MKRS organizon ngjarje kulturore mbi diversitetin kulturor përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Fondacionin ‘Tradita popullore’ organizon ngjarjen kulturore në të cilën do të promovohet diversiteti ynë i pasur kulturor, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjetin social Facebook.

Ndër të tjera, në njoftimin e Ministrisë poashtu bëhet e ditur se aktiviteti do të mbahet në Parkun Arkeologjik Ulpiana’ më datë 22 shtator të këtij viti, duke filluar nga ora 17:00. / KultPlus.com

MKRS dhe UP nënshkruajnë memorandum për bursa studimi për trashëgiminë kulturore

Studentët e Universitetit të Prishtinës nga sot do të kenë mundësinë e përkrahjes për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ua mundëson studentëve të UP-së sigurimin e bursave me qëllim të aftësimit dhe avancimit në programet e specializuara për trashëgimi kulturore.

Memorandumi u nënshkrua me qëllim të zbatimit të programit për ofrimin e bursave për studime nga studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës, përkatësisht studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe rektori Marjan Dema, nënshkruan memorandumin bashkëpunimit i cili konkretisht parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike – deri në katër bursa; antropologji fizike dhe/apo biologjike – deri në dy bursa; antropologji kulturore apo/dhe linguistike – një bursë; arkeologji klasike ose Histori e Artit-deri në një bursë; arkitekturë/konservim – restaurim deri në një burse.

Procesi i aplikimit dhe pranimit do të zhvillohet në dy faza, atë të selektimit të kandidatëve dhe fazën e intervistave.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj u shpreh se është një nder të jetë prezentë në Rektorat për të kryer ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe tha se kjo është marrëveshja e tretë që MKRS-ja nënshkruan me UP-në.

“Sot është 15 shtatori dhe tani fillon Muaji i Trashëgimisë dhe mesazhi i këtij muaji është ‘Trashëgimia dhe Edukimi’, andaj MKRS-ja sot e nënshkruan një marrëveshje e cila është domethënëse për ekspertët e gjeneratave të reja të fushave të cilat janë shumë të ndjeshme si arkitektura, arkeologjia dhe antropologjia. Ne jemi të gatshëm që studentët më të mirë që do t’i përzgjedh UP-ja që t’i përkrahim që ata të studiojnë dhe të marrin ekspertizën në universitetet më të mira të BE-së dhe më pas ata të kthehen dhe të punojnë në vendin tonë,” tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ajo theksoi se Kosova i ka institucionet e veta që janë nën ombrellën e MKRS-së. “Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore andaj këto marrëveshje kanë një domethënie dhe më këtë rast i ftoj të gjithë studentët t’i shohin këto fusha të rëndësishme ku hulumtohet e studiohet trashëgimia kulturore e Kosovës. Ne me shumë përkushtim e kemi ndarë buxhetin dhe do t’i financojmë këta studentë” tha ministrja.

Ndërkaq, Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është në përfundim të mandatit të tij dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje në përfundim të detyrës ka një domethënie të madhe pasi që MKRS-ja i ka kushtuar një rëndësi të madhe Universitetit “Hasan Prishtina” ku studiojnë 42 mijë studentë.

“Investimi më i mirë në ndryshime pozitive është investimi në Universitet ku me anë të kësaj marrëveshje do të përfitojnë shumë studiues e hulumtues, shumë studentë dhe ky do të jetë një stimulim dhe do të jetë një entuziazëm më i madh për të studiuar e hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur përpara, në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji. Dhe sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspert në këto fusha”, tha ndër tjera rektori Dema, i cili edhe shprehu mirënjohjen për ministren dhe MKRS-në që UP-së i kanë kushtuar një kujdes të veçantë. / KultPlus.com

Hapet ekspozita e Hazir Rekës, shpalosen për herë të parë fotografi të delegacionit të Senatit amerikan

Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990, shkruan KultPlus.

Pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.

Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. ”Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Kjo ekspozitë i parapriu inaugurimit të bustit të senatorit i cili do të bëhen në rrugën ‘Bob Dole’, sot në Lagjen Dardani, duke filluar nga ora 13:30.

Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës. / KultPlus.com

Dumoshi i ndan mirënjohje shkrimtarit Shpëtim Selmani, laureat i çmimit të BE-së për letërsi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.

Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.

Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.

Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.

Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com

Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, së shpejti shndërrohet në muze

Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-burgut në Prishtinë në muze.

Si hap të parë, Ministrja Vlora Dumoshi nënshkroi vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë Konceptin për Projektin e Ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim muze, të cilin koncept do t’ia paraqesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.Grupi punues me vendim të ministres do të ketë këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses;Ndërkaq në rolin e anëtarëve:Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë;Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dheAjshe Kamberi, MPB.

Ky vendim shënon hapin e parë konkret drejt shndërrimit të objektit të ish Burgut të Prishtinës në muze dhe është një akt i ndërmarrë nga ministrja Dumoshi konform programit të Qeverisë Hoti. Ndërtesa në të ardhmen dotë menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Ministrja Dumoshi tha se ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Së shpejti themelohet Liga Mbarëshqiptare e Basketbollit

Basketbolli shqiptar së shpejti do të ketë ligën mbarëkombëtare. Për këtë gjë, sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës, të kryesuar nga Arben Fetahu.

