Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës hyjnë në grevë, KultPlus sjellë vendimin e aktorëve drejtuar MKRS-së

Që nga sot më datën 16 tetor, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokon tërësisht repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, deri në realizimin e kërkesave të tyre, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur përmes letrës së nisur tek ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, letër të cilën e posedon KultPlus, ku njëherësh edhe tregohen të gjitha kërkesat e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, se pse po hyjnë në këtë grevë të përgjithshme.

Pikërisht për këtë çështje, sot SHSTKK, ka organizuar konferencë për medie me fillim nga ora 13:30 në Sallën A të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim, KultPlus sjellë njoftimin e plotë të kësaj shoqate drejtuar Ministrisë së Kulturës, Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Për: Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Gashi Këshillin drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Drejtorin Gjeneral të TKK-së dhe Udhëheqësin Artistik

NJOFTIM

Të nderuar, Ju njoftojmë se, bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (për lirinë dhe organizimin sindikal), në nenin 89 të Ligjit të Punës, neni 27 të Ligjit për Organizim Sindikal, në Ligjin për Grevë nr. 03/L-200 si dhe konform vendimit unanim të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkërendim me SBASHK-un, është marrë vendim t’ua rikujtojmë që:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe neglizhencën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së, tash e 17 vjet, nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas tre kërkesave, për ngritjen e pagës bazë, të cilat ua kemi drejtuar ne si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar te Kosovës gjatë muajve maj dhe qershor 2016 si dhe mars 2017; Pas dy kërkesave të Këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, (te nënshkruara edhe nga menaxhmenti i TKK-së), të datës 02.06.2016 dhe datës 03.11.2016, lidhur me Ngritjen e pagës bazë për aktorët rezident, përkatësisht inicimin e procedurave për përmirësimin e “Rregullores 05/2011 Për Krijuesit dhe Performuesit e Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”, konform Nenit 20 të kësaj rregullore; Pas zotimeve publike të datës 20.05.2016 dhe 07.06.2016 nga ana e Ministrisë se Kulturës, përkatësisht ish-ministrit Kujtim Shala, për ngritjen e pagës bazë për krijuesit dhe performuesit e artit; Pas mosfunksionalizimit të komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Kulturës Pas takimit të datës 2 tetor 2017 me ministrin e ri të Kulturës Kujtim Gashi me ç’rast u paralajmërua që pas afatit 10 ditor SHSTKK do të jetë e detyruar të marrë masa të tjera ligjore dhe sindikale.

Pas mospërfilljes së kërkesave tona nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, ne Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, ua dërgojmë këtë njoftim:

Që nga data 16 Tetor 2017 (ditë e hënë), ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të reperorit të TKK-së deri në realizimin e kërkesave tona. Në të ardhmen, SHSTKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së duke luajtur rol aktiv në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe amandamentimin e Rregullores Nr. 05/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore, deri në miratimin e ligjit të veçantë për Performuesit e Artit në Republikën e Kosovës. Me respekt, SHSTKK,

Prishtinë 13.10.2017
Udhëheqës të sindikatës: Ismet Azemi, Shkelzen Veseli dhe Adrian Morina./ KultPlus.com

Austria përkrahë MKRS-në për realizimin e politikave

Ministri Kujtim Gashi takoi ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për raportet dhe bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Austrisë.

Ministri e falënderoi ambasadorin Pfandler për vizitën dhe u shpreh se e vlerëson marrëdhënien e Kosovës me një shtet mik siç është Austria dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin për tërë përkrahjen që ka dhënë shteti austriak në përkrahje të shtetësisë së Kosovës.

Ministri Gashi tha se është i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me Austrinë në ato projekte të cilat Ambasada i sheh për të dy palët. Kësisoj do të intensifikohej edhe angazhimi i përbashkët në avancimin e fushave që ka në përgjegjësi MKRS-ja, por edhe do të hapej mundësia për shkëmbim të përvojave e profesionistëve të dy vendeve.

Ndër të tjera, ministri e ka njoftuar ambasadorin edhe për planet dhe politikat që ka për synim që t’i realizojë ministria në të ardhmen dhe në këtë drejtim ministri u shpreh se shpreson edhe në përkrahjen e Ambasadës së Austrisë, sidomos në promovimin e diplomacisë dhe diversitetit kulturor.

