MKRS: Kontributi i Xhevdet Bajrajt në letërsinë moderne shqiptare është i pakrahasueshëm

Sot ka vdekur poeti kosovar Xhevdet Bajraj. Me këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalë me një reagim, përcjellë KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e poetit, Xhevdet Bajraj.

Bajraj ishte figurë unike e poezisë dhe letërsisë sonë, që edhe duke jetuar larg vendit që nga 1999, e mbajti gjithmonë gjallë në poezi dhe dramë, mes tjerash, nostalgjinë për Kosovën si pjesë e përhershme dhe e pandashme e tij. Kontributi i Xhevdet Bajrajt në letërsinë moderne shqiptare është i pakrahasueshëm. Fitues i çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, Bajrajn ta kujtojmë përmes madhështisë së fjalës dhe mallit të shprehur ndër vargje.

Sot ne nuk humbëm vetëm një poet, por humbëm një artist me vlera të larta e një njeri të çmuar.

Ngushëllime familjes dhe gjithë popullit tonë! / KultPlus.com

Kompozitori Mendi Mengjiqi me sukses të dyfishtë në ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës

Uranik Emini – Era Berisha

Theksimi i bukurisë, elegancës dhe ekuilibrit është pjesa kyçe e cila përjetohet përbrenda një vepre klasike që në thelb ka shumë larmi dhe kontrast. Me dinamikë të ndryshme, ton, tempo dhe timbër të veçantë janë krijuar edhe shumë vepra të mrekullueshme nga kompozitorët kosovarë që përgjatë viteve kanë sjell melodi me fraza të qarta e kadenca të theksuara mirë. Andaj, dhe për vitin 2021 është veçuar dhe vlerësuar suksesi tejet i lartë që ka arritur fusha e muzikës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka organizuar ceremoninë për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, e cila është mbajtur në Kino Armatë.

Ishte vetë Orkestra Simfonike e Gjakovës që nën dirigjimin e bukur të Pëllumb Vulës nisi gjithë këtë ngjarje me një vijë melodike që rrëmbeu gjithë vëmendjen e të pranishmëve. Nën ndriçimin e errët të sallës, instrumentet u gjallëruan për të sjellë tinguj e melodi që në secilin moment thumbuan me timbrin e pastër që posedonin. Prezenca e secilit instrumentistë në skenë bëri që të vihej në pah akoma më shumë talenti i tyre në këtë fushë dhe sidomos dashuria për atë se çfarë ata mbanin në duart e tyre.

Pas duartrokitjeve të shumta, ishte aktori Basri Lushtaku ai i cili e moderoi këtë mbrëmje dhe fillimisht i uroi mirëseardhjen gjithë audiencës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të muzikës, çmime këto që sipas tij, u jepen personaliteteve të shquara për arritje profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e muzikës artistike në vend.

Pikërisht në këtë datë që përkon me Ditën Botërore të Muzikës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishte ai i cili doli për një fjalë rasti për të folur rreth rëndësisë dhe rolit të këtyre çmimeve.

“E nisëm Ditën e Muzikës me muzikë me Orkestrën Simfonike të Gjakovës. Natyrisht një ditë e rëndësishme ku shpërblehet mundi i përditshëm i atyre që bëjnë shumë dhe i japin shumë muzikës. Ne jemi një popull i muzikës dhe kjo nuk është vetëm një deklaratë por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve dhe kjo dëshmohet me përqindjen e popullsisë e cila në mënyrë aktive merret me muzikën, dhe kjo përqindje në Kosovë duhet të jetë goxha e lartë. Ne besojmë shumë se kemi cilësi të lartë në muzikë dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e këtë e kemi dëshmuar shumë herë”, thotë ai.

Sipas tij, është e obligueshme që si institucione shtetërore, më të mirët të shpërblehen në formë të mirënjohjeve dhe në formë të një falënderimi.

Tutje është bërë e ditur se nominimet dhe aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale në përbërje të kompozitorit Rafet Rudi (kryesues), kompozitorit Vasil S.Tole si dhe kompozitorit Ermir Bejo.

Në mungesë të prezencës së jurisë, për të lexuar raportin e jurisë, në skenë doli vlerësuesja Jehona Shyti.

