Nga sot, bibliotekat e komunave të Kosovë, fondin e tyre do ta kenë më të pasur me nga 210 tituj të rinj të librave. Kjo u mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në një ceremoni tashmë tradicionale që ministria organizon çdo vit.
Me politikat e saj për librin, MKRS-ja mbështet financimin e botimit dhe të blerjes së tij. Më pas, kontingjentin e blerë të librit e shpërndan çdo vit për bibliotekat komunale të Kosovës, siç u organizua edhe ceremonia e sivjetme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK).
Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, prof. Osman Gashi, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, zyrtarë të MKRS-së dhe përfaqësues të bibliotekave komunale të Kosovës.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se libri, si miku më i mirë, sot na ka bërë bashkë. Ajo u shpreh se hallka më e dobët e cila ka qenë në përkrahjen e komunave për kulturën, kanë qenë bibliotekat dhe duke e pasur parasysh këtë fakt, ne si ministri në kuadër të programit, e përkrahim botimin e librit, i blejmë librat e ri të botuar nga shtëpitë botuese dhe ua shpërndajmë bibliotekave titujt e ri që ato të pasurojnë fondin e tyre bibliotekar.
“MKRS-ja me politikat e saj për disa vite ka fuqizuar dhe ka ndjekur një rrugë të shpërndarjes së librave dhe uroj që edhe kryetarët e komunave të jenë më koshientë që përmes subvencioneve ose pjesëve programore që ta sigurojnë një buxhet për këto biblioteka”, tha ministrja, e cila tha se buxheti dhe përkrahja për librin rritet për çdo vit.
Ministrja sqaroi se ky fond i librave me 27 tituj shpërndahet në 37 komuna të Kosovës si dhe në pjesën e Luginës së Preshevës.
Në emër të përfaqësuesve të bibliotekave komunale, foli drejtori i Bibliotekës së Komunës së Prishtinës, Munish Hyseni, i cili tha se ata bëjnë pyetësor çdo vit, për të marrë informacion se çfarë u intereson anëtarëve të bibliotekës të lexojnë. / KultPlus.com
Instrumentet e vjetëruara, mungesat e instrumentistëve në orkestër, mungesa e valltarëve dhe këngëtarëve, boshllëku ligjor që pamundëson përtëritjen e grupit të valleve, janë vetëm disa nga problemet me të cilat Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ po përballet tash e sa vite. Kërkesa dhe ankesa të shumta i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga ky Ansambël që funksionon si institucion i varur nga kjo Ministri, mirëpo deri më sot, shumica nga këto ankesa e kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër, shkruan KultPlus.
Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, i cili njihet për kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore, duke qenë ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, për një periudhë tejet të gjatë, është duke funksionuar në kushte jo dhe aq të mira. Disa nga instrumentet që i nevojiten orkestrës së këtij Ansambli mungojnë, poashtu mungojnë edhe instrumentistë, valltarë e këngëtarë. Mungesa këto që domosdoshmërisht duhet të plotësohen me bashkëpunëtorë të jashtëm, gjë kjo që e komplikon realizimin e planit artistik dhe organizimin e trupës së Ansamblit.
Ndër kriteret elementare për çdo Ansambël profesional, është që të ekzistojnë dy formacione valltarësh me nga tetë çifte, ndërkaq në Ansamblin ‘Shota’ pothuajse ka ngelur vetëm një formacion. Siç ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus, janë gjashtë vende të punës të “humbura” që nga viti 2014, pasi vendet e punëtorëve që janë pensionuar apo janë larguar jashtë vendit nuk janë zëvëndësuar me punëtorë të rinj, pasi MKRS nuk ka hapur akoma asnjë konkurs për Ansamblin dhe sigurisht këto vende janë zënë me punëtorë të Ministrisë apo departamenteve tjera.
‘Vetëm për pozitën e Koreopetitorit të Ansamblit, i cili ka dal në pension në vitin 2018, i kemi bërë deri më tani 23 kërkesa për këtë periudhë dy vjeçare, drejtuar Ministrisë për të hapur konkurs. Dhe asnjëherë kjo nuk ka ndodhur, dhe për me tepër as nuk kemi marrë pergjigje (zyrtare) për këtë qështje’, shprehet tutje Gjocaj për KultPlus.
