Siguria e strukturave të banesave monument kulture në lagjen muze të Goricës, në Berat, shpesh herë është vënë në rrezik nga degradimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve.
Tubacionet e amortizuara të linjës së ujësjellësit në këto dekada kanë sjellë një degradim të rrjetit e për pasojë është e domosdoshme ndërhyrja në lagjen muze nga ana e Drejtorisë së SHA Ujësjellës-Kanalizime për të eleminuar këtë fenomen të dëmshëm për sigurinë e strukturave të banesave.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat ka nisur këto ditë punën për mirëmbajtjen e një tjetër banese monument kulture.
Specialistët e DRTK Berat janë duke ndërhyrë në banesën e Llazar Pushit, monument kulture kategoria e II lagjia Goricë.
Ndërhyrja konsiston në hapjen e kanalit për punimet e drenazhimit me qëllim hidroizolimin e strukturës murale të katit nën tokë dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me terrenin e rrugicës.
Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.
Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit të XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare.
Në qendër të lagjes vazhdimin e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës tip bazilike të Shën Spiridhonit. Për vetë pozicionin që ka lagja Goricë, ndryshe nga Mangalemi, kapet më pak nga rrezet e diellit./ KultPlus.com