Ekspozita ‘Ky është një titull i fuqishëm’ sjellë veprat e artisteve Mjellma Goranci & Shqipe Kamberi si reflektim mbi fuqinë e artit kundër dhunës gjinore

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për hapjen e ekspozitës në kuadër të fushatës ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, “Ky është një titull i fuqishëm”, shkruan KultPlus.

Ekspozita paraqet veprat e artisteve të njohura Mjellma Goranci Firzi dhe Shqipe Kamberi, së bashku me një performancë nga Agnesë Nokshiqi dhe kori Zanat.

Kjo ngjarje është kuruar nga Vullnet Jakupi dhe do të organizohet në ambientet madhështore të Hamamit të Madh të Prishtinës.

“Kjo ekspozitë sjellë një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të artit në luftën kundër dhunës gjinore.

Ambienti Historik i Hamamit përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar  në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës.

Ngjarja mbahet më 4 dhjetor, në ora19:00. /KultPlus.com

Studio e Baletit ‘Mjellma’ shënon përvjetorin jubilar të themelimit, për 20 vjetor sjell program të pasur artistik

Vjollca Duraku

Vallëzim, këngë, gëzim dhe lot u dhuruan mbrëmë në programin artistik, me të cilin studio e baletit “Mjellma” ka shënuar përvjetorin jubilar të themelimit të kësaj shkolle, pjesë e së cilës ndër vite qenë mijëra fëmijë, shkruan KultPlus.

E themeluar në vitin 2003, kjo studio është ndër të parat në Kosovë, e cila përpos vallëzimit fëmijëve u ka dhuruar shumë dashuri dhe ngohtësi për plot 20 vite me radhë.

Sabrije Spahiu themeluese e studios Mjellma, me emocione të përziera iu drejtua publikut në hapje të programit të këndshëm, të cilin e dhuruan grupmosha të ndryshme të balerinave.

Drejtoresha Spahiu tha se kjo studio mbi të gjitha ka dhuruar art, kulturë e qytetërim, i cili më pas ka ndikuar edhe në sukseset e mëtejshme të atyre fëmijëve të cilët kanë qenë pjesë e saj.

“Kur e kam themeluar nuk, kam besuar që do t’i bëj 20 vjet me ju, por ky sukses i cili më mban në skenë që 20 vite me këta fëmijë, është meritë e juaja. Ky është një investim i juaj, shumë i mirë për të ardhmen, sepse fëmijët hyjnë në botën e kulturës”.

Drejtoresha Spahiu më tutje, me lot në sy rrëfeu pak nga fillet e punës së saj, ku tha se shumica e fëmijëve të regjistruar në atë kohë, kishin lindur si refugjatë, madje disa edhe nëpër male, përderisa mbi tre mijë bashkëmoshatarë të tyre ishin vrarë në luftë.

“Gjatë këtyre 20 viteve kam shumë përjetime, dhe ndoshta një ditë do të botoj një libër. Ishte një emocion, edhe tani po emocionohem kur flas. Kur mbaja shënimet e tyre, shumica e fëmijëve kishin lindur si refugjatë, disa edhe nëpër male. Shpesh fshihesha nëpër qoshe dhe qaja prej gëzimit por edhe prej mallit, për fëmijët sikur engjëj që ishin  gjallë, dhe për ata mbi 3 mijë fëmijë nuk ishin më aty”, tha drejtoresha duke bërë thirrje Qeverisë për të inauguruar një monument i cili do t’i përkujtonte këto krijesa të pafajshme.

Më pas radha erdhi te pjesa  e rezervuar për programin artistik, ku si mjellmat në liqen hynë në skenë balerinat me një pikë interpretuese, kushtuar festës së 28 Nëntorit.

Koreografitë “Ringjallje” dhe “Thirrje për paqe”, si dhe këngët për gjyshen, për dallëndyshen dhe lulet u paraqitën në këtë mbrëmje plot me elegancë dhe ëmbëlsi.

Balerinat e grupit më të rritur,  që me shumë lehtësi mbanin peshën e trupit të tyre në gishtrinjtë e këmbëve, dhuronin art me lëvizje skenike, përderisa ato më të voglat krijonin një aurë të magjishme me duart e tyre të vogla, duke hipnotizuar publikun.

“Mora Fjalë” ishte pika e fundit interpretuese, e cila u dha në nderim të 28 Nëntorit.

Pas programit, shumë lule, përqafime dhe lot u dhuruan kur, ish nxënëset e mësueses Spahiu hynë në skenë duke  e përqafuar mësuesen dhe duke kujtuar me mallëngjim kohën kur ishin balerina të vogla.

Pak më vonë, drejtoresha Spahiu në një prononcim për KultPlus tha se ndihej e emocionuar njëjtë si në ditën e parë, kur kishte filluar punën.

“Vërtetë është një kënaqësi që arrita t’i mbushë 20 vite në skenë me këta fëmjë, dhe ishte një emocion i njëjtë sikur në ditën e parë kur kemi filluar punën me këta vogëlushë. Sot në publik qenë këto vajza që at’herë ishin të vogla. Është edhe kënaqësi edhe emocion”

Ajo më tuje e shprehu brengën e saj, për mungesën i infrastrukturës për të dërguar në tjera nivele punën e saj dhe të balerinave.

“Është e dhimbshme sepse përmes nesh për 20 vite, kanë kaluar me mijëra fëmijë përmes nesh, dhe prej të gjithë këtyre vetëm 2 apo tre veta merren me profesion të artit, kjo për shkak se perspektiva e artit te ne në Kosovë është shumë e larg” përfundoi Spahiu.

Ndërsa, nëna e njërës nga balerinat më jetë gjatë sa i përket qëndrimit në këtë studio, tha se e çmonte shumë punën e pedagoges.

“Sonte ndihem e privilegjuar për faktin se vajza ime ushtron balet për 16 vite, qysh prej moshës 4 vjeçare. Me mësuesen Sabrije jemi shumë të kënaqur, pasi me angazhimin e saj të palodhur, e të përhershëm merr pjesë në çdo festë, duke e dëshmuar atë që sa me përkushtim punon. Prandaj edhe çdo herë ka dalë e suksesshme. Jemi shumë të kënaqur dhe në njëfarë forme të emocionuar pasi vajza jonë ka arritur moshën madhore tash dhe asnjëherë nuk i është ndarë baletit dhe mësueses Sabrije”,  përfundoi Sanije Berisha duke thënë se dërgimi i fëmijëve në studio të tilla përpos largimit nga mjeteve teknologjike, fëmijëve do t’u mundësonte që qysh në moshë të vogël, të afirmonin veten si artistë vegjël.

Ndërsa vetë Diellza Berisha, balerina e cila njihej me emrin “Barbie” tha se ndihej shumë e lumtur për suksesin e kësaj studio, pjesë e së cilës është që 16 vite, ku tashmë ushtron edhe rolin e mësueses.

“Jam shumë e emocionuar, ndihem shumë krenare për mësuesen që e ka filluar këtë aktivitet dhe sot shënoi 20- vjetorin. Ndihem shumë e e kënaqur edhe me veten time që deri  sot kam arritur të performoj, dhe të jem këtu ku jam”, tha ajo përderisa shtoi se dashuria dhe ngrohtësia e mësueses janë arsyet pse ajo ishte pjesë e kësaj qendre kaq gjatë kohë.

Krejt në fund prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit u bashkangjitën në një koktej, i cili ishte organizuar nga kjo studio, për të shënuar 20 vjetorin e themelimit./KultPlus.