Juria vlerësuese ka mundur të konstatojë se niveli profesional i veprave të paraqitura është i konsiderueshëm. Në bazë të kësaj, komisioni ka marrë këtë vendim:

Çmimi për Vepër Orkestrale, Simfonike dhe Koncertale i ndahet në mënyrë të barabartë veprave të dy autorëve: Drinor Zymberit për veprën “Constellation” dhe Kreshnik Aliçkajt për veprën “Viola Concerto”.

Veprat e autorëve Drinor Zymberi dhe Kreshnik Aliçkaj dallojnë për nga fizionomia stilistike por njëkohësisht që të dy veprat karakterizohen me nivel profesional të konsiderueshëm në të gjitha aspektet. Veprën e Drinor Zymberit e shquan një lëvizje e vazhdueshme pa synime dramatike zhvilluese, ka një orkestracion të një karakteri lundrues të detajuar dhe kalkuluar mirë. Edhe kjo vepër sikurse të gjitha veprat tjera të këtij autori, karakterizohet me një gjuhë shtrese të sofistikuar dhe bashkëkohore. Vepra e Kreshnik Aliçkaj, ndërkaq shënon edhe një hap në rrugën e këtij kompozitori që ndërmerret me sukses në forma standarde që aq shumë i mungojnë krijimtarisë sonë. Vepra ruan sigurinë stilistike të dalë nga një kornizë neoklasike, e ngjyrosur me elemente të tingëllimës autoktone.

Çmimi për Vepër Kamertale i ndahet në mënyrë të barabartë dy veprave të dy autorëve; Fjolla Gashit për veprën “Mystral” për kuartet flautesh dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos” të shkruar për orkestër frymore.

Vepra e autores Fjolla Gashi “Mystral” shton përpjekjet e autores që me ngulm dhe me sens poetik të bëjë përshkrimin e një situate specifike nga natyre që ajo e përjeton, pavarësisht se probabiliteti i përfitimit të tingujve adekuat është relativ. Gjithsesi, duhet veçuar temperamenti interesant krijues i autores në vepër dhe shprehjen e freskët dhe moderne që ajo tregon. Vepra e autorit Ersan Januzi “Chaos” e vë në sprovë autorin pa na dhënë informacion komplet dhe jo të lehtë për t’u menaxhuar. Ai përkundër kësaj, mban një kontroll intonativ të sigurt. Gjatë tërë veprës operon me situata orkestrale, kontraktuese, mirë të diferencuara, gjë që komisioni e ka çmuar.

Çmimi për Vepër Solistike dhe për Duo i ndahet dy veprave të dy autorëve; Mendi Mengjiqit për veprën “Fantasy” për flaut dhe piano si dhe autorit Bardh Dubovci për veprën “TAH” për flaut solo.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi është një krijim ku autori i respekton me mençuri karakterin suptil të instrumenteve. Vepra ka shkrirje poetike që ngërthen në vete elemente të këngës sonë popullore me një diskrecion të rafinuar. Vija dramaturgjike e veprës është e kalkuluar mirë dhe ajo buron nga një zhvillim racional i mirë i materialit muzikor. Ndërkaq, vepra “TAH” e kompozitorit Bardh Dubovci hyn në vazhdën e veprave të fundit të këtij autori të ri shumë origjinal, i cili synim krijues ka eksplorimin e mundësive të instrumentit për të cilin shkruan. Ai në këtë vepër e bënë në mënyrë pa kufizime dhe pa ekzagjerime. Ideja fundamentale e veprës mbetet e çartë, konsekuente dhe nga ajo determinohen të gjitha parametrat e tjera të veprës.  

