Ministrja Dumoshi mori pjesë në lansimin e organizatës ‘Kosova Jewish Organization’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të organizatës hebraike-kosovare Kosova Jewish Organization, aktivitet i organizuar bashkë me British Academy.

Qëllimi i kësaj organizatë është rritja e shkëmbimeve kulturore e edukative midis Izraelit dhe Kosovës dhe për të afruar dy popujt me njëri-tjetrin. Kjo organizatë është rezultat i një grupi vullnetarësh që kanë avokuar dhe vite me herët në të njëjtat fusha.

Ministrja Dumoshi uroi themeluesit e kësaj organizate për nisjen e aktiviteteve dhe realizimit të qëllimeve të mira të saj në vendin tonë. Organizatat të cilat kanë për synim rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe sjelljen e përvojave të mira në Republikën e Kosovës janë të mirëseardhura dhe ministria i mirëkupton dhe i përkrah, ka vlerësuar ministrja. / KultPlus.com

Dumoshi: Kujtimi për Bekim Fehmiun do të jetë i përhershëm

Sot bëhen dhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, aktorit shqiptar me famë botërore, i cili la gjurmë në kinematografinë botërore e shqiptare. Bekimi me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

Numri i roleve në të cilët ka luajtur ai është shumë i madh. Në secilin rol që është angazhuar, Bekimi i ka dhënë vlerë të shtuar secilit film dhe përkushtimi e angazhimi me shpirt në secilin rol që ka jetësuar e kanë bërë të famshëm Bekimin, me të cilin jemi rritur, jemi gëzuar, jemi emocionuar e kemi qenë dhe do të jemi përherë krenar.

Mbeten të paharruara performancat e tij filmike në “Mbledhësit e Puplave”, “Odissea”, “Avanturieri” e shumë e shumë projekte të tjera që mbeten kryevepra të kinematografisë.

Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq, e përkujtojmë dhe nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndjehemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe nuk do të harrojmë kurrë Bekim Fehmiun, në artist kaq të madh që popujt do ta ëndërronin ta kishin.

I paharruar do të jetë emri i tij dhe ne do ta kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë gjithmonë figurën dhe emrin e të madhit Bekim Fehmiu.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
/ KultPlus.com

Dumoshi: Artistët kosovarë po e prezantojnë me sukses kulturën tonë jashtë shtetit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 21 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi aktoren Adriana Matoshi, e cila së fundi është shpërblyer me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë”.

Ministrja Dumoshi tha se është krenari dhe lajm i mirë që kemi aktore kaq të talentuara si Adriana. Ajo i shprehu mirënjohjen për kontributin që aktorja po jep në promovimin e kulturës tonë dhe në shenjë falënderimi ministrja i ndau si dhuratë një okarinë.

“Dua t’i përkrah maksimalisht aktorët dhe ata që realizojnë dhe promovojnë vlerat tona të mirëfillta kulturore. Tashmë është një fakt i ditur se filmi po tregon sukses në arenën ndërkombëtare krahas sportit. Kësisoj, në nivel shtetëror nëse e vlerësojmë, pa dyshim se prezantimi i kulturës tonë po realizohet nëpërmjet filmit”, tha mes tjerash ministrja.

Ndërkaq aktorja Matoshi e falënderoi ministren për takimin dhe vlerësimin e bërë. Ajo tha se Kosova ka kuadro dhe di të bëj filma të mirë. Ajo foli për përvojat e veta, për filmat në të cilët është angazhuar dhe se po punon maksimalisht të përçojë mesazhe që edhe ne si vend kemi talente e profesionistë edhe në kinematografi.

Ministrja Dumoshi në fund vlerësoi se pjesëmarrja dhe prezantimi i artistëve tanë në festivale ndërkombëtare, në rastin konkret në Francë, tregon për bashkëpunimin që kanë dy vendet në kulturë.

“Dua të falënderoj Ambasadën e Francës në Kosovë dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për tërë kontributin e tyre ndaj vendit tonë, sidomos në fushat që ka në përgjegjësi MKRS-ja në shumë projekte konkrete që kanë qenë në interesin e përbashkët”, tha ministrja. / KultPlus.com

Grupi i Artistëve të Pavarur mban nesër konferencë, kërkojnë të bëhen pjesë e hartimit të fondit emergjent të MKRS-së

Grupi i Artistëve, mban konferencë për medie, ku do të informohet opinioni publik rreh zhvillimeve dhe ecurisë së procesit për t’u bërë artistët pjesë e hartimit të kritereve për fondin emergjent të MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kjo konferencë do të mbahet më 7 qershor 2020 nga ora 12:00, para ndërtesës GËRMIA, ku aktualisht operon ATK-ja (përballë Teatrit Kombëtar).

Nga Grupi i Punëtorëve në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në këtë konferencë për këto zhvillime do flasin:

Donjetë Murati, hulumtuese
Dardan Zhegrova, artist
Nol Sahatçiu, artist
Blerta Ismaili, sociologe/aktore
Genc Kadriu, artist

Njoftimi:

Artistët, kuratorët, hulumtuesit, punëtorët e pavarur në skenën e kulturës të poshtë shënuar, kanë shtruar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) që të përfshijë përfaqësuesit e Artistëve të Pavarur në Grupin Punues për përpilimin e kritereve për shpërndarjen e Fondit Emergjent për kulturë, rini dhe sport.

