Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media ku është akuzuar Komuna e Prishtinës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni njoftimin e Ministrisë së Kulturës:
Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media lidhur me ndërhyrjet e paligjshme të Komunës së Prishtinës, në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Në konferencë u paraqitën sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Rreze Loxha-Vitaku, drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Edona Durguti, dhe U.D. i departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Bari Zenelaj.
Fjalimi i plotë i sekretarit Bislim Bislimi:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot në këtë konferencë për shtyp të ftuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të qartësimit të opinionit publik për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës, me ç’rast, në mënyrë të përsëritur kemi shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës derisa vazhdojnë të ndërhyjnë në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të cilat i nënshtrohen dispozitave ligjore, pa marrë leje nga institucioni kompetent sikurse e përcakton Ligji edhe përkundër paralajmërimeve tona.
Sot me mua në këtë konferencë është edhe kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore z. Imer Hakaj, Drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, znj. Rreze Loxha Vitaku si dhe Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, znj. Edona Durguti, respektivisht institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore që kanë mandat të përcaktuar me ligj për të vepruar në emër të administratës shtetërore, sa herë që cenohet Ligji për Trashëgimi Kulturore.
MKRS disa herë përmes shkresave nga institucionet e trashëgimisë kulturore si Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesën për bashkëpunim në rastet e ndërhyrjeve nga Komuna nëpër asete dhe zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër, MKRS me shkresen e datës 18.12.2024 të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS –së, u është drejtuar kryetarëve të komunave me një letër që kërkon nga ta, të përmbahen nga veprimet administrative që trajtojnë ndërhyrje nëpër asete apo zona mbrojtëse, pa leje të shkruar nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore.
Komuna e Prishtinës, kohëve të fundit, siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin dhe atë në disa raste radhazi:
– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë;
– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në Sheshin George Bush;
– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”,
– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e punëve në Rrugën “Rexhep Luci”, që të gjitha këto ndërhyrje pa leje të shkruar derisa dihet se janë sipërfaqe të mbrojtura të trashëgimisë kulturore ku ndërhyrjet janë të kontrolluara dhe mund të lejohen vetëm me leje të shkruar nga institucioni kompetent.
MKRS konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e Komunës së Prishtinës dhe me precendent të rrezikshëm për palët tjera në Republikën e Kosovës duke inkuarjuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.
MKRS si institucion përgjegjës për rregullimin dhe menaxhimin publik të fushës së trashëgimisë kulturore, ka analizuar me kujdes edhe implikimin ligjor të veprimeve të tilla nga ana e Komunës. Këto veprime, përvec të kundërligjshme në kuptimin e dispozitave të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, janë të parashikuara edhe me Kodin Penal si vepra penale përkatësisht me nenin 354 dhe 355 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, përveç përpjekjeve të vazhdueshme e të dokumentushme të MKRS për të vendosur bashkëpunim ndërinstitucional në funksion të zbatimit të ligjit kur janë përmbushur kushtet, institucionet tona ka ndërmarrë masa administrative në drejtim të ushtrimit të mandatit ligjor, për të parandaluar veprime të palejuara. Konkretisht Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet e paautorizuara dhe të kundërligjshme sipas mandatit të tij të përcaktuar qartësisht me aktet normative në fuqi.
Nga ana tjetër, deri më tani, MKRS ka referuar dy shkresa të arsyetuara në organet e ndjekjes penale në Republikën e Kosovës për veprime të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës.
Në lidhje me projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë, më datë 27.12.2024, MKRS ka kallëzuar penalisht kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama në Prokurorinë Speciale të RKS. Kjo për faktin se përvec zhvillimit të projektit dhe kontraktimit të tij për ekzekutim në zonë mbrojtëse të asetit, e inkriminuar penalisht në kuptim të nenit 355 të Kodit Penal, i njëjti ka vepruar në drejtim të vënies nën detyrim kontraktual të një shume prej 6.5 milionë eurosh në një projekt të pa maturuar ligjërisht me cka direkt e rrezikon buxhetin publik gjithashtu edhe ka vepruar në drejtim të kryerjes së punëve në një pronë që tashmë Komuna i kishte ndarë MKRS –së për shfrytëzim afatgjatë, për realizimin e TOB.
E njëjta situatë tashmë ka ndodhur edhe në rastin e projektit të Sheshit George Bush, Rrugës “Agim Ramadani” dhe Rrugës “Rexhep Luci”.
Duke e vlerësuar përsëritjen e vazhdueshme të veprimeve të tilla nga Komuna e Prishtinës, MKRS më datë 02.04.2025, ka bërë kërkesën e radhës për fillimin e hetimeve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës. Sikurse u tha më lartë, këto veprime në kuptimin e mbrojtjes ligjore të trashëgimisë kulturore, janë të inkriminueshme si vepra të vecanta penale sipas Kodit Penal. Megjithatë, MKRS vlerëson se derisa kemi një shumë financiare dhjetëra milionëshe të krijuara si detyrim kontraktual në projekte që janë në shkelje të ligjeve në fuqi nga Komuna, konsideron se kjo poashtu paraqet rrezik për shkaktimin e qëllimshëm të situatave kur këto shuma, do të konsideroheshin të përmbarueshme nga operatorët ekonomik duke i shkaktuar një dëm dhjetëra milionësh buxhetit të Komunës. I takon organeve të drejtësisë të ndriçojnë këto rrethana të lidhjes së këtyre kontratave nëse janë apo jo të qëllimshme derisa janë kaq shpesh të përsëritura dhe kaq të qarta.
Sqarojmë poashtu se Komuna e Prishtinës, i ka mjaft mirë të njohura procedurat e pajisjes me leje dhe pëlqime nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore sepse në të kaluarën kanë bashkëpunuar dhe janë pajisur me leje dhe pëlqime për projekte të ndryshme si: Rruga model, ndërtesa e ish Gërmisë, rruga për fëmijë afër Shkollës “Elena Gjika”, projekti për restaurimin e ndërtesës së Shkollës “Sami Frashëri” etj.
MKRS është e përkushtuar që në cdo rast, të sigurojë zbatimin e obligimeve të saj ligjore për të vepruar ndaj kujtëdo që cenon Ligjin e rrezikon vlerat e trashëgimisë kulturore, ndërsa veprimet e kryetarit të Komunës për të ushtruar një kallëzim penal të rremë ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore, i vlerëson si përpjekje për manipulim të opinionit dhe keqpërdorim të mjeteve e mekanizmave juridik në dispozicion sic duket të vetëdijshëm se vet ndodhen në shkelje të rëndë të të gjitha ligjeve që rregullojnë ndërhyrjet dhe zhvillimet në zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore.
Ne, na vjen keq që kryeqyteti ynë udhëhiqet nga shembuj kaq brutal të shkeljes së ligjit, rrezikimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe të fondeve publike.
Ne presim nga organet e ndjekjes penale që të veprojnë sa më shpejt që është e mundur në drejtim të marrjes në përgjegjësi të atyre që kanë prodhuar situatat e tilla në mënyrë që shembuj kaq të qartë të shkeljeve të interesit publik, të dekurajohen./KultPlus.com