Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike për 107-vjetorin e Pavarësisë

Si sot, 107 vite më parë, më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Ismail Qemali, në një konferencë që mbajti para personaliteteve shtetërore dhe publike të Vlorës disa ditë pas nënshkrimit të koncesionit për themelin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë”, më 4 tetor 1913, parashtroi shkurt platformën e tij rreth veprimtarisë bankare në Shqipëri. Ai tha ndër të tjera: “Mbetet tani për të shpjeguar një nga punët që bëri më në fund qeveria shqiptare, për të cilën shumë gjëra janë thënë dhe shumë njerëzve u kanë trazuar mendjen. Kjo punë është Banka Kombëtare e Shqipërisë, e cila u themelua disa ditë më parë. Ashtu si çdo njeri, i cili sado i pasur të jetë ka nevojë për kredi, madje sipas kredive që ka kuptohet se sa është nderi i tij. Kështu dhe shtetet kanë nevojë për kredi dhe lavdërohen me kredinë që kanë në gjirin e bursave të përgjithshme. Ju e dini fort mirë se fuqia më e madhe në këtë jetë është Anglia; edhe më i pasuri komb është ai anglez. Po kjo fuqi kaq e madhe, ky popull kaq i pasur a mund të rrojë pa kredi? Jo!”. (shkëputur nga vepra “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve”, e Prof. Dr. Kristo Frashërit).

Përmes serisë së monedhave numizmatike: 200 Lekë, 100 Lekë dhe 50 Lekë, me tematikë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, përkujtojmë këtë datë të shënuar për vendin tonë. Monedhat paraqesin simbolet e kësaj ngjarjeje: portretin e Ismail Qemalit, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, si dhe shqiponjën e flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912. /ATSH / KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në dy monedha numizmatike

Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013.

Monedhë metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor, ka në anën e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”. Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.

Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”.

Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA.

Vizatimet janë realizuar nga piktori Petraq Papa/ATSH. / KultPlus.com