Ceremonia e ndarjes së çmimeve për filmin më të mirë artistik, dokumentarin më të mirë dhe kategorinë më të mirë të filmit të shkurtër të edicionit të dytë të ‘Festivalit të Filmit Matera’, i cili u mbajt në Città dei Sassi nga 2 deri më 10 tetor 2021, u zhvillua të shtunën, 9 Tetor, transmeton KultPlus.
Në kërë festival pjesëmarrës ishte edhe filmi ‘Galaktika e Andromedës’ i realizuar nën regjinë e regjisores nga Prishtina, More Raça. Ky film, i cili tashmë veçse ka dëshmuar suksesin e vet në festivale të ndryshme botërore të filmit, nga ky festival ka rrëmbyer dy nga çmimet kryesore, atë të Filmit më të mirë artistik, si dhe çmimin për aktorin më të mirë nga Sunaj Raça.
Juria e ‘Filmit Artistik’ e përbërë nga Maria Sole Tognazzi, Roberta Torre, Igort, Roberto De Feo, Paola Squitieri, filmit ‘Galaxy Andromeda’ nga More Raça i dorëzoi çmimin për ‘filmin më të mirë artistik’ dhe ‘çmimin për aktorin më të mirë’:
Filmi më i mirë artistik
Iu dorëzua filmit ‘Galaxy Andromeda’ të More Raça me motivimin e mëposhtëm: “Për njerëzimin e personazheve dhe delikatesën me të cilën ai vështroi vështirësinë e ekzistencës në një peizazh historik-politik shumë të komplikuar. Aftësia për të vënë në skenë sakrificën e dashurisë dhe mbrojtjes së dikujt me koston e jetës, dhe për ta bërë këtë pa kërkuar lot, por duke zgjedhur dinjitetin, çmimi për filmin më të mirë artistik shkon për ‘Galaxy Andromeda’ të More Raça.”
Çmimi për aktorin më të mirë
Iu dorëzua Sunaj Raça për ‘Andromeda Galaxy’ me motivimin e mëposhtëm: “Për faktin se kam qenë në gjendje të dozoj bukur, përmes aftësive të tij të shkëlqyera interpretuese, për të paraqitur gëzimin dhe dhimbjen e të qenit baba. Pa e lënë kurrë këtë rrjedhje. Të fundit para vajzës së tij, por duke u rezervuar vetëm për ne, ne jemi spektatorët e luftës së tij të dëshpëruar për mbijetesë ”. / KultPlus.com
Filmi kosovar ‘Andromeda Galaxy’ me regji të More Raçës, ka fituar çmimin e filmit më të mirë në ‘Otranto Film Festival’, shkruan KultPlus.
Njoftimin e ka bërë vetë regjisorja përmes një postimi në Facebook.
“Andromeda Galaxy fiton çmimin e filmit më të mirë në Otranto Film Festival . Ky është një film për një prind që nuk gjen punë në Kosovë. Për shkak të mungesës së zgjidhjes, detyrohet të largohet ilegalisht nga vendi i tij. Korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë bërë jetën të mjerueshme për njerëzit e rëndomtë, të cilët kur përballen me të fortit (të korruptuarit) gjithmonë mposhten dhe detyrohen të largohen ose t‘i dorëzohen një jete në mjerim” – ka shkruar regjisorja Raça./KultPlus.com
Pas emërimit te antarëve të këshillit drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku, dje, në mbledhjen e parë të këshillit të përbërë nga Besim Ugzmajli, Xhejlane Terbunja, Bislim Bislimi (përfaqësues i MKRS-së), Luan Daka, More Raça është përzgjedhur si Kryetare e Këshillit Drejtues, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisorja, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përmes të cilit Raça thekson se ajo sëbashku me kolegët e saj, qysh në takimin e parë janë zotuar se do të punojnë me seriozitetin më të madh për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.
”Do të shqyrtojmë me vëmendje dhe kujdes të madh të gjitha veprimet e derimëtashme të QKK-së, dhe do të punojmë për të krijuar një ambient të shëndosh, ku mbi të gjitha do të respektohet ligji dhe ku do të ketë mundësi të barabarta për secilin kineast”, ka theksuar ndër të tjera Raça. / KultPlus.com
Në një shoqëri në tranzicion, regjisorja More Raça ka vendosur që të drejtoj filma të cilat pasqyrojnë përditshmërinë shoqërore në formën e saj artistike, duke arritur që ta ketë një ‘armë’ për kompleksitetin e problemeve.
Kështu, filmat “Ajo”, “Home”, “Amel” dhe “Galaktika e Andromedës” përbëjnë mozaikun krijues të deritanishëm të Raçës, e që nuk do të mbetet vetëm me kaq.
Përderisa rrugëtimet fizike këtë vit u kufizuan për shkak të masave anti-covid nëpër botë, rrugëtimet artistike nuk patën asnjë lloj kufiri. Kësisoj, ky vit për filmin e parë të metrazhit të gjatë nga ligjëruesja universitare, “Galaktika e Andromedës” ishte mjaft i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të Francës, Egjiptit, Bosnjës dhe Italisë.
Në anën tjetër, More Raça nuk u mjaftua me kaq. Ajo morri një iniciativë për ta bindur publikun për fuqinë e artit pavarësisht situatës, duke organizuar Javën e Filmit të Gruas si ombrellë e kineasteve gra nga vende të ndryshme, në përpjekje të çmimit që mban emrin e regjisores së parë shqiptare “Xhanfise Keko”.