Çmimi për Vepër Korale ‘A cappella’ dhe Vepër Korale me shoqërim instrumental i ndahet Mendi Mengjiqit për veprën “Mars” kompozuar për kor ‘A cappella’ dhe Hajrullah Sylës për veprën “The Matamorphosis” kompozuar për kor me shoqërim instrumental.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi edhe një herë dëshmon posedimin e teknikës së mirëfilltë kompozicionale tashmë në fazën e pjekurisë së plotë krijuese. Autori që në vendosjen e materialit fillestar e ka kalkuluar çdo rezultat tingëllues që do të fitohet gjatë rrjedhës së veprës. Vepra bazohet në përvojën barokiene të kontrapunktit rrotullues, në të cilin zërat mund të ndërrojnë pozicione ‘lart-poshtë’ apo ‘poshtë-lartë’, duke mos thyer rregullat e udhëheqjes së zërave të vlefshme. Kompozitori këtë metodë me shumë sukses e ka dëshmuar edhe në veprat e mëparshme. I gjithë materiali muzikor është i kalkuluar me përpikëri. Vepra e autorit Hajrullah Sylës ndërtohet nga një eksperiencë mirë e formuar e autorit për muzikën korale. Është e qartë se autori i përcjell tendencat e reja popullarizuese të muzikës korale të sotme në botë, nga të cilat dhe lind frymëzimi i veprës.

Ndërkaq, ministri Çeku ishte ai i cili ka ndarë çmimet në fushën e muzikës për vitin 2021.

Kompozitori Mendi Mengjiqi ka vlerësuar lartë këtë konkurs që sipas tij është një stimulues për kompozitorët kosovarë.

“Ky konkurs është i vetmi stimulim që e kanë kompozitorët kosovarë si dhe njëkohësisht e ka kultivuar veprimtarinë tonë kombëtare. Kam një numër të konsideruar të veprave që kanë qenë me siguri të stimuluara nga ky konkurs. Falë këtij konkursi, për çdo vit tashmë po krijohet një vepër në mënyrë që të merret pjesë në të. Andaj, a fiton apo jo, nuk është me rëndësi fare. Duhet shumë mund dhe shumë shkollë për të krijuar një vepër të këtij zhanri”, thotë Mengjiqi.

Po ashtu, kompozitorët Hajrullah Syla, Ersan Januzi, Fjolla Gashi, Drinor Zymberi si dhe Kreshnik Aliçkaj pasi morën dhe çmimet e tyre, falënderuan Ministrinë e Kulturës si dhe mbështetësit e tyre më të afërt që kanë qenë me ta përgjatë gjithë krijimtarisë së tyre artistike.

Krejt në fund, ceremonia u përmbyll përsëri me një tjetër vepër magjike që erdhi pikërisht nga Orkestra Simfonike e Gjakovës. Dirigjenti Pëllumb Vula ka futur kontrollin e tij përbrenda lëvizjeve intensive të instrumentistëve të cilët interpretuan melodi të pakrahasueshme. Me një fuqi të lartë të notave diversive, kjo mbrëmje gjeti fundin nëpër tinguj të mahnitshëm e tejet të nevojshëm për dëshminë se muzika klasike vazhdon të mbetet mbretëresha e gjithë zhanreve muzikore që ekzistojnë nëpër botë. / KultPlus.com

Sot ‘Mbledhësit e Puplave’ në Kino Armatë, në kuadër të shfaqjes së filmit në shtatë qendrat kryesore të Kosovës

“Mbledhësit e Puplave” sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h në Kino ARMATA në Prishtinë.

Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë shfaqjen e filmit “Mbledhësit e Puplave” (1967) në shtatë qendrat kryesore të Kosovës, përfshirë shfaqjen në Kino ARMATA në Prishtinë sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h. / KultPlus.com

Shënohet Dita Olimpike 2022

Shumë fëmijë sot u bënë bashkë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Atletika, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles ishin disa nga disiplinat e sportit që ata praktikuan në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës për Ditën Olimpike 2022.

Qëllimi i kësaj ngjarje është promovimi i vlerave olimpike, masivizimi i sportit në Kosovë, inkurajimi i fëmijëve të merren me sport.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Federatës së Sportit Shkollor e sportdashës.

Ky aktivitet shënoi përmbylljen e Javës Olimpike 2022, e cila ka nisur që nga 13 qershori. / KultPlus.com

Së shpejti mbahet organizimi “Kulti i punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut”

Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë bashkëbisedën: “Kulti i punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut” me Fahri Musliun, Fadil Hysajn dhe Milazim Salihun, moderuar nga Aurela Kadriu.

