Gërmimet me kantierin e shkollës së mesme Gjergj Kastrioti në Durrës kanë nxjerrë në dritë një tjetër mozaik, edhe më i veçantë se mozaiku i zbuluar një muaj më parë, në të njëjtin vend.
Të dy mozaikët mendohet se i përkasin shekullit të I para erës sonë. Arkeologët thonë se mozaiku në ngjyrat e bezhë dhe me pika blu i përket pishinës së një vile, ku tregon nivelin e lartë të ndërtimeve për kohën.
Arkeologu Luan Përzhita tregon se kemi të bëjmë më zbulimin e një vile dy katëshe me të paktën 8 hapësira të mëdha banimi, ndërsa interes të lartë arkeologjik ka pasur edhe zbulimi i sistemeve hidraulike të kohës, me kanale të veçanta për të kaluar uji i ngrohtë.
“Kemi zbuluar hapësira banimi të lashta që kanë qenë të ndritura në atë kohë në 2 kate, linjat e murit tregojnë se kemi dhe një hapësirë tjetër për të gërmuar që është 3 metra e gjysmë që lidhet me katin e pare të banimit. Kjo vilë përbëhet nga 7 ose 8 hapësira të mëdha deri sa kemi zbuluar deri tani. Një tjetër sektor i rëndësishme lidhet edhe me sistemin hidraulik, kemi gjetur disa mbulesa të kanaleve që kalonte uji i nxehtë në atë kohë si dhe kemi një zbulim sensacional që ndodhi sot, ku u zbulua një mozaik i dytë. Kemi një mozaik me ngjyrat e bezhës ose panës i alternuar me disa pika në ngjyrë blu. Mendohet se janë të periudhës që lidhet me fund të shekullit të I të erës sonë. Ky mozaik është zbuluar në pishinën e kësaj vile, kemi të bëjmë me ndërtimin e një pishine që tregon për një nivel të larë të ndërtimeve për kohën dhe trajtimin e kësaj pishine me afreske shumëngjyrëshe. Gërmimet kanë sjellë zbulimi dhe struktura të reja arkeologjike, kemi elementë qeramike apo zbukurim të lashtësisë”, tha arkeologu.
Pak ditë më parë në këtë vend , me rifillimin e gërmimeve dolën në drite gjetje të rëndësishme si rifiniturat e veshjeve të brendshme të vilës, pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, të cilat datonin të periudhave para dhe pas lindjes së Krishtit./rtsh/KultPlus.com
Gjatë rikonstruksionit të një pallati në lagjen 11 të Durrësit, e dëmtuar nga tërmeti, është rehabilituar edhe kati nëntokë ku ndodhet një monument mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, Mozaiku i Meandrit.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirian Sako, ndau në rrjetet sociale një album fotografik të mozaikut, duke njoftuar se, i gjithë kati ku ndodhet mozaiku është riparuar, është kryer largimi i ujërave si dhe është bërë pastrimi i plotë dhe dezinfektimi.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi kërkuar të realizohet zhvendosja e këtij mozaiku drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që ai të vizitohet nga qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë qytetin tonë sepse ai është një aset tjetër më vlera të mëdha arkeologjike i Durrësit”, është shprehur Sako.
Mozaiku i Meandrit i punuar në teknikën bardh e zi i përket shekullit I të erës sonë dhe ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të Diellit në lëvizje.
Ka formën e kryqit të thyer dhe pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve./atsh/KultPlus.com
Bukëpjekësit në Meksikë u bashkuan për të krijuar 20,689 copë bukë dhe për t’i mbledhur ato në mozaikun më të madh të bukës në botë, me përmasa 2,222 metra katrorë.
Rekordet Botërore Guinness thanë se një ekip prej pesë furrtarësh në Municipio de Zacatlan të Pueblas punuan së bashku për të thyer rekordin për mozaikun më të madh të bukës në botë për Dia de los Muertos, Ditën meksikane të të Vdekurve. , transmeton UPI.
