Duke filluar nga 1 Janari i vitit 2023, e gjithë veprimtaria profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore do të zhvillohet vetëm me Licencë Profesionale.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përfunduar të gjitha përgatitjet për zbatimin e procesit të licencimit të personave fizik dhe juridik në fushën e trashëgimisë kulturore sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2021 të miratuar për Kriteret, Kërkesat, Rregullat dhe Procedurat lidhur me Lëshimin, Administrimin dhe Revokimin e Licencave Profesionale për Personat Fizik dhe Juridik në fushën e Trashëgimisë Kulturore.
Bordi i Licencimit është themeluar dhe ka filluar pranimin e aplikimeve për licenca të përcaktuara sipas Udhëzimit. Në bazë të kualifikimit profesional, personave fizik dhe juridik ju mundësohet aplikimi për kategori dhe lloje të ndryshme të licencës sipas formularëve adekuat nga shtojcat e Udhëzimit.
Kërkesa për licencë dorëzohet personalisht nga aplikuesi. Pagesat për licenca bëhen përmes fletëpagesës, që lëshohet nga sekretari i Bordit të Licencimit, sipas tarifave të përcaktuara në Udhëzim.
Dosja e aplikimi së bashku me dëshminë për pagesë dorëzohen tek sekretari i Bordit të Licencimit dhe pas regjistrimit i nënshtrohet procesit të vlerësimit i cili zgjatë aq sa është përcaktuar në Udhëzim.
Informatat e hollësishme dhe dokumentet e nevojshme për aplikim i gjeni në Udhëzimin e publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit: https://bit.ly/3p3OJAH
Aplikimi bëhet çdo ditë pune nga ora 10:00 – 12:00 dhe nga ora 13:30-15:00 në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në zyrën nr.108 kati I-rë, tek sekretarja e bordit znj.Hava Makolli. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur sot një tjetër thirrje publike.
Përmes kësaj thirrje MKRS synon: Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të sportit vendor dhe zhvillimin e tij përmes pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare,
Promovimin dhe fuqizimin e rinisë së Republikës së Kosovës përmes pjesëmarrjes së tyre në aktivitete ndërkombëtare dhe Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit kulturor vendor dhe skenës së pavarur të Republikës së Kosovës nga fusha e artit dhe trashëgimisë kulturore, duke kontribuar në zhvillimin e diplomacisë publike.
Përmes fondit të mobilitetit ofrohet mbështetje financiare për nismat individuale dhe grupore për prezantim ndërkombëtar në fushat e mësipërme.
Thirrja është e hapur. Bashkëngjitur gjeni linkun me detajet tjera dhe mënyrën e aplikimit: https://bit.ly/3A5J9nI / / KultPlus.com
Ndër prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2022 është mbështetja e individëve të cilët e që përmes Fondit për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve të tejkalojnë sfidat potenciale që mund të kenë gjatë karrierës së tyre aktive, përcjellë KultPlus.
Fondi për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve synon mbështetjen financiare për mbulimin e shpenzimeve të shërbimeve mjekësore për shërim apo rikuperim në rast të lëndimeve fizike që ndodhin përgjatë aktivitetit të tyre stërvitor/përgatitor apo garues/performues.
Thirrja është e hapur. Bashkangjitur gjeni linkun me detajet tjera dhe mënyrën e aplikimit: https://bit.ly/3Pfkf9K / / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës e ka deklaruar vitin 2022 si vit të personave me aftësi të kufizuar.
Në përputhje me zotimin qeveritar është hapur thirrja për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve dhe Individëve për Avancimin e standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë për vitin 2022.
Bashkangjitur gjeni informatat shtesë dhe mënyrën e aplikimit: https://bit.ly/3JuwnCt /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , ka publikuar listën paraprake të përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 në Art dhe Trashëgimi Kulturore:
Nga kjo ministri kanë njoftuar se aplikuesit kanë të drejtën e përdorimit të mjeteve juridike.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përgjegjëse në raport me përgjegjësitë e saj ligjore që rrjedhin nga parimet e parashikuara në Ligjin Nr.05/L – 031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, veçanërisht obligimin e saj si autoritet publik që palëve t’u mundësojë qasje të lehtë për të mbështetur një aplikim me dokumentacionin mbështetës sikurse e kërkon struktura e kritereve në thirrjen publike”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, nga vlerësimet e brendshme të të gjithë procesit, është konstatuar se digjitalizimi i procedurës së aplikimit në këtë thirrje publike, është përcjellë me vështirësi objektive me potencial të zhvlerësimit procedural të aplikimeve jashtë përgjegjësisë së palëve.
