Gili Hoxhaj
Artisti Rron Qena dëshmoi stilin e tij të veçantë edhe në ekspozitën personale të titulluar “Fading”, e cila u hap sonte në Galerinë Monet në Prishtinë.
Kjo ekspozitë e rikujton më së miri nivelin e ajrit të ndotur që kishte kaluar parametrat e lejuar, dimrin e kaluar. Pamja e mjegulluar e cila kishte mbuluar gati çdo cep të Prishtinës, nuk kishte se si të kalonte pranë syve të artistit Rron Qena pa e nxitur edhe kreativitetin e tij. Një shpirt Rroni kësisoj pati shkëndijën e flaktë. Ai për pothuajse një vit punoi për të reflektuar këtë gjendje përmes dhjetë pikturave të cilat i prezantoi në këtë ekspozitë.
Ishte pikërisht kjo pamje e cila e kishte zhytur brushën e piktorit në të hirtë, duke e zbehur kaltërsinë e qiellit. Megjithatë qielli kishte zënë pak hapësirë në pikturat e tij, të cilat në anën tjetër paraqitnin një qytet të mbingarkuar nga ndërtesat.
Pikturat e tij vijnë në një ambient të mjegulluar për vizitorët mirëpo duke përçuar një mesazh të pastër. E gjithë kjo shprehje e veçantë e pikturës nuk ka se si të tingëllonte më mirë tek vizitorët e kësaj ekspozitë derisa plotësohej me këngët emblematike të Muharrem Qenës në sfond, xhaxhait të Rronit.
“Rron Qena i përket një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës. Së bashku me gjeneratën e Rronit kemi provuar të debatojmë dhe të analizojmë sepse arti nuk ka kuptim nëse jepet si i përkryer. Me Rronin kemi pasur debatet më të ashpra sepse në atë kohë mendonim se piktura si medium shumë klasik nuk ofron aq mundësi sa mediumet e tjera por Rroni me kokëfortësinë e tij ka vazhduar deri më sot dhe besoj që do të vazhdojë edhe më tutje” tha profesori Mehmet Behluli në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.
Profesori Behluli tregoi për KultPlus se punën me Rron Qenën e kishte filluar në Akademi para vitit 1999, për të vazhduar më pas edhe jashtë Akademisë, të cilën në atë kohë e përshkruan si shumë klasike.
“Në atë kohë kushtet kanë qenë pak më ndryshe, akademia jonë ka qenë shumë klasike dhe nuk ka pranuar shprehje ndryshe dhe të reja dhe ne thjeshtë kemi dalë prej akademisë dhe kemi provuar të debatojmë”, tregoi profesorit Behluli për KultPlus.
Behluli e përshkruan Rronin si fanatik të mediumit, ndërsa brenda provon të qëndrojë sa më i freskët dhe gjithnjë në kërkim të formave të reja.
“Nganjëherë mendoj së është shumë e vështirë ta gjesh formën e re shprehëse, se sa të merresh me diçka që është eksploruar, eskplatuar maksimalisht. Pikërisht ta gjesh veten të freskët aty, është një mrekulli” tha profesori Behluli.
Piktori Rron Qena tregon për KultPlus se ideja e titullimit dhe përmbajtjes së kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e smogut të vitit të kaluar. Mes mendimeve të tij për Prishtinën e mjegulluar në ajrin e ndotur ai krijoi këtë ekspozitë të veçantë.
“Në një moment jam ndjerë i zhgënjyer prej Prishtinës dhe kam menduar se nuk mund të krijojë diçka më shumë këtu. Mandej mendova se nuk mund të ndihem i zhgënjyer sepse ky është vendi ku unë po jetoj. E hapa dritaren dhe gjithçka çka pashë ishte mjegull, mandej edhe provova ta pikturoj Prishtinën në mjegull. Ajo mjegull mua më ndihmoi në venitjen e stilit tim të pikturës por edhe ta tregoj qytetin tonë pak si më të zbehur, i cili edhe pse po ndërtohet mjaft duket gjithnjë e më i zbehur”, është shprehur Rron Qena për KultPlus.
Bukuria që e karakterizonte këtë qytet, pothuajse është mbuluar tërësisht nga ndërtimet, të cilat sipas piktorit po e zhdukin këtë qytet.
“Gurthemeli i kësaj ekspozite është qyteti i humbur i Prishtinës sepse me të gjitha këto mbindërtime jemi duke e zhdukur qytetin. Këtu më nuk ka hapësirë, madje edhe ecja në këtë qytet është gjithnjë më e vështirë. Pikërisht këtu është dhimbja të cilën unë e kam reflektuar”, përfundoi Rron Qena.
Veprat e veçanta të kësaj ekspozite do të qëndrojnë brenda Galerisë Monet deri më 4 dhjetor, sa edhe do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. / KultPlus.com