Pekini regjistron valën më të gjatë të ftohtë në historinë moderne

Pekini regjistroi valën e tij më të gjatë të ftohtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1951, ndërsa temperaturat therëse dhe reshjet e borës në kryeqytetin kinez dhe gjetkë filluan të zbuten.

Temperatura e regjistruar në stacionin e motit Nanjiao të Pekinit u rrit në mbi zero gradë Celsius të dielën pasdite për herë të parë në ditë, raportoi media shtetërore Beijing Daily, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Që kur temperatura fillimisht ra nën zero gradë më 11 dhjetor, temperatura kishte mbetur nën atë vijë për më shumë se 300 orë,” shkroi Pekin Daily.

Një valë e fortë e ftohtë përfshiu pjesën më të madhe të Kinës këtë muaj, duke e çuar kapacitetin e ngrohjes të disa qyteteve në Kinën veriore në kufirin e saj./KlanKosova/KultPlus.com

Koleksioni bardh e zi i disenjatores Jetmira Bejtullahu, një frymëzim nga ikonat e modës

Jeta Zymberi

Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.

Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.

Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.

“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.

“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.

Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.

Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.

“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”

Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.

“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”

Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.

Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com

Vaksina specifike për Omicron duke u zhvilluar, Moderna: Do të kemi të dhëna nga marsi

Vaksina e Moderna-s e cila është krijuar specifikisht për të luftuar variantin Omicron të koronavirusit do të futet në zhvillimet klinike në javët që vijojnë.

Kompania pret që të ketë mundësi t’i ndajë të dhënat me rregullatorët nga marsi, sipas asaj që bëri të ditur sot CEO Stéphane Bancel.

“Vaksina është drejt përfundimit, duhet të jetë në teste klinike në javët në vijim. Po shpresojmë që gjatë marsit të kemi mundësi që të kemi të dhëna për t’i ndarë me rregullatorët në javët që do të pasojnë,” tha ai.

Kompania po zhvillon po ashtu një vaksinë që kombinon një dozë përforcuese kundër Covid-19 me vaksinën eksperimentale për gripin.

Bancel tha se skenari më i mirë do të ishte që vaksina e kombinuar për Covid-19 dhe gripin mund të jetë gati nga vjeshta e vitit 2023, të paktën në disa vende. /abcnews.al/ KultPlus.com

‘Arts&Crafts’ solli tradicionalen e modernen përmes gjashtë artisteve në Muzeun e Kosovës

Sarandë Selimi

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton ‘Ditët e Hapura’, nisi mbrëmë me hapjen e ekspozitën me fotografi të autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ndërsa sot ditën e dytë nga katër ditë sa do të zgjasin këto aktivitete Muzeu i Kosovës e nisi me aktivitetin ‘Arts&Crafts’, ku solli gjashtë artiste të ndryshme që janë inspiruar nga tradita për të sjellë gjëra interesante e të veçanta për qytetarët.

Salla e madhe e Muzeut të Kosovës, ishte mbushe me tavolina pune, aty ku edhe prezantoheshin punimet më të hershme të artistëve. Ato përveç punimeve që kishin sjellë me vete për tri ditë sa do të jenë pjesë e aktiviteteve të Muzeut të Kosovës, do të krijojnë aty për aty punime si: varëse, byzylyk, unaza, pjata nga dheu, kartolina… Sot në këtë aktivitet përpos shumë qytetarëve që ishin të pranishëm morën pjesë edhe fëmijët e shkollave fillore në kryeqytet. Ata përpos që patën rastin të shohin se si bëhen këto krijime artistike, edhe vetë provuan të bëjnë diçka të tillë.

Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu janë artistët e këtij aktiviteti në Muzeun e Kosovës.

KultPlus, vizitoi sot këtë punëtori, ku edhe bisedoi me dy artiste. Saba Berisha Ismaili e cila solli në muze Hand Made Accessories ‘Terra’, e cila tregoi për KultPlus, se me këtë punë ka filluar të merret si e vogël. Ajo ka studiuar për pikturë dhe kjo pak a shumë i ka ndihmuar që ta perfeksionoi këtë zanat.