“Rrjedhimisht, MKRS, duke i zbatuar detyrimet e saj ligjore për qasje transparente dhe të papenguar në procedura administrative, përkatësisht, obligimin që pala të mos pësojë nga pengesat teknike dhe teknologjike gjatë ofrimit të dokumentacionit që e posedon pala dhe të kërkuar me thirrjen publike, do të sigurojë që në procedurën e mjeteve juridike (ankesat e palëve) të shqyrtojë dhe vendosë mbi rastet potenciale që refuzimi i tyre ka ardhur si rezultat i këtyre rrethanave.”
Në mënyrë që ankesa të përmbushë kushtet procedurale për shqyrtim të mëtejmë të tyre, gjegjësisht, ankesave mbi refuzimet e aplikimeve për mungesa të dokumentacionit të kërkuar, nga MKRS është njoftuar se pala duhet të përmbushë kumulativisht kushtet si në vijim:
1. Të parashtrojë ankesë në afatin e përcaktuar sipas rregulloreve në fuqi,
2. Të nënvizojë pretendimet ankimore se posedon (nëse po) dokumentacionin përkatës lidhur me kriteret e thirrjes,
3. Të ofrojë të gjithë dokumentacionin faktik sikurse është kërkuar në thirrje,
4. Të argumentojë në ankesë se gjatë aplikimit online, ngarkimi i dokumentacionit është penguar nga faktorë teknik/teknologjik.
“MKRS mbetet e përkushtuar për të vijuar punën në sigurimin e transparencës së plotë gjatë shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve në aktivitetet dhe iniciativat kulturore e artistike, përmes investimeve të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike që mundëson aplikim, shqyrtim dhe vendosje meritore në njërën anë e po ashtu mundësi të papenguar për palët që aplikimet e tyre t’i mbështesin me dokumentacionin relevant që kërkohet me thirrjet publike, nëse të njëjtat i posedojnë.
Në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë ngushtë me komunitetin për të adresuar të gjitha komentet dhe vërejtjet e tyre në thirrjet e radhës që do të shpallen në ditët në vijim.
Ankesat dhe materialet mbështetëse te ankesës, dorëzohen edhe ne e –mailin zyrtar: [email protected], deri më datën 10.08.2022.” / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vlerësuar lartë mbrëmjen e katërt të Ramë Lahaj Inernational Opera Festival, përcjell KultPlus.
Postimi i plotë:
Mbrëmë në natën e katërt të Rame Lahaj International Opera Festival, performuan studentët e rinjë, duke treguar rezultatin e punës së tyre gjatë ditëve të fundit, nën mësimin dhe kujdesin e mjeshtërit të vokalit – Jean Bernard Thomas.
RLIOF si një prej festivaleve më të reja në vend dhe në rajon po nxit talentët e ri dhe gjeneratën e re drejt formësimit ndërsa po ndikon në krijimin e kuadrove profesionale që do të mund ti shërbejnë gjithë sferës operistike në vend.
Djem e vajza të reja e përjetuan një skenë të madhe, të duartrokitur nga audienca e cila shijoi koncertin dhe magjinë që e sollën këta artistë që premtojnë shumë.
Në koncert ishte i pranishëm ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e industrisë dhe tregtisë, Rozeta Hajdari, tenori dhe themeluesi i festivalit, Ramë Lahaj, sekretari i MKRS, Bislim Bislimi, artistë e artdashës./ KultPlus.com
Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina” e ka shndërruar kryeqytetin në një vend ku arti po jeton në çdo cep të saj e vizitorët po i mbushin hapësirat ku artistë nga gjithë bota kanë intervenuar për t’i dhënë kështu një tjetër dimension këtyre hapësirave.
Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rreth 6,500 vizitorë kanë qenë vetëm gjatë fundjavës së hapjes të Manifesta 14 Prishtina!
“Keni ende mjaft shumë kohë për të vizituar 25 hapësirat në të gjithë qytetin”, thuhet nga MKRS të cilët në këtë formë ju bëjnë thirrje që ta përqafoni artin dhe mos ta humbisni rastin t’i vizitoni këto intervenime artistike krejtësisht të veçanta. / KultPlus.com
Të shtunën në Kino Armatë do të promovohet libri “The Monumentality of the Everyday” nga Jakup Ferri, përcjell KultPlus.
