Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi me titullin “Mjeshtër i madh” piktorin Helidon Haliti me motivacionin: “Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur artistike në artin figurativ, i vlerësuar si piktori “Mjeshtër i akuareleve’’ dhe si intelektual i angazhuar në edukimin e shoqërisë me vlera kulturore dhe artistike. Në vlerësim të promovimit të artit shqiptar nëpërmjet ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë”.
“Helidon Haliti është një piktor modern bashkëkohor dhe surrealist në kufijtë e realizmit magjik, siç e përcaktojnë edhe kritikët e artit, por frymëzimi tij nga temat shqiptare e bën atë më të veçantë, gjithashtu e bën vlerësimin që i jepet sot më kuptimplotë”, u shpreh Begaj në fjalën e tij.
Miq nga bota e artit dhe familjarë të mjeshtrit të madh, Haliti, ishin sot të pranishëm për të ndjekur dekorimin e tij, si dhe për të ndarë së bashku emocionet e një vlerësimi të merituar, kushtuar punës së tij si një trashëgimi e lënë për artistët e rinj.
Artisti Helidon Haliti është një ndër artistët tanë më të njohur dhe kontributi i tij është nderuar me çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar për një kontribut të madh kryesisht në 15 vitet e qëndrimit të tij në Greqi, në organizimin e ekspozitave të ndryshme si dhe prezantimin e artit dhe kulturës shqiptare në shtetin helen.
Me kthimin e tij në Shqipëri, vlen të theksohet që artisti Helidon Haliti ka një kontribut të gjerë prej 17 vitesh.
Haliti është ndër emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor shqiptar, një artist shumë i njohur me artin e tij si në Shqipëri dhe jashtë saj, pjesëmarrës në shumë bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, mbi 5 ekspozita personale, i nderuar me çmime të kalibrit të lartë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një artist mjaft i vlerësuar nga kritikë e studiues arti. Veprat e tij janë pjesë e muzeumeve dhe galerive, si dhe koleksionistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj./KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitoren e shquar, Lejla Agolli me titullin “Mjeshtër i Madh”.
“Me mirënjohje për vlerat e saj të mëdha në fushën muzikore shqiptare, të dhëna përmes krijimtarisë së vyer, me vepra të të gjitha gjinive. Në vlerësim, të promovimit të vlerave të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kontributin e veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve.”
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe kolegëve artistë të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Meta u shpreh se “është kënaqësi që jemi së bashku, për të vlerësuar kontributin e çmuar të një artisteje, me dimension të gjerë në fushën e muzikës, kompozitoren Lejla Agolli”.
Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim, me kompozitorin e shquar Tish Daija dhe ka qenë e vetmja grua krijuese, që ka shkruar muzikë instrumentale simfonike, për vite me radhë, çka i jep një vlerë të veçantë figurës së saj artistike.
“Aktiviteti i Agollit, është karakterizuar nga një krijimtari e pasur muzikore, me vepra të mëdha instrumentale e simfonike, me koncerte për piano e rapsodi, të interpretuara nga orkestrat simfonike dhe solistët më të mirë të vendit”, vijoi Meta.
Karakteri shumë dimensional i krijimtarisë muzikore të Agollit është pasuruar duke shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, violinë, koncerte për piano, rapsodi, vepra simfonike, muzikë dhome, muzikë filmi, këngë, etj, që përbëjnë një kapital të çmuar të krijimtarisë sonë muzikore.
Agolli është fituese e shumë çmimeve në festivale dhe veprat e saj janë luajtur brenda dhe jashtë vendit, duke marrë vlerësime edhe jashtë vendit. Në vitin 2000, Agolli u përzgjodh të luante në Vatikan, në prani të Papës, një eveniment që sigurisht pasuroi, jo vetëm karrierën e saj, por edhe na bëri krenarë si shqiptarë. Për 7 vite, nga viti 2003 deri në vitin 2010, Agolli ishte drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për këtë institucion, me krijimet e saj, përpunimet dhe përgatitjen e koncerteve të shumta brenda dhe jashtë. Përveç krijimtarisë, Lejla Agolli ka një kontribut të veçantë në edukimin e formimin e brezave të rinj të artistëve.