Mozaiku i përpunuar përmbante një imazh të La Catrina, e cila është një figurë tradicionale e skeletit që lidhet me festën.
Guinness tha se furrtarëve iu deshën dy javë për të pjekur të gjithë bukën e përfshirë në këtë rekord që arritën. /KultPlus.com
Një mozaik i madh në qytetin qendror të Gjermanisë Halle që daton në epokën komuniste do të restaurohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të ish-Gjermanisë Lindore.
Mozaiku u krijua duke përdorur afro 11 000 pllaka nga artisti spanjoll Josep Renau dhe ka 35 metra lartësi dhe shtatë metra gjerësi. E përfunduar në vitin 1974, mbulon fasadën e një blloku banimi.
”Mozaiku ishte një nga projektet e para të mëdha të këtij lloji në Republikën Demokratike Gjermane (gjermanisht: DDR)”, theksoi një zëdhënës i fondacionit Wüstenrot, i cili ndihmon në ruajtjen e monumenteve historike.
”Kishte një ide politiko-ideologjike për çdo kompleks rezidencial në qytetin e ri Halle-Neustadt që duhej të shprehej në formë artistike”, tha ai.
Në vitin 1968, Gjermania Lindore i ngarkoi Renaut të krijonte dy vepra: “Fuqitë e natyrës dhe teknologjisë të zotëruara nga njerëzimi” dhe “Uniteti i klasës punëtore dhe themelimi i RDGJ”.
E para është restauruar në vitin 2005, ndërsa e dyta aktualisht është e dëmtuar dhe ka nevojë për riparim.
Sipas fondacionit, muralet Renau (1907-1982) janë ndër veprat më domethënëse të artit që datojnë nga epoka e Gjermanisë Lindore./atsh/ KultPlus.com
Artisti kosovar Alkent Pozhegu së fundmi ka shpalosur artin e tij krejtësisht të veçantë në një mënyrë për të falënderuar kancelaren gjermane, Angela Merkel e cila vazhdon të mbetet një shembull për të gjitha gratë e botës e sidomos për mbështetjen që ajo i ka dhënë vendit të saj për plot 16 vjet, përcjell KultPlus.
Një mozaik nga fara të llojllojshme, ka gjetur formën e figurës së Merkel pikërisht në ditën kur Gjermania ka votuar për një kancelar të ri. Pozhegu kësaj radhe, me mënyrën e tij unike falënderon Merkel për kontributin e saj të dhënë për Kosovën.
Sheshi i Gjakovës sot ka ndjerë drithërat e ndryshme si: misri i kuq, i portkollat, orizi i bardhë dhe farat e lulediellit, me ç’rast duket qartë se arti gjithmonë nderon një person, pa marrë parasysh pozitën e tij.
Nëpërmjet artit, artisti Pozhegu ka arritur të identifikohet lehtë nga mediat e ndryshme të huaja e në veçanti nga ato gjermane të cilat kanë kushtuar artikuj të ndryshme për artin e tij.
Pozhegu, mozaikun e kancelares gjermane e ka vendosur në një shesh të Gjakovës duke e shkruar edhe fjalën ‘DANKE’ në gjuhën gjermane.
“Unë besoj që për botën është shumë, sepse një femër ka arritur të jetë më e fuqishme në botë që ka fituar katër mandate dhe ka arritur t’i jap shembull të gjitha femrave në botë. Kurse ne në Kosovë duhet të jemi falënderues gjatë tërë jetës sepse gjatë tërë kohës nuk ka munguar mbështetja e fuqishme që e kemi pasur nga Angela Merkel”, tha Pozhegu.
“Materialet për mozaikun janë, misër i kuq, i portokallt, oriz dhe fara luledielli, përmasat janë përafërsisht 3 me 4, kurse sasia e kokrrave janë shpenzuar afër 1 kilogram prej secilit përbërës”, tregon tutje ai.
Përndryshe, kujtojmë se Alkent Pozhegu mban dy rekorde ‘Guinness’ për mozaikët e tij gjigantë të bërë me fara. / KultPlus.com
Arkeologët kanë zbuluar një mozaik 3 500 vjeçar në Turqinë Qendrore, që konsiderohet më i vjetri në botë.
