Ms. Indefinite së fundi ka prezantuar video-performancën e “Vitruvian Woman”, ku në këtë prezantim ka marr pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Halimi e ka vlerësuar këtë projekt që është edhe angazhim për temat e barazisë gjinore, po nëpërmjet artit.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Halimit.
Në premierën e video-performancës “Vitruvian Woman” të artistes Ms. Indefinite është një vlerësim i veçantë për angazhimin e saj të thellë ndaj temave të barazisë gjinore përmes artit.
Me mjeshtri të rrallë, ajo sfidon dhe riformulon një nga figurat më ikonike të historisë së artit, “Vitruvian Man” të Leonardo da Vincit, duke e dekonstruktuar atë përmes një qasjeje feministe.
Në histori, “Vitruvian Man” përfaqëson idealin e njeriut dhe përsosmërinë fizike, një imazh që ka dominuar shekuj të tërë në artin perëndimor.
Megjithatë, Ms. Indefinite e zhvendos këtë balancë të përsosur në një kontekst të ri “Vitruvian Woman”, ku lëvizja bëhet një metaforë për sfidat dhe pabarazitë me të cilat gratë përballen çdo ditë. Një pasqyrim i dinamikës së pabalancuar që përcakton përvojën e grave në shtëpi dhe shoqëri.
Në këtë performancë, artistja përdor gjuhën vizuale për të ngritur zërin kundër normave gjinore që kufizojnë dhe përcaktojnë rolet e grave dhe burrave.
“Vitruvian Woman” nuk është vetëm një riinterpretim i artit klasik, por një thirrje për drejtësi dhe barazi, një akt proteste që flet për të drejtat e grave, përmes lenteve të një arti me qëllim të fuqishëm transformues./ KultPlus.com