Aleksia dhe Vasja janë motra binjake, 20 vjeçe që studiojnë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA. Por kanë vendosur ti vijnë në ndihmë fëmijëve me kancer në Shqipëri.
Aleksia thotë se ishte 12 vjeçe kur dhuroi për herë të parë flokët në Amerikë. Por pas dy vitesh, kur iu rritën flokët donte që ti dhuronte ne Shqipëri, për fëmijët që iu bien flokët nga kimioterapia.
Së fundmi kanë hapur një organizatë jofitimprurëse për të mbledhur fonde për flokë artificialë që më pas do t’u dhurohen këtyre fëmijëve. Në emisionin “Ftesë në 5” motrat treguan librin e krijuar për fëmijë. Është një libër me vizatime, ngjyrosje dhe ushtrime matematikore për fëmijët 4-8 vjeç. Fitimet nga shitjet e librit do të shkojnë për të prodhuar flokë.
Vajzat shprehen se kanë gjetur shumë mbështetje: “Është kënaqësi e madhe që kemi mbi 200 vajza që kanë dhuruar flokët”.
Të dyja kanë ecur në të njëjtat hapa, duan të bëhen mjeke dhe të merren me kërkime shkencore por shprehen të vendosura se këtë kauzë do ta vazhdojnë./tch/ KultPlus.com