Si pedagoge e lëndës teorike e formuese të muzikës, ka punuar në vazhdimësi me përkushtim. Sot shumë nxënës të Agollit, janë artistë shumë të njohur që japin kontributin e tyre në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë, që puna kërkimore në Institutin e Kulturës Popullore, për gjatë gjithë karrierës, ka qenë baza e krijimtarisë muzikore me motive të traditës së hershme shqiptare të Agollit.
Meta the se, “me pasion, dedikim e punë të palodhur, Agolli ka treguar se muzika është një urë lidhëse mes njerëzve, një gjuhë që tejkalon kufijtë dhe që afron popujt dhe kulturat e ndryshme, sepse arti, në vetvete, është pasqyrim i shpirtit të një kombi”, teksa vuri në dukje se, “me punën e saj kompozitorja Lejla Agolli ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore”./ atsh / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e mirënjohur shqiptar, Vladimir Kotani.
Në ceremoninë e rastit, Presidenti tha se “çdo vlerësim për një figurë të shquar të artit e muzikës është shenjë e mirënjohjes sonë për punën e përkushtuar e të jashtëzakonshme në pasurimin e fondit të muzikës sonë”.
“Vladimir Kotani është një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbi 1500 këngë shqiptare të muzikës së lehtë mbajnë firmën e tij. Në memorien tonë, emri i kompozitorit të mirënjohur Vladimir Kotani është i lidhur ngushtësisht me festivalet e këngës të fund vitit në Radio Televizion, që mezi i prisnim”, tha ai.
Presidenti vlerësoi se krijimtaria e kompozitorit Kotani ka prekur të gjitha temat e kohës, por dashuria ka qenë lajtmotivi i shumë prej këngëve të tij, gjë që e ka bërë të dashur për artdashësit e të gjithë brezave.
“Krahas kompozimit, Kotani, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen, kualifikimin dhe afirmimin e talenteve të reja, këngëtarëve, muzikantëve e grupeve artistike, kudo në Shqipëri. Në rolin e tij si pedagog i Universitetit të Arteve ka formuar me dhjetëra artistë e këngëtarë të rinj, të cilët sot performojnë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, si drejtues e udhëheqës artistik i Pallatit të Madh të Kulturës, Tiranë, ka kontribuar në pasurimin e jetës kulturore e artistike të kryeqytetit dhe jo vetëm, si dhe në edukimin estetik, artistik dhe kulturor të rinisë”, tha Meta.
Presidenti theksoi se “shumë nga këngët e Kotanit janë tashmë pjesë e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, me stilin e tyre të veçantë e karakteristik dhe me motivet dhe ngjyrat e tyre kombëtare”. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta nderoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” aktorin dhe regjisorin, Vasjan Lami.Meta shprehu mirënjohjen për emocionet që Lami ka dhuruar me interpretimet e tij artistike.
“Në vlerësim të kontributeve të shquara në fushën e artit skenik, të shpalosura për dekada me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar, nëpërmjet roleve të veçanta e të suksesshme, që kanë mbetur të gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë, pata sot kënaqësinë t’i akordoj titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, aktorit dhe regjisorit të shquar, Vasjan Lami”, thekson Meta.
“Mirënjohje për emocionet e veçanta që ka dhuruar me interpretimet e paharruara artistike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqipfolëse”, shprehet Meta.
Lami ka interpretuar një sërë rolesh jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi. Ka mbledhur në arkivin e tij artistik mbi pesëdhjetë role. Ka luajtur në filma dhe pjesë teatrale, përkrah korifejve të kinemasë shqiptare si, Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Tinka Kurtit, Pjetër Gjokës apo Ndrek Lucës. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta i akordoi sot titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh”, gazetarit dhe moderatorit të njohur, Dhimitër Gjoka.