(ora 18:40 me transmetim të drejtëpërdrejtë në RTK)

“…si institucione dhe si shoqëri duhet të gjejmë një mënyrë që t’a bëjmë të qasshme figurën e tij, përmes njohjes më të thellë të karakterit të tij si artist dhe si njeri, duke nxjerrë në pah atë pjesë e cila do të mund të konsiderohej vlerë trashëgimore dhe model frymëzimi për brezin e tanishëm dhe të ardhshëm të artistëve. Duke e njohur më mirë adn-në kreative të Bekim Fehmiut e cila në bërthamë bazohej në formulën: “punë të madhe për rezultate të vogla”, përvetësimi i një modeli të tillë kreativ do të ishte bazë frymëzuese me vlerë për ata që synojnë majat e suksesit duke integruar si qasje punën këmbëngulëse”, është shprehur grupi punues për hartimin e planit protokollar shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Me këtë rast filmi ‘Mbledhësit e Puplave’ do të shfaqet në 7 qendrat kryesore të Kosovës:

15.06.2022 Prizren
15.06.2022 Mitrovicë
15.06.2022 Pejë
15.06.2022 Gjakovë
15.06.2022 Ferizaj
16.06.2022 Gjilan
20.06.2022 Prishtinë / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Bekim Fehmiut, ‘Mbledhësit e Puplave’ do të prezantohet në shtatë qendra të Kosovës

Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë bashkëbisedën: “Kulti i punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut” me Fahri Musliun, Fadil Hysajn dhe Milazim Salihun, moderuar nga Aurela Kadriu, thuhet në njoftimin e MKRS-së, bashkëbisedim që do të transmetohet drejtëpërdrejtë në ora 18:40 në RTK, shkruan KultPlus.

“…si institucione dhe si shoqëri duhet të gjejmë një mënyrë që t’a bëjmë të qasshme figurën e tij, përmes njohjes më të thellë të karakterit të tij si artist dhe si njeri, duke nxjerrë në pah atë pjesë e cila do të mund të konsiderohej vlerë trashëgimore dhe model frymëzimi për brezin e tanishëm dhe të ardhshëm të artistëve. Duke e njohur më mirë adn-në kreative të Bekim Fehmiut e cila në bërthamë bazohej në formulën: “punë të madhe për rezultate të vogla”, përvetësimi i një modeli të tillë kreativ do të ishte bazë frymëzuese me vlerë për ata që synojnë majat e suksesit duke integruar si qasje punën këmbëngulëse.” është shprehur grupi punues për hartimin e planit protokollar shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Me këtë rast filmi ‘Mbledhësit e Puplave’ do të shfaqet në 7 qendrat kryesore të Kosovës:

15.06.2022 Prizren

15.06.2022 Mitrovicë

15.06.2022 Pejë

15.06.2022 Gjakovë

15.06.2022 Ferizaj

16.06.2022 Gjilan

20.06.2022 Prishtinë./ KultPlus.com

Të mërkurën mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore

Së shpejti do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore, përcjellë KultPlus.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngjarja do të mbahet më 15 qershor 2022 (e mërkurë) në orën 14:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Librashitësi Beqiri i bënë thirrje MKRS-së: Ky pak shtet që ka mbetur po humb moralin për tu kujdesur për njeriun nënshtetas të tij

Shitësi i librave në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Florim Beqiri i bënë thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të ditur arsyen e përjashtimit të tij si librashitës nga fondi që është ndarë vitin e kaluar në ndihmë për Covid-19, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Beqiri ka thënë se Kosova po humb moralin dhe dinjitetin për tu kujdesur për njerin nënshtetas të tij.

“Ky pak shtet që ka mbetur po humb moralin e dinjitetin për tu kujdesur për njeriun nënshtetas të tij.

Mkrs edhe pas disa ankesave nuk më ka kthyer përgjigje për arsyet e përjashtimit tim si librashitës nga fondi që ndau vitin e kaluar në ndihmë për covid-19.

Për të përfituar tender e fonde nga Mkrs duhet te kesh një biznes apo shoqate sipas rastit te skemave te dyshimta.

Mbi një skemë te dyshimtë është ngritur edhe i ashtuquajturi Panair Libri”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Kritere të reja për licencim të federatave dhe organizatave sportive

Është miratuar një udhëzim administrativ tejet të rëndësishëm për sportin. Një akt që përcakton kushtet, kriteret, procedurat e aplikimit si dhe organet kompetente për themelimin dhe organizimin e procesit te licencimit te federatave sportive nga Ministria përkatëse për Sport, duke respektuar strukturën, të drejtat dhe obligimet që janë përcaktuar me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, për rregullimin e veprimtarisë sportive në Republikën e Kosovës.

