Plagët tona si popull dalin në pah nga brendësia e artistit Mentor Zymberaj, monodrama “Arka” i sjell në një dimension tjetër

Era Berisha

Një sakrificë e personazhit i cili për vëllaun e tij të vogël bënë pothuajse çdo gjë të mundur vetëm që ai të shërohet ose të paktën që të jetë pranë tij në momentet më të dhimbshme, shumë shpejtë merr një kahje krejt tjetër. Kjo sakrificë del të jetë asgjë tjetër pos një “rebelim i kotë”, me ç’rast është krijuar edhe thelbi kryesor mbi të cilin mbrëmë premiera e monodramës “Arka” nga Mentor Zymberaj ka gjetur shtëpinë pikërisht në skenën e Teatrit Dodona, shkruan KultPlus.

Në momentin kur ora shënoi fiks 19:42, dritat e ngrohta të vendosura anash në hapësirë po zbeheshin dalëngadalë derisa terri kaploi gjithë të pranishmit. Salla e mbushur me prezencën e audiencës fillimisht u përplas me një imazh që lehtazi ka zgjuar kujtime të shumta. Një arkë e mbuluar me një çarçaf të bardhë mu në mes të skenës, përcolli një ndjenjë të familjaritetit. Pa asnjë zhurmë të vetme, qetësia absolute ishte elementi që ka rrethuar daljen në skenë të aktorit Mentor Zymberaj, shprehjet e së cilit vinin këndshëm në pah nga drita verbuese që i binte mbi fytyrë.

Një emocion i dhimbshëm në sytë e tij paralajmëroi për një histori të vështirë por mjaft të njohur për popullin tonë. Fjalët: ‘E di nanë, që t’ka marrë malli‘, ishin ato që thyen heshtjen në skenë. Nën dritën e llambës të vendosur lartë mu mbi pozitën e arkës, personazhi që erdhi nën aktrimin e veçantë të Mentor Zymberaj, ka rrëfyer brengat e shumta, pra ato të cilat kanë rënduar fort shpirtin, zemrën dhe mendjen e tij deri në një pikë të papërballueshme.

Qysh në fillim, kujtime nga më të ndryshmet të këtij personazhi zunë vendin e tyre preciz. “Ora e shtëpisë“,“Fotografitë“,“biçikleta“,“Hajmalia“,“këmisha e babës“, “Kravata e maturës“, janë vetëm disa nga faktorët që luajtën rolin e rëndësishëm dhe tejet të saktë në rrjedhën e shfaqjes. Ndërsa, përpos elementeve të lartpërmendura, atëherë kur ‘fyelli i gjyshit‘ nxirret nga arka dhe aktori Zymberaj nis interpretimin mbresëlënës, shumë shpejt na shfaqet një dimension befasues që në fakt kjo monodramë përmban.

Nëse dhimbja, vuajtja dhe dëshpërimi do të shndërroheshin në formën e njeriut, atëherë roli i Zymberajt, do të kishte marrë lehtësisht vendin e tyre. Personazhi të cilin ai e portretizon dhe e mban gjallë për gjatë gjithë kohës, shpalos pamundësinë për të mbajtur në jetë të vëllain gjashtë vjeçar që i ka vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai si një student i shkëlqyer i arteve, e kaloi gjithë rininë në dheun e huaj, duke kaluar Evropën ilegalisht por që për të kjo mbetet thjesht një “rebelim i kotë“.

Dalëngadalë, ai ulet mbi arkë, vendos duart dhe kokën mbi të, teksa një dritë e kuqe rrethon gjithë skenën, duke sinjalizuar për një tjetër rrëfim, por kësaj radhe të nënës së tij, e cila po ashtu nuk ishte më gjallë. Nga një copë letre, ai merr vesh për gjithë situatat që ka humbur derisa ai ishte larg shtëpisë. Babai i tij kishte vdekur menjëherë pas të vëllait, duke mos mundur të përballonte vdekjen e të birit, motra e tij ishte zhdukur diku larg për të sjellë në jetë veprat e pabotuara të babait të saj në mënyrë që vepra gjeniale e tij të respektohej, ndërkohë që nëna e tij e sëmurë nuk mundi t’i bëjë ballë sëmundjes që e kishte gjymtuar pa prezencën e asnjërit nga familja e saj.