Meta vlerësoi se “folësi, gazetari, regjisori dhe moderatori i mirënjohur Dhimitër Gjoka është një personalitet dhe figurë shumë e dashur, prej dekadash e ekraneve tona”.
“Me një karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer, autor i dhjetëra skenare filmash, programesh dhe dokumentarësh, ai është referim për brezat e rinj, që synojnë suksesin në fushën e medies dhe televizionit.
I lumtur, që në praninë e shumë kolegëve të tij gazetarë, që ma propozuan me të drejtë këtë vlerësim, ta nderoja sot Dhimitër Gjokën me Titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh””, tha Meta. / KultPlus.com
Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare, mjeshtri i madh i humorit shkodran, Paulin Preka. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar pasditen e sotme në Itali, ku edhe jetonte prej disa vitesh me familjen.
Aktori i njohur, emrin e tij të vërtetë e ka Palok Prek Gjergji, por Paulin Preka nisi që të thirrej nga shoqëria, duke u bërë kështu identiteti i tij i parë, me të cilin u njoh nga të gjithë shqiptarët.
Aktori i njohur i humorit shënon me dhjetra role në estradën e Shkodrës, por rolin më të spikatur ka atë të brigadierit në filmin “Çifti i lumtur”, ku luan krah Bep Shirokës dhe Tinka Kurtit. Preka është nderuar me titullin “Artist i merituar”. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta.
Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”./KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, Shefqet Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, presidenti Meta tha se kishte kënaqësinë e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojë profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.
Profesor Shefqeti është doktor i shkencave filologjike, profesor i asociuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.
Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuar mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.
Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.
Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.
“Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar”, tha Meta.
“Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi dirigjenten e spikatur Suzana Turku me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim me motivacionin: “Në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit, vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza.”
Fjala e Presidentit:
“Është privilegj për mua, që sot në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, të vlerësoj një nga personalitetet më të shquara të kulturës, të artit dhe muzikës sonë, zonjës Suzana Turku.
Një zonjë, që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare, duke thyer tabu e stereotipe dhe duke merituar një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë.
Lidhjet e dirigjentes Turku me profesionin, dashuria e saj për punën dhe artin kanë qenë lidhje të forta shpirtërore.
Të jesh një grua dirigjente është e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara. Por zonja Turku e zgjodhi këtë profesion, duke iu përkushtuar atij me dashuri, duke besuar fort, se me punë dhe pasion arrihet gjithçka.
Në rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e artit ka punuar pa bërë kompromise me profesionin dhe duke u frymëzuar nga shembulli i zonjave të shquara, paraardhëse të saj, drejtuese të korit si Jorgjia Truja apo Rozmari Jorganxhi.
Gjatë gjithë karrierës së saj të gjatë dirigjentja Turku ka realizuar koncerte të suksesshme me muzikë të kompozitorëve më të shquar shqiptar si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi e shumë të tjerë.
Po ashtu ka bashkëpunuar me mjeshtrat e dirigjimit si Rifat Teqja, Mustafa Krantja, Ermir Krantja, etj. për të vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit vepra madhështore botërore si ‘Traviata’, ‘Rigoleto’, ‘Trovatore’, ‘Carmen’, etj.
Edhe pas viteve ’90-të zonja Turku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin, duke themeluar grupin e parë koral në Shqipëri.
Për të vazhduar më tej me drejtimin e korit të vajzave dhe korin e të vegjëlve, e më pas dirigjimin koral në Akademinë e Arteve, ku vazhdon të japi kontributin e saj.
Ndër të tjera, personaliteti i zonjës Turku, do të mbahet mend edhe për drejtimin dhe konsolidimin për një kohë të gjatë të politikave kulturore, ngritjen e nivelit profesional dhe përfaqësimin e denjë, që shpalosën institucionet e artit dhe kulturës, gjatë viteve kur ajo drejtoi e bashkëpunoi me komunitetin artistik në Shqipëri, në Europë edhe kudo.