Në këtë takim koordinues u diskutua për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare Shqiptare të Basketbollit, e cila mundëson zhvillimin e garave mes klubeve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari Fetahu e njoftoi ministren Dumoshi se orientimisht në pjesën e parë të shtatorit marrëveshja pritet të nënshkruhet në Tiranë mes dy federatave në prezencën e ministreve homologe.

Po ashtu, kreu i FBK-së, Arben Fetahu, e informoi ministren edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen basketbollistët dhe federata për shkak të pandemisë. Ai tha se po presin kur autoritetet do të lejojnë zhvillimin e stërvitjeve dhe garave nëpër palestra dhe menjëherë të fillojnë përgatitjet për sezonin e ri.

Nga ana e saj, Ministrja Dumoshi, u shpreh se mirëpret nismën për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare dhe MKRS-ja është e gatshme që të mbështesë këtë ligë në bazë të kapaciteteve të mundshme të saj.

Po ashtu, ministrja tha se në koordinim me autoritetet përgjegjëse shtetërore, do të angazhohet që sa më shpejt që është e mundur të lejohet nisja e garave për sezonin e ri në basketboll.

Ministrja i informoi krerët e FBK-së edhe për mbështetjen që do të kenë basketbollistët nga fondi emergjent i MKRS-së, ku ata pritet të përfitojnë drejtpërsëdrejti. / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja me 15-të projekte në Deçan

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësi Halil Matoshi, dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, kanë vizituar sot Komunën e Deçanit, ku fillimisht u pritën në takim nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Në takimin e zhvilluar, Dumoshi e Ramosaj kanë biseduar për projektet e përbashkëta mes MKRS-së dhe Komunës, investimet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë në plan të realizohen këtë dhe vitin tjetër.

Konkretisht bëhet fjalë për 15 projekte në të cilat ministria është duke investuar në Komunën e Deçanit, në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe të sportit, si shtëpi të kulturës, biblioteka, 6 restaurime të kullave, qendrën rinore, sallën sportive e fushat e poligonet sportive.

Ministrja Dumoshi tha se në takim me kryetarin kanë biseduar edhe për turizmin kulturor. “Me kryetarin biseduam për turizmin kulturor. Kjo pjesë e ka një bukuri natyrore e cila gjithmonë është veçuar si atraksion dhe ku do të mund të investohet dhe ndërtohen pista skijimi me një gjatësi deri në 5 km”, tha mes tjerash ministrja, duke thënë se është një mundësi si për qeverinë por edhe investitorët e huaj të investojnë në këtë zonë me bukuri të mrekullueshme, ashtu që Kosova të bëhet pjesë e hartës së Botës për skijim për zhvillimin e garave ndërkombëtare.

Ndërsa kryetari Ramosaj e falënderoi ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për prezencën e saj në Deçan. Ai tha se projektet e përbashkëta të Komunës dhe ministrisë janë të dobishme dhe të rëndësisë së veçantë. Janë investime të cilat kanë me e bërë Deçanin me u dok ndryshe, deklaroi kryetari.  / KultPlus.com

MKRS përgëzon organizatat kulturore nga Kosova, fituese në thirrjen e programit ‘Evropa Kreative’

Këtë javë janë publikuar e rezultatet e thirrjes së fundit “Cultural Cooperation Projects in the Western Balkan Region 2020”,  të hapur në kuadër te programit Evropa Kreative.

Nga mbi 300 aplikime nga e gjithë Evropa, vetëm 13 projekte janë shpallur fituese ndër te cilat 6 organizata kulturore nga Kosova kanë përfituar grante si partnerë në 4 projekte të ndryshme.

Duke e marrë parasysh faktin se Kosova është anëtarësuar ne Programin Evropa Kreative së fundmi, saktësisht në fund të vitit 2018, ky rezultat është një arritje jashtëzakonisht  e rëndësishme si për operatorët kulturorë kosovarë, për Ministrinë e Kulturës, por edhe për Kosovën.

Organizatat kulturore të Kosovës të cilat janë shpallur fitues të kësaj thirrjeje janë : RRITU, KOSOVO CHOPIN ASSOCIATION, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, KOMUNA E PRISHTINËS, NGO AKTIV DHE ANIBAR.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përgëzon të gjitha organizatat kulturore të Kosovës për këtë arritje të madhe dhe siguron se do të vazhdojë me përkushtim punën në përkrahjen e organizatave  kulturore vendore në veprimtarinë dhe  aktivitetet e tyre që po i bëjnë nderë imazhit të Kosovës. / KultPlus.com

MKRS investon me 2.6 milionë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, zëvendësministrat Halil Matoshi e Nexhat Ramadani dhe një pjesë të stafit të MKRS-së kanë vizituar sot Komunën e Suharekës.