Ajo çfarë me ngulm kërkon Gjocaj, është pavarësia totale e Ansamblit dhe Institucioneve tjera qendrore të kulturës nga Ministria. Në Nëntor të vitit të kaluar është proklamuar pavarsia e këtyre institucioneve nga ana e Ministrës së Kulturës, duke funksionalizuar fillimisht Kodin Buxhetor. Gjocaj konsideron se varshmëria ndaj Ministrisë ka shkaktuar probleme tejet të mëdha. Për Kodin Buxhetor, i cili këtij Ansambli i takon edhe me ligj, Gjocaj thekson se është vetëm një hap i vogël dhe i domosdoshëm, por hapat e tjerë janë të nevojshëm në mënyrë që Ansambli të mos menagjohet nga MKRS, por nga menagjmenti i zgjedhur i tij.
‘Përveç mos’hapjes së konkurseve dhe mungesës së organogramit, që nuk na lejohet ta bëjmë ne, ne kemi probleme edhe me ndërrimin e gjeneratave, pasiqë, për shkak të mos’harmonizimit të ligjit të Ansamblit me ligjin e pensioneve, edhe përkundër që në ligj eshtë saktësisht e përcaktuar, ne nuk mund t’i dërgojmë njerëzit në pension dhe rrjedhimisht na ngelet që për 3/4 vite, grupi i valleve të ngjitet në skenë i përbërë nga pleqtë. Po ashtu ndarja e buxhetit për Ansamblin, është paushalle dhe e pa bazuar në kerkesat që bën ansambli: “Kurrë nuk kemi marrë ndonjë arsyetim se përse Ministria e Kulturës i ka ndarë aq mjete për institucionet përkatëse dhe në cka janë bazuar, pasi në kërkesës tonë, që mbeshtetet me planin detaj te punes dhe ate buxhetor, jo se jo. Për më keq, ne nuk e dijmë sa kem mallra shërbime, nuk mund të realizojmë investime apo blerje kapitale. Investimi i fundit kapital në “Shotë” është bërë në vitin 2008, kur është rindërtuar objekti i Ansamblit”, deklaron Gjocaj për KultPlus.
“Ka gjashtë vite që unë kërkoj të realizohet Arkivi i Ansamblit dhe kjo gjë kërkon një shumë modeste. E kemi bërë kalkulimin dhe komplet projekti kushton diku 50.000 euro dhe duhet pranuar një specialist të Arkivit i cili njëkohësisht e njeh edhe teknologjinë informative, në mënyrë që kjo gjë të bëhet si është më së miri. Të gjithë ministrat që kanë qenë, prej kur jam unë drejtor i ‘Shotës’,e kanë pas këtë kërkesë në tavolinë, të gjithë kanë premtuar se ky projekt do të realizohet, por asnjëherë nuk është bërë asgjë. Një institucion me një traditë 70 vjeçare, të mos ketë arkiv të vetin, është e dhimbshme”, deklaron tutje Gjocaj.
Udhëheqësi Artistik i këtij Ansambli, Ylber Asllanaj ka treguar për KultPlus se është bërë kërkesa për minimumin 24 anëtarë që do të kompletonin trupën artistike, ndërkaq për sa u përket instrumenteve të nevojshme, ai konsideron se ky është një problem qe pret te zgjidhet se shpejti, pasi Ministria e ka shpallur tenderin dhe dikush tashmë e ka marrë përsipër këtë gjë.
“Neve na mungon infrastruktura humane, nuk e kemi stafin artistik të kompletuar edhe valltarë meshkuj edhe femra, ne nuk e kemi korin as sektorin e solistëve vokal të konsoliduar, vitet e fundit janë pensionuar dy nga katër, tani i kemi vetëm dy që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e ansamblit. Është shumë e vështirë kur ti deri në momentin e fundit planifikon të prezantohesh me dikë, i cili eshte bashkepunëtorë i jashtëm dhe nuk e ka obligim që të përmbushë kërkesën e Ansamblit dhe mund të mos paraqitet fare. Sigurisht se ata lirohen prej obligimit moral sepse ka nga ata bashkepunëtorë që, për shkak të procedurave banale dhe në mungesë të Kodit Buxhetor, ne nuk kemi mundur tua paguajmë mëditjen e para dy viteve. Për neve është shumë e vështirë”, ka theksuar Asllanaj për KultPlus.