Ndërkohë, angazhimi i fortë për komunitetin i dirigjentes Turku është shpalosur edhe në këtë periudhë të vështirë pandemie, me organizmin e disa eventeve të ndryshme muzikore, në solidarizim me të gjithë qytetarët në këto momente të vështira.
Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, si dirigjente e drejtuese kori, si një nga personalitetet e muzikës, por edhe si një pedagoge me cilësi të larta akademike, që ka edukuar e frymëzuar breza të tërë të rinjsh, në rrugën e artit e muzikës, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zonjën Suzana Turku me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ e t’i uroj suksese në të ardhmen. / KultPlus.com
Shtatë muaj pasi u shua skulptori Arben Bajo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i madh”, me motivacionin:“Në vlerësim të cilësive të mëdha artistike, talentit të spikatur e të vyer në fushën e skulpturës bashkëkohore shqiptare. Skulptori që trajtoi me dashuri të veçantë figurën e njeriut dhe shënjoi ndjeshëm realitetin artistik vendas, me kontributin e tij qytetar, pedagogjik dhe intelektual”.
“Ne miqtë e tij që ishim përditë me të, na duket akoma sikur nga momenti në moment do të rikthehet sërisht. Është e pabesueshme ende. Të paktën ky çmim, që i dha Presidenti i Republikës është një vlerësim i krijimtarisë së tij dhe pwr dimensionin e tij human edhe pedagogjik. Patjetër që kjo nuk mjafton për kalibrin e Benit, që shënoi kohën e vet si pak skulptorë”, thotë studiuesi i arteve pamore, Ermir Hoxha.
Veprat e artit që ruhen nga familja në studion e tij, sipas studiuesit duhet që të kenë vlerësimin e duhur dhe nga institucionet, të cilat duhet të kenë vullnet për hapjen e një muzeu privat apo shtetëror
“Familja është treguar shumë e aftë për të ruajtur krijimtarinë e tij, ashtu siç ka qenë. Prandaj unë mendoj se Arben Bajo e meriton një muze privat apo shtetëror, kjo mund të jetë një nisëm e familjarëve apo miqve, por që duhet të gjejë mbështetjen e institucioneve. Qoftë për një lloj investimi apo edhe për zgjidhjen e kuadrit ligjor”, thotë Ermir Hoxha.
Portrete të personaliteteve shqiptarë, figura njerëzore, eleganca e nudove, hulumtim i botës së brendshme njerëzore përmes mitologjisë, instinktet kafshërore të mbështjella plot mjeshtëri me trupat njerëzor janë vetëm disa nga elementët për të cilët Ermir Hoxha vlerëson artistin bashkëkohor.
“Beni është një nga ata artistë që përkufizon më mirë skulpturën, nga ajo skulpturë e ngjizur në kohën e komunizmit me të gjithë parametrat tejet profesionale që ka pas, në përjetimin e kësaj skulpture në një fazë tranzitore për tre dekada”, përfundon Ermir Hoxha.
Vdekja kobzezë edhe e parakohshme, që erdhi nga Covid 19 në moshën 53-vjeçare i la Bajos dhe projekte pezull, të cilat miqtë artistë do t’i finalizojnë në të ardhmen përmes realizimit të një ekspozite personale./shqiptarja/ KultPlus.com
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e shquar Enver Shëngjergji, me motivacionin “Me mirënjohje ndaj kontributit artistik dhe vlerave të çmuara në pasurimin e muzikës shqiptare, si një kompozitor autentik me një larmi të pafundme këngësh e melodish të paharrueshme. Me vlerësim për përkushtimin e rrallë gjatë gjithë jetës së tij ndaj muzikës së lehtë dhe veprave muzikore, me vlera bashkëkohore, profesionalizëm dhe qytetari të spikatur”.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” edhe kompozitorin dhe mjeshtrin e korit shkodran Zef Çoba: “Në vlerësim të talentit të spikatur dhe personalitetit të gjithanshëm të shpalosur në fushën e kompozimit të veprave muzikore, si dhe në trajtimin me profesionalizëm të këngës me tradita shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të rrallë të muzikës shqiptare, i cili nëpërmjet muzikës dhe veprave të tij artistike, ka lartësuar me dinjitet emrin e kombit shqiptar anembanë botës”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, u shpreh se Shëngjergji dhe Çoba janë dy personalitete të shquara të artit e muzikës shqiptare teksa u ndal më gjatë tek figura e secilit prej tyre.
