Mosakreditimi rrezikon shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës

Shtyrja e afatit për hapjen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si rezultat i mos përfundimit të procesit të akreditimit, mund të ndikojë që viti i ri akademik të mos nis përnjëherë për të gjithë studentët.

Rektori i këtij universiteti, Naser Sahiti, thotë se mësimi për të gjithë studentët në tetor mund të nisë vetëm nëse konkursi hapet në fund të këtij muaji, në të kundërtën thotë se afati i dytë për pranimin e studentëve do të zhvillohet tek në muajin tetor.

Ai shprehet se hapja e konkursit varet nga vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të UP-së, e që thotë se në skenarin më të mirë një gjë e tillë mund të bëhet deri në fund të këtij muaji.

“Sipas analizës rezulton që nëse konkursi nuk arrin që të shpallet më herët sesa në fund të gushtit atëherë ne nuk kemi mundësi që të dy afatet t’i realizojmë brenda shtatorit, por njërin prej afateve po. Ne teorikisht do të mund të fillonim me 1 tetor vitin akademik, por jo me të gjithë studentët, për arsye se afati i dytë do të duhej të vazhdojë edhe në tetor. Nëse shpallet në fund të korrikut atëherë natyrisht na mundësohet që të dy afatet t’i realizojmë gjatë shtatorit dhe të shkojmë me vit akademik me të gjithë studentët përnjëherë”, thotë ai.

Ai i bënë ftesë Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të punojnë me një dinamikë të shtuar, në mënyrë që procesi i akreditimit të përfundojë në kohë e që UP të mund të hap dyert për studentët e rinj.

Duke qenë se ende nuk dihet nëse do të akreditohen të gjitha programet e UP-së, Sahiti thotë se nuk kanë mundur të specifikojnë ende numrin e saktë të studentëve që do të pranojnë për vitin akademik 2021/2022.

Por, nëse do të bëhet akreditimi i të gjitha programeve, ai thekson se numri i studentëve që do të pranojnë do të jetë 6 mijë e 700 studentë.

Planifikimet që i kemi bërë me shifrat që na kanë ardhur nga njësitë akademike për programet që janë në proces të ri-akreditimit dhe ato të akredituara, nëse të gjitha ato programe akreditohen planifikojmë diku rreth 6 mijë e 700 studentë të ri t’i regjistrojmë në vitin akademik që pason. Në mesin e këtij numri 12 përqind janë si zakonisht të ndara për komunitetin joshumicë, 5 përqind për shqiptarët që jetojnë në viset përreth vendit tonë”, thekson ai për KosovaPress.

Rektori Sahiti deklaron se viti akademik që tashmë ka përfunduar është përcjell me shumë sfida si shkak i pandemisë COVID-19.

Sipas tij, cilësia e studimeve gjatë asaj periudhe nuk ka qenë ajo që kanë dëshiruar, megjithatë rënia e numrit të rasteve pozitive thotë se i bënë optimist që viti i ri akademik do të nisë me prezencë fizike në universitete.

“Nuk mund të pretendojmë që cilësia e studimeve ka qenë ajo që pritet dhe që është dashur të jetë në rastet kur është mbajtur me prezencë fizike. Prandaj, ne çdo herë kemi provuar që varësisht nga zhvillimi i shifrave të marrim vendime për të kaluar me prezencë fizike, natyrisht çdo herë duke respektuar rekomandimet e institucioneve përkatëse. Siç thash nuk kemi arritur që të kthehemi e prezencë fizike, të gjithë e dimë që shifrat kanë qenë vazhdimisht të larta, por tash javëve të fundit po shohim që kemi një rënie të madhe të shifrave me të infektuar, kjo bënë që ne të jemi pak optimist ndoshta nga viti i ardhshëm akademik të kthehemi të gjithë me prezencë fizike”, thotë ai.

Sa i përket cilësisë që ofron Universiteti i Prishtinës, i pari i këtij institucioni, potencon se nëse e krahasojnë më të kaluarën është shumë më mirë, por që thotë se nuk duhet të kënaqen me këtë gjendje.

“Edhe kjo çështje është dinamike, nuk është diçka e mbërrin dhe pastaj duhet ta ruash, por ajo kërko punë të vazhdueshme për arsye se cilësia është diçka që mund të përmirësohet në vazhdimësi pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhesh. Ne momentalisht nëse e krahasojmë cilësinë e programeve studimore aktuale është më e mirë sesa që ka qenë në të kaluarën, por nuk është ajo me të cilën ne të themi jemi të kënaqur dhe nuk kemi ambicie për më shumë”, thotë ai.

Plagjiatura është një nga sfidat që po përballen universitet publike në Kosovë, e në funksion të zvogëlimit të kësaj dukurie, Sahiti thotë se janë duke punuar edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Krijimi i një softueri për detektimin e plagjiaturës, sipas tij do të ndikojë që të zvogëlohet plagjiatura në punimet e studentëve apo edhe të stafit akademik.

“Kjo është një temë që i përcjell të gjitha universitetet, në këtë kuadër natyrisht edhe Universitetin e Prishtinës. Është një çështje që ka qenë brengë dhe vazhdon të jetë edhe më tutje. Ne para ca kohësh kemi provuar që të angazhojmë një kompani të caktuar për të zhvilluar një softuer për parandalim të plagjiarizmit, por procedurat nuk kanë rezultuar të suksesshme. Në ndërkohë e kemi sensibilizuar Ministrinë e Arsimit për këtë problem që ekziston dhe duke e pas parasysh që ky problem nuk është vetëm për UP-në po edhe të gjitha universitetet e tjera publike, kemi kërkuar nga ministria e Arsimit të na ndihmojë në pajisjen me një softuer i cili do të lehtësonte kontrollin në kontekst të plagjiaturës. Nga kontaktet që kemi me ministrinë e Arsimit ata kanë shprehur gatishmërinë edhe kanë futur në planet e tyre, në agjendën e tyre sigurimin e një softueri të tillë në nivel kombëtar. Mendojmë që në këtë formë ne do ta zbutshim dukshëm një dukuri të tillë”, thotë ai.

Ai shprehet se janë të gatshëm që të ndihmojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në mënyrë që të arrihet realizimi i një softueri të tillë. / Gazeta Express / KultPlus.com