Ai poashtu, shprehet se nuk e mohon vullnetin të cilin Ministria edhe mund ta ketë, por në fund rezultati nuk është i kënaqshëm. Pasi siç potencon ai, ka kohë që nga Ministria premtohen shumë dhe asnjë nga kërkesat e Ansamblit për të cilat Asllanaj tregon se janë minimale, nuk janë përmbushur pak e hiç.
Ndër të tjera, Asllanaj është shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me Ansamblin ‘Shota’.
“Nuk dua të humbas rastin t’i falënderoj të gjithë ata që në mënyrë shumë të sinqertë e dashamirëse, bashkëpunojnë me Ansamblin, përndryshe në këtë situatë në të cilën jemi, e kemi të pamundur mbajtjen e koncertit, sepse derisa të ndërrohen për një koreografi valltarët, neve na duhen së paku katër këngë e ne i kemi vetëm dy këngëtarë. Pra, teknikisht është e pamundur të funksionojmë pa bashkëpunëtorë”, ka deklaruar Asllanaj.
KultPlus ka kontaktuar edhe me Ibër Alajn, sekretarin e përgjithshëm në Ministri të Kulturë Rinisë dhe Sportit, i cili për sa i përket Arkivit të Ansamblit ‘Shota’ theksuar se aktualisht janë duke u ndërmarrë masa për realizimin e këtij projekti.
‘Në planifikimet buxhetore të Departamentit të Kulturës për vitin 2021 është planifikuar edhe krijimi i arkivit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e këtij projekti’, ka potencuar Alaj për KultPlus.
Ndërkaq, në pyetjen se kur saktsisht pritet që ‘Shota’ të funksionojë si institucion në vete pasi MKRS kishte premtuar që një gjë e tillë të ndodhë në janar të këtij viti. Alaj është përgjigjur si në vijim: Bazuar në Ligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2021, institucionet e kulturës, përfshirë edhe Ansamblin Shota kanë kodet e veçanta buxhetore. / KultPlus.com
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka publikuar një kërkesë ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik jo-legjitim të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Më poshtë mund të lexoni kërkesën e plotë të SHATK.
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave, se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të këtij Institucioni përkundër faktit që ky proces në thelb bie ndesh me Ligjet në fuqi.
SHATK edhe asokohe kërkoi Anulimin e procesit për shkak se Ministria e Kulturës po hap konkurs për një pozitë që nuk ekziston, ndërkohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke u bazuar në po të njejtin konkurs po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik, pra për pozitën për të cilën nuk është hapur konkursi.
SHATK thekson se: Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës në Konkurs si : “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik. Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.
SHATK kërkon qe në mënyrë urgjente Ministria e Kulturës ta ndalojë këtë proces, i cili bazohet në një konkurs jo-legjitim. Kërkojmë nga Ministrja e Kulturës znj. Vlora Dumoshi, që menjëherë të merr masa dhe ta ndalojë këtë proces të dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me respekt, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës: Armend Smajli Erson Zymberi Faris Berisha Kushtrim Koliqi Rebeka Qena. / KultPlus.com
Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.
Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.
Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.
“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ftesë publike për çmimet në fushën e muzikës, për vitin 2020.
Kjo shpallje është bërë me qëllim të avancimit, publikimit dhe promovimit të krijimtarisë muzikorë, si dhe në pajtim me Rregulloren për Ndarjen e Çmimeve për Muzikë. / KultPlus.com
Më qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë teatrore, dhe në pajtim me Rregulloren për ndarjen e çmimeve për teatër, e nënshkruar nga ana e Ministrit më 30.06.2014, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkursin për çmimet në fushën e teatrit për vitin 2020.
MKRS fton të giithë të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore dhe Çmimet vjetore për teatër, që u jepet krijuesëve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në fushën e teatrit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të përkrahjes së pushtetit lokal në Kosovë, ka nënshkruar memorandum për themelimin e kolegjiumit për kulturë, rini e sport, në Asociacionin e Komunave të Kosovës me synim rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në emër të MKRS-së, e ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Sazan Ibrahimin, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Qëllimi i memorandumit është mbështetja e MKRS-së për themelimin për herë të parë, të kolegjiumit të kulturës, rinisë dhe sportit, ku janë të përfshira edhe trashëgimia kulturore, e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Ky është kolegjiumi i 18 i themeluar nga AKK, i cili është në funksion të nxitjes për krijimin e njohurive të reja, përmirësimin dhe promovimin e punës së zyrtarëve komunal duke zhvilluar dhe ofruar shkëmbim përvojash dhe trajnime në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në komunat e Republikës së Kosovës, krejt kjo me qëllimin final të avancimit të fushave që i mbulon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
MKRS-ja nëpërmjet memorandumit përkrah financiarisht themelimin e këtij kolegjiumi duke mundësuar takimet e rregullta të drejtorëve të drejtorive komunale për kulturë, rini dhe sport, takime në të cilat do të merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues i MKRS-së.
