Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka dërguar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së piktorit Zef Toçi, përcjellë KultPlus.
“Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë”, ka shkruar mes të tjerash Çeku, i cili ka shtuar se puna e tij do të kujtohet gjithmonë.
KultPlus ju sjell të plotë telegram ngushëllimin:
E nderuar familje Toçi,
Me pikëllim sot mora lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur, Zef Toçi dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë. Maestro Toçi ka qenë një prej artistëve që dha kontribut të lartë në kulturën tonë, veçanërisht në fushën e artit pamor, duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për më shumë se gjysmë shekulli.
I diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Bruksel më 1972, tregoi talentin e tij duke u dekoruar medalje nga Mbretëria Belge.
Ai realizoi me sukses shumë ekspozita arti brenda dhe jashtë vendit. Duke jetuar dhe punuar në Prizren, me stilin surrealist në shprehësinë e tij artistike, piktori Toçi, kontribuoi në ngritjen e vlerave artistike të kulturës së Kosovës në përgjithësi. Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do tu shërbejë gjeneratave të tëra.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Zef Toçi./ KultPlus.com
Majlinda Kelmendi është ndalur në luftën e parë në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Të dielën në Nippon Budokan, Majlinda ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ka arritur sukseset më të mëdha që mund të arrihen.
Për këtë gjë, MKRS ka dalur me një komunikatë publike ku i është referuar Kelmendit si krenaria e shtetit tonë, përcjell KultPlus.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të MKRS-së:
Majlinda Kelmendi krenaria e shtetit tonë
Kampionia olimpike e Rio 2016, Majlinda Kelmendi nuk arriti të vazhdojë tutje garat e xhudos në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Në fitore e humbje, ajo mbetet krenaria e shtetit tonë. Puna, përkushtimi dhe guximi që ka treguar do të jenë gjithmonë inspirim për gjenerata të tëra.
Qeveria e Kosovës në Lojërat Olimpike po reprezetohet nga zëvendësministrja e MKRS, znj. Daulina Osmani.
Me datën 23/07 u zhvilla organizimi mirëseardhës nga Ministria e Edukimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknokogjisë në Tokio, ku ishin pjesmarrës të gjithë Ministrat e shteteve pjesmarrëse në Tokyo 2020. Sot e ka përfunduar garën e shenjëtarisë sportive edhe garuesi Drilon Ibrahimi. Shenjëtari ynë ka arritur 608.8 pikë, që e renditën në vendin 46. Ky është një rekord i ri shtetëror. Ndërsa gjatë ditës pritet të garoj edhe notarja Eda Zeqiri. / KultPlus.com
Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës ka marr vendim që ta pezullojë drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar, përcjell KultPlus.
Në komunikatën e dërguar, MKRS ka bërë të ditur se janë dy procese paralele që janë duke ndodhur lidhje me këtë çështje.
Komisioni disiplinor
Krimet ekonomike
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë.
Janë dy procese paralele që janë duke ndodhur lidhje me këtë çështje.
Komisioni disiplinor
Krimet ekonomike
Kryesia e Këshillit Drejtues të QKK ka propozuar pezullimin apo masat disiplinore për Drejtorin, z. Arben Zharku mbi bazën e disa veprimeve që ata pretendojnë se i kanë të vërtetuara.
Si Këshill Drejtues brenda mandatit që kanë, kanë sjell tek Ministri, z. Hajrulla Ceku kërkesën për ta dërguar në Komision Disiplinor, Drejtorin z. Arben Zharku.
Në këtë rast është krijuar Komisioni Disiplinor.
Sot Komisioni ka marr vendim për pezullim nga detyra zyrtare e Drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, z. Arben Zharku, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar.
Pezullimi i përkohshëm zgjatë deri në përfundim të tërësishëm të procedurës disiplinore me çka edhe shfuqizohet ky vendim.
Gjithashtu para dy javësh Ministri, z. Çeku ka bërë një kërkesë tek krimet ekonomike për të shqyrtuar disa pretendime që kanë ardhur prej burimeve të ndryshme, qoftë këto nga raporti i auditorit, këshillit drejtues dhe dosje të tjera të cilat ndërlidhjen me QKK.
Ne vetëm kemi përfunduar procedurat që na takojnë si MKRS, ndërsa këto dy procese aktualisht janë duke vazhduar dhe ne po presim vendimet që do të marrin. / KultPlus.com
Dje Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën finale ku mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”, bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Andaj, Qendra Multimedia ka reaguar duke theksuar se refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë, përcjellë KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nga Jeton Neziraj me anë të një postimi në Facebook i cili ka shpërndarë letrën e hapur ndaj Ministrisë së Kulturës.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:
Letër e hapur Ministrisë së Kulturës
5 mijë euro! Jo faleminderit, po ua kthejmë mbrapsht me neveri!
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ditë më parë bëri publike listën preliminare të projekteve të mbështetura kulturore për vitin 2021. Qendrës Multimedia, kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5,000 euro për edicionin e e 11 të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror “Balkan Bordello” nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë.
E shfrytëzuam hapësirën ligjore dhe u ankuam në adresë të MKRS-së, duke shpresuar që gabimin do ta korrigjojnë. Madje duke qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritereve ligjore e administrative’, ne në letrën tonë, u dhamë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura, nuk kishin qenë strikt në përfilljen e këtyre kritereve ‘ligjore e administrative’.