Nga rrethanat e krijuara me shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milion euro për mbështjetjen e kulturës, rinisë dhe sportit. Si hap të parë në këtë drejtim MKRS do të themelojë Grupin Punues me mandat për të përcaktuar kriteret dhe rregullat për shpërndarjen
e fondeve në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në Kosovë. Përfshirja e Artistëve të Pavarur e plotëson Grupin Punues dhe ofron një perspektivë të domosdoshme në mbrojtje të artistëve dhe
punës së tyre.

Në shikim të parë duket që pandemia ka sjellë një lloj barazimi shoqëror, ku të gjithë janë në ballafaqim me të njejtën sfidë. Përkundrazi, ne konsiderojmë që kjo situatë vetëm se ka theksuar relacionet ekzistuese të formësuara përgjatë viteve të karakterizuara me sisteme të ndryshme të
pabarazisë, duke bërë që grupe të caktuara të dëmtohen më shumë.

Puna e Artistëve të Pavarur në Kosovë mund të cilësohet si punë e padukshme duke qenë se procesi i punës në shumicën e rasteve nuk formalizohet dhe shpeshherë rezulton si punë e papaguar.

Mënyrat e vetme përmes së cilës puna e artistëve kompenzohet janë përmes kontratave mbi vepër, komisionimeve të veprave, ekspozitave, koncerteve apo ngjarjeve të ndryshme si dhe projekteve të përkohshme. Përveç kësaj, burim tjetër i të ardhurave për artistët mbetet shitja e veprave të artit
ku në fakt ndodhë i vetmi relacion formal në mes të shtetit dhe individëve përmes regjistrimit si biznes individual, ndonëse ky treg në Kosovë është i parregulluar dhe pothuajse nuk ekziston. Në situata të tilla si kjo me COVID-19 edhe këto angazhime anulohen ose shtyhen për një afat të pacaktuar kohor, duke e rënduar gjendjen dhe duke bërë ndërhyrjen emergjente institucionale të domosdoshme.

Në fakt, ekziston një sistem i tërë i prodhimit artistik që qëndron mbrapa punës që mund të duket e vetmuar. Punët apo veprat që të gjithë i konsumojmë, ndër tjera janë rezultat i një procesi hulumtues, të zanatit, prodhimit, mirëmbajtjes, shkrimit, arkivimit, konservimit dhe hapësirës së
mjaftueshme për punë. Sigurimi dhe qasja në këto elemente zakonisht është rrethanore. Para pandemisë ky sistem është përkrahur nga materialet vetanake, improvizimet dhe nga mbështetja që është ofruar përmes marrëdhënieve ndër-personale. Rrjedhimisht, përbën një ambient fragjil
dhe të varur nga faktorë të ndryshëm që mundësojnë ose pamundësojnë krijimtarinë artistike të ekzistojë. Për më tepër, është qenësore që të rimendojmë edhe përkufizimin e punës, duke marrë parasysh të gjitha elementet që mundësojnë krijimtarinë në Kosovë, si dhe pasojat e vështirësitë që sjell përkufizimi aktual.

Vlerësojmë gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht të MKRS-së, për të përkrahur skenën e pavarur në këtë kohë të pandemisë së COVID-19. Megjithatë, për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe adresim sa më të saktë të nevojave në skenën e pavarur të artit konsiderojmë se grupi punues duhet të ketë së paku dy përfaqësues të skenës të zgjedhur nga Artistët e Pavarur.

Pandemia ka ndryshuar tërësisht përditshmërinë tonë dhe një gjendje e tillë do të mund të vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndryshimet e përkohshme apo afatgjate në mënyrën e funksionimit të galerive, muzeve, koncerteve, apo ngjarjeve tjera kulturore do të jenë thelbësore. Në tavolinën e diskutimeve, në mesin e institucioneve duhet të ketë vend edhe për pikëpamjet e Artistëve të Pavarur.

Për këtë arsye, kërkojmë bashkëpunim në mes të MKRS-së dhe Artistëve të Pavarur si dhe subvencionim adekuat që është qenësor për skenën e pavarur të kulturës, në ballafaqimin me këtë kohë sfiduese si dhe për përpilimin e politikave më fuqizuese në të ardhmen. /KultPlus.com

MKRS nënshkruan memorandume bashkëpunimi me dy federata sportive

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dy federata sportive.

Memorandumet u nënshkruan me Federatën e Motoçiklizmit dhe me Federatën e Ragbit.

Ministrja Vlora Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë përfaqësuesit e federatave përkatëse. Këto memorandume bashkëpunimi u nënshkruan më qëllim të realizmit të objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2020.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi, dhe drejtuesit e federatave diskutuan për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe gjithashtu ministrja tha se është e angazhuar që t’iu gjendet pranë sportistëve në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalojmë si pasojë e pandemisë.

“Jam jashtëzakonisht e përkushtuar që ta zhvillojmë sa më shumë infrastrukturën sportive në vend pasi që e dimë se sportistë janë ambasadorët më të mirë të vendit”, tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq përfaqësuesit e këtyre federatave falënderuan ministren Dumoshi për mbështetjen e vazhdueshme që po tregon për sportin në vendin tonë ata u shprehen të lumtur se me nënshkrimin e këtyre memorandumeve tani më do të kenë mundësi që të realizojnë në vazhdimësi objektivat dhe synimet e tyre për vitin 2020, duke  theksuar se me kalimin e izolimit do të angazhohen maksimalisht  të rikthehen fuqishëm në aktivitete edhe në gara. / KultPlus.com

MKRS dhe UNICEF me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Ministrja Dumoshi e falënderoi, Sahinin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19, si dhe vlerësoi lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti.