Takimet do të mbahen në baza të rregullta periodike kohore me 4 deri në 6 takime për çdo vit, ku përpos shkëmbimit të përvojave të drejtorive komunale do të bëhet identifikimi i kërkesave për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale për fushat që i mbulon MKRS-ja në mandatin e saj.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se bashkëpunimi i MKRS-së me AKK-në është i një rëndësie tejet të veçantë pasi konkretizohen hapat e mëtejmë për rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.
“Asociacioni po bën një punë të madhe në koordinimin e komunave, gjë e cila ua lehtëson dhe mundëson edhe ministrive që të kenë një komunikim konkret me përfaqësues të komunave të Kosovës. MKRS-ja punën më të madhe e bën nëpër komunat e Kosovës pa përjashtim. Fjala vjen, në fushën e sportit kemi 88 projekte në investime kapitale, me buxhet të përcaktuar. Gjithashtu, ministria ka edhe projekte tjera financiare në fushën e kulturës, rinisë dhe fushat tjera të cilat janë në domenin e saj, e të cilat investohen nëpër komunat e Kosovës”, e informoi ministrja Dumoshi drejtorin e AKK-së.
“Është vlerësim i yni që nëpër komuna ka mungesë të kapaciteteve, sidomos në trashëgimi dhe ky kolegjium është hapi i parë i cili do të ndikojë në caktimin e prioriteteve për të ardhmen dhe do të sigurohen informatat e nevojshme për kërkesat nevojshme që kanë komunat”, tha tutje ministrja Dumoshi, duke potencuar faktin se MKRS-ja është e gatshme të marrë pjesë në këto takime të kolegjiumit.
Nga ana e tij, drejtori Sazan Ibrahimi, e falënderoi ministren për mbështetjen e dhënë të MKRS-së, përmes të cilës mundësohet themelimi i kolegjiumit.
“Përmes këtij mekanizmi të themeluar mbrohen interesat e komunave në rend të parë në fushat e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë e të drejtës së autorit. Mundësohet identifikimi për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale në këto fusha dhe organizimi i takimeve të rregullta”, tha Ibrahimi. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar të gjithë artistët e interesuar për pjesëmarrje në Bienalen e 19-të të Artit Aziatik në Bangladesh, transmeton KultPlus.
Aplikimi mund të bëhet duke shkarkuar, lexuar dhe plotësuar dokumentet/kriteret e nevojshme.
Dokumentet sqaruse dhe për aplikim gjenden në linkun e mëposhtëm:
Vëmendje: Artistët të cilët pranohen (vetëm 4 artistë mund të pranohen nga një shtet), shpenzimet e pjesëmarrjes i kompenson Qeveria e Bangladeshit. Artistët vetëm duhet të paguajnë vet biletën e udhëtimit. / KultPlus.com
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka shtjelluar së fundmi detajet e programit për rimëkëmbje ekonomike të vendit, pas krizës së shkaktuar nga pandemia globale COVID-19.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendimi se si do të bëhet shpërndarja e mjeteve financiare në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike, një pjesë e të cilave është menduar edhe për kulturë, rini dhe sport.
Këtë e ka bërë të ditur vet Kryeministri Hoti në një konferencë për media.
I njëjti bëri të ditur se çdo qytetar i Republikës së Kosovës do ta ndjejë ndihmën e dhënë nga shteti. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur përfaqësueset e klubit të shahut të femrave “Malësorja e Kosovës”, të kryesuar nga Shehrije Gërbeshi, në një takim në të cilin u fol për një varg çështjesh, duke veçuar nevojën e futjes së sportit shahut në kurrikulat shkollore, ndër të tjera.
Përfaqësueset e “Malësorja e Kosovës” e njoftuan ministren për historikun e klubit i cili është i vetmi i këtij lloji në Kosovë, ku anëtaret dhe shahistet janë të gjinisë femërore.