Kështu krejt në fund, një vijë melodike muzikore fut rrënjët në mbylljen e kësaj shfaqjeje. Personazhi ka qenë shumë specifik e po ashtu ka pasur shumë ndryshime nga pësimet e njëpasnjëshme. Duke marrë parasysh kontaktin me arkën dhe gjithë çka ka përjetuar familja e tij, krejt në fund ai shndërrohet në palaçon e vëllaut të vet. Andaj, kjo është ajo simbioza që e ndërlidh fillimin, zhvillimin dhe fundin e kësaj shfaqje.

“Arka“ solli përjetimet që flenë nëpër qoshet e kujtimeve të shumicës nga ne. Kjo monodramë përpos frymës origjinale që mban dhe një skenari brilant që zhvillohet nëpër tri segmente, me pjesëmarrjen e qëlluar të Igballe Qenës në vokal dhe solistes Yllka Kuqi si dhe precizitetin e udhëheqësve teknik si Bedri Maloku dhe Fadil Bekteshi, ka përthekuar një publik të tërë, duke i dërguar ata nëpër vazhdën e emocioneve të ndryshme që ndonjëherë edhe binin ndesh me njëra-tjetrën.

Autor, regjisor dhe aktor i monodramës “Arka“ është vetë Mentor Zymberaj. Asistent regjie është Mirak Zymberaj, kostumografia vjen e punuar nga Mrikë Zymberaj si dhe realizimi i muzikës nga kompozitori Astrit Pallaska. Po ashtu, regjistrimi i vokalit është bërë nga dirigjenti Memli Kelmendi.

Kjo monodramë është shkruar që disa vite. Ideja për ta realizuar ka qenë shumë më herët. Është botuar në mesin e katër monodramave më të suksesshme të Mentor Zymberajt, që s’ka qenë e inskenuar. Tash është inskenuar dhe është barazuar me të tjerat. Koncepti i regjisë ka zgjatur rreth katër apo pesë muaj, në bashkëpunim me idenë se si të plasohet dhe që dy muaj janë mbajtur ditët e provave derisa është realizuar.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli aktori Mentor Zymberaj.

“Pasi që jam edhe autor, gjithmonë ideja si artist është se çfarë duhet të thuhet dhe se cila temë është më aktuale. Besoj që këto shkrimet tona nganjëherë kanë qenë të imponuara për shkak të nevojave që i kemi në familjet tona, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, andaj më është dukur që kjo temë është mjaft e afërt, e ndjeshme por edhe e nevojshme për popullin tonë, duke marrë parasysh dhe pasojat që na ndodhin neve si familje. Mendoj që kjo temë është mjaft e nevojshme që të konsumohet, të shihet prej popullit tonë së pari e pastaj në vende të tjera të botës“, thotë ai.

Sipas tij, si autor ai beson se në njëfarë forme ia ka arritur qëllimit, pastaj koncepti regjisorial si regjisor, për të ka qenë shumë më i lehtë për shkak të idesë autoriale.

“Kur je në treshen autoriale, nuk është e lehtë sepse lufta është në tri segmente. Plasohet ideja si autor, pastaj gjetja e një koncept të bukur dhe atraktiv regjisorial dhe në anën tjetër ndërtohet karakteri për të cilin dhe jam i thirrur. Kështu që, forma ime e punës është pak më specifike sepse punoj kryesisht vetëm. Tema është krejtësisht origjinale dhe idetë më kanë rrjedh gjithmonë nga brendësia, pra prej plagëve tona, prej temave tona që ka nevojë populli ynë. Kështu që jam shumë i kënaqur sepse ekziston një origjinalitet në realizim“, shpalos Zymberaj.

“Është gjetë një ritëm i bukur i shfaqjes që të dëgjohet, të thuhet por edhe të luhet”, përfundon Zymberaj.

/ KultPlus.com