Ajo theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera e përgëzoi edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse #vizapërfëmijë, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.

Sahini, ndërkaq, e njoftoi Ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që ajo si Ministre dhe MKRS do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë. MKRS dhe UNICEF bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të çasshme për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Sahini, u pajtuan që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese. / KultPlus.com

MKRS shpall konkurs për projektet në fushën e Trashëgimisë Kulturore


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2020, shkruan KultPlus.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve: 15 ditë pune  dhe përfundon më datën 08 Qershor 2020.

Mbështetja financiare për projekte kulturore-artistike është paraparë deri në 200,000.00 Euro

Shuma minimale e mbështetjes financiare për OJQ-të që mund të aplikohet për çdo projekt është 2,000.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  10,000.00 Euro.

Kush mund të aplikoj?

Të gjitha Organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore.

OJQ-të mund të aplikojnë më së shumti (1) projekte në kuadër të kësaj ftese publike.  Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 24 dhjetor 2020.

Për më shumë detaje: https://www.mkrs-ks.org/?page=1,114 / KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, në Kosovë rithemelohet Muzeu i Historisë së Natyrës

Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe në Kosovë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve.

Në aktivitetin kryesor që është organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, morën pjesë personalitete të shumta nga fusha e kulturës, e trashëgimisë si dhe nga ajo akademike, ndër ta, ministrja Vlora Dumoshi, rektori i UP-së, Marjan Dema, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Yll Rugova e drejtues të institucioneve.

Me këtë rast, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët i nënshkruan ministrja Dumoshi e rektori Dema.

Qëllimi i memorandumit është rithemelimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga 1951 deri më 2001.

Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.

Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.

Në fjalën e saj, ministrja Dumoshi, e vlerësoi se institucioni i muzeut është një thesar i pasur i vendit dhe i rëndësishëm në spektrin kombëtar e ndërkombëtar.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ju siguroj që ta keni mbështetjen time, të vazhdoni angazhimet e juaja dhe punën e juaj të palodhshme në cilësinë e profesionistëve të kësaj lëmie. Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, tha ministrja.

Ministrja po ashtu u shpreh se shtojnë angazhimin në renovimin dhe funksionalizimin e muzeve tjera, e si prioritet përmendi Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” dhe tha se do të mbështesin edhe muzetë nëpër qytete tjera të Kosovës.

“Ne sot në këtë ditë, po e japim një lajm të mirë, sepse jemi në finalizim me Komunën e Prizrenit për hapjen e Muzeut të Filigranit”, veçoi ministrja Dumoshi, duke u zotuar se do të mbështeten muzetë në Kosovë me qëllim të pasurimit të fondit muzeal dhe ngritjen e kapaciteteve të punonjësve sipas nevojës dhe kërkesës.

Ndërsa rektori Dema tha se është kënaqësi që po nënshkruhet ky memorandum pasi që Muzeu i Historisë së Natyrës do të ketë një rëndësi të madhe jo vetëm për komunitetin po edhe për Universitetin e Prishtinës për shkak rolit edukativ që do të ketë muzeu.

“Muzeu do ta ketë karakterin hulumtues shkencor sepse Universiteti i Prishtinës ka potenciale të mëdha në organizimin e ekspozitave, në ndihmën në ekspertizë që UP-ja do t’ia jep këtij muzeu në organizime të përbashkëta në shumë fusha me çka edhe do të plotësohet edhe një vakum që ka ekzistuar dhe me këtë shfrytëzoj rastin ta falënderoj ministren për projektin në fjalë, i cili është i katërti apo i pesti me Universitetin e Prishtinës”, u shpreh ndër të tjera rektori.

Në fund u shfaq një video-dokumentar i cili tregonte për historikun e muzeve në Kosovë.

18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, që koordinohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pjesë e të cilit është edhe Republika e Kosovës, dhe çdo vit Kosova e shënon këtë ditë. / KultPlus.com

Hiqen rrethojat në oborr të MKRS-së

Largimi i rrethojave të metalit nga oborret e institucioneve shtetërore po vazhdon.

Pas largimit të atyre tek objekti i qeverisë, tek Kuvendi i Kosovës dhe te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, sot po hiqen rrethojat edhe te Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vendimi për largimin e rrethojave të institucioneve në kryeqytet është marrë ditë më parë nga zv/ministri i MPBAP-së, Xhelal Sfeçla. / KultPlus.com

MKRS nënshkruan memorandum me komunën e Kaçanikut

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Fusha ndihmëse në Kaçanik” i cili do të implementohet në këtë vit.

Në bazë të memorandumit ministria merr përsipër ta përkrahë financiarisht projektin ndërkaq komuna bashkë me MKRS-në do të kujdesen për implementimin e projektit.

Në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Kaçanikut, Ilazi, u bisedua edhe për projektet konkrete që do të implementohen në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi tha se është e rëndësishme që në këtë kohë të vështirë projektet të trajtohen sa më me kujdes e me prioritet dhe të cilat i plotësojnë nevojat primare të qytetarëve. Me realizimin e këtij projekti të fushës ndihmëse, sportistët e Kaçanikut do të kenë edhe një hapësirë tjetër ku t’i kryejnë aktivitetet e tyre sportive.