“Interesimi për stoli ka ekzistuar që nga kohërat parahistorike si te femrat si te meshkujt varësisht prej statusit si luftarake apo statuse të ndryshme, stoli për evente të ndryshme, martesa etj.. interesimi është gjithmonë në rritje kërkesat më të shumta janë ndërmjet modernes dhe elementeve nga e kaluara”, u shpreh Saba, e cila falënderoi shumë Muzeun e Kosovës për këtë mundësi që punimet e tyre të prezantohen në një event të tillë siç është ai i Ditëve të Trashëgimisë Evropiane.

Ndërkohë në këtë workshop kishte edhe pjata të bëra me argjilë. Është Granita Grezda Lila që solli ‘DHE-by Granita’ në Muzeun e Kosovës. Punimet e saj ishin mjaft të veçanta, të bëra krejt në mënyrë natyrale.

“Të gjitha punimet i ndërtoj prej argjilës edhe terrakot apo argjile e bardh dhe kuqe. E gjithë puna bëhet me dorë ku i jepet forma, terja bëhet në mënyrë natyrale e cila merr pak kohë. Në fund e bëjë dizajnin dhe i jap një glazurë që të ketë shkëlqimin e duhur”, tregoi procesin Granita, duke vazhduar tutje të thotë se me këtë profesion ka nisë të merret që të përmbushë nevojën e sa si artiste pasi që, është e diplomuar në pikturë dhe kjo që e bënë ka goxha lidhje me atë që ka studiuar.

“Kjo është hera e parë që mu dha mundësia të kem një ekspozitë, pasi që, punën e bëjë në shtëpi, por besoj që në të ardhmen të kem një dyqan apo atele ku njerëzit mund t’i shohin punimet nga afër”, u shpreh ajo.

Për krejt këto aktivitete KultPlus, foli edhe me drejtorin e Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj. Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që si muze çdo vit gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të prezantojnë risi, si për muzeun ashtu edhe për opinioni. Ai tha se këto që paraqiten në muzeu gjatë këtyre ditëve janë mesazhe të shumëfishta, si për muzeun ashtu edhe për opinionin brenda dhe jashtë Kosovës.

“Sivjet kemi vendos që t’i ftojmë artizanët tonë që trashëgiminë kulturore e përdorin për shprehje arti. Është një formë e re e shprehjes nëpër Evropë, ajo haset kudo por në Kosovë ka filluar pak të paraqitet në formë të suvenir-shop, nëpër qytet të Prishtinës, e vende të tjera. Në këtë rast në muze i kemi ftuar gjashtë duar të arta, që janë artiste shumë të mira dhe trashëgiminë kulturore dhe motivet e trashëgimisë i përdorin për shprehje artistike dhe sjellin produkte që janë atraktive për treg”, pohoi Boshtrakaj duke vazhduar tutje të thotë se sot patën vizitorë nga Kina, Spanja, Malajzia, dhe pa përjashtim të gjithë, sipas tij, ishin të interesuar ku edhe blenë gjëra të ndryshme.

“Kjo na inkurajoi që ne sa më shpejt të hapim një dyqan të muzeut dhe një pjesë të madhe të këtyre vlerave që në një mënyrë përfaqësojnë traditën e vendit t’i kemi në Muzeun e Kosovës në dispozicion të publikut dhe turistit. Këto shprehje në një formë e bëjnë pak më prezent Kosovën në një hartë të turizmit dhe vizitorin e rastit e dërgon me një shenjë të këtij vendi duke sjellë promovime të reja për kulturën dhe imazhin tonë”, përfundoi ai.

Këto gjashtë artiste të cilat po prezantojnë artin e tyre në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Muzeun e Kosovës, do të keni mundësi t’i takoni edhe në ekspozitën e tyre që do të hapet të shtunën mbrëma në muze me fillim nga ora 19:30 ./ KultPlus.com