Gazeta gjermane: Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n

Kosova së fundmi e ka ndaluar hytjen e automjeteve me targa serbe në vend – anasjelltas, Serbia e ka bërë të njëjtën gjë me vite. BE-ja bën thirrje për shtensionim, raporton gazeta e njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung duke përshkruar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Së voni, kur lidershipi i NATO-s ndërhyu, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me më shumë sesa thjesht targa. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes, nuk iu drejtua protestuesve që i kanë bllokuar dy pikëkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një javë, por qeverive në kryeqytete: “Beogradi dhe Prishtina”, kërkoi ai , do të duhej të “përmbahen dhe ta rifillonte dialogun”.

Shkaktari për përshkallëzimin e fundit ishte një vendim nga qeveria në Prishtinë, sipas së cilit shoferët kur kalojnë në anën e Kosovës duhet ta vendosin një targë lokale të vlefshme përkohësisht. Natyrisht, kjo një kundërpërgjigje për praktikën e gjatë të qeverisë në Beograd për t’i detyruar shoferët kosovarë në anën e tyre të kufirit t’i përdorin targat serbe.

Përshkallëzimi është katastrofë për BE-në

Pasi anëtarët e pakicës serbe në Kosovën veriore filluan ta bllokojnë kufirin me kamionë në shenjë proteste kundër vendimit të ri pët targat, Kosova dërgoi njësi speciale të policisë në atë rajon. Beogradi pastaj shtoi trupat e ushtarëve pranë kufirit dhe bëri që avionët ushtarakë të fluturonin mbi atë zonë.

Përshkallëzimi është një katastrofë për Bashkimin Evropian. Pas fundit të administratës së Donald Trump në SHBA, e cila kishte nxitur trazira me simpati të hapur për planet e shkëmbimit të zonave përgjatë kufirit kosovaro-serb, shpresat në fakt u rritën në Bruksel se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit mund të ringjallej. Përfaqësuesi i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve që ta “shtensionojnë pa kushte” situatën, shkruan Süddeutsche Zeitung.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i priti në takim ambasadorët nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA-ja, të cilët thuhet se i kërkuan atij që ta shtensionojnë situatën në kufi. Ai pastaj tha në një intervistë televizive se në bisedë me “ambasadorin e një prej vendeve më të fuqishme në botë” (emrin e të cilit ai nuk e tha), ishte bërë “emocional” herë pas here: “Ju doni të më tregoni se ku njësitë tona lejohet të lëvizë brenda territorit tonë? A je normal, njeri?”. Në një deklaratë zyrtare, Vuçiq kishte deklaruar se është akoma i përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte “poshtërimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

Misioni paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR ka rritur ndërkohë patrullimet rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore. / KultPlus.com

“Mosmarrëveshja”, shfaqja absurde që solli për herë të parë punën e regjisores Fata Hyseni në TKK

Alberina Haxhijaj

Fata Hyseni mbrëmë ka fituar titullin regjisore përmes premierës së shfaqjes “Mosmarrëveshja”, me të cilën ajo arriti edhe të diplomoj. Shfaqja “Mosmarrëveshja” po ashtu bëri që emri i regjisores Fata Hyseni të shënohet përkrahë regjisorëve të njohur të cilët shfaqjet e tyre i kanë sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Hyseni solli në skenën e vogël të teatrit, tekstin e skenaristit Albert Kamy, fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi, i cili është i njohur për qasjen e tij absurde. Kamy ishte inskenuar edhe më parë në Teatrin Kombëtar përmes regjisorit Kushtrim Koliqi i cili vitin e kaluar solli shfaqjen “Kaligula”. Dhe të dy shfaqjet krijojnë lidhshmëri pasi që shfaqin çmendurinë njerëzore. Nuk ka si të jetë tjetër kur i gjithë opusi letrar i këtij shkrimtari bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut. E tillë është edhe “Mosmarrëveshja”.