Ejani dhe takoni ekipin e Pavijonit të Kosovës dhe merrni një kopje të librit “Monumentaliteti i Përditshmërisë” nga ekspozita e 59-të Nërkombëtare e Artit, në Bienalen e Venedikut, përfaqësuar nga artisti Jakup Ferri, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me komisionere Alisa Gojani-Berishën.
Ekspozita e kuruar nga Inke Arns është një instalim i veprave të Jakup Ferrit, si piktura, qëndisje dhe qilima, të cilat i gjeni të prezantuara në librin e ekspozitës të dizajnuar nga Diellza Veliqi dhe Lira Gjikolli.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka dalur me një njoftim për organizatat dhe individët që kanë aplikuar në thirrjen publike të MKRS për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore, të shpallur në prill 2022:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke u mbështetur në vlerësimet e njësive organizative dhe në bazë të diskutimeve me përfaqësuesit e komunitetit kulturor, ka identifikuar mangësi sistematike në mënyrën e shpërndarjes së fondeve për projektet kulturore dhe artistike gjatë viteve.
Nisur nga kjo, ne kemi ndërmarrë hapa konkret për të reformuar skemën e shpërndarjes së fondeve, bazuar mbi principet e llogaridhënies dhe transparencës së plotë. Këta hapa janë ndërmarrë në dy drejtime: përmirësimet në rregullimin aktual juridik dhe krijimin e bazës ligjore për transformimin e tërësishëm të këtij procesi, përmes instrumenteve rregullative që jemi duke i zhvilluar.
Procesi i aplikimit online është dizajnuar me qëllimin primar që të sigurohet një proces me transparencë të plotë në shpërndarjen e fondeve. Një vullnet dhe përcaktim primar i yni, por njëkohësisht edhe kërkesë legjitime e pranuar gjatë viteve të fundit nga komuniteti artistik.
Jemi të vetëdijshëm se ndërrimi i formave konvencionale të operimit, me një proces të tillë të rëndësishëm për skenën e pavarur kulturore të vendit, mund të shoqërohet me vështirësi objektive deri në konsolidim të procesit. Vështirësitë janë identifikuar qoftë nga ana e realizimit të tij, si përgjegjësi e MKRS –së apo edhe e gjatë procesit të aplikimit nga ana e komunitetit.
Duke u bazuar në vështirësitë teknike që janë paraqitur në raport me sistemin dixhital të aplikimit, dhe duke synuar arritjen e rezultateve të pranueshme për komunitetin por edhe për politikat publike në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur të bëjë rivlerësimin e të gjitha aplikimeve nga thirrja publike për subvencionim.
Ministria ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme që rivlerësimi të kryhet brenda një afati të shkurtë. Të gjitha projektet e organizatave dhe individëve që kanë aplikuar në këtë thirrje do t’i nënshtrohen rivlerësimit që si qëllim primar, ka kryesisht eliminimin e shkaqeve e defekteve që janë paraqitur në raportin ndërmjet kërkesave të thirrjes publike dhe kërkesave që ka parashtruar platforma.
Ndërsa për organizatat dhe individët që nuk kanë arritur të aplikojnë në thirrjen e fundit, ju njoftojmë që pas shpalljes së rezultateve të thirrjes paraprake, do të shpallet thirrja e re publike për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore. Në thirrjen e re, të drejtë aplikimi do të kenë edhe organizatat për projekte të cilat afatin e realizimit e kanë brenda harkut kohor të vitit fiskal aktual.
Ne i kemi marr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar aplikim më të qartë e më të kuptueshëm në thirrjen e re publike përmes sistemit dixhital. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, ju sigurojmë që MKRS do të vazhdojë të punojë në rritjen e mbështetjes financiare për skenën e pavarur kulturore. / KultPlus.com
Podujeva do të bëhet me Qendër Multifunksionale, edhe një investim i MKRS për fuqizimin e të rinjve tanë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i Qendrës multifunksionale në Podujevë”, që do të zbatohet gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Për realizimin e këtij projekti Ministria e Kulturës siguron mbështetje financiare në vlerë prej një milion Euro. / KultPlus.com
Me një ceremoni të veçantë, të organizuar në Kino “Liqeni” në Pejë u hap edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – Anibar.