Gjithsesi, dje MKRS paska publikuar listën finale. Mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”. Kjo na mbushë me mllef e neveri. Por në të njëjtën kohë, na mbushë mend dhe na kthjellë, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme.
Qendra Multimedia refuzon të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike. Dhe refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë.
Si rrjedhojë, 5,000 të cilat MKRS ia ka ndarë Qendrës Multimedia, po i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë Manifestës së cilës, në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705,000. / KultPlus.com
Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me UP “Hasan Prishtina” Fakultetin e Ndërtimtarisë.
Qëllimi është zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Mbrojtja, promovimi dhe avancimi i sistemit të përgjithshëm të menaxhimit të trashëgimisë kulturore përveç qëllimit themelor pra si vlerë e rëndësisë së veçantë kulturore, historike, shoqërore e shpirtërore, duhet të shërbejë edhe si mjet për promovim e mobilizim të të gjitha resurseve që ka kjo fushë në funksion të ngritjes së prosperitetit ekonomik.
Mënjanimi i degradimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, restaurimi dhe ri jetësimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore dhe duke u bazuar në principet dhe parimet e konventave ndërkombëtare. Për të arritur drejt avancimit të këtyre synimeve është i nevojshëm bashkëpunim e bashkërendim i aktiviteteve ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Krahas masave tjera të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, ngritja e kapaciteteve profesionale me theks të veçantë mbështetja e gjeneratave të reja për zhvillim të aftësive dhe kapacitetit profesional është objektivë e cila mbështetë gjithë mozaikun e procesit të integruar të mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com
MKRS ka informuar se festivali tradicional Etnofest, i organizuar nga OJQ Sythi këtë vit nuk është përkrahur nga komisioni për vlerësimin e projekteve në MKRS, meqë i njëjti nuk i ka kryer obligimet paraprake ndaj MKRS, përcjell KultPlus.
”Organizata Sythi për festivalin Etno Fest përkrahet në vazhdimësi nga MKRS dhe fatkeqësisht nuk e ka mbyllur avansin paraprak me kohë, andaj bazuar në Rregulloren Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, askush që nuk kryen obligimet ndaj institucioneve publike nuk mund të financohet.
Pra mos përkrahja e Etno Fest nuk nënkupton që projekti nuk është cilësor, por se organizata bartëse nuk i ka kryer detyrimet ndaj Ministrisë për projektin e kaluar.
Ne besojmë se organizatorët së shpejti do të procedojnë kryerjen e obligimeve ndaj MKRS dhe të marrin financimin për këtë ngjarje me rëndësi për kulturën tonë”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të MKRS-së në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve tjera vjetore për muzikë, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku fillimisht falënderoi të gjithë laureatët e çmimeve në muzikë duke u shprehur që kjo është më e pakta që mund të bëjnë për këta artistë.
“Si ministri po e kryejmë një obligim ndaj punës suaj dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë sepse ju meritoni shumë më shumë. Para 30 minutave i kam nënshkruar çmimet. Përgjegjësia për të vlerësuar punën artistike është shumë e madhe”, tha Çeku.
Anëtarët e jurisë për ndarjen e çmimeve vjetore për muzikë ishin: kompozitori nga Franca, Stephane de Gerando, kompozitori nga Kosova, Kushtrim Gashi dhe kompozitori nga Kosova, Ardian Halimi.
Tutje në emër të jurisë, Sami Pirraj zyrtar i muzikës në Ministri ka komunikuar rezultatet e konkursit për muzikë për vitin 2020.
Çmimi për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” u nda për kompozitorin e dirigjentin Rafet Rudi.
“Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” i jepet kompozitorit Rafet Rudi që është kontribuues i jetës muzikore mbi gjysmë shekulli në nivele kombëtare e ndërkombëtare me shumë vepra cilësore. Veprimtaria e profesor Rudit është e larmishme me shtrirje të gjerë të veprave të begatshme”, thotë Pirraj.
Çmimi për Vepër Orkestrale Simfonike dhe Koncertante shkoi për kompozitorin Kreshnik Aliçkaj për veprën ‘Simfonia nr.4’.
Çmimi për Vepër Kamertale u nda për Ersan Januzin me veprën “Attempt” për orkestër harqesh dhe për Hajrulla Sylën me veprën “Udhëtimi në mjegull” për orkestër harkore.
Çmimi për kategorinë Vepër Solistike, shkoi për veprën “Flas me heshtjen” për soprano dhe piano të kompozitorit e dirigjentit Memli Kelmendi.
Kompozitori Rafet Rudi pas marrjes së çmimit u shpreh falënderues për këtë vlerësim.
“Do falënderoja ministrinë e kulturës për këtë iniciativë që ka filluar 10-15 vite më parë dhe që konsiderohet një rëndësi për krijimtari që shumë vështirë gjendet në vendin tonë. Pozita e kompozitorit është një çështje që diskutohet gjithmonë në shoqëri dhe e di se në fazat e ndryshme çfarë pozite ka pasur kompozitori. E çmoj këtë konkurs si shumë të rëndësishëm për jetesën dhe mbijetesën e krijimtarisë sonë”, tha ndër të tjera Rudi. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), së bashku me Instrumentin e BE-së (BE) që i kontribuon Stabilitetit dhe Paqes (IcSP), zyrën e BE-së në Kosovë dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, lansuan projektin: “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social”, financuar nga BE-ja.
