Kasetat e vjetra të kaltëra i kujtojnë plot gjenerata në Kosovë.
Para viteve 2000, në një tjetër kohë të teknologjisë, në këto kaseta vendosej materiali për tu dëgjuar. Radiot e shqiptarëve në Kosovë e kanë pasur vendin e posaçëm për kaseta.
Sidomos në këto kaseta dëgjohej me të madhe Mixha Ramë.
Humoristi fantastik Fitim Domi, i njohur në popullatën e gjerë si Mixha Ramë, në këto kaseta shkrinte humorin e tij metaforik dhe thumbimet ndaj realitetit.
Mixha Ramë një kohë të gjatë ka punuar si redaktor përgjegjës i programit humoristik në ish Radio Prishtinë ndërsa kohëve të fundit ishte angazhuar si redaktor në programin kulturo arsimor në Radio Kosovë.
Gjeneratat e ndryshme në Kosovë janë rritur me kasetat e kaltërta dhe me zërin e Domit, sikur ta kishim brenda në dhomë, duke qeshur me ngacmimet e tij dhe deklaratat e mira të satirës e humorit.
Mixha Ramë personazhin e tij e nisi me emrin Mixha Ramadan, më pas Mixha Rrahman dhe përfundoi në Mixha Ramë. I vetmi Mixha Ramë kaq i madh për shqiptarët.
Fitim Domi ka lindur më 1939 në Tiranë, ndërsa ka luajtur në disa emisione humoristike në Kosovë, përfshirë edhe atë “Qesh e Ngjesh”.
Ai ka marrë pjesë në qindra programe festive gjithandej botës, ndërsa një kohë ka jetuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Domi është dalluar edhe si këngëtar i muzikës së lehtë qytetare. Nuk është asnjëherë vonë dhe kohë e pakohë të kujtohet një njeri dhe artist si Fitim Domi – Mixha Ramë. / KultPlus.com