Pikërisht për t’i diskutuar të arriturat personale dhe ato organizative, KultPlus ka realizuar intervistën e fundvitit me regjisoren More Raça, e cila fillimisht na foli për festivalin që realizoi edicionin e parë të organizimit përgjatë 2020-ës.
“Qëllimi i Festivalit ishte bashkimi i kineasteve nga mbarë bota në një platformë online dhe në këtë mënyrë të krijohet mundësia e shkëmbimit të vlerave filmike nga vendet nga ku vinë këto kineaste, si: Greqia, Turqia, Irani, Qipro, Gjermania, Bullgaria”, u shpreh More Raça.
Raça tutje tregoi për KultPlus se kineastet nga mbarë bota duke u bashkuar virtualisht në Prishtinë, kanë sjell rrëfimet e tyre personale të cilat i kanë shndërruar në storie të filmit. Teksa Raça me iniciativën e saj solli një risi në organizimet kinematografike, ky vit solli suksese të njëpasnjëshme për filmin e saj të fundit “Galaktika e Andromedës”.
“Galaktika e Andromedës i ka tejkaluar të gjitha parashikimet pasi që sukseset e këtij filmi ishin vërtet të mëdha, duke u nisur nga çmimi në San Sebastian Film Festival, festival i kategorisë A; premiera në festivalin e Sarajevës si festivali më i madh në rajon ku filmi ishte në konkurrencën kryesore; pastaj në Cairo International Film Festival që është festival i kategorisë A dhe së fundmi në Les Arcs Film Festival në Francë”, thotë More Raça, teksa filmi i saj arriti të shfaqet edhe në një festival tjetër në Itali.
Në anën tjetër, në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kajro të Egjiptit përveç që u shfaq filmi, aty Raça shpalosi edhe rrugëtimin e saj artistik në “Sarajevo Talents”.
“Përveç se kisha filmin në konkurrencë zyrtare, pata nderin të ftohem edhe si eksperte në Sarajevo Talents bashkë me emra të mirënjohur të kinematografisë botërore. Ishte kënaqësi të shpalosi përvojat e mia para talentëve të rinj të rajonit të përzgjedhur në Sarajevo Talents”, shprehet Raça.
Mediumin e filmit More Raça e sheh si një thirrje artistike për përmirësim shoqëror, duke shpalosur realitetin aktual.
“Arti kinematografik medoemos përçon realitetet e shoqërive prej nga vijnë autorët sigurisht të veshur me petkun artistik të stilizuar me një kujdes estetik, të cilët tregojnë rrëfimet që intrigojnë shoqërinë. Edhe unë trajtoj tema që na e preokupojnë neve si shoqëri”, shprehet Raça.
Kombinimi i shprehjes artistike të filmit me temat sociale është i qëllimshëm për regjisoren kosovare, e cila aspiron një shoqëri më të mirë në këtë formë.
“Filmat sigurisht se përçojnë mesazhe dhe ndikojnë te ndërrimi i mentalitetit, e sidomos në shoqëritë në tranzicion. Ky është edhe qëllimi i autorëve që përveç pjesës artistike, të lënë gjurmë edhe në ndërrime pozitive në shoqëri”, vlerëson regjisorja nga Kosova.
Kur intervista jonë drejtohet te gjendja e kinematografisë në Kosovë, Raça shprehet se vitet e fundit janë të frytshme për këtë fushë.
“Pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare dhe bashkëprodhimet me kompani distributive të njohura në botë po na bëjnë me shpresë se kinematografia kosovare po ecën mirë por, jemi akoma larg standardeve botërore”, shprehet regjisorja e filmit “Galaktika e Andromedës”.
Përgjatë rrugëtimit si regjisore, ajo thekson se nuk ka vështirësi pse është grua, por përballet me problemet që sfidohen edhe regjisorët meshkuj.
“Problemet në fushën kinematografike kryesisht shkaktohen nga buxheti shumë i ulët dhe burokracia, mungesa e ligjeve lehtësuese për filmbërësit dhe mosfunksionimi i plotë i ligjit për sponsorizim”, vlerëson regjisorja.
Poashtu, ajo thekson se as ndërmarrjet e mëdha nuk kanë treguar asnjëherë interesim për të mbështetur filmbërësit.
Mirëpo, pavarësisht filmave të shumtë të prodhuar paslufte, regjisorja More Raça vlerëson se ka ende mungesë tematikash në këtë fushë artistike.
“Askush deri më tani nuk është marrë me filmat për fëmijë dhe ato mungojnë. Pastaj mungojnë filmat e denjë për luftën anipse ka shumë rrëfime nga kjo periudhë, e që ekranizimi i tyre do të ishte mrekulli. Po për tema të tilla sigurisht kërkohet buxhet dhe bashkëprodhim me shtëpitë të njohura filmike të huaja” thekson Raça.
Në anën tjetër, në pyetjen se me cilën profesion do ta shihnim Morenë nëse jo si regjisore, ajo sërish cak ka kinematografinë.
“Nëse jo regjisore, sigurisht diçka rreth filmit. Unë jam shumë e dhënë edhe pas skenarit, montazhës, punës si producente dhe mendoj se këtu në boten e filmit do të isha patjetër po ndoshta në detyra tjera”, mendon Raça.
Për planet e ardhshëm me të cilat do t’i gëzoj artdashësit e saj, More Raça përmend filmin dokumentar i cili është rrëfim personal mes periudhës së paraluftës, luftës dhe tash pasluftës. “Home is where the films are” quhet dokumentari i cili përveç çmimeve të shumta që ka fituar, së fundmi ka arritur të financohet edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com