Ministri z. Hajrulla Çeku, Z. Tomáš Szunyog, Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Asier Santillan Luzuriaga, Atashe – Zyrtar i Reagimit ndaj Krizave, EU IcSP, z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, ishin të pranishëm sot në Ministri dhe shënuan vazhdimin e bashkëpunimit për iniciativat e trashëgimisë kulturore në Kosovë që synojnë ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve, promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe nxitjen e ndjenjës së pronësisë së përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës mes të gjitha komuniteteve.
Ministri Çeku theksoi rëndësinë e një programi të tillë dhe ndër të tjera tha “Trashëgimia jonë kulturore është universale, ajo i bashkon njerëzit, kontribuon në paqen e qëndrueshme dhe ringjalljen ekonomike. Qeveria jonë do të veprojë e vendosur në mbrojtjen e trashëgimisë si dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për të përdorur trashëgiminë si faktor përçarës midis komuniteteve. Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë, BE-së dhe UNDP-së për një program të hartuar me shumë mençuri që lidh trashëgiminë dhe kohezionin. Ne jemi veçanërisht të lumtur që programi respekton diversitetin kulturor të vendit tonë përmes restaurimit të xhamive, kishave ortodokse, kishave katolike, teqeve, kullave, shtëpive tradicionale, varrezave, muzeve dhe hapësirave publike”.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog me këtë rast foli për rëndësinë që ka ky projekt, qëllimin social dhe bashkimin e forcave që trashëgimia kulturore të shërbej për ofrim mes komuniteteve. Gjithashtu shprehu edhe një herë përkrahjen e vazhdueshme që BE do të bëjë në këtë drejtim.
“Trashëgimia kulturore është një nga faktorët kryesorë në afrimin e njerëzve, prandaj implementimi i një projekti të tillë kërkon shumë punë në terren dhe punë me njerëzit e Kosovë tha z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësuesi i UNDP-së i cili gjithashtu theksoi “Ne shpresojmë që të jemi pjesë e këtij projekti emocionues por edhe të ndërlikuar, i cili përfundimisht do t’i sjellë dobi popullit të Kosovës”.
I ftuar special në këtë ngjarje ishte z. Asier Santillan Luzuriaga, Atashe – Zyrtar për Reagim ndaj Krizave, IcSP i BE-së, i cili shpjegoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të trashëgimisë kulturore dhe diversitetit kulturor.
Projekti” Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social” është financuar nga Instrumenti i Komisionit Evropian, Kontribues për Stabilitetin dhe Paqen (IcSP) dhe do të zbatohet në komuna të zgjedhura në të gjithë Kosovën. Kontributi i BE-së është 2 milion Euro. / KultPlus.com
Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministri Çeku priti Ambasadorin Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott. Gjatë këtij takimi u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në fushën e prokurimit publik, përcjell KultPlus.
“Artistët, sportistët dhe të rinjtë e Kosovës do të kenë më të lehtë suksesin brenda dhe jashtë vendit kur mbështeten në mënyrë profesionale dhe u garantohen shërbime publike cilësore. Prokurimi publik transparent dhe konkurrues është thelbësor për ta garantuar këtë”, thuhet ndër të tjera në postimin e bërë nga ministra në Facebook.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është një nga tri Ministritë që do të mbështeten nga projekti i financuar nga #CSSF “Forcimi i prokurimit publik në Kosovë”, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit./ KultPlus.com
Sot, më 13 maj 2021, ka ndërruar jetë figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.
Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë një ceremoni komemorative nesër më datë 14 maj 2021.
Itinerari për ditën e nesërme është si në vijim:
11:00 – 11:15 | Parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar;
11:30 – 14:00 | Ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti;
Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.
Ndërkaq, në komunikatën për media, kërkohet që të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë masat kundër pandemisë COVID. / KultPlus.com
Sot ka ndërruar jetë njëri nga personalitetet më të shquara të muzikës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, shkruan KultPlus.
Miqë, kolegë e dashamirë të shumtë shprehen ngushëllimet e tyre. Ndërkaq, me një komunikatë për media, edhe MKRS përmes një komunikatë shprehi ngushëllimet për humbjen e Bogujevcit.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të MKRS-së.
Ndërroi jetë Ismet Bogujevci, personaliteti i shquar i këngës popullore dhe i gjithë folklorit tonë kombëtar.
Ministri Hajrulla Çeku në emër të të gjithë Ministrisë ngushëllon thellësisht familjen e të ndjerit. Një figurë e veçantë që e promovoi kulturën tonë në shumë forma duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për dekada të tëra.
Ai ishte një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet tona të kulturës së fundmi edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kontributi i tij në muzikën popullore, duke filluar nga kënga ikonike ‘Martesa jonë’ deri te interpretimi i këngëve popullore të trevave shqiptare, ka qenë i jashtëzakonshëm në ruajtjen e ngjyrës origjinale të këngës shqipe.
Aktiviteti i tij artistik, ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë. Ishte viti 1972 kur ai hyri furishëm si këngëtar por dhe si aktor meqë shoqëria ‘Josip Rela’ kishte shtrirje në dy fusha permanente – muzikë dhe aktivitete teatrore – dramatike. “Halili dhe Hajria” në rolin e Qatipit, është kjo dramë e njohur, në të cilën Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës.
