Sulmi

Poem kosovar – kënga e tretë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Ta shemba shkjah kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s’ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik – lugat,
armik -xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba.
Ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite:
t’i shemba!
Tani!
Tani!
Atje ku ti
o Mal i Zi
ngrite kufi
që ndanin,
e çanin
vëllazëri:
Hej!
Sot,
shkon
e valon,
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjyrma t’u çduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
–derë burgu–
dhe është tani
si ish!
–si do të jetë–
përjetë:
Lëndinë!

Durimi

Poem kosovar-kënga e dytë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulëbardhë e kryelidhë,
kryelidhë me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtërmadh
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s’ka njeri
për Drejtësi
e për Liri
si gjithë asimët
e gjithë qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogëli.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që e desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
deri në shtëpi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot:
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut…
Po s’desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot –
vend boll…
Po malli i tokës s’më la,
po malli i fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim…
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s’më la.
Ah, malli i gjakut s’më la
e mbeta këtu,
rajá.
ndënë raja
të ha një bukë – zehër
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres, po të pres!
Një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
E net për net, e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjah:
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Drita!
Tani
Tani,
Liri!

Qëndrimi

Poem kosovar-kënga e parë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.

Mitrush Kuteli, një shkollë e përhershme kundër batakçinjve

Shkruan Ndue Ukaj

Sot është ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe, Mitrush Kutelit, të cilin duhet ta kujtojmë dhe nderojmë me pietet e admirim të thellë.

Sepse, një popull që di t’i vlerësojë heronjtë e vetë të kulturës, atë vështirë e mbërthen plogështia, nuk bëhet preh e gjithfarë ideologjish e të vërtetash të shpifura politike, nuk ndjek udhën e batakçinjve, por të heronjve të vërtetë të dijes e të kulturës. Veprat e mëdha, siç është ajo e Mitrush Kutelit, janë pasuri kombëtare dhe ndihmojnë shëndetin e shoqërisë.

Pa dyshim, një popull që di t’i nderojë heronjtë e vërtetë të kulturës, ai qëndron stoik përballë të këqijave që e godasin dhe ka imunitet të mbrohet nga murtaja e gjuhës. Ai nuk lejon që para syve të tij të krijohen profetë të rremë, ashtu siç ngjet me ne.
Mitrush Kuteli është nga ata personalitete që kanë merita të jashtëzakonshme në formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare e kulturore.

Jeta dhe vepra e tij, janë një rrëfim që prek deri në palcë ndërgjegjen e njeriut.
Në momentet dridhmuese të jetës së tij, në testament drejtuar gruas Efterpit, ai shkroi: “Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.”

Pas kaq vitesh, ky profetizim i tij tingëllon tmerrues. Sepse letërsia shqipe vazhdon të jetë po kjo që na e përshkruan Kuteli.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i rrëfimit, e gjeti rrugën e madhe të letërsisë dhe i dha kulturës shqiptare një vepër të pasur për jetë e mote. Një monument dije e arti, një vepër që na bën nder dhe na lartëson. Po, ai la një vepër që nuk mund ta trandin kohët, politikat e ideologjitë, sepse ajo ka fituar pakohësinë.
Kuteli, si pakkush, tregoi një dashuri krejtësisht të veçantë për atdheun. Testamenti i tij për fëmijët e tij është testament për secilin shqiptar që e do vendin e vet. Ai i porosit fëmijët që “ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”

Kuteli shkroi në mënyrë të veçantë edhe për Kosovën, për të cilën tregoi një dashuri të pashoq poetike.
E Kosova është e mbushur me gjithfarë përmendoresh e monumentesh, me vlerë e pa vlerë, me heronj të gjithfarshëm, por jo me heronj të kulturës. Kosova deri sot nuk i bëri një vend këtij kolosi, ashtu siç nuk u bëri vend dy personaliteteve shumë meritore, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Duke e nderuar dhe lartësuar Kutelin, ne e nderojmë dhe lartësojmë vetveten./ KultPlus.com

Jam Shkëputur

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.

Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.

Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…

Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.

Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.

…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!

Sot shënohet 110-të vjetori i lindjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli

Përkujtojmë sot 110-vjetorin e lindjes së mendimtarit dhe publicistit, shkrimtarit dhe përkthyesit, ekonomistit dhe atdhetarit, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), personalitet në historinë e letërsisë shqiptare, shkrimtar i klasit të parë, që e tejkaloi vdekjen dhe vazhdon të jetojë me veprën e tij, edhe pas ikjes fizike, në të gjithë trojet shqiptare, përcjell KultPlus.

Autori i “Hanet e karvanet”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “I pasuri që ish i varfër fort”, “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea”, “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe bankieri i talentuar, jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare ne magjinë e liqenit të Pogradecit. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Nga viti 1924 ne Selanik kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit.

Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin. Dhimitër Pasko u punësua në Bankën e Shtetit Shqiptar, si këshilltar në fushën e monedhës dhe më 16 maj 1947, pas 7 muaj hetuesi u dënua për agjitacion e propagandë me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që i humbet gjatë kësaj kohe vepra që kishte në shtyp përmbledhja me tregime “Dashuria e barbarit Artan”, “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”, një roman për burgun e Prishtinës, drama “Ura”, “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur” dhe “Shënime ekonomike”.

Pas daljes nga burgu, strehë Kuteli pati përkthimin.

Një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezi të Elyarit dhe Nerudës …Vitet që do të vijnë Kuteli i kthehet letërsisë deri më 4 maj 1967 kur ndahet nga jeta. Trashegimia letrare e Kutelit është e gjerë, e pasur dhe e fuqishme. Në të gjejmë, po të shprehemi me fjalët e autorit, “botën e vogël shqiptare, që pasqyron botën e madhe”. Është toka dhe qielli ynë, janë malet dhe fushat tona, ndrisin ditët dhe netët shqiptare, janë zërat e ngjyrat e tyre. Në këtë botë jeton e mbijeton njeriu shqiptar, të cilin shkrimtari e ka dhënë përmes rrëfimeve të tij me fizionomi e reliev të qartë shpirtëror e fizik.

Mitrush Kuteli dekorohet (Pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com

Krijimi i parë i Mitrush Kutelit në moshën 12 vjeçare (FOTO)

Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari ka postuar në rrjetet sociale disa foto që tregojnë krijimin e parë të Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare.

Ai shkruan se sprova e parë e adoleshentit Kuteli ishte një vjershë naive e asaj moshe, dedikuar Skënderbeut.

Ky krijim i tij është botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit në vitin 1919.
Mitrush Kulteli 12-vjeçar

“I pari krijim i adoleshentit Dhimitër (Pandi) Pasko, më vonë Mitrush Kuteli, i botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit më 1919, pra kur shkrimtari i ardhshëm ishte vetëm 12 vjeç, ndonëse mund ta ketë shtuar një vit moshën që t’ia botonin “veprën”. Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut. Botuesit e kalendarit i kanë shtuar edhe një shënim interesant për prejardhjen e tij tok me urimin: “Rroftë filizi i ri e vaftë gjer në veshët e Perëndisë!” Urim profetik në atë moment sot historik”, shkruan Plasari. / KultPlus.com