Ndërkaq, kryetari Ilazi e falënderoi ministren për përkrahjen ndaj komunës dhe u shpreh se vazhdimisht MKRS-ja dhe komuna e Kaçanikut kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës shpall konkurs për çmimet vjetore në fushën e kinematografisë

Me qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë filmike, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për çmimet vjetore në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për Kinematografi” që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinemtografisë.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ”Bekim Fehmiu”.

  • Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë. Ky  Çmim  mund ti jepet edhe pas vdekjes së autorit.
  • Laureat të çmimit mund të jenë: producentet, regjisoret, skenaristët, aktorët, drejtoret e fotografisë,  skenografët, kostumografët, kompozitorët, animatorët dhe krijuesit që në mënyrë kreative kontribuojnë në kinematografi.
  • Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

“Çmimi Vjetor për Kinematografi”

  • Ky çmim i ndahet çdo vit, autorit për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik.
  • Çmimi Vjetor për Kinematografi, sipas vendimit të jurisë, ndahet çdo vit vetëm në njerën nga këto kategori:  producenti më i mirë, regjisori më i  mirë, skenaristi më i mirë, aktori/a më i/e mirë, drejtorit të fotografisë,  skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë, kompozitori më i mirë dhe animatori më i mirë.
  • Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

Konkurrimi për çmimet për Kinematografi mund të bëhet  përmes propozimit nga:

  1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;
  2. Qendra Kinematografike e Kosovës;
  3. Produksionet Filmike të regjistruara në Kosovë;
  4. Shoqatat e Filmit të regjistruara në Kosovë;
  5. Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës.
  • Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë.
  • Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit dhe materialet  tjera përcjellëse audiovizuele për të nominuarin.
  • Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit që ka të drejtën e propozimit.
  • Propozimi me shkrim duhet të  dërgohet jo më larg se 30 ditë nga dita e shpalljes së Konkursit në mediet e shkruara, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35). / KultPlus.com

Ministria e Kulturës shpall konkursin vjetor për çmime në fushën e artit pamor

Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për çmimet vjetore pamore; Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e Artit Pamor.

Për çmimet vjetore pamore të drejtë konkurrimi kanë vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës. 

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore, “Muslim Mulliqi”, u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e artit pamor për të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor. Ky çmim mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.

Ndërsa, çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor, u jepet krijuesve të dalluar për të arriturat gjatë vitit paraprak. 

 Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor, jepet për këto gjini: për pikturë; për skulpturë; për grafikë; për qeramikë; për vizatim; për dizajn grafik; për fotografi artistike;  për video art dhe art konceptual; për performancë. 

 Propozimet për kandidatët për Çmimet vjetore të artit pamor mund të bëhen përmes propozimeve nga institucione publike të shkencës dhe kulturës si dhe asocoacionet profesioniste të arteve.  

Të interesuari do të ketë kohë një muaj për të bërë propozimet e tyre në Ministrinë e Kulturës. / KultPlus.com

45 organizata rinore me peticion kërkojnë mbështetje nga MKRS-ja

45 organizata rinore, kanë nisur një peticion drejt Ministrisë të Kulturës Rinisë dhe Sportit, për mbështetjen e organizatave rinore gjatë dhe pas pandemisë por me theks të veçantë për Qendrat Rinore dhe Këshillat e Veprimit Rinor Lokal si dy mekanizmat që përfaqësojnë të rinjtë dhe organizatat rinore që janë pjesë e tyre.

“Ne jemi të preokopuar në mungesën e përkrahjes nga ju, duke marrë parasysh që tash më shumë se kurrë duhet të ndihmohet secili sektor, pa dallim, që ofron shërbime për qytetarët e Republikës së Kosovës e sidomos organizatat rinore të cilat pas masave të ndërmarra nuk po kanë mundësi të ofrojnë shërbimet e tyra për të rinjtë të cilët janë rreth 40% e popullates së Kosovës. Mbyllja e shkollave, mbyllja e bizneseve të ndryshme dhe masat preventive të marra, po ndikojnë në gjendjen e shëndetit mental të të rinjëve me mungesën e aktivizimit të tyre. Sikur institucionet e arsimit dhe institucionet tjera të cilat po i ofrojnë shërbimet e tyre përmes platformave të ndryshme online, poashtu edhe ne si organizata rinore kemi kapacitetet për t’i ofruar ato, por mungesa e financave po na e pamundëson atë, thuhet në shkrimin e këtyre organizatave.

Ata tutje shprehen të gatshëm të ofrojnë aktivitete për përmisimin e gjendjes të të rinjëve të cilët tash po përballen me një gjendje të paprecedentë sikur edhe të gjithë qytetarët tjerë. Duke qenë të informuar për përkrahjen e organizatave të profileve të ndryshme, ata besojnë që është shumë e rëndësishme që rinia të përkrahet poashtu nga subvencionet të cilat janë të parapara për ta.

Ato kërkojnë përkrahje financiare që t’i ofrojnë shërbimet për të rinjtë e Republikës së Kosovës.