Bogujevci ka vazhduar aktivitetin e tij artistik në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ ndër vite në Prishtinë dhe rajonin ballkanik. Nga viti 2000, ai punoi si solist këngëtar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ ndërsa, nga viti 2012 – 2013 ishte UD Drejtor i Ansamblit, periudhë përgjatë së cilës ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh përfshirë çmimim ‘Mikrofoni i Artë’.
Disa prej këngëve që u bënë himn për skenën muzikore janë:“Kur ta fala një tufë gërshetë” e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, këngë që ishte shpërblyer me vendin e parë dhe që ka mbetur e përhershme për veshët muzikor.
“Martesa jonë” është kënga e cila u bë vjershërim dhe adresë për të rinjët e martuar dhe të pa martuar.
“O moj bukuroshe”
“Ke selvite e namazgjasë”
“Tefik Canga”
“Bajram Curr o Bajram Curr” dhe shumë të tjera. Kosova do ta kujtoj Ismet Bogujevcin për veprimtarinë e tij të lartë muzikore dhe do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike që e ka lënë si thesar për kombin tonë. / KultPlus.com
Ditën e djeshme u bë e ditur se Uta Ibrahimi përfundoi ngjitjen në majen Annapurna, ndër majat më të rrezikshme në Himalaje, duke u bërë kështu alpinistja e parë shqiptare që ngjiti atë maje, shkruan KultPlus.
Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare, MKRS ka uruar Ibrahimin për punën e saj të madhe, përkundër vështirësive.
”Uta e majave të maleve!
Uta Ibrahimi ka përfunduar ekspeditën e ngjitjes në majën Annapurna me lartësi 8091m, e cila është ndër majat më të rrezikshme për ngjitje në Himalaje, Nepal.
E përgëzojmë Utën për përfundimin e kësaj ekspedite sfiduese. Ekspedita e saj ishte disaditore dhe përkundër vështirësive gjatë ngjitjes – ajo nuk u dorëzua. Me këto suksese Uta bëhet alpinistja e parë shqiptare që ngjitet në Annapurna.
Alpinistja synon të ngjitë 14 majat e Himalajave me lartësi mbi 8000m. Kjo ishte maja e gjashtë që Uta e ka ngjitur në kuadër të nismës së saj.
Utës i urojmë shumë suksese në ngjitjet e ardhshme”, thuhet në postimin e MKRS. / KultPlus.com
18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e cila shënohet çdo vit për të promovuar dhe ngritur vetëdijen për rëndësinë, cënueshmërinë dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Si pasojë e situatë pandemike në vend, kjo ngjarje sot nuk mund të shënohet me aktivitete kulturore. MKRS-ja përmes nja postimi në faqen zyrtare në Facebook, u është drejtuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në të cilin ndër të tjera thuhet se MKRS është e vetëdijshme për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore, përcjell KultPlus.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:
18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e cila shënohet çdo vit për të promovuar dhe ngritur vetëdijen për rëndësinë, cënueshmërinë dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Tema e sivjetme e përzgjedhur nga ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete) është: Të kaluarat komplekse: të ardhmet e larmishme!
Trashëgimia e pasur kulturore e Kosovës është interpretim i shtresimeve të ndryshme kulturore të zhvilluara nga e kaluara e deri në ditët tona. Ajo paraqet bashkëdyzimin mes zhvillimeve historike të transformuara nga brezi në brez – duke përfshirë të gjitha aspektet e mjedisit që rezultojnë si ndërveprim mes komuniteteve dhe lokaliteteve përgjatë historisë –dhe domethënies që kjo e kaluar ka për komunitetin në ditët tona.
Lokalitetet arkeologjike që flasin për qendrat urbane me një kulturë të rafinuar – monumentet fetare, manastiret, kishat, xhamitë, teqet e tyrbet që shpalosin transformimet dhe bashkëjetesën e zhvilluar gjatë shekujve, fortifikatat, qendrat e vjetra urbane e rurale, komplekset e banimit, urat, sheshet, krojet – tregojnë për një të kaluar komplekse e cila është bartur dhe ruajtur në të tashmen. Ruajtja, promovimi, dhe bartja e këtyre pasurive mbetet obligim dhe përgjegjësi për të krijuar një të ardhme të larmishme për gjeneratat e ardhshme që do ta gëzojnë atë në territorin e Kosovës.
Jemi të vetëdijshëm për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore, për emergjencat dhe sfidat , por jemi më se të bindur për rëndësinë jetike që ajo ka dhe misionin tonë karshi saj.
Duke e shënuar këtë ditë, në rrethana të emergjencës globale me COVID-19, e cila na vuri para sfidave të reja, por duke na hapur edhe këndvështrime për mundësitë e reja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në të ardhmen, duam të theksojmë përkushtimin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, si vlerë univerzale që i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. / KultPlus.com
Të kaluarat komplekse: të ardhmet e larmishme!