Edhe këtë vit ata kanë kuruar një program të pasur artistik dhe aktivitete të shumta. Deri me datën 19 korrik do të prezantohen më shumë së 200 filma të animuar që trajtojnë tema të rëndësishme sociale dhe kulturore.
Tema e festivalit është “Besëtytnitë” ndërsa këtë edicion me karakter garues organizatorët e kanë ndarë në kategori të ndryshme.
Të pranishëm në hapjen e festivalit ishin edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, filmbërës e artdashës. / KultPlus.com
Kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë para hapjes zyrtare të Manifesta 14 Prishtina, e cila do të hapë dyert për publikun me 22 Korrik 2022.
102 pjesëmarrësit e këtij edicioni, 38 përqind e të cilëve janë nga Kosova, do të paraqesin veprat e tyre në plot 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë.
Duke filluar nga ish-hapësira industriale e Fabrikës së Tullave; Hotelit Grand, Qendra për Praktikë Rrëfyese në ish-Biblotekën “Hivzi Sulejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet, të cilat kanë një qëllim: rikthimin e hapësirës publike në plan afatgjatë.
Nga Ministria e Kulturës kanë prezantuar sot ndërhyrjet artistike që do të mbahen në hapësira të ndryshme të Prishtinës,
“Në më pak se 10 ditë para hapjes së Manifesta 14 Prishtina, ju prezantojmë me ndërhyrjet artistike që do të mbahen në hapësira të ndryshme të Prishtinës. Zbuloni më shumë mbi atë që do të ndodhë dhe na ndiqni ndërsa shpalosim programin eventeve të ditëve të hapjes, së shpejti”, thuhet nga MKRS. / KultPlus.com
Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon koncert ku do të performojnë Florent Abrashi, Mitrovica Rock School dhe Nuclear Doom, shkruan KultPlus.
Koncerti do të mbahet në hapësirën e parkingut të vogël të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë, nga ora 19:00.
Ndër themeluesit e rrymës ishte dhe legjendari Elvis Presli (Presley), i cili u bë idhull i adoleshentëve dhe të rinjve.Stili i veshjes, manierat dhe lëvizjet e tij u bënë model imitimi.
Në fillim të viteve 1960, doli një stil i ri rokenrolli , pop-rock-u.
Dekada e fundit është konsideruar epoka e artë në zhvillimin e kulturës së rok-ut. / KultPlus.com
Ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës e cila mban brenda vetes histori të shumta të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë për liri, është shndërruar në muze i cili paraqet narrativën dhe rezistencën popullore të të burgosurve politik në të gjitha burgjet e Kosovës.
Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës me ekspozitën e përkohshme ”Burgu i Idealit” do të mbahet me 12 korrik, duke filluar nga ora 17:00.
Nga data 12 korrik, Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët në këtë orar:
E martë – e diel 10:00 – 19:00.
Shfaqja “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit mbajti për herë të parë një aktivitet në këtë burg, tanimë muze. / KultPlus.com
Në Rogovë të Hasit po ndërtohet një qendër e kulturës.
Kjo qendër do të ofrojë hapësirë moderne e cila përfshin sallën kryesore teatrale më kapacitet deri 420 ulëse, bibliotekën, sallën e seminareve, sallën e sporteve marciale, e gjithashtu arkivin dhe hollin për ekspozita.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e përkushtuar që punimet të përfundojnë sa më shpejt, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës kulturore dhe krijimit të mundësive për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore./ KultPlus.com
Okarina është insitrument i cili është gjetur në Runik të Skënderajt dhe konsiderohet si një ndër intrumentet më të vjetra.
Ministria e Kulturës ka kërkuar nga UNESCO që Okarina të kthehet në Kosovë, pasi që po mbahet ilegalisht në Serbi në mesin e 1247 artefakteve tjera.
Madje MRKS-ja për këtë ka kërkuar ndihmë edhe nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera.