Gjatë kësaj vizite ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në Komunë nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Në takim u bisedua për projektet që financon MKRS-ja dhe bashkëpunimin me Komunën. Gjatë takimit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, projekt ky për të cilin MKRS-ja do të investojë rreth 2.6 milionë euro.

 
Ministrja Dumoshi me këtë rast tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të madhe. Ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.

“Shtëpia e Kulturës mban emrin e Ukë Bytyqit, veprimtar i cili ka punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E kemi për detyrim të kujdesemi dhe këto objekte me emra të mëdhenj t’ua lëmë trashëgimi gjeneratave të reja”.


Ministrja Dumoshi vizitoi edhe stadiumin e qytetit të Suharekës ku njoftoi se MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro për rinovimin e këtij stadiumi. Kjo në vazhdën e investimeve që MKRS-ja po bën në komuna të ndryshme nëpër Kosovë, për ta ndihmuar e rregulluar infrastrukturën sportive. 


Ministrja po ashtu njoftoi se sot fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës. Ajo theksoi se ky stadium do të jetë i kategorisë së parë sipas kushteve të UEFA-së dhe siguroi që pas finalizimit këto projekte të jenë një ndihmë e madhe për qytetarët e Suharekës. 
Ministrja Dumoshi tha se sa i përket trashëgimisë kulturore, MKRS-ja është duke punuar në projektin për Shtëpinë – Muze “Fadil Vata”, në fshatin Sallagrazhdë dhe shtoi se MKRS-ja ka projekte edhe për rininë duke i inkurajuar të rinjtë që përmes organizatave komunale të aplikojnë dhe të jenë fitues të këtyre projekteve.

“Bashkërisht me kryetarin diskutuam për projekte që janë shumë të nevojshme e të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ndërkaq zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se në këtë komunë do të ketë investime edhe në infrastrukturë dhe do të ketë edhe në projekte të tjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve.
Shtëpia e Kulturës do t’ia shtojë bukurinë qytetit meqë Suhareka është vend i vogël por me vlera të mëdha.

Kryetari Bali Muharremaj u shpreh i lumtur për vizitën e krerëve institucionalë dhe për investimet e pakursyera në këtë komunë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi në Viti: Presim që projektet në sport të kryhen sa më shpejt

Në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Vitisë, ministrja Vlora Dumoshi, pa nga afër punimet që po zhvillohen në palestrën e sportit në Viti dhe në stadiumin e qytetit.

“Palestra e sportit është një projekt që i është dashur shumë qytetit të Vitisë për të krijuar hapësirën e nevojshme për sportistët që ka kjo komunë. Është një investim i ministrisë në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro. U njoftova nga kryetari për mbarëvajtjen e projektit dhe zhvillimin e punimeve. Presim që të intensifikohet dinamika dhe projekti të përfundojë sa më shpejt”, veçoi ministrja në vizitën që iu bë palestrës.

Ndërsa, në inspektimin që i është për punëve në stadiumin e qytetit të Vitisë, ministrja tha se me vizitat që po bëjmë në komunat e Kosovës pa dallim, po përcjellim për së afërmi zhvillimin dhe cilësinë e punimeve që po kryhen në investimet që ministria po realizon.

“Për këtë vit, për stadium, ministria ka ndarë 400 mijë euro. Kemi kërkuar që tribunat të ndryshohen dhe punëkryesi do ta ketë parasysh këtë kërkesë. Zhveshtoret veçse janë përfunduar së ndërtuari. Stadiumi tani është në fazën e drenazhimit. Vitia ka ekipin e saj të futbollit i cili po zhvillon garat në Ligën e Parë të Kosovës dhe i dëshirojmë suksese ekipit dhe urojmë që ky stadium të kryhet sa më shpejt”, sqaroi ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, e falënderoi ministren dhe MKRS-në për tërë mbështetjen që po japin për komunën që ai udhëheq. Ai konfirmoi se projektet janë më së të nevojshme në plotësimin e kërkesave që qytetarët e kësaj komune kanë. Haliti tha se MKRS-ja dhe Komuna e Vitisë kanë një bashkëpunim shumë të frytshëm i cili përkthehet në dobi dhe në interes të qytetarëve të Komunës. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Vitia, një prej vatrave të kulturës shqiptare

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrat Valdete Bajrami e Engelbert Zefaj dhe një pjesë të stafit të MKRS-së, kanë vizituar Komunën e Vitisë për të inspektuar investimet në këtë komunë të cilat ministria po financon.

Fillimisht, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në komunë nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti. Në takim u bisedua për projektet që financon ministria dhe bashkëpunimin me komunën. Po ashtu, u nënshkrua memorandumi për Rinovimin e Shtëpisë së Kulturës së Vitisë, në të cilin ministria do të investojë 50 mijë euro në një kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ministrja Dumoshi me këtë rast u shpreh se Vitia ka nevojë shumë për shtëpi moderne dhe funksionale të kulturës. “Po sa e nënshkruam memorandumin për renovimin e shtëpisë së kulturës, e cila i duhet shumë Komunës së Vitisë”, tha ministrja, me ç’rast vizitoi objektin e shtëpisë së kulturës duke theksuar se është e rëndësishme që objektet e të cilat janë ndërtuar shumë vjet më parë të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të kulturës, artit, teatrit, galerisë e bibliotekës si hapësira që do të shfrytëzohen nga njerëzit e artit e të kulturës.

