Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria Federale e Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, sot kanë nënshkruar marrëveshjen e programit për bashkëpunim kulturor.
Ministri Hajrulla Çeku ka pritur në takim delegacionin austriak, të udhëhequr nga Ambasadori Christoph Thun – Hohenstein, ku së bashku diskutuan për partneritetin e deritanishëm dhe programin e ri për bashkëpunim kulturor për vitet 2024 – 2027.
“Përmes marrëveshjes së nënshkruar të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim ndërmjet institucioneve kulturore, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror, për kontakte të drejtpërdrejta mes artistëve, shkëmbimin e ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat e artit, filmit, muzikës, në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale si dhe për bashkëpunim për ngjarjet rinore e sportive”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com
Sot, delegacioni austriak, i përbërë nga përfaqësues të Ambasadës së Austrisë dhe Ministrisë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, së bashku me përfaqësues të MKRS-së dhe MASHTI-të, ka nisur vizitat e sotme në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Përveç në UP, këto vizita janë zhvilluar edhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.
“Bashkë me Prorektoren për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, Arta Basha Jakupi, diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shkencore.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, drejtori Fazli Gajraku i mirëpriti dhe prezantoi një ekspozitë librash me tituj të autorëve të letërsisë austriake dhe gjermane.
Së bashku me drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojanin, vizituan dy ekspozitat e hapura në GKK, “Palimpsestet e Historisë” dhe “Atelieja e Piktorit të Panjohur”.
Këto vizita ofruan një pasqyrë të detajuar të programeve dhe partneritetit të ngushtë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka me institucionet kulturore dhe arsimore në vend”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com
Në kuadër të avancimit të infrastrukturës ligjore, grupi punues i themeluar për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin ka filluar takimet e tyre të rregullta.
Në mënyrë që politika e re e librit në vendin tonë të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ministri Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga këshilltarja politike Rozafa Imami dhe drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS Jehona Shyti, priti në takim komunitetin letrar.
Bashkë diskutuan modelet dhe praktikat që kontribuojnë në fuqizimin e fushës së librit, botimit dhe qarkullimit të tij, nxitjen e leximit, zhvillimin e koleksioneve të bibliotekave, si dhe çështje tjera që do t’i propozohen grupit punues për t’i përfshirë në Ligj.
Takimet dhe konsultimet me komunitetin letrar do të vazhdojnë deri në përfundim të procesit të plotësim-ndryshimit të Ligjit. / KultPlus.com
“La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK. Vendi i dytë i ka takuar Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, kurse Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan se këto mbrëmje dëshmuan se kultura jonë është thelbi i identitetit dhe se muzika është gjuha që flet fuqishëm për të gjitha ndjenjat.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e MKRS-së:
Kosova, me Festival të Këngës, tregoi se zemra dhe zëri i saj është i fortë dhe i pandalshëm.
Tri net magjike me tingujt e bukur të muzikës shqipe, kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat tona. Mbrëmje që na dëshmuan se kultura jonë është thelbi i identitetit dhe se muzika është gjuha që flet fuqishëm për të gjitha ndjenjat.
Festivali i Këngës nuk është vetëm një festë, por është një shtëpi e re për artistët tanë, një rrugë e re e hapur për të arritur më lart, për të shpërfaqur potencialin tonë në skenën botërore të muzikës.
Mbështetja e MKRS-së për organizimin e kësaj ngjarjeje madhështore dëshmon se sa shumë i çmojmë vlerat tona kulturore.
Urime për fituesin e vendit të parë, Arbër Salihu, si dhe fituesit e çmimeve vijuese, Angus Dein, Albin Nikprelaj dhe Saranda Alija. Përgëzime të gjithë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e skulptorit Mulliqi, duke thënë se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku poashtu, ka thënë se ka qenë thelbësor angazhimi i skulptorit Mulliqi në zhvillimin e artit pamor në vend.