FJALA E PRESIDENTIT META “Është kënaqësi të jemi bashkë, për të vlerësuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, dy personalitete të shquara të artit e muzikës shqiptare, kompozitorin Enver Shëngjergji dhe mjeshtrin e korit dhe kompozitorin Zef Çoba. Emri i kompozitorit të shquar Enver Shëngjergji, në memorien tonë, është i lidhur me Festivalet e Këngës në Radio Televizion dhe me shumë këngë të bukura të muzikës sonë të lehtë, si ‘Vajzat e fshatit tim’, ‘Nën kurorën e ullirit’ apo ‘Lulet e mollës’. Përkushtimi shumëvjeçar si kompozitor ka sjellë në skenat më të rëndësishme të këngës së lehtë, por edhe asaj popullore, krijimtarinë e tij tepër profesionale, të veçantë e origjinale, e pëlqyer gjerësisht nga spektatori shqiptar. Shumë nga këngët e kompozuara nga zoti Shëngjergji kanë hyrë tashmë në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, me një stil tepër të veçantë e karakteristik. Krijimtaria e zotit Shëngjergji ka prekur të gjitha temat e kohës, por tema për të cilën është dalluar më shumë ka qenë ajo rinore, duke e bërë kështu, shumë të pëlqyer veçanërisht për rininë e kohës.
Kompozitori Enver Shëngjergji ka dhënë një kontribut të madh edhe në shumë veprimtari kulturore e artistike kombëtare dhe ndërkombëtare, si drejtues artistik, duke arritur nivele të larta cilësore e duke prezantuar me dinjitet muzikën shqiptare të lehtë dhe popullore.
Zoti Shëngjergji, sot, pas një karriere mbi 40-vjeçare, vazhdon të mbetet ngushtësisht i lidhur me muzikën, duke kërkuar promovimin dhe vlerësimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe njohjen me themel të muzikës sonë popullore, nga të gjithë brezat e kompozitorëve dhe këngëtarëve të rinj shqiptarë.
Për të, nëse kompozitorët nuk njohin muzikën e popullit tonë, nuk kanë për të krijuar kurrë muzikë shqip. Duke vlerësuar gjithë krijimtarinë e suksesshme të kompozitorit Enver Shëngjergji, përkushtimin e kontributin e tij për muzikën e lehtë dhe atë popullore shqiptare e vlerësoj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Mjeshtri i korit dhe kompozitori Prof. Zef Çoba është një personalitet tjetër i muzikws shqiptare, i shquar për kontributin e jashtëzakonshëm, pedagog i suksesshëm dhe fitues i shumë çmimeve e vlerësimeve gjatë karrierës së gjatë artistike.
Dashuria për trashëgiminë e pasur folklorike kombëtare dhe veçanërisht, për qytetin e tij të lindjes Shkodrën, e kanë frymëzuar për të kompozuar shumë këngë qytetare shkodrane.
Zoti Çoba është kompozitor i shumë pjesëve të ndryshme vokale dhe instrumentale, i muzikës së 16 filmave artistikë, muzikë për teatër, këngë për fëmijë, shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet të madh.
Por, pa asnjë dyshim, zemrat tona ngrihen peshë dhe krenaria për kombin tonë të lashtë shqiptar, është e jashtëzakonshme, kur dëgjojmë dhe këndojmë vargjet e këngës, që ka fituar popullariteti të jashtëzakonshëm si ‘Xhamadani vija-vija’, këngë e kompozuar nga Zef Çoba.