Ndërkaq, ambasadori austriak Pfendler e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e përgëzoi për e detyrën e ministrit duke i dëshiruar suksese dhe përmbushje të qëllimeve.

Ambasadori austriak theksoi se ambasada do ta mbështesë ministrinë në sferat në të cilat do të vlerësohen të interesit të përbashkët, por edhe në prezantimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare./ KultPlus.com

Ministri Gashi jep arsyetimin për bartjen e MKRS-së në Prizren

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për bartje të një pjese të stafit politik, administrativ dhe profesional në qytetin e Prizrenit.

Ministri Kujtim Gashi, para kabinetit qeveritar ka dhënë arsyetimin për një propozim të tillë bazuar në vlerën dhe rëndësinë historike e kulturore që ka pasur qyteti i Prizrenit ndër shekuj dhe vazhdon ta ketë për tërë shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.

“Prizreni është një simbol që kultivon vlera origjinale dhe me larmi kulturash. Është qendër jo vetëm e kulturës shqiptare, por edhe e gjithë popujve tjerë që jetojnë në të, pa dallim përkatësie nacionale, religjioze apo sociale. Arkitektura qytetare, religjioze, neoklasike dhe orientale e bën sot Prizrenin qytetin më të bukur dhe më të vizituar në Kosovë. Pjesa e vjetër e qytetit, shërben si një hapësirë unike ku zhvillohen shumë aktivitete kulturore, të cilat e mbajnë gjallë vazhdimisht jetën kulturore të qytetit”, tha ministri.

Ministri Gashi vlerësoi se aktivitetet që organizohen në Prizren kanë impakt kulturor në mbarë vendin dhe më gjerë. Trashëgimia e pasur kulturore e këtij qyteti dhe shumë veçori tjera e bëjnë Prizrenin vend të kulturës dhe historisë.

“Është fakt i patjetërsueshëm që vlerat që burojnë nga diversiteti kulturor, historik, gjuhësor e fetar, e bëjnë Prizrenin pikë referuese dhe atraksion për turistët vendor dhe të huaj. Prandaj, me qëllim të avancimit, përkrahjes dhe përkujdesjes më të madhe institucionale ndaj këtyre vlerave historike, kulturore e sociale, kemi kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vendosë për bartjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren”, ka thënë ministri Gashi

MKRS-ja paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë bartje, përfshirë planifikimet përkatëse buxhetore si dhe gjetjen e lokacionit dhe për të funksionalizuar bartjen ministria në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe me Komunën e Prizrenit dhe institucionet tjera përkatëse, do të formojë një komision, i cili do të hartojë planin për realizimin e bartjes./ KultPlus.com

Studentë nga Kosova përfitojnë nga marrëveshjet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturore

Studentë të Kosovës do të vazhdojnë studimet pasdiplomike në fushën e trashëgimisë kulturore në Angli e Francë, si rezultat i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, i priti në një takim kandidatët të cilët priten të jenë kuadro në fushat përkatëse të trashëgimisë.

Arta Arifi, Atdhe Prelvukaj e Enes Lekiqi, janë studentët fitues të cilëtkanë fituar bursë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Angli, pas përfundimit të fazave të konkursit, në kuadër të marrëveshjes së MKRS-së me Këshillin Britanik, ndërkaq, Marigona Ademi e Endrit Smajli, fitues të bursave për vazhdim të studimeve në fushën e trashëgimisë në Francë, në kuadër të marrëveshjes mes Ambasadës së Francës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe École Normale Supérieure në Paris.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që në fushën ku mungojnë kuadrot, siç është fusha e trashëgimisë në përgjithësi, këta studentë kanë përzgjedhur pikërisht t’i vazhdojnë studimet e tyre, duke e konsideruar edhe një pasuri për vendin tonë. Ai i uroi për suksese studentët në fjalë, duke i porositur që dijen dhe përvojën e fituar ta sjellin në Kosovë, dhe ta vënë në shërbim dhe në të mirë të vendit tonë, duke e dëshmuar me fakte shkencore autoktoninë dhe lashtësinë e popullit tonë në këto treva.