“Shërbimet tona do te jenë falas për të gjithë të rinjtë e Republikës së Kosovës, por kjo nuk mund të arrihet pa përkrahjen tuaj. Ne deri tash me mundësitë minimale kemi ofruar shërbimet tona, por që tash e tutje duket se do të jetë e pamundshme për vazhdimin e tyre duke pasur parasysh që financat tona tashmë kanë rënë në zero (0). Shërbimet tona do të jenë shumë efektive për të rinjtë e Repbulikës së Kosovës, trajnime profesionale online falas, diskutime të ndryshme virtuale, emisione argëtuese të cilat do të mbushin orët e kohës së lirë, ofrimi i shërbimeve profesionale për përgatitjen e të rinjëve etj. Të gjitha këto shërbime organizatat rinore janë të gatshme t’i ofrojnë. Mbetja jashtë e financimit të Qendra rinoreve dhe KVRL-ve mund të vjen deri edhe në shuarjen e tyre, e poashtu edhe organizatave rinore të cilat janë pjesë e tyre”, thuhet tutje në kërkesën e tyre. / KultPlus.com

Sot Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, MKRS: Inovoni për një Ardhmëri të Gjelbër

Vendi ynë i bashkohet Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe motos së saj për festimin e 26 prillit ditës botërore të pronësisë intelektuale “Inovoni për një Ardhmëri të Gjelbër’, njofton MKRS në një komunikatë për media.

Në këto ditë pandemie, e të vështira, veprat e autorëve dhe novatorëve, krijimet e imagjinatës dhe mendjes së ndritur njerëzore si libri, filmi, televizioni, radiot e interneti kanë lehtësuar jetën tonë.

Por, më shumë se kurrë vëmendja e njerëzimit është drejtuar tek novatorët që me shpikjet e tyre të japin kurën për këtë pandemi botërore. Pra pronësia intelektuale është jetike, e vendit tonë i duhet një sistem plotësisht funksional i pronësisë intelektuale, ku autorëve e novatoreve u mbrohen të drejtat e tyre dhe ata mbështetën për të krijuar e shpikur.

Kosova ka vazhduar të marrë hapa në fushën e pronësisë intelektuale, për të drejtën së autorit, kemi vazhduar me krijimin e politikave të reja dhe me implementimin e tyre. MKRS, Zyra për të drejtën e autorit është duke zbatuar Strategjinë për Forcimin e Sistemit të Drejtave të Autorit 2019-2023, zbatimi i saj do të ndikoj fuqishëm në vetëdijesimin dhe edukimin e shoqërisë për rëndësinë e të drejtës së autorit dhe në zbatimin e këtyre të drejtave në vendin tonë.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit është duke punuar ngushtë edhe Shoqatat Kolektive për Menaxhimin e të drejtës së Autorit, që këtë vit të autorët, përformuesit dhe producentët të fillojnë të marrin kompensimet e tyre nga menaxhimi kolektiv. Kam kërkuar nga Zyrën për të Drejtat e Autorit, që të vazhdoj punën e mirë me Task Forcën kundër Piraterisë në marrjen e masave kundër piraterisë.

Të gjitha veprimet e ndërmarra janë garanci që e drejta e autorit është duke u avancuar në vendin tonë.

‘Vazhdojmë punën së bashku, që autorët e krijuesit të gëzojnë mbrojtje dhe përftime ekonomike për veprat e tyre.’ thuhet tutje në komunikatë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi, pjesë e samitit të rinisë nga vendet e Ballkanit me 154 të rinj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Vlora Dumoshi ishte pjesë e samitit të parë virtual të të rinjve nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Presheva, i cili u organizua nga LDA Balkan në bashkëpunim me Balkan Network for Citizenship Education, i cili mblodhi shtetet e Ballkanit në një formacion dhe që u mbajt mbrëmë.

Ministrja Dumoshi ekspozoi programin e rinisë dhe prioritetet e saj dhe të MKRS-së për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Fokus i MKRS-së gjatë mandatit të saj qeverisës do të jetë angazhimi dhe shfrytëzimi i potencialit rinor për të shtyrë përpara çështje të rëndësishme.

Temë e përgjithshme e këtij samiti ishte “Rinia e Ballkanit në Kohën e Pandemisë COVID-19.” Pjesë e samitit virtual ishin edhe përfaqësues nga vende të rajonit, ndër ta edhe
-Genci Nimanbegu, zv.Kryetar në Parlamentin e Malit te Zi🇲🇪;
-Ermina Lekaj Prljaskaj, Deputete në Parlamentin e Kroacise🇭🇷;
-Shqiprim Arifi, Kryetar i Komunës së Preshevës 🇷🇸;
-Irsa Ruçi, Drejtoreshë e Shërbimit të Përgjithshëm Kombëtar të Rinisë në Republikën e Shqipërisë 🇦🇱;

Ministrja Dumoshi, u shpreh e kënaqur që patën mundësinë të diskutojnë për nevojat dhe prioritetet e rinisë në këtë periudhë pandemie. Shtoi se vetëm duke i bërë të rinjtë pjesë integrale të proceseve institucionale, zhvillimi mund të marrë formë në vendet e Ballkanit jug-perëndimor. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi nënshkroi memorandume me dhjetë federata

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dhjetë federata sportive.

Konkretisht, memorandumet u nënshkruan me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, Federatën e Boulingut, Federatën e Aeronautike, Federatën e Body-Buildingut dhe Fitnesit, Federatën e Autosporteve, Federatën Sportive të Punëtorëve, Federatën e Peshëngritjes, Federatën e Muay Thai, Federatën e Minigolfit dhe Federatën e Kik-Box-it të Kosovës.