“Xhamadani vija vija/ asht Kosova o asht Shqipnia/ rreh si zemër çiftelia/ oh sa e madhe asht Shqipnia”.
Zoti Çoba ka një aktivitet artistik e kulturor shumë të rëndësishëm, me pjesëmarrje në veprimtari të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Kontributi i tij në gjallërimin e jetës artistike të qytetit të Shkodrës është shumë evident. Për gjithë kontributin e tij, për talentin e spikatur dhe personalitetin e gjithanshëm në fushën e kompozimit të veprave muzikore, kam kënaqësinë të vlerësoj sot, zotin Zef Çoba me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Faleminderit!” / KultPlus.com
Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur gjirokastrit të muzikës popullore shqiptare, Petrit Lulo, me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të shquara në prezantimin e këngëve popullore shqiptare, veçanërisht atyre të krahinës së Jugut, duke spikatur si pasardhës i denjë i iso-polifonisë toske. Me mirënjohje ndaj këngëtarit popullor me zë të ëmbël e melodioz, kumbues e me timbër të pastër, i cili me këngët dhe vlerat e tij të veçanta të interpretimit , ka ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros”.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në prani të familjarëve dhe personaliteteve të shquara të artit dhe muzikës, Presidenti Meta theksoi se, “bilbili i këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite dhe jo vetëm Petrit Lulo ka kaluar një jetë të tërë duke shkëlqyer në skenë.
“Pjesëmarrës në qindra koncerte, festivale, ansamble brenda dhe jashtë vendit, me zërin e tij të veçantë e karakteristik, është bërë pjesëtar i të gjitha familjeve shqiptare për dekada. Lindur dhe rritur në Gjirokastrën e gurtë dhe aq karakteristike, qytetin e sa e sa personaliteteve, Petriti hodhi aty hapat e parë në muzikë”, tha Meta.
“Në Gjirokastrën e kalasë madhështore, Petrit Lulo filloi këngën, për të ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros. Me zërin e veçantë dhe magjepsës u dallua që në debutimin e parë, duke u vlerësuar si një ndër këngëtarët më të mirë dhe më premtues. Këngët e tij, si ‘Tjetër herë me djalë’ apo ‘Syzeza’ ishin ato, që i dhanë famë dhe e bënë shumë të njohur në një kohë rekord në të gjithë vendin”, shtoi Meta.
“Ndërkohë, që u bë edhe pjesëmarrës i rregullt i festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke formuar portretin e tij si këngëtar profesionist. Me një popullaritet në rritje, Petriti vazhdoi të këndonte dhe të nxirrte albume me nivel të lartë artistik edhe pas viteve ’90-të. Në këto albume gjen këngët popullore tipike të Shqipërisë së Jugut, me një gjetje tjetër, më të avancuar, të përpunuara dhe të përshtatura për publikun e gjerë artdashës”, tha Meta.
“Petrit Lulo ka mbi 50 vite në skenë dhe kënga për të është ushqim shpirtëror i pandashëm. Në repertorin e tij ka me qindra këngë popullore, këngë polifonike dhe këngë të muzikës së lehtë. Vlerësimet e spektatorëve shqiptarë i ka marrë kudo në botë, ashtu si edhe ato të spektatorëve të huaj, që e kanë duartrokitur me ngrohtësi, kur ka kënduar këngët polifonike shqiptare, në skenat e huaja”, u shpreh Meta.
“Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, Petriti lidhjen e tij shpirtërore me qytetin e lindjes, Gjirokastrën, e ka shumë të fortë. Me këngët e tij çon kudo, madhështinë e pavdekshme të kalasë dhe karakteristikat e veçanta dhe të papërsëritshme të qytetit historik. Sipas vetë Petritit, Gjirokastra i shtroi ‘kalldrëmin’ e skenës, ndërsa Tirana ‘asfaltin’ e suksesit. Për kontributin e shquar në prezantimin e këngës popullore dhe të lehtë shqiptare dhe për vlerat e veçanta në interpretimin dinjitoz të tyre, kam kënaqësinë të vlerësoj sot Petrit Lulo me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh dhe t’i uroj suksese”, përfundoi Presidenti Meta. /atsh/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” dirigjentin e njohur elbasanas, Blerim Narazani.