Përmes këtij udhëzimi administrativ rregullohet edhe procedura e veçantë e ri vlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencës si dhe e drejta në ushtrimin e mjeteve juridike në rastet e parashikuara me këtë udhëzim administrativ.

Klikoni KËTU për më shume detaje./ KultPlus.com

Ndahen çmimet vjetore të kinematografisë, Blerta Basholli dhe Abdurrahman Shala emrat kryesorë

Me fillim nga ora 18:00, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ndarjen e çmimeve për kinematografi, shkruan KultPlus.

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë ndarë Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i cili i është dhënë laureatit Abdurrahman Shala, aktor post-mortem, ndërsa Çmimin Vjetor për Kinematografi e ka fituar regjisorja Blerta Basholli.

Hapjen e kësaj ceremonie e bëri Berat Miftari, i njohur për veshët e shumë qytetarëve të Kosovës.

Çmimin Vjetor për Kinematografi e ndau kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh mirënjohës për të arriturat e kinematografisë kosovare.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ndau çmimin për familjarin e Abdurrahman Shalës.

Në anën tjetër, me ftesën e MKRS-së, Kori Siparantum pati disa performanca të jashtëzakonshme që u ndjeken me duartrokitje nga publiku i pranishëm në sallë.

Anëtarë të jurisë profesionale ishin, Blerta Zeqiri, Ujkan Hysaj, Alush Gashi, Veton Nurkollari dhe Bardh Rugova. /KultPlus.com

Nesër mbahet takimi i parë në kuadër të projektit “Plani i Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren”

Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.

Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com


Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë arkeologjike prioritet për MKRS

Ministri, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e hulumtimeve studimore kërkimore në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.

Projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë në mes të MKRS dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, Universitetit École normale supérieure (Paris).

Në takim të pranishëm ishin, prof. Arben Hajdari nga UP, Milot Berisha arkeolog nga IAK, të cilët prezantuan aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij bashkëpunimi nga viti 2017 e deri më sot, si dhe veprimet që planifikohet të zhvillohen nga gjysma e dytë e këtij viti.

Projekti tre vjeçar zhvillohet në kuadër të ligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, në kuadër të sektorit, Mbështetja për Turizmin dhe Trashëgiminë Kulturore dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian. /KultPlus.com

Rreth 1,8 milionë euro investime në trashëgimi kulturore, Prizreni po bëhet gati për UNESCO

Prizreni është në fokus të programit për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore si mjet për promovim të vlerave të përbashkëta dhe prosperitetit ekonomik.

Mbi 1,2 milionë euro është vlera e buxhetit që është duke u investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kurse rreth 490 mijë euro të tjera përfshihen në buxhetin e projekteve që do të nisin të zbatohen gjatë këtij viti.

Aktalisht janë duke u zhvilluar ndërhyrje emergjente në gjashtë asete, ndërsa në kuadër të projektit të Revitalizimit të rrugës Marin Barleti po realizohen punime restauruese në dy shtëpi. Gjithashtu po restaurohen gjashtë shtëpi tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshi kompleksin e banimit të familjes Dorambari, shtëpinë e familjes Bardhi, shtëpinë e familjes Sokoli, shtëpinë e familjes Kabashi, si dhe është në përfundim restaurimi i kinemasë së vjetër të qytetit.

Sot kanë nisur ndërhyrjet restauruese edhe në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, projekt ky i cili ka qenë në pritje për shumë vite.

Muzetë po i funksionalizojmë. Në kuadër të programit të muzeve, rregullimi i enterierit dhe ekspozitës në Muzeun Arkeologjik ka përfunduar, ndërsa në proces të hartimit është koncepti i ekspozitës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Projektet muzeale në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Kulturës përfshijnë edhe Muzeun e Nënë Terezës dhe Muzeun e Filigranit.

Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm është ai i Qendrës Kulturore Hebraike. Punimet pritet të fillojnë muajve në vijim, ndërsa po punojmë edhe në zbatimin e planeve të meaxhimit të Kalasë së Prizrenit dhe të Qendrës Historike të Prizrenit.