“I bëj thirrje të gjithë organizatave të pavarura të Vitisë që të aplikojnë në grantet apo subvencionet që i shpall MKRS-ja”, tha ministrja kur foli për përkrahjen e drejtpërdrejtë që jep ministria.

Ministrja tregoi gjithashtu se me kryetarin Haliti kanë folur për projektet që janë shumë të nevojshme për Komunën e Vitisë, investimet që do të shkojnë për rininë, kulturën dhe truizmin kulturor.

“Folëm për projekte që janë shumë të nevojshme të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha ministrja mes tjerash.

Ndërkaq, kryetari Haliti e falënderoi ministren dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin në financimin e shumë projekteve që janë të dobishme dhe në interes të qytetarëve të Komunës së Vitisë.

“E falënderoj ministren dhe bashkëpunëtorët e saj për vazhdimin e kompletimit të shtëpisë së kulturës. Shtëpia e kulturës ka qenë gërmadhë në Viti por me investimet që po bëhen ajo do të revitalizohet”, tha Haliti.

MST. Vizita në Shkollën e parë shqipe në Stubëll

Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vitisë, ministrja qëndroi edhe në fshatin Stubëll, në të cilin ndodhet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë e cila sipas shumë dokumenteve daton para pesë shekujve, por që nën udhëheqjen e Dom Mikel Tarabulluzit, në vitin 1905 themelohet si shkollë e parë shqipe.

“Është një shtëpi muze, objekt i përhershëm i trashëgimisë kulturore. Është një monument i cili ka një histori pesë shekullore dhe ka kaluar faza të ndryshme, si ajo osmane, e pastaj tek rilindësit tanë”, u shpreh ministrja Dumoshi kur foli për shkollën e parë shqipe si pjesë të trashëgimisë tonë kulturore të cilën e kemi obligim që ta ruajmë e dokumentojmë.

Ndërsa kryetari Haliti falënderoi MKRS-në nëpërmjet ministres Dumoshi, si institucionin përgjegjës, për shndërrimin në shkollë-muze shkollën shqipe në Stubëll, duke e futur në kuadër listës së trashëgimisë si objekt e si histori. Kryetari tha se për nder të shkollës, çdo vit në Komunën e Vitisë organizohet ngjarja tradicionale “Ditët e Dom Mikelit” ku marrin pjesë intelektualë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj, sipas Halitit, është dhënë kontributi në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, dhe Ministria e Kulturës ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. /KultPlus.com

Përurohet palestra sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë, investim i MKRS-së prej 860 mijë euro

Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në  vlerë prej 860 mijë euro.

Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.

Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.

“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.

Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.

Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.

Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.

Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës. / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për Kalanë e Harilaqit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi, vizituan Komunën e Fushë Kosovës, për të inspektuar investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi e zëvendësi Matoshi u pritën në Komunë nga kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, me të cilin diskutuan për projektet në të cilat merr pjesë ministria, për mbarëvajtjen e tyre dhe për shqetësimet tjera më të cilët ballafaqohen qytetarët e kësaj zone, e që ndërlidhën me resorët që mbulon MKRS-ja.

Drejtuesit e ministrisë dhe të komunës inspektuan vendin në të cilin pritet të ndërtohet palestra e sportit, afër Pishave të Sllatinës. Afër këtij vendi është duke u ndërtuar edhe objekti i Muzeut të Historisë së Natyrës, investim i MKRS-së.

“MKRS-ja investon në çdo komunë, siç është duke investuar edhe në Komunën e Fushë Kosovës. E kemi palestrën sportive, projekt në të cilin së shpejti do të fillohet me punime. Në pjesën e kulturës e kemi Muzeun e Historisë së Natyrës i cili është duke u ndërtuar në territorin e komunës së Fushë Kosovës. Në kuadër të këtyre projekteve, është ideja që ai vend ku janë duke u bërë këto investime të shndërrohet në një kompleks, ku pritet të integrohen edhe fushat me bari sintetik dhe fushat e tenisit, për të cilin e sigurova kryetarin Berisha për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha mes tjerash ministrja.

Ministrja përmendi se kanë diskutuar edhe për mbështetjen e rinisë së Fushë Kosovës dhe projektet në trashëgimi, ku veçoi Kalanë e Harilaqit duke treguar se MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për këtë vit.

Ndërsa kryetari Berisha e falënderoi ministren. Ai tha se ishte një takim i frytshëm ku u diskutuan projekte që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, gjë për të cilën investimet e MKRS-së janë të mirëseardhura.

Mst. Inspektimi i punimeve në Muzeun e Historisë së Natyrës

Ministrja Dumoshi në kuadër të vizitës në Fushë Kosovë, inspektoi edhe punimet që janë duke u zhvilluar në projektin e Muzeut të Historisë së Natyrës tek Pishat e Sllatinës, projekt i cili tërësisht është investim i MKRS-së dhe kap vlerën e mbi 2 milion eurove.