“1247 artefakte të Kosovës mbahen ilegalisht në Serbi. Okarina është një instrument muzikor i bërë nga balta e pjekur. I përket periudhës së neolitit të hershëm (mijëvjeçari VII–VI p.e.s.). Gjetur në Runik, Skënderaj, Republika e Kosovës. Na ndihmoni ta kthejmë OKARINEN në shtëpi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./ KultPlus.com
1247 🇽🇰 artifacts illegally held in Serbia. Okarina is a musical instrument made out of baked clay. It belongs to early neolithic period (7th–6th millennium BC). Found in Runik, Skënderaj, Republic of Kosova. Help us #Return OKARINA home.@UNESCO@IcomOfficiel@coe@EU_Commissionpic.twitter.com/83Qi0vZ82L
— Ministry of Culture, Youth and Sport (@MKRS_KS) July 7, 2022
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar sot se Qendra e edukimit jo-formal për fëmijë dhe të rinj në Pjetërshan është drejt përfundimit.
Kjo Qendër Rinore do të mund të përdoret gjatë tërë vitit për aktivitete kulturore e sportive ndërsa me ambiente të llojllojshme e multifunksionale do të ofrojë hapësira të reja rekreative dhe kulturore për të rinjtë e Komunës së Gjakovës por edhe nga e gjithë Kosova.
Qendra Rinore e edukimit jo-formal në Pjetërshan është investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën YMCA Kosovo dhe Komunën e Gjakovës. / KultPlus.com
Ka vdekur sot Esma Mulla, një nga balerinat e para në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ngushëlluar familjen dhe gjithë komunitetin artistik të kulturës në Kosovë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.
Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“.
Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi.
Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik!”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së. /KultPlus.com
Sot ka vdekur poeti kosovar Xhevdet Bajraj. Me këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalë me një reagim, përcjellë KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e poetit, Xhevdet Bajraj.
Bajraj ishte figurë unike e poezisë dhe letërsisë sonë, që edhe duke jetuar larg vendit që nga 1999, e mbajti gjithmonë gjallë në poezi dhe dramë, mes tjerash, nostalgjinë për Kosovën si pjesë e përhershme dhe e pandashme e tij. Kontributi i Xhevdet Bajrajt në letërsinë moderne shqiptare është i pakrahasueshëm. Fitues i çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, Bajrajn ta kujtojmë përmes madhështisë së fjalës dhe mallit të shprehur ndër vargje.
Sot ne nuk humbëm vetëm një poet, por humbëm një artist me vlera të larta e një njeri të çmuar.
Ngushëllime familjes dhe gjithë popullit tonë! / KultPlus.com
Theksimi i bukurisë, elegancës dhe ekuilibrit është pjesa kyçe e cila përjetohet përbrenda një vepre klasike që në thelb ka shumë larmi dhe kontrast. Me dinamikë të ndryshme, ton, tempo dhe timbër të veçantë janë krijuar edhe shumë vepra të mrekullueshme nga kompozitorët kosovarë që përgjatë viteve kanë sjell melodi me fraza të qarta e kadenca të theksuara mirë. Andaj, dhe për vitin 2021 është veçuar dhe vlerësuar suksesi tejet i lartë që ka arritur fusha e muzikës, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka organizuar ceremoninë për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, e cila është mbajtur në Kino Armatë.
Ishte vetë Orkestra Simfonike e Gjakovës që nën dirigjimin e bukur të Pëllumb Vulës nisi gjithë këtë ngjarje me një vijë melodike që rrëmbeu gjithë vëmendjen e të pranishmëve. Nën ndriçimin e errët të sallës, instrumentet u gjallëruan për të sjellë tinguj e melodi që në secilin moment thumbuan me timbrin e pastër që posedonin. Prezenca e secilit instrumentistë në skenë bëri që të vihej në pah akoma më shumë talenti i tyre në këtë fushë dhe sidomos dashuria për atë se çfarë ata mbanin në duart e tyre.
Pas duartrokitjeve të shumta, ishte aktori Basri Lushtaku ai i cili e moderoi këtë mbrëmje dhe fillimisht i uroi mirëseardhjen gjithë audiencës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të muzikës, çmime këto që sipas tij, u jepen personaliteteve të shquara për arritje profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e muzikës artistike në vend.
Pikërisht në këtë datë që përkon me Ditën Botërore të Muzikës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishte ai i cili doli për një fjalë rasti për të folur rreth rëndësisë dhe rolit të këtyre çmimeve.