Nënë (Kumrije Hoxha) dhe bijë (Florieta Bajrakatari) jetojnë të izoluara në një bujtinë afër lumit duke ëndërruar që të largohen nga ai vend. Dëshira e tyre në pamje të parë është shumë e thjeshtë, të jetojnë afër detit, të prekin me këmbët e tyre rërën e detit, të zbulojnë pyetjen që i preokupon ‘A do na i djegë rëra shputat e këmbëve, a është aq e nxehtë?’. Mirëpo çdo gjë bëhet e komplikuar në momentin kur për tu larguar nga ky izolim atyre ju nevojiten para, dhe mënyra më e lehtë për t’i fituar është përmes krimit. Nënë dhe bijë pranojnë klientë në bujtinën e tyre, i vrasin dhe ju marrin paratë. Regjisorja Hyseni tregoi për KultPlus se ajo dhe ekipi i kësaj shfaqje kanë punuar së bashku dy muaj për të sjell këtë dramë absurde.

“Kemi punuar dy muaj mirëpo ka pasur edhe disa muaj punë të tjera për finalizimin e kësaj shfaqje dhe konceptit të saj. Tekstin e kam përzgjedhur pasi që është një tekst i pasur dhe i cili ka kohë që nuk është punuar e që trajton temën e izolimit të dy grave brenda një bujtine. Me e punu një tekst të tillë ka qenë e vështirë, me shumë përgjegjësi por edhe kënaqësi”, theksoi Hyseni.

Jeta e “zakonshme” e të zonjës së bujtinës dhe vajzës së saj ndryshon kur një ditë atyre ju shkon në bujtinë për të kërkuar një dhomë një djalë jo i zakonshëm. ‘Ky është ndryshe nga të tjerët’, i thonë nënë dhe bijë njëra-tjetrës. Në fakt ai edhe është i tillë, Zhani djali i vetëm i shtëpisë i larguar njëzet vjet më parë, e që jeton afër detit kthehet pasi që e ndjen se dy gratë e familjes duhet të kenë nevojë për një burrë në shtëpi. Vendimi që në fillim të lajmërohet si një klient, do i kushtojë atij me jetë. Pikërisht vdekja e Zhanit dhe zbulimi i vërtet i identitet të tij shënon edhe një thyerje tjetër në rrjedhën e kësaj drame. Aktorja Kumrije Hoxha sjell dhembjen e një nënë e cila mendon se ka jetuar mjaftë. ‘Jetova më shumë se djali”.

Në anën tjetër Marta e cila erdhi përmes aktores Florieta Bajraktari, është ajo që zbërthen tutje absurdin brenda kësaj shfaqje. Indiferente ndaj vrasjes së të vëllait duke u arsyetuar se të paktën ai ka jetuar i lirë për aq sa ka jetuar, është vetëvrasja e nënës ajo që e bënë Martën të bëjë të njëjtën gjë. Duke goditur vetën me thikë, Marta lë të shokuar gruan e Zharkut e cila e kërkon të shoqin gjersa shërbëtori largohet me paratë. Sipas aktores Florieta Bajraktari, bashkëpunimi brenda ekipit ka bërë që procesi i punës të jetë i lehtë.

“Roli është shumë sfidues dhe është dashtë mjaft shumë me punu po e rëndësishme ka qenë me dal ajo që regjisorja ka dashtë e që ka qenë tema e izolimit. Kryesisht këtë temë e bart personazhi im tek i cili vërehet edhe një ndryshim psikologjik, e që e ka bërë edhe me sfidues procesin që me hy brenda këtij roli”, tha Bajraktari.

Sfidën e parë si regjisore të Fata Hysenit e vlerësoi edhe Butrint Berisha. Ai theksoi se shfaqja arrin që të sjellë klaustrofobinë, e që është gjetja kryesore e kësaj shfaqje.

“Si koleg i klasës e kam përcjellë procesin e shfaqjes dhe po ashtu e njoh edhe si tekst dhe sonte erdhi një realizim më ndryshe i shfaqje. Erdhi ajo klaustrofobia e shfaqjes e që ka qenë si gjetje kryesore e shfaqje. Po ashtu loja e aktorëve ishte e bukur. Zhanri i kësaj shfaqje nuk është zhanër që e tërheq publikun për shkak të natyrës së errët që e ka. Mirëpo po shpresoj që përmes qasjes regjisoriale dhe lojës së aktorëve shpaloset përralla që e diskuton teksti”, tha ai.

Reprizat e para të kësaj shfaqje do të jenë më 21 dhe 22 maj duke filluar nga ora 21:00./KultPlus.com