MPJD-ja dënon ndërtimin e kishës serbe në Batajnicë, e quan ‘akt përçmimi ndaj shqiptarëve’

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD) e dënon aktin e ndërtimit të Kishës Ortodokse Serbe në Batajnicë, pranë lokacionit ku u gjetën në varrezë masive trupat e mbi 700 shqiptarëve të vrarë në vitin 1999 nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë.

MPJD thotë se “e konsiderojmë këtë një akt përçmimi të kishës dhe autoriteteve serbe ndaj viktimave shqiptare të këtij akti gjenocidal të Serbisë”.

“Në vend të ndërtimit të një pllake përkujtimore ndaj viktimave të pafajshme të varrosura në këtë vend ku ishin përpjekur ta fshehnin krimin shtetëror, Serbia vazhdon të provokojë me akte të tilla, si dhe refuzon të tregojë për fatin edhe të mbi 1600 shqiptarëve të tjerë të zhdukur gjatë luftës”, thotë MPJD përmes një reagimi në Facebook.

Tutje, MPJD-ja thotë se nuk mund të ketë asnjë marrëveshje paqeje e pajtimi mes Kosovës e Serbisë, derisa kjo e fundit nuk i pranon krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe derisa nuk kërkon falje për këto krime, duke i ndjekur dhe dënuar shumë nga kriminelët e luftës që i ka amnistuar.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë më e lehtë për të kur ajo të bëhet edhe si reflektim e pendim i Serbisë për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës”, përfundon reagimi. / KultPlus.com