Duke folur për mbarëvajtjen e punës në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës, ministrja foli për fazën në të cilën ndodhen punimet. Sipas ministres Dumoshi, për shkak të pandemisë, punimet në këtë projekt të ministrisë, janë zhvilluar me një dinamikë të redukutar.

“Bisedova me inxhinierin dhe presim një raport që do të vij për fazën ku ndodhen saktësisht punimet edhe sipas projektit me të gjithë specifikat e statikës e detaje tjera për të parë pengesat eventuale. E rëndësishme është që punimet janë duke vazhduar, është duke e ndërtuar etazha e dytë e objektit ngase Muzeu i Historisë së Natyrës është një objekt i cili në vete përmban tri ndërtesa por shpresoj që në tërësi objekti do të finalizohet në afatet e parapara optimale”, sqaroi ministrja.

Ministrja Dumoshi foli po ashtu edhe për ndërprerjen e investimeve kapitale nga ana e qeverisë për shkak të pandemisë dhe se kjo është një hendikep për veti, porse prioritetet qeveritare kanë bërë që shumë nga projektet që ka pasur në plan MKRS-ja të shtyhen për vitin e ardhshëm. / KultPlus.com

Ndahen çmimet për dramë shqipe “Katarina Josipi”, fitues Osman Goranci

Osman Goranci fitoi çmimin e vendit të parë për Dramë Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Gratë dhe Napoloni”. Ndërkaq, Ibush Arifi fitoi vendin e dytë në konkursin e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Lufta e gruas”.

Këto dy çmime i ndau sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për të dy laureatët. Vendimet për çmime ministrja Dumoshi i ndau në bazë të vlerësimeve të Jurisë profesionale në përbërje të profesor Ekrem Kryeziu – kryesues, Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti – anëtarë.

Juria ka vlerësuar se drama “Gratë dhe Napoloni” është një komedi që i ka tiparet e ‘komedia del arte’, të shtrira në kohën tonë, me dialogje të shkurtra plot energji pozitive dhe pa ekuivokë e meriton çmimin e parë, ndërsa si çmim të dytë juria ka vendosur që të jetë drama “Lufta e gruas” me elemente mes komedisë dhe dramës së aksionit.

Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast i uroi laureatët dhe i përgëzoi për punën e tyre krijuese. Ministrja tha se do ta përkrah dramën shqipe dhe inskenimin e saj. “Do të punojmë dhe do të angazhohemi që drama shqipe të jetë e pranishme dhe të vihet në skenë ashtu që të promovohen vlerat e mirëfillta”, tha ajo mes tjerash.

“Vendi ynë ka prodhuar shumë shkrimtarë të mirë dhe të suksesshëm dhe kjo traditë duhet të vazhdohet e të mbështetet fuqishëm ashtu që të jemi konkurrent me të tjerët dhe për t’u prezantuar sa më mirë edhe në Rajon si dhe në Evropë dhe Botë”, porositi ministrja.

Ndërkaq, laureati i çmimit të parë, Osman Goranci, e falënderoi ministren për vlerësimin dhe çmimin. Ai tha se komeditë e tij kanë bazë në realitetin e përditshëm, e që nuk ndodh vetëm tek ne por edhe në tërë botën.

Si shqetësim i përbashkët që u shpreh ishte mosinskenimi i dramës shqipe nëpër teatrot e Kosovës, porse ministrja Dumoshi u zotua se kjo gjë do të rregullohet dhe dramat e mrekullueshme që shkruajnë autorët në Kosovë do të jetësohen. / KultPlus.com

Dumoshi: Kosova duhet të përfaqësohet në botë me diplomacinë e saj kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, me të cilën kanë diskutuar për bashkërendimin e hapave konkretë për diplomacinë kulturore të Kosovës dhe bashkëpunimin e dy ministrive në këtë fushë.

Në kuadër të takimit u bisedua për nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit për diplomatët kulturorë të cilët do të vendosen nëpër misionet diplomatike të Kosovës në shtetet e ndryshme të botës, gjë për të cilën u vendos që të nënshkruhet ditëve në vijim.

Ministrja Vlora Dumoshi vlerësoi se identifikimi dhe caktimi i figurave të duhura e të rëndësishme për diplomatë kulturorë të Kosovës është jashtëzakonisht hap i nevojshëm, pasi që Kosova duhet të ketë përfaqësim me dinjitet të kulturës dhe vlerave të saj, në shtetet tjera të botës.

Ministrja Dumoshi Dumoshi tha se Kosovës i duhet të prezantojë pikat e saj të forta të kulturës e trashëgimisë në qendrat kryesore të Evropës dhe Botës duke ndikuar kësisoj në fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet tjera si dhe forcimin e mëtejmë të imazhit të shtetit tonë.

Të dy ministret u pajtuan që Kosova e ka të domosdoshme që të ketë një përfaqësim sa më të suksesshëm të diplomacisë kulturore në shtetet më të fuqishme të botës, të cilat janë qendra të vendimmarrjes botërore.