Ministrja Vlora Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë drejtuesit e federatave përkatëse.

Këto marrëveshje mes MKRS-së dhe federatave bëhen më qëllim të përkrahjes financiare për federatat sportive për të realizuar objektivat dhe synimet që ato kanë planifikuar për këtë vit.

Të gjitha këto memorandume bazë ligjore kanë rregulloren për kategorizim dhe vendimin e ministres Dumoshi për caktimin e vlerës së pikëve.

Ministrja Dumoshi, fillimisht i priti në takim të përbashkët drejtuesit e federatave dhe i informoi për sfidat që do të ballafaqohet vendi ynë konkretisht edhe sporti, ajo iu premtoi që MKRS do të bëjë të pamundurën që t’u gjendet afër federatave edhe pas nënshkrimit të këtyre memorandumeve, shumë shpejt MKRS-ja do të transferojë në xhirollogaritë e federatave këstin e parë (tremujorin e parë) që federatat të kenë mundësinë të konkretizojnë fillimin e planit që kanë për këtë vit, tha ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi gjithashtu dëgjoi për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe një gjë që u theksua ishte çështja e rregullores për kategorizimin e sporteve.

“Në këtë kohë të vështirë pandemie që po kalon vendi dhe gjithë bota jam e vetëdijshme që edhe federatat në vendin tonë po kalojnë një fazë të vështirë dhe ne si MKRS jemi maksimalisht të angazhuar që t’ju ndihmojmë për të lehtësuar barrën me të cilën përballeni secila federatë. Dua t’u informoj se edhe rregullorja për kategorizim është në planin legjislativ të sivjetmë për plotësim-ndryshim”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Po ashtu, ministrja u shpreh se sporti dhe federatat do të kenë kujdesin dhe vëmendjen maksimale të ministres dhe MKRS-së.

Ministrja Dumoshi kërkoi nga të gjithë sportistë që të tregohen të kujdesshëm për shëndetin dhe nëpërmjet drejtuesve të federatave porositi që në bazë të mundësive, sportistë të përgatiten vazhdimisht ashtu që të rikthehen fuqishëm drejt sukseseve e fitoreve të reja.

Ndërkaq, drejtuesit e federatave e falënderuan ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin për sportin. Ata u shprehën se do të vazhdojnë të angazhohen për të qenë të gatshëm që me kalimin e pandemisë t’i kthehen edhe më fuqishëm garave dhe sukseseve. / KultPlus.com

MKRS bën homazhe për Violeta Rexhepagiqin, artisten që theu tabutë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me stafin e MKRS-së, në një ceremoni të organizuar para objektit të ministrisë, bënë homazhe për këngëtaren, kompozitoren dhe gazetaren e ndjerë, Violeta Rexhepagiqi, e cila dje shkoi në amshim.

Me këngët e të ndjerës Rexhepagiqi sfond, dhe me fotografinë e vënë përpara hyrjes kryesore të MKRS-së, ministrja Dumoshi në mënyrë simbolike vendosi një buqetë lule para fotografisë së Violetës.

Ministrja Dumoshi u shpreh se në këtë kohë pandemie si MKRS me aq mundësi sa është e lejuar kemi organizuar këtë ceremoni simbolike për ta vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen institucionale për ikjen e ikonës të viteve të 80-ta, Violetës, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar, e cila në Prishtinë nuk është njohur si një vajzë e zakonshme po si e jashtëzakonshme.

“Ajo me zërin dhe dukjen e saj dhe gjithmonë na ka dhënë mesazh vajzave dhe grave të reja që duhet t’i thyejmë të gjitha tabutë dhe të depërtojmë si vajza dhe si gra”, u shpreh ndër të tjera ministrja, duke konsideruar se sado simbolike, kjo ceremoni shkon për kujtimin e veprës së saj, e cila përjetësisht do të mbetet një emër i paharruar për artin dhe kulturën e Kosovës dhe më gjerë.

Ministrja Dumoshi tha se për të kujtuar Violetën e kemi vënë fotografinë e saj me disa lule dhe 39 këngët e saj sot do të dëgjohen tërë ditën, këtu para Ministrisë.

“Me këtë rast i ngushëlloj të gjithë artistët të gjithë kolegët e saj në veçanti familjen e cila e humbi motrën dhe ne do t’u rrimë për krah në forma të ndryshme që sado pak t’i ngushëllojmë në këtë kohë pandemie, pasi nuk ka ndonjë mundësi tjetër që përcjellja e saj të jetë ashtu siç ajo e ka merituar”, tha në fund ministrja.

Kujtojmë se e ndjera, ka lindur në vitin 1965, ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) dhe në disa media tjera, ka marrë pjesë si këngëtare në Eurovizion, ka qenë autore e shumë këngëve dhe është e njohur për stilin e saj avangarde duke qenë para kohës me trend dhe fatkeqësisht iku para kohe. /KultPlus.com

MKRS nesër me homazhe në nderim të Violeta Rexhepagiqi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nesër do të organizojë homazh ceremonial në nderim të këngëtares, kompozitores dhe gazetares, Violeta Rexhepagiqi e cila ka vdekur sot, shkruan KultPlus.com

Sot gjatë ditës një numër i madh i personaliteteve të fushës së artit dhe politikës kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë nga MKRS:

“Të nderuar,

Ju njoftojmë se nesër (17 prill 2020), ora 10:00, para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, për nder të këngëtares tonë Violeta Rexhepagiqi, do të vendoset fotografia e të ndjerës dhe do të lëshohen këngët e saj.