Dirigjenti Narazani u dekorua me motivacionin “Me mirënjohjeje për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare. Në vlerësim të kontributeve artistike në identifikimin, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përhapur dhe lartësuar traditën muzikore dhe kulturore të qytetit të Elbasanit në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi”.
Duke iu drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta tha se “arti, në kuptimin e gjerë, është një formë komunikimi, ku artisti shpreh ndjenjat, mendimet apo vëzhgimet e tij, duke u dhënë kënaqësi ndjekësve.Këtë gjë ka bërë dirigjenti Narazani për gati gjysëm shekulli, me pasionin e përkushtim: Ka komunikuar përmes muzikës dhe iu ka dhënë kënaqësi të gjithë atyre, që e kanë ndjekur”.
“I lindur në një familje qytetare elbasanase, me tradita të njohura arsimore e kulturore, z. Narazani studioi muzikë, që në fëmijëri, për të mos iu ndarë gjithë jetën artit. Debutimi i tij në skenë filloi qysh në vitet e studimit në Universitetin e Arteve, për të vazhduar më tej si dirigjent i Orkestrës Filarmonike të qytetit dhe si pedagog i Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’. Qytetar i Elbasanit të traditave më të shquara arsimore e kulturore, dirigjent e profesionist, që iu përkushtua tërësisht mbajtjes në këmbë dhe promovimit të formacionit orkestror të qytetit, Narazani gjallëroi jo vetëm mjediset e qytetit të tij, por edhe atë mbarë shqiptar”, – nënvizoi Meta.
Sipas tij, në vitet e gjata të karrierës si artist profesionist, Narazani iu përkushtua identifikimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave të artit dhe kulturës, në përgjithësi dhe atyre të qytetit e të qarkut të Elbasanit, në veçanti.
“Dimensioni i tij artistik shfaqet në hartimin dhe realizimin e disa projekteve të rëndësishme artistike lokale dhe kombëtare, për të nderuar personalitete të muzikës popullore qytetare elbasanase. Ashtu siç ka edhe meritën e veçantë në promovimin e vlerave kulturore, jo vetëm të qytetit, por edhe të vendit tonë, në festivale dhe aktivitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, të Folklorit, Bandave Muzikore dhe të Muzikës së Dhomës”, – tha Meta.
Njëkohësisht, shtoi Meta, dirigjenti Narazani ka qenë gjatë gjithë kohës përkrahës i talenteve të reja, duke i edukuar dhe ndihmuar ata në rrugën e artit muzikor dhe të skenave të mëdha dhe duke i nxitur që të sjellin standarde të reja cilësore në skenë.
“Në të gjithë punën dhe aktivitetin e tij si dirigjent, drejtues dhe pedagog ka shpalosur kulturë, profesionalizëm, realizëm në vlerësime, dinjitet dhe integritet të lartë. Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin, për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare, si dhe për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj në praninë tuaj Blerim Narazani me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese të mëtejshme”, – tha Meta. /atsh/ KultPlus.com
Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor Paloka, të cilin e cilësoi “një emër të njohur në fushën e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”.
Titulli i lartë iu dha rapsodit Paloka me motivacionin; “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.
Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti tha se “është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën. Sot, nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij”.
“Paloka ka një kontribut rreth 50-vjeçar në skenë, në krijimtari dhe në drejtim artistik. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht, që në lindje, me këngën dhe rapsoditë. Familja Paloka ka një traditë të vjetër dhe njihet si familje e shquar, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë. Gjatë gjithë karrierës së tij Paloka është kontribues i shquar i folklorit, jo vetëm si rapsod interpretues, por edhe si krijues i qindra teksteve. Paloka ka qenë, gjithashtu, drejtues artistik i Ansamblit Folklorik të Vaut të Dejës dhe organizator i veprimtarive të shumta brenda dhe jashtë vendit, për të cilat është vlerësuar shpesh me çmime, trofe e diploma nderi”, – nënvizoi Meta.
