Alpinistja që pushton malet, Mrika Nikçi, bën thirrje për raportim të ngacmimeve seksuale (VIDEO)

Alpinistja që mposht malet, Mrika Nikçi, i bashkohet thirrjes kundër dhunës me bazë gjinore dhe bën thirrje për raportim të ngacmimeve seksuale, shkruan KultPlus.

Përmes një videoje nga Ministria e Drejtësisë, Nikçi bën thirrje për të raportuar dhunën me bazë gjinore. “As edhe një më shumë”, përfundon fjalën e saj alpinistja shqiptare.

Gjatë këtij viti Nikçi ka qenë viktimë e një sulmi seksual. /KultPlus.com

Federata Alpiniste dënon sulmin ndaj Mrika Nikçit: Mund të jetë gjithçka, veç jo njeri

Pas sulmit ndaj alpinistes Mrika Nikçi nga Peja mbrëmjen e 27 shtatorit, kanë reaguar edhe Kryesia e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, duke e quajtur sulmin të ulët e çnjerëzor.

Në reagimin e FBAK thuhet se me indinjatë të thellë morën lajmin për sulmin aq të ulët e çnjerëzor, ndaj alpinistes së tyre me famë botërore, Mrika Nikçi.

“Në emër të Kryesisë dhe të gjithë komunitetit bjeshkatar, dënojmë ashpër këtë akt të turpshëm ndaj Mrikës dhe urojmë që kryesi ta marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagim.

FBAK, urojnë që Mrika dhe familja e saj, ta tejkalojnë këtë pa pasoja të mëdha emocionale.

“Mrika, jemi me ty. Ashtu siç i ke përballuar vështirësitë fizike, por edhe emocionale, për ngjitjen e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve, urojmë ta përballosh edhe këtë dhimbje emocionale të shkaktuar nga dikush, që mund të jetë gjithçka, veç jo njeri”, thuhet në reagimin e Kryesisë së Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës.

Kryetari i Pejës reagon pas sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqit

Pas denoncimit publik që u bë nga alpinistja Mrika Nikqi për sulmin seksual, ka reaguar edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri.

“Dhuna nuk është çështje private, por është çështje sociale, është çështje politike. Por mbi të gjitha, është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh. Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë!”, ka shkruar Muhaxheri.

Kujtojmë që alpinistja Mrika Nikçi ka publikuar sot një video nga sulmi seksual që i është bërë asaj në qendër të qytetit të Pejës./ KultPlus.com

Flet babai i alpinistes Mrika Nikçit, pret zbardhjen e rastit

Babai i alpinistes Mrika Nikçi, Arianit Nikçi, ka dhënë një prononcim për Klan Kosovës, pas videos që e kishte publikuar vajza e tij, në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.

“Kuptohet që jam ndier shumë i shqetësuar, por fatmirësisht ka qenë një bashkëpunim i mirë me organet përkatëse dhe me qytetarët”, ka thënë Nikçi.

I pyetur për detaje të tjera lidhur me të dyshuarin dhe me procedimin e rastit, ai tha se nuk mund të prononcohet për momentin për këtë dhe se pret që çështja të zgjidhet përmes rrugëve ligjore.

“Për më tepër, nuk mund të prononcohem”, ka përfunduar Nikçi./ KultPlus.com

Alpinistja Mrika Nikçi sulmohet seksualisht në qendër të qytetit të Pejës, publikon videon nga ky rast (VIDEO)

Alpinistja Mirka Nikçi ka njoftuar se pak ditë më parë ka qenë viktimë e një sulmi seksual në qendër të qytetit të Pejës. Ajo ka publikuar edhe video nga ky sulm duke thënë se është në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohet në tërësi, përcjell KultPlus.

Nikçi shprehet se do të njoftojë për rrjedhën e situatës pas vendimit të Gjykatës.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Nikçit:

Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht !

Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës.

Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt.

Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji.

Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi i ndau mirënjohje alpinistes Mrika Nikçi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim alpinisten Mrika Nikçin.

Ministrja Vlora Dumoshi gjatë këtij takimi e përgëzoi alpinisten Mrika Nikçi për sukseset e saj duke thënë se “është kënaqësi e veçantë për mua si Ministre që t’i ndaj mirënjohje një alpinistje të suksesshme siç jeni ju, vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vite”.

“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”–tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq alpinistja Mrika Nikçi u shpreh e lumtur për marrjen e mirënjohjes dhe tha se: “Vlerësimi i punës dhe angazhimit tim nga ana e Ministrisë për mua do të thotë shumë, kjo mirënjohje është një motivim shtesë e cila me shtyn të vazhdoj më tutje”- tha alpinistja Nikçi. / KultPlus.com