“E nisëm Ditën e Muzikës me muzikë me Orkestrën Simfonike të Gjakovës. Natyrisht një ditë e rëndësishme ku shpërblehet mundi i përditshëm i atyre që bëjnë shumë dhe i japin shumë muzikës. Ne jemi një popull i muzikës dhe kjo nuk është vetëm një deklaratë por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve dhe kjo dëshmohet me përqindjen e popullsisë e cila në mënyrë aktive merret me muzikën, dhe kjo përqindje në Kosovë duhet të jetë goxha e lartë. Ne besojmë shumë se kemi cilësi të lartë në muzikë dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e këtë e kemi dëshmuar shumë herë”, thotë ai.
Sipas tij, është e obligueshme që si institucione shtetërore, më të mirët të shpërblehen në formë të mirënjohjeve dhe në formë të një falënderimi.
Tutje është bërë e ditur se nominimet dhe aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale në përbërje të kompozitorit Rafet Rudi (kryesues), kompozitorit Vasil S.Tole si dhe kompozitorit Ermir Bejo.
Në mungesë të prezencës së jurisë, për të lexuar raportin e jurisë, në skenë doli vlerësuesja Jehona Shyti.
Juria vlerësuese ka mundur të konstatojë se niveli profesional i veprave të paraqitura është i konsiderueshëm. Në bazë të kësaj, komisioni ka marrë këtë vendim:
Çmimi për Vepër Orkestrale, Simfonike dhe Koncertale i ndahet në mënyrë të barabartë veprave të dy autorëve: Drinor Zymberit për veprën “Constellation” dhe Kreshnik Aliçkajt për veprën “Viola Concerto”.
Veprat e autorëve Drinor Zymberi dhe Kreshnik Aliçkaj dallojnë për nga fizionomia stilistike por njëkohësisht që të dy veprat karakterizohen me nivel profesional të konsiderueshëm në të gjitha aspektet. Veprën e Drinor Zymberit e shquan një lëvizje e vazhdueshme pa synime dramatike zhvilluese, ka një orkestracion të një karakteri lundrues të detajuar dhe kalkuluar mirë. Edhe kjo vepër sikurse të gjitha veprat tjera të këtij autori, karakterizohet me një gjuhë shtrese të sofistikuar dhe bashkëkohore. Vepra e Kreshnik Aliçkaj, ndërkaq shënon edhe një hap në rrugën e këtij kompozitori që ndërmerret me sukses në forma standarde që aq shumë i mungojnë krijimtarisë sonë. Vepra ruan sigurinë stilistike të dalë nga një kornizë neoklasike, e ngjyrosur me elemente të tingëllimës autoktone.
Çmimi për Vepër Kamertale i ndahet në mënyrë të barabartë dy veprave të dy autorëve; Fjolla Gashit për veprën “Mystral” për kuartet flautesh dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos” të shkruar për orkestër frymore.
Vepra e autores Fjolla Gashi “Mystral” shton përpjekjet e autores që me ngulm dhe me sens poetik të bëjë përshkrimin e një situate specifike nga natyre që ajo e përjeton, pavarësisht se probabiliteti i përfitimit të tingujve adekuat është relativ. Gjithsesi, duhet veçuar temperamenti interesant krijues i autores në vepër dhe shprehjen e freskët dhe moderne që ajo tregon. Vepra e autorit Ersan Januzi “Chaos” e vë në sprovë autorin pa na dhënë informacion komplet dhe jo të lehtë për t’u menaxhuar. Ai përkundër kësaj, mban një kontroll intonativ të sigurt. Gjatë tërë veprës operon me situata orkestrale, kontraktuese, mirë të diferencuara, gjë që komisioni e ka çmuar.
Çmimi për Vepër Solistike dhe për Duo i ndahet dy veprave të dy autorëve; Mendi Mengjiqit për veprën “Fantasy” për flaut dhe piano si dhe autorit Bardh Dubovci për veprën “TAH” për flaut solo.
Vepra e autorit Mendi Mengjiqi është një krijim ku autori i respekton me mençuri karakterin suptil të instrumenteve. Vepra ka shkrirje poetike që ngërthen në vete elemente të këngës sonë popullore me një diskrecion të rafinuar. Vija dramaturgjike e veprës është e kalkuluar mirë dhe ajo buron nga një zhvillim racional i mirë i materialit muzikor. Ndërkaq, vepra “TAH” e kompozitorit Bardh Dubovci hyn në vazhdën e veprave të fundit të këtij autori të ri shumë origjinal, i cili synim krijues ka eksplorimin e mundësive të instrumentit për të cilin shkruan. Ai në këtë vepër e bënë në mënyrë pa kufizime dhe pa ekzagjerime. Ideja fundamentale e veprës mbetet e çartë, konsekuente dhe nga ajo determinohen të gjitha parametrat e tjera të veprës.
