Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është promovuar monografia për piktorin akademik Xhevdet Xhafa nga autorja Suzana Varvarica – Kuka, një vepër e cila pasqyron jetën dhe krijimtarinë artistike të akademikut korrespodent të ASHAK.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj ngjarjeje është hapur edhe ekspozita me veprat e akademik Xhafës.
Për librin folën autorja dhe akademiku Luan Mulliqi, të cilët krijimtarinë e piktorit Xhevdet Xhafa e konsideruan një art delikat që është i lidhur pandashëm me vendin dhe vuajtjet e bashkëkombësve.
Ndërsa vet piktori Xhafa u shpreh se veprat e tij pasqyrojnë historinë e dhimbshme shqiptare të shprehur me një sinqeritet dhe pastërti.
Në promovimin e monografisë morën pjesë personalitete të shumta nga bota e artit, kulturës dhe ajo akademike, ndër ta edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, deputetja Saranda Bogujevci, artisti Sislej Xhaja e shumë të tjerë.
Xhevdet Xhafa studimet i kreu në Akademinë e Arteve në Lubjanë. Edhe studimet pasuniversitare i kreu me sukses në këtë Akademi.
Punoi për shumë vite si ligjërues dhe profesor i lëndës së pikturës në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Dha ndihmesë në edukimin e shumë brezave të artistëve të rinj deri sa u pensionua.
Është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa nga veprat e tij gjenden në disa prej galerive e muzeve të ndryshëm kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prej vitit 2012 është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Kosovë./KultPlus.com