Në takim u diskutua edhe për bashkërendimin e veprimeve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme botërore si në UNESCO, Eurimages, e organizatat e tjera që janë të dobishme për fuqizimin e kulturës dhe trashëgimisë tonë në arenën ndërkombëtare në kuadër të diplomacisë së jashtme. / KultPlus.com

MKRS funksionalizon nënkodet buxhetore për institucionet kombëtare të kulturës e të trashëgimisë

Funksionalizohen nënkodet buxhetore për institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë të cilat janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo gjë ua mundëson institucioneve në fjalë që vetë ato të menaxhojnë buxhetin që ministria ndan për to.

Ky është një fillim i procesit të pavarësimit të institucioneve vartëse në aspektin administrativ. Institucionet vartëse, përmes zyrtarëve përkatës të trajnuar dhe të certifikuar, vetë do të mund të zotojnë dhe shpenzojnë mjetet financiare në bazë të planit dhe programit të paraparë, ndërsa MKRS-ja bën vetëm certifikimin e shpenzimeve.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar këtë si një proces konform ligjit dhe rekomandimeve, i cili institucioneve ua mundëson një performancë më të mirë dhe redukton procedurat burokratike.

“Ndarja e nënkodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së është një lloj decentralizimi dhe pavarësimi financiar administrativ, ashtu që vetë institucionet të kenë mundësi vetë të bëjnë planifikimin e shpenzimeve dhe zotimin e mjeteve financiare për punët që vet institucionet kryejnë çdo ditë. Kjo gjë mundëson zvogëlimin e procedurave burokratike dhe në anën tjetër e rrit performancën dhe efikasitetin e punës së institucioneve të kulturës e të trashëgimisë për shkak të planifikimit të më mirë”, tha ministrja Dumoshi.

“Në takimin e parë që kam pasur si ministre me udhëheqësit e institucioneve vartëse, si shqetësim i tyre i përbashkët ka qenë çështja e nënkodeve buxhetore dhe atëherë u pata premtuar drejtuesve të institucioneve që kjo gjë do të rregullohet shumë shpejt. Andaj, ndjehem shumë e lumtur që ky zotim u realizua. Me pajisjen e institucioneve me nënkode të posaçme buxhetore, këtyre institucioneve nacionale të kulturës e të trashëgimisë u krijon lehtësira të jashtëzakonshme”, u shpreh ministrja.

Pa nënkode buxhetore, Institucionet vartëse të trashëgimisë dhe të kulturës kanë pasur sfida të theksuara në aspektin e menaxhimit e vet institucioneve, por tashmë pas funksionalizimit të nënkodeve, MKRS-ja do të kërkojë më shume përgjegjësi në raport me mandatet e institucioneve. / KultPlus.com

Dumoshi zotohet që do të themelojë ‘Qendrën e Librit’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit.

Ministrja Dumoshi theksoi që qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.

Libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.

Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.

Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.

Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.

Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar). / KultPlus.com

MKRS-ja njofton se disa zyrtarë të saj janë me COVID-19

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se disa zyrtarë të ministrisë janë të prekur me COVID-19, por se janë mirë me shëndet dhe janë në vetëizolim.

MKRS-ja ka thënë se po respekton dhe zbaton masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe se po punohet me staf esencial, në përputhje me vendimin.

“Duam të njoftojmë qytetarët se objekti i MKRS-së dhe të institucioneve vartëse të ministrisë në Prishtinë dhe në qendrat tjera të Kosovës, të gjitha po i respektojnë masat mbrojtëse duke i dezinfektuar hapësirat dhe duke vënë në çdo hyrje dezinfektues për palët e jashtme. Të gjitha palët e jashtme të cilat kanë raporte, punë apo obligime me MKRS-në inkurajohen që ato t’i kryejnë në distancë (online) nëse është e mundshme ose nëse është patjetër që të vijnë fizikisht, obligohen që të kenë masat e parapara mbrojtëse (maskat, distancën), në të kundërtën nuk do të lejohen të hyjnë në objektet e ministrisë dhe nuk do të marrin shërbim. Përmes këtij njoftimi gjithashtu duam të informojmë qytetarët se disa zyrtarë të ministrisë janë të prekur me COVID-19, por të gjithë janë mirë me shëndet dhe në izolim, duke respektuar në përpikëri masat dhe sugjerimet e institucioneve shëndetësore. MKRS-ja është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore për hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë. I sigurojmë të gjithë qytetarët që situata është tërësisht nën kontroll dhe i bëjmë thirrje palëve që në çfarëdo mënyre kanë kontakte me MKRS-në të respektojnë masat mbrojtëse dhe të kenë mirëkuptimin për shërbimet eventuale nëse ato janë me vonesë”, thuhet në komunikatë të MKRS-së./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi e Kryetari Haziri vunë gur themelin e stadiumit ndihmës në Gjilan

Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me zv. ministren Valdete Bajrami, gjatë vizitës në Gjilan ishin të pranishme për vënien e gur themelit të stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ministrja Dumoshi tha se investimi në fushën ndihmëse në lagjen “Arbëria” kap koston e 550 mijë eurove. Me këtë rast ministrja u bëri thirrje të rinjve dhe organizatave rinore që të aplikojnë për mbështetje nga fondi emergjent 5 milionësh që është ndarë për MKRS-në për kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ky fond do të përfshijë vende pune për të rinjtë, në fusha që ndërlidhen me kulturën, rininë e sportin, me ç ‘rast të rinjtë ftohen të aplikojnë përkitazi në projekte programore të Ministrisë. Me këtë theksoi që synohet që pjesën që i përket rinisë, përmes këtij fondi ta përkthejnë në vende punë për të rinjtë.