Më poshtë gjeni postimin e Plotë të Minsitrit Çeku në Faebook:
E nderuar familje Mulliqi,
Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të skulptorit të shquar, Luan Mulliqi dhe ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.
Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor.
Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm.
Karriera e bujshme e tij që ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë, ekspozita personale e kolektive nëpër shumë vende të botës, do të vlerësohet gjatë.
Me punën e tij na la trashëgimi disa nga monumentet më të njohura të vendit, përfshirë shtatoren e akademik Fehmi Aganit në Prishtinë, shtatoren e Nënë Terezës në Tiranë, shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë, bustin e Sekretares së shtetit të SHBA-ve Medlin Ollbrajt, e të tjera. Ndërsa për punën që bëri mori çmime në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Çmimet e fituara, tregojnë përkushtimin e tij të palodhur ndaj artit dhe kulturës së Kosovës.
Ngushëllime të thella për familjen, kolegët dhe të gjithë komunitetin artistik.
Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com
Me qëllim të fuqizimit të skenës së pavarur kulturore, rritjes së cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e tyre në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit dhe kulturës, rrjetëzimin dhe promovimin e produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative, MKRS ka hapur thirrjen për mbështetje financiare të projekteve të OJQ-ve dhe individëve.
Shuma maksimale e mbështetjes për përfituesit: 25,000.00 Euro.
Aplikimi bëhet përmes formës online në uebfaqen e MKRS-së. Detajet e hollësishme mund t’i lexoni këtu: https://tinyurl.com/5n6s9t95
Afati i fundit për aplikim: 9 tetor 2023. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka prezantuar konceptin zyrtar të organizimit të Lojrave Mesadhetare “Prishtina 2030”, nga ku ka bërë të ditur se MKRS ka ndarë 253 euro për organizimin e këtyre lojërave, historike për sportin kosovar, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku ka uruar komunitetin sportiv për këtë arritje, pasi sipas tij angazhimi i institucioneve shtetërore, do të ishte pa rezultat, po të mos ishin sukset e tyre ndërkombëtare ndër vite.
“Uroj të gjithë komunitetin sportiv për këtë arritje historike e cila refleton vullnetin talentin dhe punën e deritanishme të sportistëve tanë. Vetëm me një fitore të këtij lloji për organizimin e një gare multisporive në vend, kështu edhe ne të tjerët mund të jemi në linjë me punën dhe përkushtimin tuaj ndër vite andaj të dashur sportistë, urime të gjithëve nga zemra, para së gjithash juve sepse i gjithë ky sukses, i gjithë ky angazhim i organizatave sportive shtetërore e institucionale do të ishte pa rezultat sikur t mos ishin puna dhe sukseset tuaja ndërkombëtare ndër vite”, ka thënë ministri Çeku/KultPlus.com
Kosova është shpallur nikoçire e Lojërave Mesdhetare 2030, përcjell KultPlus.
Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se ky vendim e rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur LM u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë.
Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:
Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030
Asambleja Gjenerale e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare sot në Heraklion të Greqisë, ka shpallur Kosovën shtet mikpritës të LM2030.
Vendimi i sotëm rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur LM u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë.
Programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi 3300 sportistëve dhe shënon bashkëpunimin e parë mes 2 shteteve në organizim, Kosovës dhe Shqipërisë. Ngjarja ndërkombëtare multi-sportive do të ketë shtrirje në gjithë territorin e shtetit me fokus në 7 komunat kryesore si dhe në bregdetin shqiptar, në Durrës.
Përmes LM2030, konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar.
Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, do të ketë edhe përfitime jodirekte por afatgjate, si promovimi i shtetit dhe zhvillimi i turizmit sportiv./KultPlus.com
Ministri Hajrulla Çeku dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, vizituan sot shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, ku pas disa viteve stagnim, kanë rinisur punët.
