Njihuni me ‘Montessori School of Kosova’ për një metodë alternative të edukimit në fëmijërinë e hershme (FOTO)

Montessori School of Kosova (MSK) u themelua në vitin 2016 në kuadër të institucionit parashkollor ‘Loja’ në Prishtinë për moshat 1 – 6 vjeç.

Hulumtimet e vazhdueshme ishin hapat e parë ku themeluesja e kësaj shkolle, znj. Rinesa Deshishku, së bashku me ekipin e saj, vizituan shtetet si Holanda, Kroacia dhe Norvegjia për të mësuar rreth metodës Montessori. Znj. Deshishku, gjatë hulumtimit të saj, krijoi lidhje me trajnerë ndërkombëtarë, duke mundësuar trajnimin e edukatoreve në Kosovë me metodologjinë Montessori në Loja dhe MSK.

Klasët e MSK janë të pajisuara tërësisht nga materialet e zhvilluara nga vet Maria Montessori dhe bashkëpunëtorët e saj, për t’iu ofruar fëmijëve zhvillimin e nevojshëm gjatë viteteve të para të jetës së tyre në fushën e shkathtësive praktike për jetë, në kulturë, shkencë, gjuhë, matematikë, zhvillimin sensorial, sport, etj.

Sot znj. Deshishku është duke përfunduar studimet Master në fakultetin e edukimit të universitetit prestigjioz ‘Harvard University’.

Çfarë është Montessori?

Montessori është një metodologji edukimi që praktikohet në të gjithë botën, e në veçanti në shtetet më të zhvilluara evropiane, si Norvegjia. Kjo metodologji u themelua në vitin 1907 nga Dr. Maria Montessori, e cila studioi arsimin në nivel shkencor duke vëzhghuar fëmijët nga lindja e deri në moshën e rritur.

Metoda e Dr. Montessori është testuar me kohë, me mbi 100 vjet sukses, në kultura të ndryshme në të gjithë botën. Nga viti 2016 kjo metologji është implementuar në tërësi nga Montessori School of Kosova edhe në Prishtinë.

Metodologjia Montessori është projektuar si zgjidhje direkte ndaj problemeve të edukimit tradicional, të cilat janë identifikuar të jenë:

1. Trajtimi i të gjithë fëmijëve sikur janë të njëjtë.

2. Cënimi i lirisë së lëvizjes, të lirisë së zgjedhjes dhe lirisë së shprehjes.

3. Promovimi i konkurencës dhe ndjenjës së frikës nga gabimet.

4. Ulja e kreativitetit dhe vetëbesimit.

5. Promovimi i bindjes dhe konformitetit.

6. Inferioriteti i fëmijës ndaj të rriturit ose mësuesit.

Në anën tjetër, Metodologjia Montessori ka këto elemente thelbësore:

1. Klasë me mosha të përziera në mënyrë që fëmijët të mësojnë nga njeri-tjetri.

2. Liria e fëmijës/nxënësit për ta zgjedhur aktivitetin brenda disa opsionesh të përcaktuara (liria brenda kufijve).

3. Koha e pandërprerë e punës individuale të nxënësit për ta zhvilluar koncentrimin.

4. Një model “zbulimi” ku nxënësit mësojnë koncepte nga puna me materiale, dhe jo nga ligjëratat e mësimdhënësve, ku fëmija është në qendër të vëmendjes e jo mësuesja.

5. Materialet e specializuara arsimore të zhvilluara nga Maria Montessori dhe bashkëpunëtorët e saj.

6. Një mësues i trajnuar sipas metodologjisë Montessori që përcjellë zhvillimin e fëmijës dhe ka përvojë në vëzhgimin e karakteristikave, tendencave, talenteve të lindura dhe aftësive individuale të fëmijëve.