Së fundmi ka filluar hartimi i projektit të interpretimit dhe prezantimit të lokalitetit arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe këtë vit ky plan do të zbatohet duke e shëndrruar këtë lokalitet në një prej pikave referuese për vizitorët e qytetit. / KultPlus.com

Fillon hartimi i projektit për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e Lokalitetit Arkeologjik në qendër të Prizrenit

Ky projekt i Ministrisë së Kulturës realizohet në bashkëpunim me UN-Habitat Kosovë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë vitit 2021 dhe synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

Në procesin e hartimit të projektit do të përfshihen banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.

Përmes prezantimit, interpretimit dhe promovimit të Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synojmë që të ngritet vetëdija për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojmë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor.

Procesi i hartimit të projektit është duke u zhvilluar nga një grup punues i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Departamenti për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit.

Në kuadër të inicimit të këtij projekti, grupi punues ka arritur të analizojë dhe diskutojë punën dhe propozimet paraprake, hulumtojë kornizën ligjore dhe dokumentet përkatëse të nivelit qendror dhe lokal, hulumtoj kornizën dhe parimet ndërkombëtare, analizojë gjendjen ekzistuese të hapësirës, përparësitë, mangësitë, rreziqet dhe mundësitë, si dhe të përcaktojë zonën që do të konservohet dhe ekspozohet si pjesë e dizajnit të këtij lokaliteti.

Projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe mbështetet nga UN Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com

Ceremoni në Ditën Botërore të Vallëzimit, Kajtazi: BKK tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite

Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.

“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.

Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.

“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.

Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com

Performanca “K’tu jemi!” vjen më 29 prill në Ditën Botërore të Vallëzimit

Performanca e vallëzimit e titulluar “‘K’tu jemi!” së shpejti vjen si protestë e koreografëve kundër shkeljes së dinjitetit profesional, përcjell KultPlus.

“K’tu jemi!”, do të organizohet më 29 prill pikërisht në Ditën Botërore të Vallëzimit, duke filluar nga ora 10:00.

Performanca-protestë do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

KultPlus më poshtë ua sjell postimin e plotë të koreografit Robert Nuha:

Kjo performancë-protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe të mos injorohet si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.

Me këtë rast ne kërkojmë vlerësimin e shkollimit tonë në Koreografi, angazhimin dhe konsulencën me ekspertizën e kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë!

Fyerjet publike, të cilat tentojnë të zh’bëjnë shkollimin tonë, janë të papranueshme. Është ky edukim universitar që bën të mundur kontributin tonë në shkollimin e brezave të ardhshëm në Kosovë.

Baleti, Kërcimi dhe Koreografia egzistojnë në Kosovë qe pas lufte. Detyrë e Ministrisë dhe e ministrit është mbështetja dhe përkrahja e jo të fyhet e degradohet për ditë pa marrë përgjegjësi askush! / KultPlus.com

Shtyhet afati i aplikimit në thirrjen publike për mbështetje financiare në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje për organizatat e profilizuara në fushën e artit apo të trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

Por afati për aplikim në thirrjen publike për mbështetje financiare në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore është shtyrë deri më datën 29.04.2022.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2022 renditë ndër prioritetet programore fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit dhe trashëgimisë kulturore, rrjetëzimin dhe promovimin e produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative.

Në funksion të prioritetit programor, thirrja për projekt-propozimet kulturore për vitin 2022 që mbulon fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore synon mbështetjen e projekt-propozimeve të OJQve dhe Individëve që zhvillohen në Republikën e Kosovës apo në shtetet e tjera, të cilët përmbushin objektivat e përgjithshme si në vijim:

Promovimi i artit dhe trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së
cilësisë së jetës kulturore;

Nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe
jashtë Republikës së Kosovës, me theks tek fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara;

Fuqizimi i koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë
kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së
akterëve të rinj që veprojnë në fushën e kulturës;

Promovimi i artit dhe trashëgimisë kulturore përmes zhvillimit të diplomacisë publike.

Projekt-propozimet e zhvilluara në përputhje me objektivat e përgjithshme dhe specifike duhet të
synojnë gjithëpërfshirjen duke siguruar përfshirjen aktive të grupeve të ndryshme të komunitetit në
aktivitetet përkatëse të projekt-propozimit, në veçanti të rinjtë, të moshuarit, vajzat dhe gratë,
personat me aftësi të kufizuara, komunitetin LGBTIQ, komunitetet pakicë, etj.