(SHQ, SR, TUR, ROM, ENG)
18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e…
Një vit nga ndarja nga jeta e Violeta Rexhepagiqit
Violeta Rexhepagiqi, personalitet i shquar i Kosovës me veprimtari të bujshme në gazetari raportuese vendore dhe ndërkombëtare, gazetari hulutmuese, kompozim muzikor, performim muzikor, teksteshkrim. Një prej muzikanteve më avangarde e alternative e skenës plot jetë të viteve 1980 me grupin e njohur “Vivien” së bashku me personalitetin tjetër të shquar të skenës së muzikës moderne, Armend Rexhepagiqi.
Ekosistemi muzikor i Kosovës – sidomos skena joformale e muzikës qe perfshin trashëgiminë e zhanreve moderne, me rrënjë estetike në fushat e begatshme të rock’n’rollit, ku Kosova ka histori nga vitet 1960 me rock grupet si Blue Star, Marimanga dje një varg grupesh të tjera të gjeneratës së parë që sot numëron më se 400 grupe e muzikantë – do të dukej shumë ndryshe pa personalitetin katalist të kulturës muzikore alternative, new wave, post-punk etj.
Veprimtaria e Violetës e cila kanalizonte disa stile muzikore të viteve 1980 e tutje, mund të thuhet se kishte qasje të ngjashme me të famshmen Kate Bush, por edhe qasje performative vizuale mes grupeve neë-ëave, post-punk me një dozë romantizmi dhe me detaje karakteristike të estetikës së dizajneres Vivienne Westwood.
Muzika e saj dhe e grupit “Vivien” është plot dramë, fantazi, shprehje ekspresive dhe njëkohësisht shumë intime me theks të veçantë tek emancipimi socio-kulturor.
Këngët e saj janë shprehje e një pjese të rëndësishme të gjendjes shpirtërore të rinisë së Kosovës e cila është narrativë e nevojshme për të kuptuar kompleksitetin e zhvillimeve socio-kulturore në Kosovë në pjesën e dytë të shek. XX dhe trashëgiminë shpirtërore e muzikore e cila vazhdon të dokumentojë këtë kohë specifike në historinë moderne të Kosovës.
Ajo eshte shumë e veçantë edhe sepse e dokumentoi tranzicionin e pozicionit shoqëror të gruas në shoqërinë kosovare, me të gjitha sfidat e saj.
Kjo veprimtari e veçantë përmbush dhe e frymëzon çdo brez në Kosovë në shumë rrafshe e fushëveprimtari, krijon urë lidhëse mes brezash ku shohim zhvillim të veçantë estetiko-kulturor dhe ndërlidhje e vazhdimësi të parimeve dhe vlerave shoqërore nga mesi i shek. XX e deri te brezat e ri aktorësh muzikorë vendorë të tri valëve të pasluftës siç është Blerta Kosova, Edona Vatoci, Oborri, Cute Babulja, Por-No, Asgjë sikur dielli, etj e deri te kontribuesit e Kosovës jashtë vendit siç është Andrra.
Një nga nismëtaret shumë të rëndësishme të kulturës moderne kosovare që përmes veprimtarisë së saj gazetarore, muzikore, socio-kulturore kontriboi shumë në emancipimin dhe ngritjen e vetëdijes së vlerave njerëzore, barazinë gjinore, pasurimin e fondit estetik muzikor dhe zhvillimin e kulturës së pasur kosovare.
Kjo veprimtari që shtrihet në disa dekada, me një shumëllojshmëri aktivitetesh, sidomos në vitet 1980 bëri hapat e nevojshëm që ne sot në Kosovë të mund të frymëzohemi nga një personalitet i cili me ngulm dhe me aktivitet të spikatur mbrojti lirinë e shprehjes dhe njohjen e kulturës muzikore në rajon dhe botë.
Kultura kosovare do të kujdeset që puna e Violeta Regjepagiqit të përçohet tutje te të gjithë brezat në Kosovë. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka rishpallur thirrjet për mbështetje të projekteve në fushën e kulturës dhe rinisë.
Shpalljet e reja bëhen duke u nisur nga fakti se planifikimi i mbështetjes financiare duhet të jetë në kornizat e buxhetit vjetor të reflektuar në Ligjin Vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës, por edhe në linjë me prioritetet dhe objektivat strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Rishpallja e thirrjeve publike vjen edhe si hap i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dhe si vullnet për t’u solidarizuar me njëri-tjetrin por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me organet e tjera që janë bërë pjesë e betejës për zbutjen e efekteve të shkaktuara si pasojë e pandemisë dhe krizës shëndetësore.
Më poshtë gjeni informatat e hollësishme në lidhje me aplikimin.
Për thirrjet publike për mbështetje të projekteve në fushat e rinisë dhe kulturës, vizitoni linkun në vijim:
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), sot zgjedh organet e reja drejtuese për katër vitet e ardhshme. Për këtë, Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut, ka mbajtur punimet nëpërmjet të cilave ka zgjedhur kryetarin dhe organet tjera drejtuese.
Për të përshëndetur delegatët e Asamblesë së KOK-ut dhe për të uruar për mbarëvajtje të punimeve, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, cili uroi për këtë proces zgjedhor.
Ministri i përgëzoi për punën dhe sukseset e arritura sportistët dhe trajnerët tanë të cilët përkundër faktit që pandemia ka krijuar në situatë të vështirë edhe për sportin edhe aktivitetet sportive, duke kufizuar pjesëmarrjen në gara brenda dhe jashtë vendit, kanë arritur të përfaqësojnë Kosovën në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.
