëmtim i monumenteve’ (përfshirë këtu edhe rolin më aktiv të organeve të drejtësisë, të cilat duhet të rrisin nivelin e përgjegjësisë në këtë drejtim);
-Angazhim për një aplikim të denjë për anëtarësim në UNESCO dhe me transparencë për procesin;
-Restaurimi i pjesës së mbetur të kishave ortodokse të dëmtuara në vitin 2004;
-Miratimi dhe zbatimi i planit të menaxhimit të lokalitetit arkeologjik ‘Ulpiana’;
-Trajtimi profesional dhe me prioritet i lokaliteteve arkeologjike të zbuluara rishtazi dhe
-Miratimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për Qendrat Historike të Kosovës.

Projekti “Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren” synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor. Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike në raport me urbanizmin, lejet e ndërtimit, planifikimin zhvillimor dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com