Artpolis sjellë leximin skenik të librit “Monologjet e Vaginës”

Për nder të 20 vjetorit të botimit të librit Monologjet e Vaginës së autores Eve Ensler, Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis i ka dedikuar aktivizmit feminist përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Zana Hoxha Krasniqit do të shënohet 20 vjetori i veprës “Monologjet e Vaginës”, që cilësohet si vepra më e rëndësishme teatrale politike dhe sociale për të drejtat e grave, si dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Leximi skenik do të mbahet më 6 mars në hapësirën e Teatrit Oda duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, leximet do të përcillen nën tingujt e muzikës së artistes Blerta Kosova.

Performueset e monologjeve do të jenë artistet dhe aktivistet e shquara nga Kosova: Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic.

Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.
Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicërr./ KultPlus.com