“Ndjehem i lumtur që jeni treguar të gatshëm që të vazhdoni avancimin tuaj profesional dhe të ndiqni studimet pasdiplomike në këtë fushë deficitare siç është trashëgimia kulturore. Ju do të jeni një shpresë dhe do të plotësoni mungesat në këtë fushë”, tha para studentëve ministri Gashi.

Gashi po ashtu falënderoi edhe Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës për mbështetjen duke u shprehur se ata kanë qenë dhe do të mbesin partnerë të rëndësishëm të ministrisë.

“Shteti i Britanisë së Madhe dhe ai i Francës janë dy shtete mike të Kosovës, dhe mbështetja e tyre në progresin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pakursyer dhe se populli i Kosovës i është mirënjohës dhe falënderues. Edhe në fushat që ka në përgjegjësi ministria, këto dy shtete kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në aspekte të ndryshme”, tha ministri.

Ndërkaq, studentët falënderuan ministrinë për përkrahjen dhe përzgjedhjen duke theksuar se ata do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë dijen dhe përvojën e duhur dhe atë ta sjellin dhe ta aplikojnë në Kosovë, në shërbim të fushës së trashëgimisë kulturore. Studentët u shprehën se përmes bashkëpunimit që MKRS-ja ka ndërtuar me partnerët e saj, ka mundësuar që ëndrra e tyre të realizohet.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar fondin e bursave për trashëgimi, kulturore, për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrave deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerë dhe projekti në fjalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

Kontrata kolektive për punonjësit e kulturës do të nxisë rritjen e kreativitetit dhe efikasitetit në fushën e kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është takuar sot me drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të udhëhequr nga kryetari Rrahman Jasharaj, shkruan KultPlus.

Ndërmjet ministrit Gashi dhe kryetarit Jasharaj u bisedua për situatën në të cilën ndodhen punëtorët profesional të kulturës në vendin tonë dhe hapat që duhet të ndërmerren, me qëllim të përmirësimit të të drejtave dhe kushteve për këtë kategori.

Kryetari Jasharaj e uroi ministrin për marrjen e detyrës së re. Ai u shpreh se pret nga ministri Gashi që të bashkëpunojë me sindikatën ashtu që punëtorët e kulturës, krijuesit që janë të angazhuar nëpër institucionet kulturore në vend, të merren parasysh dhe në koordinim të përbashkët të finalizojnë kontratën kolektive me kategorinë në fjalë.

“Është e nevojshme që të krijohet një grup punues i përbashkët i SBASHK-ut dhe MKRS-së që të finalizohet kontrata kolektive për punëtorët e kulturës”, tha Jasharaj.

Ministri Gashi u shpreh se do të bashkëpunojë ngushtë me SBASHK-un, në të mirë të mbrojtjes së interesave të punëtorëve në sektorin e kulturës duke ofruar gatishmërinë dhe angazhimin e plotë për të përmbushur detyrat dhe obligimet që i takojnë Ministrisë, si një partner serioz në bashkërendimin e të gjitha çështjeve që janë me interes të dy palëve.

“Krijuesit, performuesit dhe profesionistët e kulturës do të përfitojnë me ato që do të parashihen sipas kontratën kolektive, dokument që do të përfundohet dhe nënshkruhet shumë shpejt. Do të bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e MKRS-së që ky dokument i rëndësishëm të finalizohet me sukses. Uroj që kontrata kolektive të jetë edhe një nxitje për rritje të kreativitetit dhe efikasitetit në kulturë”, tha ministri Gashi. /KultPlus.com

Muaji tetor mirëpret Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Sarandë Selimi

Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.

Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.

“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.

Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.

Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.

“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com

Kujtim Gashi sot merr detyrën e ministrit të MKRS-së

Sot më 11 shtator me fillim nga ora 14:30, bëhet ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kabinetin e ministres, përcjell KultPlus.

Ministrja Vlora Dumoshi do t’i dorëzojë zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Kujtim Gashi. Mediet do të marrin vetëm pamje nga kjo ceremoni./ KultPlus.com