Më 13 mars të vitit 1940 fotografi, vdiq Kel Marubi.
Emri i vërtetë i tij ishte Mikel Kodheli. Ai filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë. Rreth vitit 1885 Kel Marubi dërgohet nga mjeshtri i tij, për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proceset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t.
Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij.
Marubi u përfshi që herët në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke. Më 1908 në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”. Më 1913, flamuri që lajmëroi pavarësinë në bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina. Studioja e tij shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 emërohet fotograf zyrtar i mbretit Zog I.
Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Lasgush Poradecit dërguar Marubit me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës. Po ashtu, paraqitet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”. / atsh / KultPlus.com