Mozaiku, i përbërë nga 3 147 gurë me madhësi 3×7 metra, u gjet në Usakli Hoyuk që ndodhet në rrethin Sorgun të provincës Yozgat, ku vëzhgimet sipërfaqësore kanë filluar në vitin 2008 dhe gërmimet në vitin 2012.
”Gërmimet po kryhen bashkërisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve, Universiteti Bozok dhe Universiteti i Pizës i Italisë”, tha Huseyin Çiftçi, drejtori lokal i Kulturës dhe Turizmit.
“Në studimet shkencore, është përcaktuar se mozaiku i gjetur është mozaiku i parë në historinë botërore. Kallëpi i mozaikut gjithashtu e mbështet këtë, pasi është mjaft primitiv. Ne po planifikojmë ta fitojmë këtë vend në sektorin e turizmit”, tha Çiftçi.
Anacleto D’agostino, ligjërues në Universitetin e Pizës dhe kreu i ekipit të gërmimeve, tha se mozaiku që ata gjetën i përket viteve 1 500 para erës sonë.
Gjithashtu, duke deklaruar se mozaiku është më i vjetri në botë, ai tha se “ne e dimë që ka mozaikë të ngjashëm në Greqi, por ne mendojmë se mozaiku këtu është më i vjetër se ai atje”. / KultPlus.com
Mozaiku në Yavne të Izraelit është i pari i këtij lloji i zbuluar në qytet, duke e çuar ekipin e arkeologëve drejt supozimeve për artefakte të tjera që mund të zbulohen në këtë lokalitet. Poshtë dyshemesë janë gjetur edhe disa monedha të rralla
Arkeologët kanë rënë në gjurmë të mozaikut 1 mijë e 600 vjet të vjetër, i ruajtur jashtëzakonisht mirë në Yavne, qytet në Izraelin Qendror. Mozaiku daton nga periudha bizantine. Modeli gjeometrik i dyshemesë u zbulua gjatë gërmimeve të një zone industriale që ka të ngjarë të ketë qenë aktive gjatë shekujve IV dhe V të erës sonë, është bërë e ditur në një njoftim për shtyp të Autoriteteve të Antikiteteve të Izraelit.
“Trotuari mund të ketë qenë pjesë e një ndërtese rezidenciale e marramendëse në një lagje të pasur ngjitur me zonën industriale”, është shkruar në deklaratë.
Një shtresë e dendur e patinës – një tip shkëlqimi që grumbullohet në sipërfaqe ndër vite – fillimisht errësoi modelin e mozaikut, por një ndërhyrje e kujdesshme në Muzeun Rockefeller në Jerusalem zbuloi një motiv të shkëlqyeshëm shumëngjyrësh gjeometrik, të vendosur në një kornizë të zezë drejtkëndëshe. Për më tepër, disa monedha të rralla u gjetën poshtë dyshemesë.
Mozaiku në Yavne është i pari i këtij lloji i zbuluar në qytet, duke e çuar ekipin e arkeologëve drejt supozimeve për artefakte të tjera që mund të zbulohen në këtë lokalitet. Deri më tani, ekspertët kanë gjetur mbetjet e presave antikë të verës dhe një depo vere, të cilat përfundimisht do të shfaqen në muzeun e ardhshëm arkeologjik të Yavnes, së bashku me mozaikun.
“Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe ndërgjegjësimi për të kaluarën janë vlera të rëndësishme për qytetin e Yavnes, i cili ka një histori madhështore”, ka thënë Zvi Gur-Ari, kryetari i bashkisë së Yavnes, në një deklaratë. “Në një epokë përparimi dhe zhvillimi të përshpejtuar në të gjitha fushat e jetës, brezat e ardhshëm duhet gjithashtu të jenë në gjendje të shohin se si qyteti ka evoluar gjatë viteve”. /koha/ KultPlus.com
Interesimin për artin e kishte pasur qysh fëmijë e për të ndërtuar rrugën e tij drejt suksesit kishte filluar që prej kohës kur ishte nxënës, për ta vazhduar më pas edhe në studime. Teksa sot gëzon një numër të madh të ekspozitave të mbajtura, çmimeve të fituara, e mozaikëve të krijuara, ishte pikërisht mozaiku i ‘Murit të kujtesës’ për të cilin Fatos Kabashi punoi me ditë të tëra që mori jehonën më të madhe, shkruan KultPlus.
