Degradimi i trashëgimisë kulturore në Prizren edhe në vitin 2017 ka vazhduar që të jetë dukuri shqetësuese. Me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore por edhe shtytjes së institucioneve qeveritare e të drejtësisë për veprim në drejtim të zbatimit të ligjit, EC Ma Ndryshe të martën ka organizuar performancën e titulluar “MOS E PREK! – trashëgimi kulturore!”.
Në kuadër të performansës janë vendosur afishe te ndërtesat e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtje të ligjit dhe atyre që janë pjesë e fushës së konservimit arkitekturor të Qendrës Historike të Prizrenit me njoftimin se ndalohet demolimi apo çdo intervenim në këto ndërtesa pa pëlqimin e autoriteteve përgjegjëse si dhe përshkruhen sanksionet që i parasheh legjislacioni.
Paralelisht me këtë të martën janë shpërndarë edhe kartolinat sensibilueze për opinionin publik për vlerat e humbura ndër vite të trashëgimisë kulturore në Prizren, të cilat me postë i janë dërguar institucioneve lokale e qendrore të pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje edhe njëherë shqetësimi për dukurinë e rrënimit dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Prizren.
Në hulumtimin “Gjendja fizike e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren” të publikuar nga EC në nëntor të këtij viti theksohet se në vitin 2016 sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Qendrës Historike kanë qenë 122 monumente të listuara brenda kësaj zone dhe se deri në nëntor të vitit 2017 janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim të pakthyeshëm 31 monumente. Po kështu nga gjithsej 388 ndërtesa tradicionale që ishin në vitin 2006, sot ekzistojnë 155 sosh, që tregon se 233 ndërtesa apo struktura tradicionale të qytetit janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim.
Ndërkaq në prill të vitit 2014, EC pat publikuar analizën “Ligjet nuk po e mbrojnë Qendrën Historike”, ku rekomandimi kryesor ka qenë zbatimi i ligjeve përmes ndëshkimit, që do të shërbente si shembull parandalues. Dëmtimi ose shkatërrimi i trashëgimisë kulturore përbën vepër penale dhe mosndëshkimi nënkupton paaftësinë e institucioneve për të siguruar sundim të ligjit. EC Ma Ndryshe beson se vetëm opsioni i ndëshkimit (me gjobë ose burgim) për veprën penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore” mund të shpëtojë Qendrën Historike nga shkatërrimi i tërësishëm.
EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore, sidomos prokuroria dhe gjykata të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.
“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit./ KultPlus.com