Reagime të shumta për testin e gjuhën angleze në Indi, ja ç’thuhet për gratë

Një bord i testimit në Indi ka tërhequr një fragment nga testi kombëtar i gjuhës angleze, që duket se e promovonte nënshtrimin e gruas pas reagimeve dhe akuzave për mizogjini.

Të gjithë nxënësit morën nota të plota për pjesën e të kuptuarit të leximit në test në fragmentin që duket se në mënyrë eksplicite thoshte se pavarësia e grave është duke i minuar disiplinën dhe rritja e fëmijëve në shtëpi.

Fragmenti në test përmbante shprehje si “emancipimi i gruas e shkatërroi autoritetin e prindit mbi fëmijët” dhe “me heqjen e burrit nga piedestali, gruaja dhe nëna e privuan veten, në të vërtetë, nga mjetet e disiplinës”, shkruan The Guardian.

Pasi nxënësit, mësuesit dhe prindërit u ankuan, Sonia Gandhi, kryetare e partisë Kongresi në opozitë, kërkoi vëmendje për këtë test. Në një ndërhyrje të rrallë publike, ajo i lexoi fragmentet me zë në kuvend të hënën dhe e shprehu neverinë  e saj për ndikimin që ky tekst mund të ketë te fëmijët e Indisë.

Pas reagimeve, Bordi Qendror i Shkollimit të Mesëm të Ulët tha se do ta tërheqë fragmentin. “Çështja i është dërguar një komisioni të ekspertëve të lëndëve. Sa për rekomandimet, është vendosur që të hiqet fragmenti”, thuhet në deklaratën e bordit.

Ndonëse numri i vajzave që shkollohen në Indi po vazhdon të rritet, shkalla e aftësisë për shkrim e lexim te vajzat e moshës 15-vjeçare është ende dukshëm më e vogël se te djemtë 59.3 me 78.8 për qind. / KultPlus.com