Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, Komuna e Çairit ka ndarë 1 milion e 200 mijë denarë për familjet e viktimave në tragjedinë e autobusit në Bullgarinë, shkruan Alsat.
Kryetari i Komunës, Visar Ganiu, ka propozuar që mjetet e caktuara për festat e fundvitit tu ndahen familjarëve që humbën të afërmit.
Sipas Ganiut 16 viktima janë zyrtarisht banor të Komunës së Çairit.
Këshilltarët e Aleancës dhe Alternativës, thanë se e mbështesin propozimin e Komunës për ndarjen e mjeteve dhe kërkuat që ndihma të jetë më e madhe.
Por kryetari i Çairit, Ganiu tha se tani veprojnë sipas mundësive ligjore, ndërsa në ditët në vijim do të ketë edhe ndihma të tjera, për çka janë angazhuar shumë qytetarë.
Edhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot ka dorëzuar propozim-vendim për dhënien e ndihmës financiare për familjet e viktimave të aksidentit të trafikut që ndodhi në Bullgari.
Sipas informacioneve nga komuna, kryetari i komunës ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës në Këshillin Komunal.
“Në këto momente të vështira zie në Republikën e Maqedonisë, solidariteti dhe humanizmi duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë ne. Për këtë qëllim, sot në mëngjes i kam dorëzuar një kërkesë kryetares së Këshillit të Komunës së Gazi Babës, Diana Ilievska, që të mbahet seanca e Këshillit, në të cilën propozoj vendim për dhënien e ndihmës financiare për familjet e viktimave të aksidenteve të trafikut në Bullgari”, tha kryetari Stefkovski.
Gazi Baba me këtë vendim do t’i bashkohet aksionit humanitar të organizuar nga Kryqi i Kuq për ndihmë financiare për familjet e viktimave. / KultPlus.com