“Sot ndodhemi në komunën e Gjilanit ku në programin tonë bashkë me Federatën e Futbollit shpalosim programin për avancimin e sportit në përgjithësi e në veçanti për futbollin. Në katër komuna do të investojmë rreth 4 milionë euro. Fusha ku ndodhemi sot ka koston prej 550 mijë euro”.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se të rinjtë e Gjilanit do të shkollohen e stërviten në këtë stadium. Haziri mes tjerash ka thënë se ky është stadiumi i tretë në Gjilan.

“Ministrja dhe zëvendësministrja sot janë në Gjilan për të parë punimet në infrastrukturën sportive dhe për ta inauguruar stadiumin ndihmës të Gjilanit. Të rinjtë tanë do të shkollohen e stërviten por edhe klubet do t’i kryejnë stërvitjet në këtë stadium. Shpresoj që kjo t’ju shërbejë si motivim për lojën së bukur që do të zhvillohet këtu – tha Kryetari Haziri.

Stadiumet në fjalë janë projekt i përbashkët i MKRS-së, FFK-së dhe komunave dhe ndërtohen për ekipet e futbollit të cilat garojnë në Super Ligën e Kosovës.

Gjashtë fusha ndihmëse janë ndërtuar edhe gjashtë pritet të ndërtohen në tërë Kosovën. / KultPlus.com

Dumoshi dhe Haziri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë me zëvendësministren Valdete Bajrami kanë vizituar sot Komunën e Gjilanit.

Gjatë vizitës, ministrja Dumoshi e zv. Bajrami kanë zhvilluar takim me Kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, i cili u informua për projektet e MKRS-së në këtë komunë.

Me kryetarin Haziri ministrja Dumoshi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit” në vlerë prej 20.000.00€.

Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur këtë manifestim duke shprehur se çfarë e bën edhe më të veçantë është nënshkrimi pikërisht më 2 korrik kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet. Ai u shpreh i nderuar që pret për vizitë ministren Dumoshi dhe zv. Bajrami dhe u shpreh se simbolika e kësaj dite është kontributi i heronjve të 2 korrikut. Ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për qytetin tonë – tha ai.

Gjatë takimit u diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i qytetit, Galeria e qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.

Ministrja Dumoshi, zv. ministrja Bajrami dhe kryetari Haziri inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit i ku investimet janë mbi 9 milion euro.

Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt. Ministrja Dumoshi, tha se si ministri do të vazhdojnë investimet nëpër stadiume, teksa shtoi se prioritet i tyre është rregullimi i infrastrukturës sportive.

Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër e cila kap vlerën e mbi 2 milion euro, dy fusha të tenisit, me vlerë mbi 70.000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400.000 euro.

Edhe kryetari Haziri, tha se stadiumi i qytetit është prioritet i lartë i Komunës dhe se ky konfirmim i kontribuon standardizimit të plotë të sportit në gara ndërkombëtare.

Gjatë inspektimit në stadium i pranishëm ishte edhe sekretari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili mbështetjen e MKRS-së për stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe në përgjithësi për projektet infrastrukturore në futboll i vlerësoi si të jashtëzakonshme, pasi që ua mundësojnë futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë garat vendore e ndërkombëtare. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri drejtues të AKKV ‘Shota’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi sot anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi, Fahredin Spahija, Xhevdet Gashi dhe Driton Rukiqi, si përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim njohës u diskutua rreth planeve dhe objektivave që ka AKKV “Shota”, duke pasur gjithmonë parasysh realizimin e punëve në bazë të përgjegjësive që ka ky institucion kombëtar i kulturës, që mbikëqyret nga MKRS-ja.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në nivel kombëtar, i cili kontribuon në promovimin dhe ruajtjen e kulturës tonë përmes këngëve dhe valleve shqipe.

Ministrja mes tjerash u shpreh se Këshilli Drejtues i AKKV “Shota” do ta ketë mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të saj dhe pret një bashkëpunim në shërbim të avancimit të vlerave kulturore. Ministrja kërkoi nga Këshilli të jenë aktiv dhe të punojnë me profesionalizëm në mënyrë që këtë institucion të kulturës tonë ta mbajnë lartë aty ku e meriton.

Ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues të “Shotës” falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë për ta përkrahur vizionin e tyre që kanë për institucionin. Ata theksuan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe se do të punojnë që AKKV “Shota” të vazhdojnë ngritjen e tij edhe më tutje përmes realizimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike duke e promovuar kulturën shqipe brenda dhe jashtë vendit. / KultPlus.com

Artistët presin ndihmën e shtetit, MKRS-ja sërish premton 5 milionë euro

Janë bërë gati katër muaj prej kur ngjarjet kulturore janë pezulluar shkaku i pandemisë. Pavarësisht premtimeve, Qeveria ka dështuar që ta ndihmojë skenën e pavarur kulturore. Kjo kategori varet kryesisht nga projektet artistike. Situata e shkaktuar nga koronavirusi e ka rënduar gjendjen e komunitetit kulturor.

Si punë e kryer ishte paraqitur në mars të këtij viti ndarja e pesë milionëve për kulturë e sport në kuadër të Fondit emergjent. Por gjithçka ka ngelur veç premtim. Tash ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, është zotuar se janë siguruar 5 milionë euro për atë që quhet Pako e rimëkëmbjes. Ka thënë se “ky është lajmi i vërtetë”. Por artistët zor të binden edhe kësaj radhe. Kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.

Nita Zeqiri, që udhëheq me Fondacionin 17, thotë se pandemia ka rënduar gjendjen e komunitetit artistik.

Sipas saj, nëse Qeveria bën ndonjë hap konkret për ta ndihmuar këtë sektor, do të ishte një lajm shumë i mirë.

Donjetë Murati, që është hulumtuese, bashkë me grupet e artistëve të pavarur disa herë kanë kërkuar llogari nga Ministria e Kulturës sa i përket Fondit emergjent, përderisa tash jepet tjetër premtim. Ajo thotë se është dashur të paktën të ketë një sqarim zyrtar se përse nuk janë realizuar premtimet. Si grup janë të zhgënjyer me shtetin.

Murati bashkë me kolegë presin që dy artistë të pavarur të jenë pjesë e grupit punues në Ministri. Pritet që ky grup të hartojë kriteret e financimit të skenës së pavarur në kohë pandemie.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, të martën, në Kuvend, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq ka dërguar komentet për rishikimin e buxhetit. Është thirrur në premtimet e kryeministrit Avdullah Hoti se kultura, rinia e sporti do të ndihmohen me 5 milion euro.

Me rishikimin e buxhetit të miratuar në Qeveri javën e kaluar, Ministrisë së Kulturës i është projektuar zbritja e buxhetit për 6 milionë euro. Nga 44,1 milionë euro është bërë 38,2 milionë euro. Por 5 milionët ende nuk janë të sigurta. Kalimi i projektligjit në Kuvend dhe miratimi i marrëveshjeve të Qeverisë për huamarrje janë hapat që duhet të bëhen. Në Kuvend të martën nuk kanë kaluar 5 marrëveshje ndërkombëtare. Koha.net / KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Muzikës, MKRS-ja shpall çmimet në këtë fushë

Sot, më 21 qershor, shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.

Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës. 

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor. Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon: 

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; 

Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; 

Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; 

Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;

Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim Drejtoreshën e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati

Sot, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Diana Kastratin nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, qendër kjo e krijuar së fundmi, që njëkohësisht është institucioni i parë në historinë e shtetit shqiptar me fokus ekskluziv studimet e specializuara që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar, social dhe antropologjik të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi unike kulturore në mbarë botën.

Gjatë këtij takimi Ministrja Dumoshi tha se ndihet e nderuar nga vizita e Drejtoreshës Kastrati duke e vlerësuar lart ruajtjen e kulturës dhe të trashëgimisë arbëreshe. Ministrja Dumoshi e njoftoi zonjën Kastrati se nuk mungon interesimi dhe aktivitetet bashkëpunuese me arbëreshët. Ajo shtoi se aktivitetet e tilla janë të mirëseardhura dhe nuk kanë munguar që nga vitet e 70-ta, përmes Seminarit Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare ku ka pasur organizime për arbëreshët, në krye me profesorin Anton Belushi dhe shumë profesor tjerë. Edhe në nivelin studimor Universiteti i Prishtinës organizon aktivitete çdo vit.

“Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” si institucion vartës i Ministrisë së Kulturës në raportuarin e saj ka vallen arbëreshe, të cilën e prezanton në ngjarje të ndryshme kulturore të shoqëruar me veshjen arbëreshe” tha Ministrja Dumoshi.

Ndërkaq Drejtoresha Diana Kastrati tha se fokusi i kësaj qendre është tek arbëreshët e Italisë së Jugut dhe të Zarës së Kroacisë dhe ka për synim sensibilizimin e popullatës nëpërmjet studimeve të ndryshme që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar e social të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi e veçantë kulturore.

“Vizita ime në Prishtinë ka për qëllim vënien e kontakteve me institucionet kryesore, siç janë Akademia e Shkencave, Biblioteka Kombëtare, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore etj., për të bërë marrëveshje bashkëpunimi sa i përket prodhimtarisë së kulturës arbëreshe”- tha drejtoresha Kastrati. /KultPlus.com