Për shkak të rrethanave të pandemisë, është paraparë që kësisoj të organizohet homazhi ceremonial për këngëtaren, kompozitore e gazetaren Violeta Rexhepagiqi, e cila kaloi në amshim.

Ftohen mediat të marrin pamje nga ceremonia.

MKRS dhe UNKT do të bashkëpunojnë në projekte konkrete për rini

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim koordinatoren për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson, me të cilën diskutuan për situatën me të cilën po përballen institucionet e kulturës, rinisë e trashëgimisë me situatën në kohë të pandemisë si dhe biseduan politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe për përfshirjen e UNKT-së në projekte konkrete që do të realizohen në të mirë të të rinjve të Kosovës.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Richardson, që ndonëse në kohë pandemie ka gjetur kohën t’i ndodhet pranë institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke treguar gatishmërinë për të dëgjuar për sfidat dhe planet me të cilat përballet dhe merret MKRS-ja.

Gjithashtu, Ministrja Dumoshi e njoftoi Richardson për punën që po bën MKRS-ja në këtë kohë të vështirë të pandemisë duke punuar me staf të reduktuar por që nuk kanë ndaluar vetëm e vetëm që t’u ndodhemi pranë institucioneve kulturore vartëse të MKRS-së, federatave e komunitetit sportiv si dhe organizatave rinore e të trashëgimisë kulturore.

“Jam duke zhvilluar komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e institucioneve, të organizatave kulturore, të rinisë, sportit e të trashëgimisë. Jam i informuar për së afërmi me problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato dhe që do t’i kenë edhe pas kalimit të pandemisë, andaj kërkoj edhe nga entitetet e Kombeve të Bashkuara nën siglën e UNKT-së, mbështetje të çfarë do forme për MKRS-në dhe këto organizata të cilat do të kenë vështirësi të mëdha. Me një bashkëpunim të MKRS-së me UNKT- në në këtë rast do t’i ndihmonte drejtpërdrejt këto organizata”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja e ka falënderuar përfaqësuesen Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, zonjën Richardson, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për MKRS-në dhe u shpreh se e mirëpritet ndihmën dhe gatishmërinë e UNKT-së për ta përkrahur MKRS-në dhe fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë në vendin tonë, qoftë drejtpërdrejtë por edhe në bashkëpunim edhe me organizatat tjera ndërkombëtare.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNKT-së, Ulrika Richardson, e falënderoi takimin dhe gatishmërinë e ofruar për bashkëpunim me qëllim të përkrahjes më të madhe të organizatave që vijnë nga fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë.

Richardson theksoi se ekipi e të cilin ajo e përfaqëson është e interesuar të përkrahë MKRS-në në fushat e rinisë dhe të trashëgimisë dhe u shpreh se është i nevojshëm vazhdimi dhe fuqizimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes UNKT-së dhe MKRS-së. / KultPlus.com

Dumoshi nënshkroi memorandume me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe katër federata sportive


Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar sot pesë memorandume bashkëpunimi.

Këto memorandume bashkëpunimi u nënshkruan me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK), dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK).

Memorandumet në emër të MKRS-së janë nënshkruar nga ministrja Dumoshi, ndërkaq në emër të KOK-ut, ka vënë firmën kryetari Besim Hasani, duke siguruar kështu 3 mujorshin e parë të këstit.

Nga FFK-ja memorandumin e ka nënshkruar kryetari i Federatës, Agim Ademi. Poashtu kjo federatë u mbështet me vlerë financiare për realizimin e objektivave për vitin 2020.

Ndërsa, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka nënshkruar memorandumin për përkrahje financiare.

Në emër të Federatës, së Volejbollit të Kosovës, ka nënshkruar kryetari i Federatës, Abedin Ibrahimi. Ndërkaq, për FHK-në, ka nënshkruar kryetari Eugen Saraçini.

Këto Federata të cilat nënshkruan memorandumet e bashkëpunimit, nga nesër në xhirollogaritë e tyre do të kaloj kësti për tre muajt e ardhshëm në mënyrë që t’ju gjinden pranë sportistëve në këtë kohë të vështirë pandemie.

Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast tha se përkrahja e MKRS-së për Komitetin Olimpik dhe katër  federatat ju mundëson atyre të kenë planifikim më të mirë të aktiviteteve dhe të realizojnë programin e tyre në mënyrë më të suksesshme.

“Memorandumet që nënshkruam sot me KOK-un, FFK-në, FBK-në, FVK, dhe FHK-në, përcaktojnë nivelin e përkrahjes për këto organizata sportive. Kjo përkrahje bëhet në bazë të meritave të cilat janë përcaktuar me rregullore. Vetë mekanizmat që e organizojnë dhe zhvillojnë fushën e sportit në vendin tonë e kanë përcaktuar, dhe poashtu në MKRS në këtë kohë pandemie do vazhdojmë të jemi sa më afër sportistëve tanë”, u shpreh ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ajo tha se do të angazhohet që edhe në vazhdimësi ta mbështesë sportin në vend në mënyrë që t’ju krijohen lehtësira sportistëve dhe trajnerëve që t’i realizojnë qëllimet dhe të arrijnë suksese nëpër gara vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave të cilat nënshkruan memorandumet u shprehën të lumtur për nënshkrimin e këtyre memorandumeve duke falënderuar ministren për mbështetje në këtë kohë pandemie dhe premtuan që do vazhdojnë të punojnë fuqishëm që të sjellin në vend çmim dhe medalje të ndryshme. / KultPlus.com

MKRS me grup punues për të ndihmuar organizatat kulturore, rinore dhe sportive

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të themelojë grupin e punës për ndërtimin Planit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përfshin masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja, për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga efekti i pandemisë globale COVID-19.