Ministri Çeku tha se prioritet i ministrisë dhe i Qeverisë së Kosovës do të jetë sporti dhe mbështetja e të gjithë sportistëve, vajza dhe djem, organizatat sportive si dhe Komitetin Olimpik të Kosovës në garat olimpike.
“Urojë të na përfaqësoni denjësisht dhe të bëni krenar çdo qytetar të Kosovës me të arriturat tuaja në sport duke u kurorëzuar edhe me medalje”, tha ndër të tjera ministri Çeku, duke i falënderuar dhe Majlinda Kelmendin e Driton Kukën për medaljen e fituar në LO Rio 2016, duke e konsideruar se kanë bërë krenar secilin në Kosovë.
“MKRS-ja dhe Qeveria do ta ketë prioritet sportin bazuar në programin e saj me qëllim avancimin dhe zhvillimin e sportit duke modernizuar infrastrukturën, masivizuar sportin nëpërmjet sporti shkollor dhe sportit për të gjithë, identifikimin dhe zhvillimin e talenteve në sport, fuqizimin e aktivitetit sportiv e fizik në ruajtjen e mirëqenies shoqërore”, veçoi tutje ministri.
Ministri Çeku tha se si ministër por edhe MKRS-ja do të bashkëpunojë me udhëheqësinë e re të KOK-ut e cila pritet të dalë pas procesin zgjedhor dhe u uroi suksese kandidatëve për pozitat që garojnë për ciklin e ardhshëm olimpik në Kosovë.
Ndërsa, kryetari i tanishëm i KOK-ut, Besim Hasani, e falënderoi ministrin Çeku dhe drejtuesit e MKRS-së të cilët për pjesëmarrjen në punimet e asamblesë zgjedhore të KOK-ut.
Hasani në prezantimin e punës së deritashme të KOK-ut, foli për sukseset e sportistëve të Kosovës dhe organizatave sportive, si dhe bashkëpunimin që kanë pasur me MKRS-në. / KultPlus.com
Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, veprimtari i shquar Fahri Buçinca.
Jo vetëm ju si familje por ne si Kosovë humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në fushën e arsimit. Fahriu ka qenë intelektual i cili ka dhënë kontribut të madh përmes shkrimeve publicistike. Kontribut të veçantë ka dhënë me botimin e fejtoneve në fushën e arsimit, kulturës e trashëgimisë kulturore. Po ashtu, Fahriu me angazhimin e tij kontribut të çmuar ka dhënë edhe për arsimimin dhe emancipimin e femrës shqiptare.
Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në shoqërinë tonë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.
Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Fahri Buçincës./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përmirësuar gabimin në konkursin e javës së kaluar për udhëheqësin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në javën që po lëmë pas MKRS-ja kishte lëshuar gabime në konkursin e ri, ku brenda njoftimit ende gjendej emërtimi ‘drejtor artistik’.
Kjo Ministri kishte anuluar konkursin e parë ku kërkohej Drejtori Artistik në TKK. Anulimi ishte bërë për shkak të emërtimi të gabuar, kjo sepse ligji për teatrot dhe statusi i TKK—së nuk njeh emërtimin ‘drejtor artistik’.
Por, MKRS-ja bëri po të njëjtin gabim në njoftimi e bërë në datën 5 të muajit mars, pasi që në pjesën e dytë të njoftimit për konkursin, në vend të emërtimin “udhëheqës artistik” figuronte emërtimi “drejtor artistik”.
Ministria tashmë ka publikuar njoftimin e ri, ku dhe ka përmirësuar gabimin.
Nga sot, bibliotekat e komunave të Kosovë, fondin e tyre do ta kenë më të pasur me nga 210 tituj të rinj të librave. Kjo u mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në një ceremoni tashmë tradicionale që ministria organizon çdo vit.
Me politikat e saj për librin, MKRS-ja mbështet financimin e botimit dhe të blerjes së tij. Më pas, kontingjentin e blerë të librit e shpërndan çdo vit për bibliotekat komunale të Kosovës, siç u organizua edhe ceremonia e sivjetme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK).
Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, prof. Osman Gashi, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, zyrtarë të MKRS-së dhe përfaqësues të bibliotekave komunale të Kosovës.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se libri, si miku më i mirë, sot na ka bërë bashkë. Ajo u shpreh se hallka më e dobët e cila ka qenë në përkrahjen e komunave për kulturën, kanë qenë bibliotekat dhe duke e pasur parasysh këtë fakt, ne si ministri në kuadër të programit, e përkrahim botimin e librit, i blejmë librat e ri të botuar nga shtëpitë botuese dhe ua shpërndajmë bibliotekave titujt e ri që ato të pasurojnë fondin e tyre bibliotekar.
“MKRS-ja me politikat e saj për disa vite ka fuqizuar dhe ka ndjekur një rrugë të shpërndarjes së librave dhe uroj që edhe kryetarët e komunave të jenë më koshientë që përmes subvencioneve ose pjesëve programore që ta sigurojnë një buxhet për këto biblioteka”, tha ministrja, e cila tha se buxheti dhe përkrahja për librin rritet për çdo vit.
Ministrja sqaroi se ky fond i librave me 27 tituj shpërndahet në 37 komuna të Kosovës si dhe në pjesën e Luginës së Preshevës.