Me investimin e MKRS-së në vlerë prej 2.7 milionë euro, projekti parasheh hapësira të reja të projektuara për të shërbyer si një qendër vitale dhe platformë e përshtatshme për artistët dhe artdashësit e rajonit, për të ndarë dhe zhvilluar interesat e tyre në fushën e kulturës.
Përtej hapësirës fizike, qendra do të inkurajojë bashkëpunimin, kreativitetin dhe ndërveprimin ndërmjet komunitetit./KultPlus.com
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST, premton të jetë një festë vizuale për të gjithë.
Ekspozitat madhështore si “Rrethimi i Sarajevës”, që paraqet veprat e jashtëzakonshme të fotografit të njohur Paul Lowe, “The Hollow of the Hand” nga Seamus Murphy dhe P.J. Harvey, “Yves Saint Laurent” nga Pierre dhe Alexandra Boulat që kanë fotografuar për firmën për katër dekada, si dhe ekspozitat e fotografëve vendorë, Ferdi Limani dhe Jeton Karahoda, janë vetëm disa nga aktivitetet e programit.
Festivalin e përuruan Kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja, Emilia Redžepi, ministri Hajrulla Çeku, shumë artistë dhe adhurues të fotografisë.
Muzeu Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Galeria Kombëtare, Kino Armata, Galeria Qahili, janë disa nga vendet ku do të mbahen ekspozitat, ligjëratat, debatet e bisedat mes artistësh, shfaqjet e filmave dhe fotosesionet, të cilat vazhdojnë deri me 29 gusht.
Me qëllim të promovimit të fotografisë dhe jetës kulturore përmes tyre, MKRS qëndron si një nga mbështetësit kryesorë prapa Fotoist – International Photography Festival./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fton të rinjtë që të bëhen pjesë e Panairit të Rinisë dhe të prezantojnë punën e tyre.
Ky panair mbahet në Prishtinë më datë 25 gusht nga ora 11:00 dhe ofron hapësirë për të rinjtë që të paraqesin veprimtarinë e tyre dhe të rrjetëzohen me institucionet publike, sektorin privat dhe organizatat.
Nëse jeni artistë, artizanë, ndërmarrës apo krijues të rinj (15 – 24 vjeç), inkurajoheni të aplikoni për të siguruar hapësirë.
Shembuj që mund të ekspozohen janë krijimtaritë në fushën e artit, artizanate të ndryshme, punëdore, gastronomi, teknologji informative, prodhimtari, si dhe fusha të tjera që reflektojnë punën dhe angazhimin tuaj.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”, nesër (08 gusht 2023), duke filluar nga ora 20:00, në Kino Armata, në Prishtinë.
Filmat janë prodhuar me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Filmi “I pabesi” (39 min), është realizuar nën regjinë e Musa Isufi, me skenar të Shkelqim Islami, me aktorë: Gani Veseli, Anisa Ismaili, Artan Ibishi, Valon Nuhiu, Muzabejdin Qamili. Në këtë link mund ta shihni trailerin: https://www.youtube.com/watch?v=qe5l2zF1KVg
Ndërsa, filmi “Heshtja Vret” (40 min), është realizuar nën regjinë e Musa Isufi, me skenar të Shkelqim Islami, me aktorë: Gani Veseli, Sefedin Shabani, Faton Ibrahimi, Egzona Salihu, Valon Nuhiu, Artan Ibishi, Emine Kadriu, Blerim Ismani.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë punën për pasurimin e listës së aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme. 13 asete shtesë, tash në mbrojtje të përhershme, përcjellë KultPlus.com
Në Gjilan, Shtëpia e Zekirja Abdullahut, Kisha e Shën Anës, Objekti i Kajmekamëllekut, Objekti i ish Depos Ushtarake Turke, Shtëpia e Haxhi Ahmetit, Në Prizren, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i Kishës Katolike “Zonja Ndihmëtare”, Kroi i Binbashit, Shtëpia e Musa Shehzades, në Partesh, Kisha e Shndërrimit, në Ferizaj, Kompleksi i Ndërtesave: Xhami e Kishë Ortodokse, në Kamenicë, Teqeja e Sheh Zenel Abedinit, në Kaçanik, Xhamia e Hoxhë Sinan Pashës.