Fokusi i punës së këtij grupi do jetë ngritja e programeve të reja për subvencionim të krijuesve, të rinjve dhe sportistëve individualë si dhe OJQ-ve dhe bizneseve në këta sektorë të cilat kanë nevojë për mbështetje, me qëllim të vijimësisë së punës.

Grupi i punës do i propozojë ministrit kriteret e reja për përfitim të fondeve konform pakos emergjente pas Masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Sipas pakos, për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.

Pra, me caktimin e grantit prej 5 milion euro dedikuar për MKRS-në, ministrja Dumoshi menjëherë ka ndërmarrë veprimet e duhura për themelimin e grupit punues për të ndihmuar sektorët e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë.

Ministrja Dumoshi tha se është obligim i yni që t’u gjendemi pranë organizatave kulturore, rinore e sportive në këtë kohë të vështirë. / KultPlus.com

Bashkëpunimi për të rinjtë e Kosovës, prioritet për MKRS-në, UNFPA-në e UNKT-në

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim John Kennedy Mosoti, Drejtor i UNFPA-së për Kosovë, Serbi dhe Maqedoni Veriore si dhe Përfaqësues i UNFPA-së për Bosnje e Hercegovine. Në takim ishte e pranishme edhe Shefja e UNKT-së në Kosovë Ulrika Richardson.

Ministrja Dumoshi theksoi që është shumë e kënaqur me punën e mirë të agjencive të UN-it në Kosovë e veçanërisht UNFPA-së, punën e të cilës e çmon lartë.

Ndërkaq, Mosoti uroi Ministren Dumoshi për marrjen e detyrës dhe e njoftoi me misionin dhe vizionin e UNFPA-së si dhe me projektet konkrete në Kosovë dhe me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës për të shtyrë përpara çështje si edukata seksuale, aborti, struktura e popullsisë etj.

Në takim u diskutua për format e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me angazhimin e të rinjve në projekte të ndryshme, meqenëse komponentë e rëndësishme  MKRS-së është edhe Rinia.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më vitale e Kosovës dhe aset i çmuar për të cilin duhet bërë akoma si në nivel institucional ashtu edhe në nivele tjera. Ajo u shpreh e gatshme të ofrojë të gjitha kapacitetet dhe ndihmën e Ministrisë që bashkërisht me të gjitha organizatat që veprojnë në Kosovë të fuqizojnë rininë përmes projekteve e aktiviteteve të ndryshme. / KultPlus.com

MKRS pezullon aktivitetet kulutrore, ato sportive mund të zhvillohen pa publikë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes këtij njoftimi dëshiron të njoftojë qytetarët e Republikës së Kosovës se pas vendimit të Qeverisë për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga COVID-19, i njohur si Corona Virus, ka marrë vendim me këto masa si më poshtë:

Të gjitha aktivitetet kulturore, shfaqjet teatrale, koncertet, ekspozitat e artit dhe aktivitetet tjera që ndodhin dhe realizohen nga institucionet qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë, të cilat janë në varësi të ministrisë, ku ka prezencë të publikut, pezullohen deri në njoftimin tjetër të radhës që do ta bëjë MKRS-ja.

Të gjitha aktivitetet, ndeshjet e tubimet sportive mund të zhvillohen pa praninë e publikut.

Këto masa të cilat janë ndërmarrë nga MKRS-ja janë në kuadër të pikës 5 të vendimit të Qeverisë së Kosovës. Konkretisht kjo masë nënvizon se Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër. / KultPlus.com

MKRS plotësohet me zëvendësministrin e dytë, Yll Rugova

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet me zëvendësministrin e dytë. Ministrja Vlora Dumoshi, e ka pritur zyrtarisht zëvendësministrin Yll Rugova, në marrjen e detyrës.

Gjatë këtij takimi formal, Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova për programin dhe synimet që pritet të realizohen prej MKRS-së gjatë këtij mandati e veçanërisht për aktivitetet e punët që synohen që të arrihen gjatë këtij viti.

Ministrja Dumoshi tha se është një fat për ministrinë që ka ardhur në pozitën e zëvendësministrit një person si z. Rugova i cili i njeh fushat me të cilat merret MKRS-ja, pasi që ka qenë drejtor për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prishtinës.

Dumoshi e Rugova biseduan për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkërendimin e punëve që ka përpara udhëheqja e ministrisë, nën frymën e një bashkëpunimi konkret dhe efikas.

Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova edhe me sfidat që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon dhe se pret që bashkërisht t’i zgjidhin ato në kuadër të përmbushjes së objektivave të ministrisë.

Ndërkaq, zëvendësministri Rugova e falënderoi ministren për pritjen dhe u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar nevojat dhe arritur pritshmëritë që janë vënë si synim në avancimin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë. /KultPlus.com