Në parkun e Kazertës

Le occasioni është përmbledhja e dytë poetike e Montales, botuar nga Einaudi, në tetor të vitit 1939 dhe përmbante 50 poezi. Në edicionin e dytë, një vit më pas, përmbledhjes i ishin shtuar edhe pesë poezi të tjera.

NË PARKUN E KAZERTËS

Nga Eugenio Montale

Ku mjellma e pashpirt
spitullohet e përdridhet,
në sipërfaqen e hurdhës, mes gjethnajes,
rizgjohet një sferë, dhjetë sfera,
një pishak nga fundi,
dhjetë pishakë,
dhe një diell baraspeshohet
me zor në ajrin e parë,
mbi kupe të gjelbëreme dhe globë të shtrembër
të aurakaries,
që i tret si lianë
krahët e gurit, lidh
pa derman atë që kalon andej
dhe nxjerr nga skaji më i largët
rrënjë dhe theka.
Noçkat e Nënave
pezmatohen,
kërkojnë boshllëkun.

***

Nga Tiziana de Rogatis

Në parkun e shekullit XVIII të mbretërisë së Kazertës merr formë imazhi shqetësues i një bote të përmbysur. Ndajfolja e vendit në incipit në të vërtetë vë në dukje elementin likuid të «hurdhës» (v.3) në pasqyrën shpërfytyruese të së cilës do të reflektohet i gjithë skenari i kompozimit. Nga ana tjetër, është i përmbysur edhe reprezantimi i «mjellmës» (v.1), figurës që e gjallëron peizazhin. Duke kthyer mbrapshtë pjesën e hijshme dhe dekorative të një tradite të gjatë, kafsha do të jetë «e pashpirt» (v.1) dhe e prirë për përdredhje agresive të qafës së saj dredha-dredha (v.2). Dielli i sapolindur dhe i gjithë realiteti rrethues nisin të shtrëngohen dhe të deformohen mbi sipërfaqen e zhubravitur; metamorfoza e përfshin edhe kalimtarin e rastit, që “vegjetalizohet” dhe privohet pastaj nga vetë limfa e tij jetësore (vv. 11-14). Në mbyllje të poezisë shfaqen «Nënat» (v. 15), figura primordiale të Gëtës që nuk e drejtojnë më – si te Fausti – ripërtëritjen e jetës. Vetë ecja e tyre solemne këtu përmbyset në një gjest groteskt: rojet e jetës, të kapluara nga perceptimi i boshllëkut, përpëliten (v. 16). Harmonia e përbërë neoklasike e parkut sjell në jetë kështu një kaos iluzionesh dhe vdekjeje.

Teksti është shkruar më 1937.

/Marrë nga Eugenio Montale, ‘Le occasioni’, Mondadori, 2011

/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com