Rama takohet me Bekim Jasharin, diskutojnë për krijimin e monumentit të Adem Jasharit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është takuar me Bekim Jasharin, për të folur për krijimin e monumentit të heroit Adem Jashari.

Rama është shprehur se ka qenë kënaqësi të bisedojnë me Jasharin për zgjedhjen e lokacionit dhe angazhimin e familjes Jashari në procesin e krijimit e monumentit të Adem Jasharit.

“Për kryeqytetin, është njëkohësisht një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të kemi shtatoren e heroit tonë dhe të nderojmë sakrificën e familjes Jashari për lirinë që ne sot gëzojmë”, ka shtuar ai./KultPlus.com

Ura e Mesit, mbi lumin Kir dhe legjenda e saj

Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë, është një nga pikat më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.

Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese për vizitorët.

Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë. Me gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur./atsh/KultPlus.com

Gazeta franceze më 1940: Duçja përuroi monumentin e Skënderbeut me rastin e marshit mbi Romë

Nga Aurenc Bebja 

“Le Progrès de la Côte-d’Or” ka botuar, të shtunën e 9 nëntorit 1940, në ballinë, fotografinë ekskluzive të përurimit të monumentit të Skënderbeut në Romë nga Duçja, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Përvjetori i Marshit mbi Romë – monumenti i Skënderbeut

Me rastin e përvjetorit të Marshit mbi Romë, Duçja, në prani të kontit Çiano dhe qeverisë shqiptare, përuroi monumentin e heroit shqiptar Skënderbeut.

Fotografi e gazetës “Progrès”

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1940-ducja-peruroi-monumentin-e-skenderbeut-me-rastin-e-marshit-mbi-rome-foto/.

Një monument për Françesk Radin tek Liqeni

“Një vit lamtumire Franko!”. Miq dhe pasionantë të muzikës së Françesk Radit do të bëhen bashkë në 1 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, për ta kujtuar në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, amfiteatrin tek Liqeni Artificial.

Më 3 prill ora 9 e mëngjesit pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. “Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh ashtu si dikur. Më pas në orën 17.00 ne ambientet e kinema Millenium do të transmetohet dokumentari “ Jetë e trazuar “ për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre që edhe pse e prerë tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk I tha dot lamtumire, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij, Tefta Radi.

Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve por dhe përmes tekstit. Muzika e tij nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brenda dhe intelektualin e angazhuar, duke I folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komuniste. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë, shkruan GSH.

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTV. Pjesë më të bukur të jetës ai konsideronte fëmijërinë në qytetin e Shkodrës. ”Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor”, do të shprehej ai në një intervistë kohë më parë.

Idhujt e tij të parë ishin Tonin Tërshana dhe Vaçe Zela apo Anita Take. I konsideruar si Çelentano shqiptar vetë kantautori e ka pranuar ndikimin që muzika italiane ka pasur në muzikën e tij. ”Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj”, do të shprehej ai. Kitara do të bëhej një element i rëndësishëm i këngëve të tij, që do ta indentifikonte lehtë . Periudha e komunizmit nuk do të ishte e lehtë dhe për artistin.

“Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj”, shprehej Radi. Kitara në dorë do ta bënte atë të shihej gjithnjë si modern. ”Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq. Këndova një këngë/ “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë. Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thosha se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme”, tregonte ai. Dy nga këngët e tij më të dashura mbeten “Adresa”dhe pengje. “Peng i kam pasur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin.

Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”. “Biçikleta” , megjithëse dhe to për vetë kohën nuk kanë kaluar pa peng”, shprehej artisti. Vitet 90-të do të hapnin një tjetër botë para tij.” Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh. Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë”, shprehej Radi. Muzika e tij nuk ndryshoi në këto vite, duke ruajtur të njëjtën ndjesi muzikore e zgjedhur të njëjtat tekste të fuqishme duke vazhduar të ishte I dashur për miliona njerëz./ KultPlus.com

Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar edhe një monument i trashëgimisë kulturore, i cili ka gëzuar mbrojtje ligjore. Monumenti i regjistruar si “Shtëpia e Bajram Sokolit” është rrënuar përkundër vendimit të lëshuar në muajin gusht nga autoritetet e trashëgimisë kulturore për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt.

Sipas informatave zyrtare të marra nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Komisioni për vlerësim të projekteve restauruese-konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës në muajin korrik të këtij viti kishte miratuar kërkesën/projektin për renovimin/restaurimin e objektit shtëpi individuale për banim në ngastrën kadastrale 1910-0 në Prizren. Por më pastaj QRTK, pasi është informuar se në këtë shtëpi kanë nisur aktivitetet rrënuese ndonëse leja ka qenë për renovim, ka informuar IMMK-në dhe Komunën e Prizrenit për mosrespektimin e lejes së dhënë. Sipas QRTK më 22 gusht 2017 IMMK-ja ka pezulluar vendimin lidhur me projektin për renovimin/restaurimin e shtëpisë në fjalë. IMMK-ja gjithashtu ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në objektin në fjalë për shkak të punimeve të kryera në tejkalim të kushteve dhe kritereve të përcaktuara në projektin e aprovuar nga IMMK. Ky Institut gjithashtu ka theksuar se “çdo veprim që zhvillohet pas pranimit të këtij vendimi nga të gjitha palët, konsiderohet ‘punë e pa autorizuar në trashëgiminë kulturore’ – vepër kjo e ndëshkueshme. Në të njëjtën kohë IMMK ka autorizuar QRTK-në që të zhvillojë të gjitha procedurat përkatëse me Komunën e Prizrenit në mënyrë që të zbatohet ky vendim respektivisht të ndërpriten punimet.

Megjithëkëtë monumenti i shekullit XIX është rrënuar nga pronari i ri. Shtëpia e Bajram Sokolit është e mbrojtur dhe është e listuar në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe konsideron se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur. / KultPlus.com