Mos pyet

Ibrahim Berisha

Faji pak para se të qajë
I kujt është?

Pse ujë pa hije, gjithë ky ujë
Në kashtën e frymëmarrjes?
Aromë e ngrirë në copa të murit, baltë
A jemi më të mëdhenj se zogjtë e pavërejtur?
Rrënjë e ngulur në peshë boshllëku
Ti a je mungesë e dëshmuar?
Apo, kush jemi ne?
Dyshim i mbathur me potkonj kuajsh
Në lamën e kalbur

Dele e zezë e fjalë pa zë
Apo, kush jemi ne?
Nuk ndryshon asgjë
Edhe nëse jemi errësirë e djegur
Në pambukun e dorës.
Shiko më mirë: A jemi ende
Lojë shpirtzbehtë në sytë e dhomës?
Shiko ende më mirë.
Nuk kuptoj pse nuk përgjigjesh
Insektet e mbajnë në duar të thara
Ditët e ardhme

Nëse është dikush pas shpinës së shtëpisë
Të kujt janë hapat bojëqielli?
Prandaj mos pyet:
Pse nuk jemi zemër e tokës, apo
Mëkatet pak para se të qajnë
Të kujt janë? /KultPlus.com