Në emër të përfaqësuesve të bibliotekave komunale, foli drejtori i Bibliotekës së Komunës së Prishtinës, Munish Hyseni, i cili tha se ata bëjnë pyetësor çdo vit, për të marrë informacion se çfarë u intereson anëtarëve të bibliotekës të lexojnë. / KultPlus.com
Instrumentet e vjetëruara, mungesat e instrumentistëve në orkestër, mungesa e valltarëve dhe këngëtarëve, boshllëku ligjor që pamundëson përtëritjen e grupit të valleve, janë vetëm disa nga problemet me të cilat Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ po përballet tash e sa vite. Kërkesa dhe ankesa të shumta i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga ky Ansambël që funksionon si institucion i varur nga kjo Ministri, mirëpo deri më sot, shumica nga këto ankesa e kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër, shkruan KultPlus.
Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, i cili njihet për kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore, duke qenë ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, për një periudhë tejet të gjatë, është duke funksionuar në kushte jo dhe aq të mira. Disa nga instrumentet që i nevojiten orkestrës së këtij Ansambli mungojnë, poashtu mungojnë edhe instrumentistë, valltarë e këngëtarë. Mungesa këto që domosdoshmërisht duhet të plotësohen me bashkëpunëtorë të jashtëm, gjë kjo që e komplikon realizimin e planit artistik dhe organizimin e trupës së Ansamblit.
Ndër kriteret elementare për çdo Ansambël profesional, është që të ekzistojnë dy formacione valltarësh me nga tetë çifte, ndërkaq në Ansamblin ‘Shota’ pothuajse ka ngelur vetëm një formacion. Siç ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus, janë gjashtë vende të punës të “humbura” që nga viti 2014, pasi vendet e punëtorëve që janë pensionuar apo janë larguar jashtë vendit nuk janë zëvëndësuar me punëtorë të rinj, pasi MKRS nuk ka hapur akoma asnjë konkurs për Ansamblin dhe sigurisht këto vende janë zënë me punëtorë të Ministrisë apo departamenteve tjera.
‘Vetëm për pozitën e Koreopetitorit të Ansamblit, i cili ka dal në pension në vitin 2018, i kemi bërë deri më tani 23 kërkesa për këtë periudhë dy vjeçare, drejtuar Ministrisë për të hapur konkurs. Dhe asnjëherë kjo nuk ka ndodhur, dhe për me tepër as nuk kemi marrë pergjigje (zyrtare) për këtë qështje’, shprehet tutje Gjocaj për KultPlus.
Ajo çfarë me ngulm kërkon Gjocaj, është pavarësia totale e Ansamblit dhe Institucioneve tjera qendrore të kulturës nga Ministria. Në Nëntor të vitit të kaluar është proklamuar pavarsia e këtyre institucioneve nga ana e Ministrës së Kulturës, duke funksionalizuar fillimisht Kodin Buxhetor. Gjocaj konsideron se varshmëria ndaj Ministrisë ka shkaktuar probleme tejet të mëdha. Për Kodin Buxhetor, i cili këtij Ansambli i takon edhe me ligj, Gjocaj thekson se është vetëm një hap i vogël dhe i domosdoshëm, por hapat e tjerë janë të nevojshëm në mënyrë që Ansambli të mos menagjohet nga MKRS, por nga menagjmenti i zgjedhur i tij.
‘Përveç mos’hapjes së konkurseve dhe mungesës së organogramit, që nuk na lejohet ta bëjmë ne, ne kemi probleme edhe me ndërrimin e gjeneratave, pasiqë, për shkak të mos’harmonizimit të ligjit të Ansamblit me ligjin e pensioneve, edhe përkundër që në ligj eshtë saktësisht e përcaktuar, ne nuk mund t’i dërgojmë njerëzit në pension dhe rrjedhimisht na ngelet që për 3/4 vite, grupi i valleve të ngjitet në skenë i përbërë nga pleqtë. Po ashtu ndarja e buxhetit për Ansamblin, është paushalle dhe e pa bazuar në kerkesat që bën ansambli: “Kurrë nuk kemi marrë ndonjë arsyetim se përse Ministria e Kulturës i ka ndarë aq mjete për institucionet përkatëse dhe në cka janë bazuar, pasi në kërkesës tonë, që mbeshtetet me planin detaj te punes dhe ate buxhetor, jo se jo. Për më keq, ne nuk e dijmë sa kem mallra shërbime, nuk mund të realizojmë investime apo blerje kapitale. Investimi i fundit kapital në “Shotë” është bërë në vitin 2008, kur është rindërtuar objekti i Ansamblit”, deklaron Gjocaj për KultPlus.
“Ka gjashtë vite që unë kërkoj të realizohet Arkivi i Ansamblit dhe kjo gjë kërkon një shumë modeste. E kemi bërë kalkulimin dhe komplet projekti kushton diku 50.000 euro dhe duhet pranuar një specialist të Arkivit i cili njëkohësisht e njeh edhe teknologjinë informative, në mënyrë që kjo gjë të bëhet si është më së miri. Të gjithë ministrat që kanë qenë, prej kur jam unë drejtor i ‘Shotës’,e kanë pas këtë kërkesë në tavolinë, të gjithë kanë premtuar se ky projekt do të realizohet, por asnjëherë nuk është bërë asgjë. Një institucion me një traditë 70 vjeçare, të mos ketë arkiv të vetin, është e dhimbshme”, deklaron tutje Gjocaj.