Çmimi për Vepër Korale ‘A cappella’ dhe Vepër Korale me shoqërim instrumental i ndahet Mendi Mengjiqit për veprën “Mars” kompozuar për kor ‘A cappella’ dhe Hajrullah Sylës për veprën “The Matamorphosis” kompozuar për kor me shoqërim instrumental.
Vepra e autorit Mendi Mengjiqi edhe një herë dëshmon posedimin e teknikës së mirëfilltë kompozicionale tashmë në fazën e pjekurisë së plotë krijuese. Autori që në vendosjen e materialit fillestar e ka kalkuluar çdo rezultat tingëllues që do të fitohet gjatë rrjedhës së veprës. Vepra bazohet në përvojën barokiene të kontrapunktit rrotullues, në të cilin zërat mund të ndërrojnë pozicione ‘lart-poshtë’ apo ‘poshtë-lartë’, duke mos thyer rregullat e udhëheqjes së zërave të vlefshme. Kompozitori këtë metodë me shumë sukses e ka dëshmuar edhe në veprat e mëparshme. I gjithë materiali muzikor është i kalkuluar me përpikëri. Vepra e autorit Hajrullah Sylës ndërtohet nga një eksperiencë mirë e formuar e autorit për muzikën korale. Është e qartë se autori i përcjell tendencat e reja popullarizuese të muzikës korale të sotme në botë, nga të cilat dhe lind frymëzimi i veprës.
Ndërkaq, ministri Çeku ishte ai i cili ka ndarë çmimet në fushën e muzikës për vitin 2021.
Kompozitori Mendi Mengjiqi ka vlerësuar lartë këtë konkurs që sipas tij është një stimulues për kompozitorët kosovarë.
“Ky konkurs është i vetmi stimulim që e kanë kompozitorët kosovarë si dhe njëkohësisht e ka kultivuar veprimtarinë tonë kombëtare. Kam një numër të konsideruar të veprave që kanë qenë me siguri të stimuluara nga ky konkurs. Falë këtij konkursi, për çdo vit tashmë po krijohet një vepër në mënyrë që të merret pjesë në të. Andaj, a fiton apo jo, nuk është me rëndësi fare. Duhet shumë mund dhe shumë shkollë për të krijuar një vepër të këtij zhanri”, thotë Mengjiqi.
Po ashtu, kompozitorët Hajrullah Syla, Ersan Januzi, Fjolla Gashi, Drinor Zymberi si dhe Kreshnik Aliçkaj pasi morën dhe çmimet e tyre, falënderuan Ministrinë e Kulturës si dhe mbështetësit e tyre më të afërt që kanë qenë me ta përgjatë gjithë krijimtarisë së tyre artistike.
Krejt në fund, ceremonia u përmbyll përsëri me një tjetër vepër magjike që erdhi pikërisht nga Orkestra Simfonike e Gjakovës. Dirigjenti Pëllumb Vula ka futur kontrollin e tij përbrenda lëvizjeve intensive të instrumentistëve të cilët interpretuan melodi të pakrahasueshme. Me një fuqi të lartë të notave diversive, kjo mbrëmje gjeti fundin nëpër tinguj të mahnitshëm e tejet të nevojshëm për dëshminë se muzika klasike vazhdon të mbetet mbretëresha e gjithë zhanreve muzikore që ekzistojnë nëpër botë. / KultPlus.com
“Mbledhësit e Puplave” sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h në Kino ARMATA në Prishtinë.
Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë shfaqjen e filmit “Mbledhësit e Puplave” (1967) në shtatë qendrat kryesore të Kosovës, përfshirë shfaqjen në Kino ARMATA në Prishtinë sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h. / KultPlus.com
Shumë fëmijë sot u bënë bashkë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.
Atletika, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles ishin disa nga disiplinat e sportit që ata praktikuan në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës për Ditën Olimpike 2022.
Qëllimi i kësaj ngjarje është promovimi i vlerave olimpike, masivizimi i sportit në Kosovë, inkurajimi i fëmijëve të merren me sport.
Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Federatës së Sportit Shkollor e sportdashës.
Ky aktivitet shënoi përmbylljen e Javës Olimpike 2022, e cila ka nisur që nga 13 qershori. / KultPlus.com