Të drejtë aplikimi me projekt-propozime në thirrjen publike për vitin 2022 kanë OJQ-të dhe Individët
që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i profilizuar në fushën e artit dhe trashëgimisë
kulturore. OJQ-të dhe Individët mund të aplikojnë në njërën nga kategoritë në vijim:

  1. Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe
    trashëgimisë kulturore;
  2. Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore;
  3. Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore;
  4. Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj;
  5. Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore
    të Kosovës.

OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë me më së shumti 1 projekt-propozim në një nga katër
kategoritë e para (kategoria 1, 2, 3 dhe 4) të kësaj thirrje publike. Në këtë pikë mund të përbëjë
përjashtim aplikimi në kategorinë 5, për aktivitete të cilat nuk janë pjesë e integruar e projektpropozimeve të prezantuara për kategoritë 1, 2, 3 dhe 4. / KultPlus.com

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Thirrja_publike_Kulture_dhe_Trashegimi.pdf?fbclid=IwAR3V6G5ShA3-HEmz3pfIBVgCQ47hjdwgZ5Qzean-SUSf4XTL9k3fDNxlWJs

Parku Arkeologjik “Ulpiana”, përfitues i projektit të financuar nga fondi i BE-së dhe MKRS-së

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Ambasadorë, përfaqësues të OSBE dhe përfaqësues të UNDP, vizituan Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.

Ky Park Arkeologjik është përfitues i projektit “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda” i financuar nga fondi i BE-së ndërsa bashkë financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në kuadër të tij do të zbatohen kompletimi i incizimit gjeofizik dhe dokumentimi i të gjitha gjetjeve dhe strukturave mbi tokë, gërmimet arkeologjike në dy sektorë, të cilat pritet të zgjerojnë parkun arkeologjik, themelimin e qendrës së hulumtimit dhe furnizimin me pajisje moderne si dhe trajnimet për arkeologji në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë kësaj vizite në teren u fol për rëndësinë që ka për të ardhmen angazhimi dhe puna në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com

MKRS: Ndërhyrjet e shumta synojnë kthimin e shkëlqimit të dikurshëm kulturor të Mitrovicës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një video të publikuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ka paraqitur edhe ndërhyrjet restauruese dhe emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

MKRS thotë se këto ndërhyrje janë bërë që t’i kthejnë shkëlqimin e dikurshëm të Mitrovicës.

“Rajoni i Mitrovices është ndër zonat më të pasura kulturore të Kosovës, por njëkohësisht edhe më të neglizhuara ndër vite”, thuhet në njoftim.

Ndërhyrje restaturuese e emergjente po zhvillohen në Shtëpinë e Islam Shipollit, Xhaminë e Mazhiqit, Bazilikën e Shën Pjetrit në Mitrovicë dhe Shtëpinë e Gani Sejdiut në Runik të Skënderajt.

Së shpejti pritet të nisin punimet edhe në Hamamin e qytetit në Mitrovicë, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit do të vazhdohet me projekte të tjera. /KultPlus.com

Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës vjen të shtunën për herë të parë në GKK

Ekspotiza e WCM është në Prishtinë për herë të parë, përcjell KultPlus.

Përmes tregimeve personale, objekteve dhe provave videot që janë pjesë e koleksionit të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, ekspozita do të hedhë dritë mbi përvojat e rritjes në BE-së Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Pas hapjes më 16 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 30 prill.

Ekspozita realizohet në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, ForuminZFD Kosovë dhe BE-në në Kosovë. / KultPlus.com

Ministri Çeku takohet me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, diskutohet për zhvillimet në sport

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Hajrulla Çeku ka pritur kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, i shoqëruar nga Kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja Sherife Qerimi, përcjell KultPlus.

Në takim me ministrin Hajrulla Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani, diskutuan për zhvillimet në sport, veçanërisht në fushën e gjimnastikës.

Ministri Çeku e njoftoi për punët dhe planet që ka MKRS-ja për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti ndërsa u diskutua për projekte dhe bashkëpunim konkret mes MKRS dhe Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës. / KultPlus.com