“Çdo ditë përkushtim në mbrojtjen, ruajtjen dhe funksionalizimin e aseteve tona të trashëgimisë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka dalë me reagim pasi Komuna e Skenderajt ka filluar ndërhyrjet për shkatërrimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik, përcjell KultPlus.
MKRS nëpërmjet këtij reagimi thotë se institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.
Në vijim KultPlus ua sjell reagimin e plotë të MKRS-së:
REAGIM
Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij. Ndërhyrjet degraduese nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.
Ky monument ngërthen kujtimet e komunitetit për ngjarjet e pasura kulturore të organizuara në bibliotekën, kinemanë dhe sallën koncertale, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë.
Prandaj, i apelojmë komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale./KultPlus.com
Në mbledhjen e 148-të të Qeverisë së Kosovës me miratimin e Projektligjit për Art dhe Kulturë, është shënuar një zhvillim i rëndësishëm drejt zhbllokimit të potencialit dhe nxitjes së krijimtarisë artistike.
Ligji i ri ndër të tjera do të ofrojë:
Kushte ligjore më të favorshme për krijimtari artistike, më pak burokraci
Forma të reja të mbështetjes së institucioneve publike të artit dhe skenës kulturore
Bazë ligjore për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Këshillit Kombëtar të Arteve
Njohje ligjore të skenës së pavarur dhe statusit të artistit të pavarur e artistëve meritorë
Projektligjin e hartuar përmes angazhimit aktiv me komunitetin artistik, dhjetëra takimeve për të dëgjuar shqetësimet dhe sfidat që pengojnë mbarëvajtjen e punës së tyre, mund ta shfletoni KËTU./KultPlus.com
Sot, në Ditën Botërore të Muzikës, për të festuar dhe nderuar arritjet e muzikantëve të shquar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ndau çmimet vjetore në fushën e muzikës.
Juria profesionale, në përbërje prej kompozitorëve dhe dirigjentëve Baki Jashari, Kushtrim Gashi dhe Hajrullah Syla, pasi vlerësoi propozimet dhe analizoi veprat që kanë konkuruar në ftesën publike, vendosi si vijon:
Çmimi për vepër vokalo – instrumentale, i ndahet kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Exodus” për solo sopran, kor dhe orkestër simfonike.
Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante, i ndahet dy kompozitorëve Ersan Januzi për veprën “Take a deep breath” për orkestër simfonike dhe Dafina Zeqiri Nushi për veprën “Wind” për orkestër simfonike.
Çmimi për vepër kamertale i ndahet Kreshnik Aliçkaj për veprën “Passacaglia” për orkestër harkore, harpë, çelestë dhe perkusione si dhe Valton Beqiri për veprën “XX” për kitarë dhe orkestër harqesh. Në pamundësi të pjesëmarrjes në ceremoni, të dyja çmimet u pranuan nga familjarët dhe kolegët e tyre.
Çmimi për vepër korale me ose pa shoqërim instrumental, i ndahet kompozitores Dea Ahma për veprën “De Vita et morte ” për zëra solo, narrator, tri kore mikse dhe përkusione.
Çmimi për vepër solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Tri pjesë për klarinet dhe piano”.
Në mungesë të nominimeve nga institucionet përkatëse, juria profesionale këtë vit nuk ndau Çmim Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”./KultPlus.com
Të gjithë nxënësit e qytetit të Mitrovicës do të kenë mundësi që të jenë pjesë e demonstrimit të xhudos me kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila ngjarje është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, shkruan KultPlus.
Ky program përmes komponentës “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës.