Në një intervistë për KultPlus artisti Fatos Kabashi ka treguar se mozaikun e nënës Sherife me vajzën e saj Besianën e kishte filluar që në tetor të vitit të kaluar, për ta përfunduar gjashtë muaj më pas, në marsin e këtij viti.
“Mozaikun e nënës shqiptare Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën e kam filluar ta punoj më 15 tetor të vitit 2020 dhe e kam përfunduar më 20 mars të vitit 2021, më ka marrë afërsisht 6 muaj. Projektuesit e murit të kujtesës me të cilët edhe kam bashkëpunuar janë Jahja Lluka dhe Luan Tashi”, pohon Kabashi.
Për artistin Kabashi punimi i një mozaiku të tillë ishte përcjellur vazhdimisht me emocione të mëdha sepse gjatë tërë kohës ai kishte në mendje se si refugjatët shqiptarë kishin kaluar përgjatë kufirit pa bukë e ujë, por mbi të gjitha edhe të maltretuar. Ai shton se herë pas herë edhe ka qajtur gjatë punës ngase si fëmijë edhe vetë e kishte përjetuar luftën.
“Tek mozaiku i nënës shqiptare me vajzën e saj të vuajtur dhe të atyre refugjatëve që shihen në prapavijë, gjatë gjithë kohës që kam punuar kam ndjerë emocion të veçantë, por edhe dhimbje sepse çdo herë më ka shkuar mendja se si kanë kaluar mbi 400 mijë civil shqiptarë gjatë këtij kufiri pa bukë, pa ujë e të maltretuar nga paramilitarët serb. Për mua ka qenë shumë e ndjeshme dhe herë pas here kam qajtë sepse edhe vetë si fëmijë 12 vjeçar e kam përjetuar luftën në Kosovë dhe mbaj në mend se si kemi vuajtur”, rrëfen për KultPlus artisti.
Tutje ai tregon edhe për përbërjen e materialeve që janë përdorur për realizimin e këtij mozaiku duke theksuar se krahas gurëve natyral të prerë në formën e duhur, janë përdorur edhe rrjetat, ngjitësit dhe elemente të tjera që e bëjnë një mozaik të qëndrueshëm edhe në ambientet e jashtme. Ai krahas kësaj shton se për punimin e mozaikut duhet një përkushtim detajist në mënyrë që të arrihet synimi.
Përurimi i ‘Murit të kujtesës’ në të cilën gjendet mozaiku i punuar nga Fatos Kabashi është bërë të shtunën e javës që lamë pas, organizim ky për të cilin artisti thekson se është ndjerë tejet i dëshpëruar, pasi, siç është shprehur tutje ai për KultPlus, të pranishmit nuk patën mundësi që të njohin dhe të dijnë se kush ishte krijuesi i atij mozaiku, sepse këtij të fundit nuk ju dha mundësia që të dalë para publikut.
“Aq sa kam qenë i lumtur që kam qenë i pranishëm po ashtu jam ndarë shumë i dëshpëruar nga organizimi jo i mirë. Të gjithë mysafirët e ftuar e të paftuar, gazetarë, media e fotografë nuk e patën mundësinë ta njohin krijuesin e këtij mozaiku. Mua nuk m’u dha mundësia të dal para publikut t’i përshendes dhe ti them dy – tre fjalë. Aty u ndanë shumë mirënjohje për punët që i kanë bërë, kurse arsyeja kryesore pse edhe ishin mbledhur aty ishte mozaiku, por mua as mirënjohje nuk më është ndarë. Nuk dua ta fajsoj askënd mirëpo kjo është një mosmirënjohje për punën dhe mundin që kam bërë”, rrëfen Kabashi kur pyetet se si është ndjerë në ditën e përurimit të ‘Murit të kujtesës’.