Gërbeshi tregoi për sukseset dhe pjesëmarrjen në garat vendore dhe ndërkombëtare. Ajo e informoi ministren për shtrirjen garave të klubit në 6 komuna të vendit dhe synimi i tyre është që ta promovojnë dhe shtrijnë këtë aktivitet sportiv në tërë territori e Kosovës ashtu që të ketë një masivizim të sportit të shahut tek gjinia femërore.
“Ne kemi zhvilluar takime me shumë përfaqësues institucionesh dhe kemi kërkuar që shahu të futet si disiplinë shkollore”, theksoi Gërbeshi.
Ndërkaq, ministrja Dumoshi, e mirëpriti iniciativën dhe sukseset e klubit. Ajo i tregoi përfaqësueseve të klubit të shahut për përkrahjen që jep MKRS-ja për sektorët që mbulon, veçanërisht për sportit, ku veçoi ndihmën prej 1.5 milion euro nga fondi emergjent vetëm për sportin dhe këto mjete financiare nëpërmjet federatave u janë shpërndarë klubeve dhe sportistëve.
“Më vjen mirë kur shoh këto të reja që merren me sport dhe jemi dëshmitarë që vajzat tona po na përfaqësojnë denjësisht në sport dhe ne si ministri me mundësitë dhe kapacitetet tona po e përkrahim sportin në bazë të prioriteteve programore që kemi si ministri. Objektiv i ynë është që të rinjtë të përqafojnë sportin dhe të merren sa më shumë me aktivitete sportive”, tha mes tjerash ministrja, duke shtuar se fokusi i saj por edhe i ministrisë është tek të rinjtë dhe se shteti është krijues i mundësive që ata të merren me sport.
Ministrja po ashtu përmendi se për shkak të pandemisë e ka pamundësuar bashkërendimin e nevojshëm dhe të mjaftueshëm me Ministrinë e Arsimit që shahu të futet si lëndë e veçantë në kurrikulat shkollore ashtu siç e parasheh edhe rekomandimi i Bashkimit Evropian që shahu të futet si lëndë në tërë shkollat e Evropës. / KultPlus.com
Ministrja Vlora Dumoshi ka takuar sot Flutura Ibrahimin, më shumë të njohur si Uta e Maleve, vajzën e parë nga Ballkani e cila ka ngjitur 5 majat e Himalajeve.
Ibrahimi e njoftoi ministren më shumë për vazhdimësinë e projektit të saj ‘14 Majat më të larta të tokës’ dhe ekspeditat e radhës në Anapurna, Makalu dhe K2 majën më të rrezikshme në botë.
Ministrja tha se Uta do të ketë mbështetjen e saj si ministre dhe të MKRS-së për rrugëtimet e saja drejtë çative të botës, ku besoj sërish do të valojnë flamuj tonë. /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim alpinisten Mrika Nikçin.
Ministrja Vlora Dumoshi gjatë këtij takimi e përgëzoi alpinisten Mrika Nikçi për sukseset e saj duke thënë se “është kënaqësi e veçantë për mua si Ministre që t’i ndaj mirënjohje një alpinistje të suksesshme siç jeni ju, vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vite”.
“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”–tha ministrja Dumoshi.
Ndërkaq alpinistja Mrika Nikçi u shpreh e lumtur për marrjen e mirënjohjes dhe tha se: “Vlerësimi i punës dhe angazhimit tim nga ana e Ministrisë për mua do të thotë shumë, kjo mirënjohje është një motivim shtesë e cila me shtyn të vazhdoj më tutje”- tha alpinistja Nikçi. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.
Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.
“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive,”- tha ministrja Dumoshi.
Ndërkaq, trajneri Driton Kuka falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.
“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”,-tha Kuka. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me shefin e UNICEF-it në Kosovë Murat Sahin, kanë ndarë sot mirënjohje për vullnetarët e vitit.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që sot së bashku me shefin e zyrës së UNICEF-it z.Murat Sahin po ndajnë mirënjohje për vullnetarët e vitit. Ajo gjithashtu tha se me UNICEF-in ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e falënderoi z.Sahin që po i ndihmon të rinjtë me anë të programeve të shkëlqyera të cilat i dedikohen rinisë së vendit tonë.