Dashuria e tij për folklorin, vijoi Meta dhe përhapjen e tij është e jashtëzakonshme, duke e bërë pjesëmarrës në shumë simpoziume, konferenca e panele shkencore rreth trashëgimisë kulturore.
“Ndërkohë, që në fushën e publikimeve, për vlerat e trashëgimisë kulturore, zoti Paloka ka dhënë kontributin e tij me botimin e tre librave me tematikë traditat kulturore të zonës, botimin e disa albumeve muzikore, disa dokumentarëve dhe emisioneve televizive. Ajo që e bën Viktor Palokën të veçantë, si rapsod interpretues dhe organizator artistik është njohja e thellë dhe puna me pasion e përkushtim në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së trashëgimisë kulturore të zonës dhe asaj shqiptare”.
“Ekspozimi dhe përhapja e kësaj trashëgimie është shprehur përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale, për të cilat zoti Paloka dhe grupi nga Vau i Dejës kanë gjetur vlerësimin maksimal nga publiku dhe nga specialistët”, – tha Meta.
Edhe pse sot është në pension, shtoi Meta, ai vazhdon me dashuri e përkushtim punën e tij për përhapjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si shprehje e pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.
“Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare jo materiale, si dhe të veprës së tij artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj Viktor Palokën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në fund të ceremonisë, “Mjeshtri i Madh” i rapsodisë shqiptare Viktor Paloka, së bashku me të vëllain, Toninin dhe mbesat e tij Elisën dhe Glorian, interpretuan tri këngë: për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për folklorin si dhe “Vallen mirditore” /atsh/ KultPlus.com
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Titulli iu dha poetes Jorganzhi me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.
Në fjalën e tij drejtuar artistëve, personaliteteve të artit dhe kulturës dhe familjarëve të poetes Jorganxhi, Meta theksoi se “të nderuar personalitete të artit e kulturës, të nderuar familjarë, të nderuar pjesëmarrës. Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të shquar të letërsisë dhe artit shqiptar, poeten e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi”.
“Ky aktivitet në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, është një nismë që shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës. Thuhet që arti i kapërcen kohërat dhe kjo shprehje gjen kuptim të plotë në veprimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, që vazhdon të mbetet edhe pas më shumë se 50 vitesh, një nga emrat më të rëndësishëm të shkollës shqiptare të këngës dhe të poezisë”, – nënvizoi Meta.
Presidenti Meta u shpreh se “e lindur në qytetin e Korçës, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe muzikore, Zhuliana Jorganxhi u rrit mes muzikës dhe poetikës së këngëve korçare, duke ndjekur natyrshëm rrugën e artit. Aktiviteti i saj letrar fillon që në moshë të hershme dhe poezitë e saj shohin dritën e botimit kur ajo ishte vetëm 17-vjeç”.
Por, vijoi Meta, ajo çka e bëri Zhuliana Jorganxhi të quhet “Mbretëreshë e këngës shqiptare” është kontributi i jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe.
“Me thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndenjën e thellë, vargjet e krijuara nga Zhuliana kanë marrë madhështi dhe përjetësi. Të gjithë ne jemi rritur duke dëgjuar emrin e saj si autore e teksteve të këngëve të festivaleve tona kombëtare, e lidhur kjo ngushtësisht me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve më të shquar shqiptar. Fjala e shkruar prej saj i ka dhënë vlerë muzikës dhe forcë tingullit, duke hyrë thellë në shpirtin e dëgjuesve. Zhuliana është një poete me ndjeshmëri të lartë jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore”, – u shpreh Meta.
Më tej Presidenti tha se “në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia. Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelektuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror”.
“Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh””, – tha Meta./ atsh/ KultPlus.com