Por, mbi të gjitha, Kabashi nuk harron të përmend faktin se prezenca e protagonisteve të mozaikut, Sherife Lutës dhe vajzës së saj Besianës e ka bërë atë të ndjehet shumë mirë sepse që të dyja ishin të kënaqura me punën e tij.
Mozaiku i ‘Murit të Kujtesës’ nuk është ndër sukseset e vetme të artistit Fatos Kabashi, ai deri më sot ka marrë çmimin ‘Muslim Mulliqi’ dhe çmimin ‘Fytyra Universale’. Krahas kësaj numëron pesë ekspozita personale të mbajtura deri më sot.
Kabashi kryesisht ka zgjedhur të fokusohet në krijimin e mozaikëve sepse është ndër teknikat që i ka pëlqyer më së shumti dhe njëkohësisht është mishëruar me të. Ai deri më sot ka punuar 164 mozaike të ndryshme./ KultPlus.com
Antikiteti ka lënë gjurmë të gjalla, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Qyteti antik i Bylisit, është një prej qendrave më të rëndësishme arkeologjike në vend. Bylisi shtrihet në dalje të qytetit të vogël të Ballshit.
Siç njofton ministrja e Kulturës, një nga mozaikët e zbuluar sot në qytetin antik Bylis, daton në shekullin VI.
Teatri i Bylysit është një nga monumentet më të mëdha të kësaj qendre arkeologjike, që është ndërtuar në fillim të shekullit të 3-të para lindjes së Krishtit dhe ka një kapacitet prej 7 500 vendesh, që do të thotë se ka qenë një nga veprat më të mëdha të kohës.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, kalaja e Petrelës, Tiranë, kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj. /KultPlus.com
Për nder të 20-vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz është vendosur mozaiku i heroit i punuar me rreth 200 mijë gëzhoja plumbash.
Këtij punimi iu gëzua nipi i Ademit tash kryetar komune i Skenderajt, Bekim Jashari që thotë se kjo është nje simbolikë e mirë për sakrificën e komandanitit derisa sipas tij kjo tregon për dashurinë që kanë njerëzit për heronjtë, njofton Klan Kosova.
Mozaiku me 200 mijë gëzhoja plumbash është punuar nga Besart Gashi.
Në nderim të 20-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në Prekaz do të bëhet zbulimi i mozaikut të Komandantit Legjendar Adem Jashari i punuar me 200.000 gëzhoja fishekësh, ideator i të cilit është 27-vjeçari nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit, Besart Gashi.
Besarti me këtë krijim synon që të njihet edhe jashtë Kosovës, e synimi i tij shkon deri tek libri i famshëm Guinness, në të cilin pritet që ky i fundit të thyejë rekordin me mozaikun që e ka formatin 5×5, ose 25 metra katrorë.
Fillimisht, artisti në fjalë, ka bërë punime nga druri, më të cilat është i njohur deri tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë, me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.
Ashtu sikur punimet e tjera, mozaiku i tij ka përmbajtje nacionale, zakonisht ka gdhendur e skalitur, fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, komandantit legjendar, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash./ KultPlus.com
Ndër 46 asetet e reja që tashmë janë aprovuar që të hyjnë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, është edhe mozaiku i ‘Nënë Terezës’ i punuar nga artisti Saimir Strati, shkruan KultPlus.
Kjo vepër e punuar me kapëse teli me një dimension prej 10 metra katrorë, artistit Strati i ka sjellë rekordin e dhjetë Guinness. Portreti ka një vend të veçantë në Muzeun e Kosovës, dhe për tu punuar janë përdorë rreth 1 milion e 500 mijë tela të bardhë dhe ngjyrë kafe. Kësisoj ky mozaik ka marrë pamjen në 3D dhe tashmë është nën Mbrojtje të Përkohshme./ KultPlus.com