Tutje ministrja Dumoshi tha se “Sot është ditë e veçantë sepse ju kemi juve vullnetarët këtu. Për të pasur emrin vullnetar është një humanitet i cili buron nga shpirti për t’i ndihmuar të tjerët. Kosova së bashku me UNICEF-in dhe organizatat e tjera e ka instaluar me udhëzim administrativ këtë rregull për shpërblimin e punës tuaj. Shpërblimi është mbase vetëm një kujdes ndaj punës tuaj por shpirti dhe humanizmi që e tregoni dhe e shpërfaqni ndaj njerëzve që kanë nevojë e sidomos këtë vit në këtë kohë pandemie kur jeni angazhuar për t’i ndihmuar të tjerët kjo do të thotë shume për ju.”
Ministrja Dumoshi i inkurajoi të rinjtë që të bëjnë punë vullnetare dhe tha se e ka nënshkruar projektligjin për rini dhe se beson që ky ligj do të kalojë në Qeveri dhe pastaj edhe në Kuvend dhe me anë të tij puna vullnetare do të njihet si përvojë e punës.
Ndërkaq shefi i UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin e përgëzoj ministren Dumoshi për punën dhe angazhimin e saj në fushën e rinisë. Ai tha se kanë të regjistruar 10 mijë vullnetarë, duke shquar se rinia duhet të jetë lidere për të bërë ndryshime në shoqëri. “Ju përgëzoj për punën që po e bëni si ministre sidomos në agjendën rinore. Ka qenë kënaqësi me qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Po ashtu për faktin që kemi rreth 10 mijë vullnetarë të regjistruar. Unë konsideroj që rinia sot ka vullnetin të jetë pjesë e komunitetit dhe lidere për të bërë ndryshimin në shoqëri”.
Vullnetarëve që u ndanë mirënjohje janë: Elsa Haxhija, Lea Noberdaliu, Anida Gjurgjiali, Agon Goqi. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur përfituesit nga thirrja publike për mbështetje financiare të projekteve kulturo-artistike, shkruan KultPlus.
Ky konkurs ishte i hapur si një ndihmë financiare nga pjesa e dytë e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike, teksa tanimë janë publikuar edhe artistët dhe veprimtarët e kulturës të cilët kanë fituar mbështetjen.
Lista e përfituesve përbëhet nga fushat si: diplomacia kulturore, arti pamor, filmi, sektori i industrisë kreative, teatri, diversiteti dhe dialogu kulturor, muzika, promovimi, shkrim dhe trashëgimia kulturore.
Tregut të bizneseve të Kosovës do t’u shtohen edhe 167 biznese të reja të të rinjve të vendit tonë. Kjo u bë e mundur sot kur Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shpërndarë kontratat për start-up grante për të rinjtë përfitues.
Kjo përkrahje e MKRS-së për të rinjtë në tërësi ka vlerën e rreth një milion euro dhe është në kuadër të programit për stimulimin e punësimit të të rinjve. Këtij procesi i ka parapri një program i trajnimeve për ndërmarrësi që janë zhvilluar në të gjitha rajonet kryesore të Kosovës (Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan). Objektivi kryesor i programit ka qenë mundësimi i të të rinjtë e papunë për të nisur një veprimtari biznesi, ashtu që Kosova të ketë sipërmarrës të ardhshëm.
Skema e Ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë deri katër mijë euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, u shpreh se përkundër faktit se MKRS-ja është një ministri shumë e gjerë, një vëmendje të veçantë i kushton fushës së rinisë për t’i plotësuar kërkesat që vijnë nga rinia, nga qendrat rinore, nga Këshillat Lokale të Rinisë.
Ministrja Dumoshi po ashtu përmendi edhe projektligjin e rinisë, ku parashihet ndryshimi i moshës së rinisë dhe do të njihet puna vullnetare.
“167 liderë në fushën e ndërmarrësisë do të shtohen në Kosovë dhe kjo do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Si ministri kemi financuar këtë program pasi që është në interes të vendit që të rinjtë të qëndrojnë në vendin tonë dhe këtu të punësohen e të zhvillohen si ndërmarrës e sipërmarrës të rinj”, u shpreh mes tjerash ministrja Dumoshi.
Kjo mbështetje ka ardhur pas trajnimeve të cilat të rinjtë i kanë ndjekur dhe janë certifikuar 1255 të rinj, nga sa ne si ministri kemi menduar në fillim se do të jenë vetëm 400 sosh, por duke parë interesimin e të rinjve, numri i të trajnuarve është rritur me përkrahjen e MKRS-së. Për rrjedhojë, nga ky proces i këtij programi stimulues, sot 167 të rinj janë përkrahur nga fondet e ministrisë.