“Bashkë me trajnerët dhe xhudistët e klubit të xhudos “Trepça”, Majlinda Kelmendi do të prezantojë disiplinën e xhudos dhe do të takohet me të gjithë të rinjtë për të festuar kulturën dhe arritjet e xhudos në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MKRS.
Ngjarja do të zhvillohet më 7 qershor në ora 14 në sallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë./KultPlus.com
“Activate talks”, një ngjarje frymëzuese e Unicef Kosovo Programme sot bashkoi folës të njohur, aktivistë dhe liderë të rinj për t’u përfshirë në diskutime domethënëse dhe për të adresuar çështje që prekin rininë në Kosovë.
Pjesë e bisedave ishin ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Austrisë në Kosovë Christoph Weidinger, shefja e zyrës së UNICEF Nona Zicherman dhe të tjerë.
Në këtë edicion katër të rinj ndanë tregimet e tyre përgjatë realizimit të projekteve të bazuara në komunitetet e tyre, ndërsa u mbajt edhe një panel diskutimi e panairi i projekteve të të rinjëve.
Nëpërmjet këtyre platformave diskutimi, të pranishmit inkurajohen të ndërmarrin veprime, të nxisin ndryshime pozitive dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit rinor të Kosovës./KultPlus.com
Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, MKRS ka shpallur konkursin për hartimin e Master Planit.
“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar në Facebook ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Konkursi është hapur sot dhe afati i fundit për dorëzim është 07.07.2023,
Klikoni KËTU për informata më të hollësishme rreth kritereve të aplikimit./KultPlus.com
Programi më i ri qeveritar “Arti në shkolla”siç duket po sjell plot energji, mundësi e kreativitet artistik tek nxënësit e shkollave në të cilat po pilotohet.
““Artisti në klasë” është një nga pikat e tij më të veçanta, ku fëmijët po zgjerojnë njohuritë për operën, instrumentet muzikore, shfaqjet teatrale e aktrimin, pikërisht nga personat që ushtrojnë këto profesione. Aktivitetet po udhëhiqen nga artistë dhe ekipi profesional i institucioneve qendrore të kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ndër tjera në këtë njoftim të ministrisë kulturës thuhet se u mbajt edhe një koncerti u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina.
“Rrugëtimi i programit ka vazhduar me një koncert në Shkollën e Muzikës, që u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina. Koncerti u dha për rreth 200 nxënës të katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalca dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica. Koret performuan pika të ndryshme artistike, pjesë operistike nga autorë shqiptarë e kryevepra botërore”, thuhet në njoftim.
Përmes praktikave të tilla krijuese në kuadër të këtij pilot programi, po sigurohemi që brezi i ardhshëm të marrë një arsimim të plotë që përfshin artet, të identifikojmë talentët e rinj, të kultivojmë ndjenja kreativiteti si dhe të zhvillojmë kapacitetin për reflektime kritike tek fëmijët.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera partnere në nivelin qendror dhe lokal, kanë lansuar programi ndër-ministror “Arti në Shkolla”.
Zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me ministren Arbërie Nagavci dhe ministrin Elbert Krasniqi prezantuan para kryetarëve të komunave, zyrtarëve publikë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik, programin i cili parasheh që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurikular kulturor në javë, duke përfshirë: Orë të veçanta të artit të cilat do të sjellin artistin në klasën shkollore; Vizitat direkte në institucionet kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore; Organizmin e nxënësve për pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme artisike; Themelimin e art klubeve në shkolla, që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve që shprehin interesim dhe talent në cilëndo gjini të caktuar artistike: lexim, teatër, muzikë, trashëgimi kulturore apo të tjera.
Përgjatë muajve maj dhe qershor, fillon faza e parë e zbatimit të programit që do të zhvillohet në shkollat e Gjilanit, për të vazhduar më pas në komunat tjera. / KultPlus.com