Udhëheqësi Artistik i këtij Ansambli, Ylber Asllanaj ka treguar për KultPlus se është bërë kërkesa për minimumin 24 anëtarë që do të kompletonin trupën artistike, ndërkaq për sa u përket instrumenteve të nevojshme, ai konsideron se ky është një problem qe pret te zgjidhet se shpejti, pasi Ministria e ka shpallur tenderin dhe dikush tashmë e ka marrë përsipër këtë gjë.
“Neve na mungon infrastruktura humane, nuk e kemi stafin artistik të kompletuar edhe valltarë meshkuj edhe femra, ne nuk e kemi korin as sektorin e solistëve vokal të konsoliduar, vitet e fundit janë pensionuar dy nga katër, tani i kemi vetëm dy që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e ansamblit. Është shumë e vështirë kur ti deri në momentin e fundit planifikon të prezantohesh me dikë, i cili eshte bashkepunëtorë i jashtëm dhe nuk e ka obligim që të përmbushë kërkesën e Ansamblit dhe mund të mos paraqitet fare. Sigurisht se ata lirohen prej obligimit moral sepse ka nga ata bashkepunëtorë që, për shkak të procedurave banale dhe në mungesë të Kodit Buxhetor, ne nuk kemi mundur tua paguajmë mëditjen e para dy viteve. Për neve është shumë e vështirë”, ka theksuar Asllanaj për KultPlus.
Ai poashtu, shprehet se nuk e mohon vullnetin të cilin Ministria edhe mund ta ketë, por në fund rezultati nuk është i kënaqshëm. Pasi siç potencon ai, ka kohë që nga Ministria premtohen shumë dhe asnjë nga kërkesat e Ansamblit për të cilat Asllanaj tregon se janë minimale, nuk janë përmbushur pak e hiç.
Ndër të tjera, Asllanaj është shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me Ansamblin ‘Shota’.
“Nuk dua të humbas rastin t’i falënderoj të gjithë ata që në mënyrë shumë të sinqertë e dashamirëse, bashkëpunojnë me Ansamblin, përndryshe në këtë situatë në të cilën jemi, e kemi të pamundur mbajtjen e koncertit, sepse derisa të ndërrohen për një koreografi valltarët, neve na duhen së paku katër këngë e ne i kemi vetëm dy këngëtarë. Pra, teknikisht është e pamundur të funksionojmë pa bashkëpunëtorë”, ka deklaruar Asllanaj.
KultPlus ka kontaktuar edhe me Ibër Alajn, sekretarin e përgjithshëm në Ministri të Kulturë Rinisë dhe Sportit, i cili për sa i përket Arkivit të Ansamblit ‘Shota’ theksuar se aktualisht janë duke u ndërmarrë masa për realizimin e këtij projekti.
‘Në planifikimet buxhetore të Departamentit të Kulturës për vitin 2021 është planifikuar edhe krijimi i arkivit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e këtij projekti’, ka potencuar Alaj për KultPlus.
Ndërkaq, në pyetjen se kur saktsisht pritet që ‘Shota’ të funksionojë si institucion në vete pasi MKRS kishte premtuar që një gjë e tillë të ndodhë në janar të këtij viti. Alaj është përgjigjur si në vijim: Bazuar në Ligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2021, institucionet e kulturës, përfshirë edhe Ansamblin Shota kanë kodet e veçanta buxhetore. / KultPlus.com
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka publikuar një kërkesë ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik jo-legjitim të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Më poshtë mund të lexoni kërkesën e plotë të SHATK.
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave, se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të këtij Institucioni përkundër faktit që ky proces në thelb bie ndesh me Ligjet në fuqi.
SHATK edhe asokohe kërkoi Anulimin e procesit për shkak se Ministria e Kulturës po hap konkurs për një pozitë që nuk ekziston, ndërkohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke u bazuar në po të njejtin konkurs po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik, pra për pozitën për të cilën nuk është hapur konkursi.
SHATK thekson se: Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës në Konkurs si : “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik. Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.
SHATK kërkon qe në mënyrë urgjente Ministria e Kulturës ta ndalojë këtë proces, i cili bazohet në një konkurs jo-legjitim. Kërkojmë nga Ministrja e Kulturës znj. Vlora Dumoshi, që menjëherë të merr masa dhe ta ndalojë këtë proces të dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me respekt, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës: Armend Smajli Erson Zymberi Faris Berisha Kushtrim Koliqi Rebeka Qena. / KultPlus.com
Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.
Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.
Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.
“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ftesë publike për çmimet në fushën e muzikës, për vitin 2020.
Kjo shpallje është bërë me qëllim të avancimit, publikimit dhe promovimit të krijimtarisë muzikorë, si dhe në pajtim me Rregulloren për Ndarjen e Çmimeve për Muzikë. / KultPlus.com
Më qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë teatrore, dhe në pajtim me Rregulloren për ndarjen e çmimeve për teatër, e nënshkruar nga ana e Ministrit më 30.06.2014, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkursin për çmimet në fushën e teatrit për vitin 2020.
MKRS fton të giithë të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore dhe Çmimet vjetore për teatër, që u jepet krijuesëve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në fushën e teatrit.