Të rinjtë përfitues e kanë vlerësuar shumë përkrahjen e MKRS-së ngase ka qenë e pamundur që ata të konkretizojnë dhe realizojnë bizneset e tyre pa këto grante që ministria ka mbështetur të rinjtë përfitues të këtij programi.
Ata u zotuan se do të maksimalizojnë përpjekjet që të zhvillojnë dhe zgjerojnë bizneset e tyre ashtu që të angazhojnë edhe të rinj të tjerë në projektet e tyre. / KultPlus.com
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka publikuar një fotografi pranë pamjes së re të këtij institucioni kulturor, duke shprehur urimet e saj për 28 Nëntorin, shkruan KultPlus.
Dumoshi në foton e publikuar nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duket pranë flamujve kuq e zi që kanë zbukurar hyrjen e këtij institucioni, teksa ka bashkangjitur edhe urimin e saj për festën kombëtare.
KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e Dumoshit:
PËR 28 NËNTORIN – FESTËN E FESTAVE
Si sot, 108 vjet më parë, kombi ynë shqiptar, me vullnetin, zërin dhe forcën e përfaqësuesve nga të gjitha trevat etnike ku pati shqiptarë, shpalli pavarësinë, duke e bërë Shqipërinë të barabartë me kombet e tjera moderne evropiane.
Ndonëse për vite me radhë shqiptarët padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të imponuar, me sakrifica arritën të ruajnë të shenjtë gjuhën, traditat dhe Flamurin kuq e zi.
28 Nëntori është dhe më kuptimplotë për ne shqiptarët e Kosovës meqë lidhet me ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari i cili bëri kthesën e historisë së re e Kosovës.
Sot kur gëzojmë lirinë e munguar ndër shekuj, me të drejtë, si shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Diasporë mund të konsiderohemi qytetarë të denjë europianë, të shquar në mikpritje, empati, maturi, përgjegjësi dhe dashuri për njëri tjetrin.
Patriotizmin sot e tregojmë më së miri duke qenë qytetarë të ndërgjegjshëm, që shtetin e kanë shtëpi, detyrë e përgjegjësi.
Gëzuar 28 Nëntorin!
Nder të përjetshëm baballarëve, martirëve e të rënëve!
Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.
Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.
Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:
Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.
Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.
Për nder të ditës së 28 Nëntorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta organizoj ekspozitën “Rrëfim biografik” kushtuar Anton Çettës, shkruan KultPlus.
Muzeu Kombëtar i Kosovës do të hap dyert nesër duke filluar nga ora 13:30 për të shpalosur rrëfimin biografik të njeriut që u bë simbol i bashkimit, nëpërmjet kurimit të Skender Boshtrakajt.
Kjo ekspozitë do të organizohet në kuadër të muajit të Anton Çettës. / KultPlus.com
Artdashës të grup moshave të ndryshme në kohëra të llojllojshme kishin gjetur bashkim në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Kjo shtëpi e valleve dhe kulturës tanimë feston 70 vjetorin e themelit të saj, teksa bëhet me dije se vitin e ardhshëm do të jetë institucion në vete, shkruan KultPlus.
Përtej shfaqjeve skenike dhe kërcimeve nën ritmin muzikor, ky ansambël tani është kthyer në vulë të rezistencës kulturore të vendit, duke dëshmuar në epoka të ndryshme rëndësinë e traditave dhe përcjelljes së tyre brez pas brezi.
Tash teksa ka krijuar një histori në vete, 70 vjetorin e saj “Shota” e feston dinjitetshëm, duke e pasur një listë të gjatë emrash që dikur ia ka hapur dyert.
Edhe ky përvjetor bashkoi shumë njerëz, në ceremoninë e festimit të së cilës e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje.
Për dallim nga të përvjetoret tjera, ky i sivjetmi u ndje ndryshe. Kërkesa e kahmotshme e Ansamblit “Shota” gjeti realizim.
“E kam mbajtur premtimin dhe nga janari i vitit 2021, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, do të jetë institucion i pavarur”, u shpreh Vlora Dumoshi.
Tutje ministrja çmoi lart kontributin që dha “Shota” në jetën kulturore të vendit.
