Nga Edison Ypi
Mosha e Zonjës
U bo surrati jot me e pyt Zonjën për moshën. Ça dreqin ke që e pyet Zonjën për moshën ? Ke qef ta mposhtësh Zonjën, por meqënse Zonja nuk të përfill, e pyet për moshën. Vërtetë Zonja ka një mardhënie lozonjare me peshoren dhe pasqyrën. Problemet që Zonja ka me ato sende i zgjidh vetë, nuk të pyet ty që Zonjën e pyet për moshën. Nuk i pushton dot kështjellat e Zonjës, nuk i eksploron dot skutat e saj, nuk arrin ta lëpish mjaltin e koshereve të Zonjës, dhe i bën pyetje të helmatisura për moshën. Merru me të tjera mosha. Merru me moshën e të pa edukuarit, të paqytetëruarit, të korruptuarit, hajdutit, mafjozit, vrasësit. Mos i fut hundët te Mosha e Zonjës.
Merru po deshe edhe me moshën që e ke lënë pas dore, moshën e Zojushës, e cila, pavarsisht nga pasqyra rrenacake, peshorja hilanjose, dhe photoshopi, nuk mund të jetë më atraktive se Zonja. Nuk e mposht dot Zonjën duke e pyetur për moshën. Sado të lodhesh dhe çfardo armësh të përdorësh nuk e fiton dot luftën me Zonjën duke e pyetur për moshën. Zonja është e vetmja fitimtare kundër tiranisë së kohës. Mos u lodh kot ta transferosh përgjegjësinë për vështirësitë e jetës mbi Zonjën duke e pyetur për moshën. Mosha e Zonjës është shpikje e mashkullit frikacak që Zonjën nuk e njeh si njeri që ndjen, pranon, refuzon, dashuron, urren.
Mosha e Zonjës s’ka të bëjë me kronologjike, me rrjedhjen e kohës. Mosha e Zonjës është një mister që ti banali, ti mediokri, ti materiali, ti aestetiku, nuk e zbërthen dot kurrën e kurrës. Mosha e Zonjës nuk mund të kapet, nuk mund të matet nuk mund të kuptohet. Mosha e Zonjës është diçka që ikën e vjen, duket e zhduket, ngjitet e zbret, ndizet e tërbohet, rrjedh e derdhet brenda një magjie të pazbërthyeshme. Sa kohë nuk i numuron dot yjtë në qiell, s’ke pun me moshën e Zonjës. Zonjën komplimentoje, ledhatoje, puthe, depërtoje, por kurrë mos guxo ta pyesësh për Moshën. / KultPlus.com