“Në 70 vite jetë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka kaluar nëpër peripeci dhe sfida të shumta, por ai është ngritur mbi to dhe është shndërruar jo vetëm në një institucion që mbanë gjallë traditën tonë të këngëve, valleve, veshjeve autentike dhe galerisë së pashtershme të motiveve popullore, por edhe në një ambasador të mirëfilltë të kulturës sonë në botë”, tha Dumoshi.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” përveç në vendin tonë, tanimë është dëshmuar edhe në skenat e shteteve përtej kufirit duke rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com
Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.
“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti
Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve
“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.
Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.
E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com
Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të nënshkruajnë nesër memorandum bashkëpunimi për projektin e rrëfimeve të të mbijetuarve të Krushës së Madhe, shkruan KultPlus.
Duke filluar nga ora 12:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për mbështetje financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. / KultPlus.com
Ngjarjet kulturore do të mund të mbahen vetëm me 30 për qind të shfrytëzimit të hapësirave. Kjo masë shtrënguese ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, pas një vendimi të marrë të dielën.
Shteti ka ndryshuar masat në raport me pandeminë shkaku i numrit të lartë të rasteve që rezultojnë pozitive me COVID-19. “Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive, ansambleve, baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve, qendrave të kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlejë për të gjitha aktivitetet, si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt”, shkruhet në vendimin e Qeverisë, i cili hyn në fuqi nga sot (e hënë).
Pas gati shtatë muajsh me aktivitete të pezulluara, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që teatrot dhe kinematë t’i riktheheshin punës në fund të shtatorit. Asokohe ishte lejuar që këto institucione të vepronin me 40 për qind të kapaciteteve shkaku i pandemisë. Teatrot, kinematë dhe disa institucione të tjera kulturore kishin pezulluar aktivitetin qysh prej 13 marsit.
Hapja e teatrove ka qenë kërkesë e komunitetit artistik tash e disa javë. Institucionet shtetërore deri të premten mbrëma nuk kanë dhënë një afat konkret se kur mund të hapen teatrot. Kjo kishte bërë që programet vjetore të mos jetësohen, por edhe kriza të thellohet. Përderisa në ditën e 14-të të këtij muaji janë hapur edhe shkollat, për teatrot nuk kishte asgjë konkrete. Për udhëheqësit e teatrove, qofshin ato publike apo private, qasja e shtetit ishte krejt e pakuptimtë.
Një peticion i nisur nga qendra “Multimedia” për hapjen e teatrove ishte nënshkruar nga mbi 500 veta. Në peticion jepen një varg arsyesh se përse duhen hapur teatrot.
“Hapja e teatrove, me masa të caktuara të sigurisë, do ta shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi total në të cilin gjendet aktualisht dhe do të kontribuonte në masë të madhe në jetën sociale në Kosovë, të rënduar nga pandemia”, shkruan aty. Në peticion është thënë po ashtu se teatrot në Kosovë kanë kapacitete për t’i përfillur të gjitha masat e sigurisë që konsiderohen të domosdoshme për sigurinë e publikut dhe të artistëve. Sipas peticionit, hapja e teatrove në vend duhet të përvijojë trendin e masave të zbatuara në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirë edhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut./ Koha.net/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bazë të Vendimit nr.903/2020, në thirrjen publike për mbështetje financiare publike për rritjen e punësimit përmes granteve start-up, ka bërë vlerësimin e aplikacioneve të pranuara nga aplikuesit dhe ka përzgjedhur gjithsej 167 përfitues.
Këto aplikime kanë ardhur si rrjedhojë e trajnimeve që MKRS ka mbështetur në fushën e ndërmarrësisë për të rinj, ku të rinjtë pas trajnimeve për ndërmarrësi kanë pasur mundësi që pastaj të aplikojnë për grante të ndryshme përmes thirrjes publike të hapur nga MKRS.
Në komplet fushën e ndërmarrësisë janë trajnuar 755 të rinj në trajnime profesionale për përgatitje për treg të punës, 500 për trajnime në ndërmarrësi.
Numri i të rinjve të trajnuar e ka tejkaluar numrin e paraparë prej 400 sa parashihej duke shkuar në 1255.
Ky është numri më i madh i granteve start-up që ka përkrahur MKRS ndonjëherë. Ministrja Dumoshi me këtë rast uron të gjithë përfituesit dhe shprehet shumë e lumtur që si Ministri kanë arritur të përkrahin kaq shumë të rinj dhe të kontribuojnë në ngritjen e tyre profesionale.
Gjeni listën e përfituesve të këtyre granteve të publikuar si vijon. / KultPlus.com